Gani I. Mehmeti
Pas numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, kur ne ishim me veshët ngritur të dëgjojmë çertifikimin e deputetëve dhe partive fituese në zgjedhje, e për formimin e institucioneve, përnjëherë ra gjithçka! Kjo nga se në shumë vendvotime e pothuaj në të gjitha komunat e vendvotimet, nuk është përputhur rezultati i numërimit të votave nga KQZ me ato të Qendrve Komunale.
Dhe, u mor vendimi të numërohen të gjitha votat në 914 vendvotime tërësisht, që në 15 komuna numërimi të jetë i plotë si dhe në komunat tjera nga 10 për qind.
Tani lind pyetja, si mundi të ndiodhte ky “gabim” dhe pothuaj në gjithë Kosovën?
Jo, ky farë “gabimi” na del të jetë i qëllimshëm! Dhe kjo ndodhi në kohën kur po kërkohej formimi sa më i shpejtë i institucioneve si nevojë e madhe vendore po dhe kërkesa e madhe nga ndërkombëtarët – tani ka shtyrje të çertifikimit të kandidatëve për deputetë e kjo e shtynë edhe formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. E me këtë, sikur shtyhet gjithçka në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e jetës, duke mbetur në pritje të formimit të institucioneve, që jeta të zhvillohet normalisht.
Dhe, përmbi të gjitha, a do të ndodhte diçka e tillë sikur të ekzistonte përgjegjësia apo llogaridhënia individuale e kolektive në punë? Por, kjo mungon, prandaj numëruesit e votave bëjnë “gabime” e votat ndryshojnë sipas simpatisë së kandidatëve apo edhe të pagesës nga dikush edhe mes deputetëve të së njëjtës parti, ndërsa mes partish, ende nuk jemi të njoftuar se si qëndron puna.
Kjo është shokuese për shtetin e shoqërinë në Kosovë, është papërgjegjësi e përgjithshme e numëruesëve të votave, është e pamoralshme, e pa edukatë dhe një lloj tradhtie ndaj kandidatëve që u janë marrë votat e u janë dhënë të tjerëve, shprehje e jorealitetit dhe humbje e besimit nga të gjitha nivelet zgjedhore, nga poshtë e deri lart.
Lirisht e them se është tradhti ndaj institucioneve dhe ndaj vetë shtetit, sepse të tillët janë kundër shtetit.
Mjafton që nuk është punë serioze, ku tregohet se mungon dashuria ndaj institucioneve të shtetit dhe të vet shtetit, me çka është e premja në besë dhe një nga ligësitë më të mëdha.
Vallë, deri kur ne duhet të mendojmë për shtetin më shumë se për veten, më shumë se për dikë që ia kemi dhënë votën, duke ia marrë prej tjetrit?











