Federata Shqiptare e Futbollit e drejtuar tash sa vite nga z. Armando Duka, dyshohej se kaherë ishte e politizuar.
Këto dyshime u ringjallën gjatë këtyre ditëve kur Shqipëria në kandidaturë të përbashkët me Serbinë, konkurroi në UEFA, për organizimin e Kampionatit Evropian të Futbollit ,për grupmoshat U – 21, që do të mbahet më 2027.
Ky veprim skandaloz dhe i papërgjegjshëm i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, ka zemëruar jashtëmase shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës lindore.
Udhëheqësit e Federatës së Futbollit Shqiptar, si mund ta bëjnë një turp të tillë, kur e dinë fare mirë që Serbia, në prezencë të forcave ndërkombëtare çdo ditë tenton ta destabilizoj Kosovën.
Ajo me sulme tipike terroriste sulmoi dhe vrau në Mitrovicën e Veriut, eprorët dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Serbia tash 25 vite i mban të traumatizuara dhe në ankth mijëra familje shqiptare të Kosovës, duke mos ua kthyer eshtrat e djemve dhe vajzave të tyre të masakruar nga policë e ushtarë kriminelë të saj.
Dramën tragjike të mbi 20 mijë grave dhe motrave tona të dhunuara nga kriminelët serbë, publicistia dhe shkrimtarja zvicerane Marie – Therese Bouchardy, e përshkruan me këto fjalë “Me fuqinë e tyre ato duhet të shqetësojnë netët tona të qeta, që të mos i fshehim këto humnera tmerri, të atyre grave të dhunuara e të atyre fëmijëve të lindur nga ato akte makabër”
Kurse dukët dhe dudukët e Tiranës, shtiren sikur të mos ketë ndodhur asgjë në Kosovë.
Ata harrojnë kur serbët rrezikuan jetët e futbollistëve shqiptarë në ndeshjen Serbi – Shqipëri të vlefshme për evropianin “Franca 2016”
Në këtë ngjarje të pakëndshme fytyrën na pati zbardhur futbollisti shqiptar Lorik Agim Cana, me origjinë nga Gjakova.
Ai në stil gladiatorësh romakë e pati zhdëpur me grushte dhe shqelma huliganin Ivan Bogdanoviq, organizator i këtyre grupeve huliganësh.
Bogdanoviq ishte ai që në ndeshjen Itali – Serbi të zhvilluar në Gjenova e pati djegur dhe përdhosur Flamurin shqiptar.
Vojsllav Sheshel dhe Tomisllav Nikoliq, atëkohë kryetar i Serbisë, zbatues të përpiktë të ideve të kryeçetnikut monstruoz Drazha Mihaloviq, derisa mbi futbollistët shqiptarë huliganët serbë përplasin karrige e gjësende të forta zgërdhiheshin sikur prostituta.
Në këtë turp të tyre hise kishte edhe UEFA. As atëherë e as sot këtë marrëzi të saj nuk e lanë as Danubi.
Udhëheqësit e UEFA-s, nga kjo ngjarje e shëmtuar duhet të kenë mësuar shumë.
Prandaj, shpresojmë që ata kësaj radhe do të jenë vigjilentë. Kandidatura e Serbisë patjetër duhet të refuzohet pa arritur ende në tryezat e këtij institucioni të lartë të futbollit evropian.
Ashiqare vërehet se pjesë e kësaj loje të ndytë janë Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe Aleksandër Vuçiq, kryetar i Serbisë.
Shqipëria me mungesë të stadiumeve kërkesën për një organizim të tillë ka mundur ta bëjnë me fqinjët e saj të parë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ose edhe me Greqinë .
Kur edhe sporti politizohet në këtë shkallë shpresat për stabilitet dhe qetësi në këtë pjesë të Evropës Juglindore, janë gjithnjë e më të vogla.
ARIF EJUPI
Ketu nuk ka koment.