Hysen S. Dizdari
Filatelist dhe historian
Posta italiane njoftoi se më datën, 30 Gusht 2025, emetoi një seri me pulla postare kushtuar kostumit të gruas të komunitetit të arbëreshëve në Itali.
Kjo seri me pulla i përket serisë tematike “vlerat sociale-kulturore”, dhe i kushtohet komunitetit arbëresh të Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) dhe ka vlerë tarifore të zonës B 1, e barabartë me 1,35 €.
Pulla postare paraqet në qendër të saj veshjen tradicionale të gruas arbëreshe të Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), një prej simboleve të trashëgimisë kulturore arbëreshe.
Qendra e studimeve dhe publikimeve për arbëreshët theksoi se, kjo pullë paraqet një moment të rëndësishëm për ruajtjen e ndryshimeve kulturore në vendin fqinjë dhe ruajtjen e identitetit kulturor të komunitetit arbëresh të Horës.
Mirënjohje shtetin Italian dhe veçanërisht Posten së Italisë për stampimin në një pullë postare të veshjeve të gruas arbëreshe, por edhe për kujdesin e kushtuar ndaj popullit shqiptarë, arbëreshëve të Italisë, sidomos për ruajtjen e traditës së tyre kulturore, gjuhësore dhe etnografike të të arbëreshëve të cilët emigruan në Italia pas vdekjes heroit tonë Kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe sidomos pas rënies së Kalasë së Krujës në duart e pushtuesve otoman, në prill të vitit 1479. Shtegtimi i arbëreshëve filloi nga viti 1460, për të vazhduar në vitet 1468, 1479 dhe1488.
Hora e Arbëreshëve është një nga vendbanimet më të rëndësishme të arbëreshëve në Itali. Ajo u themelua më 30 gusht 1488 nga shqiptarët e emigruar, 20 vjet pas vdekjes së Skënderbeut.
Ky vendbanim përfaqëson një nga shembujt më unike të ruajtjes së identitetit etno-kulturor, gjuhësor e etnografik të arbërorëve – shqiptarëve të emigruar para 550 viteve në Itali.
Hora e Arbëreshëve është një vendbanim i vendosur rreth 25 km në jug nga qytetit Palermo, në Sicili, ka një popullsi rreth 6500 banorë dhe ka ruajtur e ka mbajtur gjallë për 537 vjet, gjuhën, zakonet, kulturën, muzikën, veshjet tradicionale dhe simbolet kombëtare arbërore – shqiptare.
Studiuesi i njohur shqiptar, Dorian Koçi, në një punim botuar te gazeta “Dielli” e datës, 5 Shtator 2025 shkruan:
“Hora e Arbëreshëve nuk është thjesht një fshat në Sicili, por një monument i gjallë i qëndresës, i kujtesës dhe i dashurisë për atdheun e lënë pas. Ajo është një provë historike e faktit se identiteti kombëtar nuk kufizohet nga kufijtë gjeografikë, por mbijeton përmes gjuhës, kulturës dhe besimit të patundur të një komuniteti.”
Arbëreshët lanë gjurmë tyre në letërsinë gojore dhe të shkruar, pra në letërsinë tonë kombëtare. Pa kontributin e tyre nuk mund të shkruhet asnjë histori e letërsisë. Këtë e dëshmojnë veprat e para të intelektualëve dhe shkrimtarëve arbëreshë Lekë Matranga, prift arbëresh i ritit bizantin, i cili e botoi veprën e parë ndër arbëreshët e Italisë më 1592 “E mbësuara e krishterë”. Pastaj autorët e shquar si Jul Varuboba, Jeronim De Rada, Zef Skiroi, Zef Serembe, Gavrill Dara i Riu, Françesk Anton Santori, Dushko Vetmo, Vorea Ujko, Enca Skutari etj.
Rreth veçantive dhe pasurisë së kësaj letërsie Anton Nikë Berisha shkruan: “Gjuha arbëreshe dhe të folurit arbërisht ka qenë dhe mbetet përbërësi më qenësor i gjallimit dhe i ruajtjes së botës dhe shpirtit arbëresh nëpër kohë. Mirëpo, letërsia arbëreshe, gojore dhe e shkruar, po ashtu pati një rëndësi të madhe dhe luajti një rol të shumëfishtë për ruajtjen dhe pasurimin e kësaj bote. Themi kështu duke pasur parasysh faktin se letërsia arbëreshe është shprehje e botës, e mendësisë dhe e fatit të arbëreshëve; në të gjetën jehonë, po njëherit edhe përjetësim artistik në një nivel të lartë, dukuri të shumta, që i përcollën ata në rrjedhë të gjallimit për pesë shekuj, ç’prej kohës kur u shpërngulën nga atdheu dhe u vendosën në Itali […]
Edhe njohësi më i zakonshëm i letërsisë gojore dhe i letërsisë së shkruar arbëreshe do të theksojë se këto dy shtresa të atit të fjalës u cytën dhe u frymëzuan nga bota arbëreshe, dhe në formën e artit të fjalës, të mesazhit poetik, iu kthyen po asaj bote, po atyre njerëzve, duke mundësuar një përafrim dhe një njohje më të gjithanshme të saj. Në këtë mënyrë, realiteti arbëresh, qoftë ai i kaluar, historik, ose ai i përditshëm, u shqiptua nëpërmjet strukturës gjuhësore të veçantë, nëpërmjet mesazhit poetik dhe si i tillë, si realitet i ri, që ekziston e funksionon nëpërmjet shenjave, përkatësisht fjalëve – tekstit, u bë përsëri pjesë e arbëreshëve.”
Me 30 gusht të vitit 2024 në Horën e Arbëreshëveve u vendos statuja e heroit tonë Kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhuratë nga shqiptarët e diasporës me banim në Zvicër.
LITERATURA: – Posta Italiane://www.poste.it//–Emisionet e pullës postare të vitit 2025Anton Nikë Berisha, Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2008.-Gazeta : “Dielli”, datë 5 shtatore 2025- Katalogu : “Michel-2025-2026.-Qendra e Studimeve publikimit për arbëreshët –shtator-2025
Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha – shkrimtar