Xi Jinping në një ceremoni në Sheshin Tiananmen në Pekin muajin e kaluar. Florence Lo/Reuters
Nga Katrin Bennhold, The New York Times
Përktheu Arben Çokaj
Mirëmëngjes, botë! Këtë javë, rreth 370 zyrtarë të lartë në Partinë Komuniste të Kinës do të takohen në Pekin për të hartuar planin e ardhshëm pesëvjeçar të vendit. Ata pritet të diskutojnë, ndër të tjera, shpenzimet familjare, kujdesin për të moshuarit dhe robotët. Sot, flas me kolegun tim Chris Buckley, i cili ka mbuluar Kinën për më shumë se dy dekada, rreth një teme që nuk do të diskutohet, por është në mendjen e shumë njerëzve:
Kush do ta pasojë Presidentin Xi Jinping?
Mao Ce Dun sundoi deri në moshën 82 vjeç, i paaftësuar rëndë nga sëmundja. Një ndryshim që vuri në vend pasardhësi i tij, Deng Xiaoping, ishte një kufizim dy-mandatesh për presidentët kinezë. Pasardhësi i Deng, Jiang Zemin, shtoi një moshë të detyrueshme daljeje në pension për politikanët e lartë. Ai e vendosi atë në 70 vjeç dhe më pas e uli në 68 vjeç, megjithëse bëri një përjashtim për veten e tij.
Xi Jinping i ka hequr të dy kërkesat. Në moshën 72 vjeç, ai është më i ri se Presidenti Trump (79) dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin (73). Por në mungesë të ndonjë mekanizmi, që kërkon që Xi të largohet nga detyra, pyetja se kush mund ta marrë pushtetin prej tij – dhe kur – po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Chris shkroi së fundmi një artikull rreth asaj që ai e quajti “pyetja e ndaluar“.
Pra, Chris, a do të jetë Xi ai që do ta shohë këtë plan pesëvjeçar të ardhshëm deri në përfundim?
Jam mjaft i bindur se do ta bëjë.
Dhe kur shikojmë retorikën dhe politikat e Xi-së, ato flasin për ambiciet dhe një vizion për Kinën që mbulon vitin 2035 dhe më tej. Ky është një sinjal se, nëse shëndeti e lejon, ai do të donte të qëndronte.
A ka folur ndopak për planet e trashëgimisë?
Jo. Është një nga ato tabutë në politikën kineze. Ai nuk flet për këtë. Askush nuk flet vërtet për këtë. Por njerëzit lexojnë midis rreshtave. Dhe ne nuk shohim ndonjë pasardhës të mundshëm të Xi-së në udhëheqjen qendrore për momentin.
Duhen vite për të vendosur njerëz në vend, në mënyrë që atyre t’u jepen përvojat dhe detyrat e duhura. Dhe duke qenë se nuk shohim njerëz të rinj që marrin ato pozicione kyçe, mund të supozojmë se procesi nuk ka filluar ende. Xi as nuk ka filluar të bëjë ato lëvizje të hershme në tabelën e shahut.
Pse mendoni se ai ngurron kaq shumë që të zgjedhë një pasardhës – zëvendësues?
Ka arsye që janë thjesht pjesë e aritmetikës së politikës kudo. Pasi të emërosh një pasardhës, vëmendja e njerëzve dhe ndoshta edhe besnikëria e tyre fillojnë të largohen.
Disa njerëz mund ta mendojnë se është krejtësisht cinike, por ekziston një rrymë e fortë te Xi, që beson se ai është një njeri i fatit, se ai është një udhëheqës i emëruar në një kohë mundësie dhe rreziku për të siguruar që Kina dhe Partia Komuniste të mbijetojnë dhe të lulëzojnë. Kjo ndjenjë e misionit historik ka rëndësi, nëse doni ta kuptoni Xi Jinping.
Sa e ndryshme është kjo nga ajo që bënë udhëheqësit e kaluar kinezë?
Në disa mënyra, ajo që po bën Xi ka thyer modelin që po fillonte të formohej nën paraardhësit e tij më të fundit. Hu Jintao dhe Jiang Zemin dhanë dorëheqjen pas rreth një dekade në pushtet – pak më gjatë për Jiang. (Xi ka qenë në pushtet që nga fundi i vitit 2012.)
Hu e inkurajoi këtë ide se edhe nëse Kina nuk ishte demokratizuar, ajo ishte modernizuar për t’u bërë më kolektive, më e drejtuar nga rregullat dhe më e parashikueshme. Hu ishte shumë i përqendruar në një kalim të pastër të pushtetit te pasardhësi i tij, i cili rastësisht ishte Xi.
Xi erdhi në pushtet dhe u bë e qartë se ai besonte se kjo udhëheqje kolektiviste ishte një gabim – se kishte inkurajuar fraksionizmin brenda partisë, korrupsionin, mungesën e respektit për udhëheqësin qendror dhe në fund të fundit për vetë partinë. Pra, Xi është rikthyer në një lloj udhëheqjeje të centralizuar dhe të pakufizuar që e pamë në mënyra të ndryshme nën Mao Ce Dunin dhe Deng Xiaopingun. Por kjo e bën trashëgiminë më të ndërlikuar.
Si mendoni se kjo po ndikon në politikën kineze?
Për momentin, Xi është kaq i fuqishëm dhe nuk duket se ka ndonjë shenjë se ai do të japë dorëheqjen së shpejti.
Por, të themi pesë, 10 vjet më vonë, njerëzit brenda sistemit mund të fillojnë të mendojnë më shumë për stabilitetin afatgjatë të këtij rregullimi dhe të pyesin veten, nëse duke e shtyrë këtë proces, Xi po mbjell farat e paqëndrueshmërisë së mundshme. Përfundimisht, mosha e Xi do ta detyrojë çështjen në mendjet e zyrtarëve, edhe nëse ata nuk mund të bëjnë asgjë për këtë. Mund të ndodhë që të shfaqen rivalitete midis kampeve të ndryshme të pasardhësve të mundshëm.
Refuzimi i udhëheqësve të vjetër për të hequr dorë nga pushteti ishte një temë në politikën sovjetike, apo jo? Dhe a mund ta ketë përshpejtuar fundin e Bashkimit Sovjetik?
Xi është një studiues shumë i vëmendshëm i historisë sovjetike. Dhe ai fajëson rënien e Bashkimit Sovjetik në thelb zgjedhjen e udhëheqësit të gabuar – Mikhail Gorbachev – i cili doli të ishte një reformator revizionist.
Por, ndërsa është e vërtetë që lidershipi kinez po plaket, është larg të qenit një gerontokraci e plotë. Lidershipi tani po kultivon dhe promovon zyrtarë që kanë lindur në vitet 1970. Ka zyrtarë të rinj në të 40-at, madje edhe në të 30-at, që po dalin në pozicione të fuqishme në nivel provincial dhe qyteti.
Pra, ekziston një vetëdije për nevojën për rimbushje brezash – për sa kohë që kjo nuk vlen për Xi Jinping.