KOHË DO TË KETË PËR TAKIME

0
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

(Poet i nemur)

E nemi Dum Dumi. Trusakati
Doktor Ziu. Buça e Katundit.
Nusja me pashterkë të kuqe
Këlyshi me zgjebe. Dhe, Hadumi.

E nemën. Po, kush nuk e nemi?!
Mikja i dha gji. Fuqi për luftë.

Thonë: të zë vetëm nëma e Nënës…

(Qytet i rremë në agim Dimri)

Jetë qeni. Fundekrye Ferrparajsë
Bërlloku kur lulëzon në rrugë. Gjirizi.
Asfalt nën këmbë. Beton mbi kokë
Vapë që të djeg si saç mbi kësulë.
Furrë zjarri, që t’i ndez me dru trutë
Macja ku jeton më mirë se një poet.

Jetë qeni. Fundekrye Ferrparajsë
Qytet i rremë në agim Dimri…

(Kotnasikoti Unë
isha bërë akull
)

Nata që iku më hodhi në shtrat
Mes një Gruaje, zjarri në oxhak.
Flakë u dogja gjithë Natën
Në mëngjes isha shuar nën hi.

Gruaja u frynte thëngjijve në oxhak
Kotnasikoti. Unë isha bërë akull…

(Qyqja ime e borës
i fry zjarrit
)

Natë. Në lëmë turret lakuriqi
Zogu i Keq këndon mbi çati.
Hëna e plotë është varë në lis
Qeni im besnik leh në iriq.

Natë. Terri na i ka lidhur sytë
Qyqja ime e borës i fry zjarrit…

(Edhe zogu e ka
Miken e vet
)

Jeta. Dhe, Vdekja janë gra
Burra jemi ne të shkretët.
Që, sa herë t’u teket na hedhin në krah
Shtrat. Pasmesnate, i shuajnë epshet.

Majëmalit, kur del Hëna e plotë
Unë e hap dritaren krah më krah.

Them: Edhe zogu e ka Miken e vet…

(Ti akull e ftohtë qyqe
Unë zjarr i shuar
)

Dhoma na merr në grusht. Terri
Qiriri jep shpirt mbi tavolinë.
Shtamaverat rrokullisen nëpër dhomë
Nata e çmendur. Ti edhe më e çmendur.

Pasmesnate, më vdes në duar. Shtrat
Ti akull e ftohtë, qyqe. Unë zjarr i shuar…

(Grua tjetër u fry me gojë
thëngjijve që u fikën
)

Dëborë e madhe më ka rënë në dhomë
E mbuloi shtratin. E shuajti zjarrin.
Dritaret nuk hapen nga akulli. Figurat
Ftonit në Kopsht i dridhen këmbët
Sorra në çerdhen e lejlekut bëhet Nuse.

Dëborë e madhe më ka rënë në dhomë
E mbuloi shtratin. E shuajti zjarrin.

Grua tjetër u fry thëngjijve që u fikën…

(Një tufëz xixash
turret përjashta
)

Zjarri me flakë ndizet në oxhak
Mikja ime, dikur i hodhi dru lisi.
Flaka të mos shuhet brez pas brezi
Oxhaku ta ngrej lartë tymin në qiell.
Dimër të mos ketë në Shtëpi. Akull.

Zjarri me flakë ndizet në oxhak
Një tufëz xixash turret përjashta…

(Nata grua kur e hedhë
ferexhenë krahëve
)

Errët. Hëna e plotë është varë në lis
Dritë na bënë në dhomë. Shtrat.
Shtamaverat të zgjuara. Qiriri në gjumë
Këmbëkryq e pres agimin. Ditën Nuse.

Diell mbi Çelëvjollcë. Rreze në xhama
E hap dritaren. Dikur, fluturoj në Qiell.

Nata grua, kur hedhë ferexhenë krahëve…

(Hëna më tha: të pushoj
te dera e Kopshtit
)

I lodhur jam. Edhe Nata. Edhe Dita
Duar më duar më hedhin mbi çatia.
Majë lisave. Te “Përroni i Thanës”
Tri Zana më japin gji. Fuqi për luftë.
Gjokut t’i kërcej në shpinë, marr malet.

Majëmalet larg. Baba Tomori edhe më larg
Hëna më tha të pushoj te dera e Kopshtit…

(E qaj zjarrin me dru lisi
në oxhak
)

Lotë nuk kam, as fuqi për vaje burri
Moti ka shterë Lumi im i fëmijërisë.
Që, na strehonte si zogjë nën sjetulla
Verës pas Çuke, te fusha e Zajazit:
Nuset dhe burrat ku heqnin valle.

Dimër. Dëbora ma ka mbyllë derën
E qaj zjarrin me dru lisi në oxhak…

(Koçia e Nuses na mbeti
në rrugë – male
)

Krushqit pas shtatë maleve me koçi
U nisën ta marrin Nusen me këngë.
Dhe, ende nuk janë kthyer në Katund
Dasëm të madhe bën Nana në lëmë.
Babai me shokë qet pushkë te porta
Cucat në valle copë-copë i bënë dajret.

Dasëm e madhe ende bëhet në Katund
Krushqit dikush na i ka ngrirë mes maleve.

Koçia e Nuses na mbeti në rrugë. Male…

(Ditën e shtatë vimë
ne poetët
)

Erdhën politikanët. Deputetët e popullit
Ministrat. Qeveritarët. Argatët trusakatë.
Dhe, rrugaçët kuqezi. Bandat politike
Që e blejnë “toptan” popullin. E shesin lirë
Në Qeveri. Kuvend: Një asht. Torbë taxhi.

Erdhën trusakatët. Brez pas brezi argatë
Ehu! … Ditën e shtatë, vimë ne poetët…

(Qielli i pështy luleboret
në Livadh
)

Matanë gardhit ma qet gjuhën Buça
Zgërdhihet. E luan rrugës bishtin.
Qenin kërkon t’i kërcejë në shpinë
Lëmën të na e mbushë me këlyshë.

Kohë nuk kam për Buça. Këlyshë
Qielli i pështy luleboret në Livadh…

(E kam dëgjuar çelësin
dy herë në derë
)

Pasmesnate. Natën kur më mori gjumi
Zogu i Keq më këndoi mbi Shtëpi.
E im Atë thonte: kënga e tij ndjell kob
Biro, duhet përzënë nga ky Katund.

Im Atë, Emin Çeliku vërtet nuk iku në Turqi
Nana më tha: Një ditë u shpërngul në varr.

Dhe, kam dëgjuar çelësin dy herë në derë…

(Gjithë natën bredha
rrugëve të shkreta
)

Nata më zuri te plepat, në bregliqe
Gjumi më kishte marrë në karrike.
Pasmesnate, kur u zgjova nën Qiell
Hëna e plotë m’i përkëdhelte Flokët.

Hëna nuse dikur, kur iku pas Diellit
Natën bredha rrugëve të shkreta…

(Një shkundje e lehtë
nëpër degë
)

Veranda ime me pamje në gjelbërim:
Qiell. Drunj. Pemë. Dhe, livadhe.
Pëllumbat shpesh më vijnë në dritare
Zogjtë çifte – çifte me një këngë.
Dielli me një çerre rreze nëpër Qiell
Dhe, Hëna e plotë me atë koçi. Nuse.

Veranda ime me blerim si në Katund
Dhe, një shkundje e lehtë nëpër degë…

(Unë po errem
Nata e zezë
)

Trenit i janë harxhuar moti rrotat
Shinat e shtruara deri në Kërçovë.
E, Atdheu është matanë maleve
Këmbëkryq. Anës detit, anës Bunës.
Ose, siç thotë Noli i Madh:
“Arratisur, syrgjynosur
Rraskapitur dhe katosur.
…Ku e lam’ e ku na mbeti,
…Vaj-vatani e mjer mileti”…

Udhëtarët qyqe e presin në stacion
Vite e vite ta kalojnë matanë kufirin.

Trenit i janë harxhuar rrotat. Shinat
Dritat! Unë po errem, Nata e zezë…

(Dhe, thashë: Harrova
pse erdha
)

Natën e Madhe zbrita në tokë
Livadhe. Nën hijen e Rrapit.
Struken e kisha hedhur krahëve
Një janxhëk me bukë. Dy Shtamaverë
Armën time penën. Fishekë me vargje
Librin nën kokë. Hënën kulaq mbi faqe.

Natën e Madhe zbrita në tokë
Dhe, thashë: Harrova pse erdha…

(Dikushi po më mbyste
pasmesnate në gjumë
)

Ëndërr. Nusja me pashterkë të kuqe
E hapi derën me qiri të ndezur në dorë.
Në tavolinë dy shtama verë në gjumë
Furtunë. E fiku me një frymë qiririn
Dhe, si bollë shullani m’u futë në shtrat.

Pasmesnate, djersë e dashuri me dhunë
Dikushi si Hije po më mbyste në gjumë…

(Dritë Nate e një qiriri
mbi dy shtamaverë
)

Dritë më dritë me një Grua
E kaloja Natën pranë qiriri.
Shtama me verë. Dhe, dashuri
Lëmsh rrokulliseshin nëpër dhomë.
Nata nuk kishte gjumë në sy
Dita sillte shi. Breshër. Furtunë.

Terri, kur hudhte ferexhenë krahëve
Pasmesnata, më priste në shtrat.

Dritë Nate qiriri mbi dy shtamaverë…

(Hodha sytë matanë dritareve
por s’pashë asgjë
)

Pasmesnate, Nusja me poshterkë të kuqe
Vallen e heq me shami në Lëmë.
Xhindet u bijnë dajreve. DoktorZiu merr nuse
Krushkat në koçi maleve mbetën me barrë.

Dasëm e madhe bëhet në Katund
Dhëndrri i Nënës në grazhd të kalit.

Hodha sytë matanë dritareve, s’pashë asgjë…

(Im Atë më pyeti: E di
se ç’ke parë
)

E hapi portën. Nusja hiqte vallen në Lëmë
Gratë tjera brez për brezi këndonin këngë.
Cucat u binin dajreve. Dhëndrri në dritare
Nusen tonë do ta martojmë në Evropë
Koçinë bëni gati! Krushqit e presin në Lëmë.

Baba Shehu për krahësh e përcjell te porta
Nusja sipas zakonit derdh një gjygym me ujë.

Im Atë, dikur më pyeti: E di se ç’ke parë?!…

(Plaku heshti në lëmë)

Nusja të nesërmen doli ta fshi Lëmën
Vjehrra i biente dajres te dera:
“ Nusja jonë oj me limona
A ma mirë te ne, a te nona?”
Vjehrri e nxorri mauzerrin nga hatullat
Dhëndrrit përsheshin ia hante Gjeli.

Nusja jonë e mori hopa Dhëndrrin
Dhe, e hipi në dhomë. Plaku heshti…

(Dikush më ruan ditënatë
përballë Shtëpisë
)

E shuaj dritën. Matanë dritares
Një hije zgjatet pas muri, në rrugë.
E ndez dritën. Në koshat e plehërave
Bythët dikush i ka ngritur në Qiell.

Ditë. Bythët na, si palare në Qiell. Diell
Dikush më ruan ditënatë përballë Shtëpisë…

(Tungjatjeta! Jam me poezinë
Dhe, është xheloze
)

Askushi më merr mua në telefon: Alo
Politikë bën: Dëfton si shkruhet poezia.
Gruaja besnike si rrëzohet në shtrat
Vera e kuqe si pihet me dy shtama
Dhe, si duhet Mëmëdheu. Atdheu.

Ditën tjetër i përgjigjet sekretarja:
Tungjatjeta! Jam me poezinë e egër.
Dhe, është me xhinde. Xheloze Xhadia
Pas signjalit, nëse doni leni porosi!…

(Të kapëm o Poet
e kemi Ditën
)

Dorëzohu! Të kemi shtrirë përtokë
Me librin tënd të nemur ende në duar.
Vëllimet të kanë rënë përsipri mbi kokë
Fletët mos ua ha tinëz librave, o Poet!

Unë jam Ujk i uritur. Bishë mali
Ushqimin e mirë ma bluan truri.
E ju jeni qenë që e ndiqni egërsirën
Librin se jap, është gjahu im. Ushqimi.

Të kapëm, o Poet! E kemi Ditën
E di. Ehu, po Unë e kam Natën…

(Shpejt shuaje
atë zjarr
)

Poet, shuaje atë zjarr të ndezur në libër
Po digjen të gjitha: Fushat e malet.
Liqeni u ndez flakë. Deti. Dhe, oqeani
Qielli ka rrezik të ndizet. Dielli e Hëna.

Ndizuni! Digjuni, piquni lakuriqë nate!
Unë jam Poet. Jo një, do ndezi tre zjarre…

(Unë po shkoj për ujë
e ti dil jep kushtrimin
)

Dhoma është e djegur. Shkrum e hi
E ku të gjej ujë lumi në këtë Ferr.
Ujë sillni, ujë! Po digjet Shtëpia
Zjarr. Çatisë i del një tym i zi.

Mallkim hyjnor. Bimë të egra te pragu
Unë po shkoj për ujë. E ti jep kushtrimin…

(Kohë do të ketë
për takime
)

Mos u shtyni me bërryla. Dhe, bythë
Vend ka për të gjithë në Ferr. Parajsë.
Pas dere nuk do të mbesë njeri
Dikushi arnë kazani. Dikushi qen.

Mos u shtyni me bërryla. Dhe, bythë
Kohë do të ketë për takime. Ferrparajsë…

Nga libri: EHU (Shkup, 2008)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.