Kosova mes shpreses dhe zhgënjimit!

0
Rama - takim KE mes Vuçiq e Dodik

Shkruan: Florim Zeqa, 20.05.2022

Ne që jemi mësuar të ngremë shampanjë dhe të festojmë disa herë për liberalizimin e vizave, gati sa nuk festuam në ditën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me ç’rast shumica e qytetarëve këtë e ngatërruan me aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian!

Çka në të vërtetë është Këshilli i Evropës?!

Këshilli i Evropës është një nga organizatat më të vjetra ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më 5 maj 1949 për të arritjen e bashkimit në mes vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta dhe lirisë politike. Qëllimi i Këshillit të Evropës është të arrijë një unitet dhe barazi më të madhe mes anëtarëve të tij. Ideologët e parë dhe më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman, Konrad Adenauer, etj.

Kjo organizatë numëron 47 shtete anëtare, mbulon përafërsisht 820 milionë njerëz dhe vepron me një buxhet vjetor prej rreth 500 milionë euro. Këshilli i Evropës është një vëzhgues zyrtar i Kombeve të Bashkuara.

Ndryshe nga BE, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje detyruese, por ka fuqinë për të zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare të përzgjedhura e të arritura nga shtetet evropiane për tema të ndryshme. Trupi më i njohur i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Anëtarësimi në KE, çelës edhe për liberalizimin e vizave

Bazuar në përshkrimin e mësipërm, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë prestigjioze me traditë 73 vjeçare do të jetë me interes dhe shpresëdhënës në rrugën e mëtutjeshme të anëtarësimit të shtetit tonë edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare në të cilat aspiron dhe e meriton shteti i Kosovës, si në: BE, OKB, OSBE, UNESCO, INTERPOL, etj.

Sikurse për të arriturat, ashtu edhe për mangësitë në dështimet e shtetit të Kosovës, meritore dhe fajtore nuk është vetëm një parti politike, por e tërë skena politike kosovare në përgjithësi dhe pa dallim pushtet dhe opozitë!

Urojmë që pas aplikimeve të dështuara në UNESCO dhe INTERPOL, aplikimi në Këshillin Evropian të jetë çelës për anëtarësim edhe në organizatat e sipërpermendura dhe një ogurë i mirë për liberalizim të vizave për qytetarët e getoizuar kosovarë.

Pritjet e gjata të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare

Nisur nga procedurat ligjore dhe ato byrokratike të institucioneve të Bashkimit Evropian, Kosovës pas aplikmit për anëtarësim, i duhet një kohë e gjatë derisa të shqyrtohet dhe votohet kërkesa për pranimin në Këshillin e Evropës, për të cilën kërkohet votim unanim i shteteve anëtare për pranimin e Kosovës si pjesë përbërëse e këtij unioni!

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë duhet të kalojë nëpër disa filtra: Sekretari i Përgjithshëm, Komiteti i Ministrave, Asambleja Parlamentare, Kongresi i Këshillit të Evropës, Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut dhe Konferenca e organizatave ndërkombëtare jo-qeveritare, etj!

Na mbetet të shpresojmë që kjo të ndodhë edhe më herët, por jo më largë se në pranverën e vitit të ardhshëm. Megjithatë, do të ishte fat i mirë për Kosovën që kjo të ndodhë brenda mandatit të kësaj qeverie. Derisa të vjen përgjigja nga Këshilli Evropian, Kosova mbetet mes shpresës dhe zhgënjimit të madh.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.