Nga Llesh NDOJ
Poet e studjues
– Duke shfletuar librin “Një jetë përmes ditarit (II)”, të autorit Mark Mesuli, EB “Gjergj Fishta” Lezhë, 2026 –
Megjithëse banorë në të dy anët e Munellës legjendare, njëri në shpatin lindor të saj, e tjetri në atë perendimorë, me shkrimtarin Mark Mesuli u njoha vonë dhe vetëm në qytetin e Lezhës ku jetojmë të dy tash disa vite, një qytet e një trevë që e kemi përzgjedhur me kënaqësinë e të jetuarit pa e harruar Munellën e vendlindjes dhe jo vetëm atë…
Kisha në vetvete edhe një aspekt jetësor me të cilin “nuk do të kisha dashur kurrë” t’a njihja Markun! Udhës drejt Gjegjanit, Fushë Arrëzit e Pukës ku kaloja shpesh, pas vitit të mbrapsht 1997, kishte “mbirë” edhe një lapidar. Isha ndalur disa herë pranë tij e kisha derdhur edhe ndonjë pikë loti për atë ngjarje makabër që i kishte marr jetën, në lule të rinisë, të bijës së tij, Dianës, dhe ku edhe ai vetë kishte shpëtuar në fije të perit…
Natyrisht që, kur them se u njoha vonë, fjalën e kam se u takuam vonë për t’u parë e njohur reciprokisht nga afër, pasi për mua njohja ndaj tij është e kahershme. Kush s’ia kishte dëgjuar atij zërin si mësues e drejtues kompetent në arsim, si i zgjedhur në organet më të larta pushtetit të kohës në rrethin e Pukës, ku unë kisha lidhje të shumta dhe e konsideroja si Mirditën time identitare, por edhe si gazetar dhe vitet e fundit edhe si shkrimtar.
Kisha lexuar ndërkohë prej tij librat “Një kullë në histori”, “Skifteri i Munellës”, “Princi i rapsodisë shqiptare”, “Gjeniu i çiftelisë”, “Mark Nikolla, artisti popullor i skenës”, “Riza Hoxha, Mjeshtri i valles pukjane”, “Sofra pukjane” dhe librin kushtuar personazhit historik të Mirditës, Heroit Bardhok Biba, titulluar “Bardhok Biba dhe Mirdita”, dhe më kishte bërë për vete gjuha e tij e kthjelltë, fjalët e përzgjedhura me kujdes, argumenti logjik dhe referencat e shumta dokumentare, duke më krijuar mendimin e plotë se kemi të bëjmë me një mendje të freskët, që qëndron pas tyre, por edhe me një shpirt njeriu që gjakon për të vënë në dukje vlerat e të tjerëve, në një periudhë ku cinizmi, mendjemadhësia dhe egoizmi, krahas etjes për para e pushtet, janë dominuese në mendjet e shumëkujt. Dhe e bën këtë pa menduar se sa angazhim monetar e kohor ka ky proces i mundimshëm dhe pak i vlerësuar për kohën aktuale.

Në këto botime luksoze, dukej qartë se i vetmi “shqetësim” i tij është transmetimi korrekt dhe i saktë i vlerave të personazheve që pena e tij ka vënë në fokusin e saj. Nuk është rastësi qe Marku ka shkruar deri më sot vetëm libra monografikë, njëra ndër gjinitë më të vështira letrare, i ka shkruar ato për personazhe e personalitete të gjallë në kohën e botimit, por edhe bashkëkohorë në kuptimin e periudhës kur kanë punuar e jetuar, si Frrok Haxhia, Ndue Shyti e Pal Nikoll Marku, por edhe për ngjarje historike si Kuvendi i Fanit dhe Qeveria e Kimzës, apo për Bardhok Bibën, një personazh ky i mirënjohur politik i kohës së tij, kjo sepse Marku nuk fantazon por dokumenton, i ruan gjërat përveçse në kujtesë edhe në ditarët e tij që si ka ndarë nga përditshmëria gjithë jetën e aktive si mësues, kuadër e drejtues i spikatur në zonën e Gjegjanit e të rrethit të Pukës, dhe i përcjell ato bukur si vlera të shtuara tek lexuesit e ndjekësit e shumtë.
Kur e mora dhe e lexova librin e Markut kushtuar Bardhok Bibës përmes një miku të përbashkët, akoma pa e njohur autorin personalisht, më mundonte mendimi se çfarë këndvështrimi mund të kishte përzgjedhur ai për trajtimin e kësaj figure të komplikuar mirditore, jeta e të cilit përfundoi me vrasjen kriminale të tij, krim që u pasua, flakë për flakë e jashtë çdo ligji, rregulli e zakoni mirditor, nga krimi monstruoz i vrasjes së 14 burrave të pafajshëm, ku një krim politik, siç ishte hapur vrasja e Bardhok Bibës, ishte pasuar kësisoj nga një tjetër krim politik, i shumëfishtë e monstruoz, i maskuar në emër të popullit e luftës ndaj armiqve…
Ndërkohë që periudha më pas e deri në nëntëdhjetën, kishte ngritur në qiell lavdinë e Bardhokut dhe i kishte zhytur edhe më thellë në baltën e pamëshirshme të Qafë Valmerit të pushkatuarit e të varurit nga shteti komunist i kohës, për të ndryshuar pozicionet vetëm pas nëntëdhjetës. Por ndërsa politika luante andej nga frynte era, kujtesa e Bardhok Bibës kishte mbetur e paprekur në popull, si njeri me tipare humane e shumë fisnik…
Dhe pikërisht këtë kishte pikasur autori dhe e kishte trajtuar në librin e tij, duke bërë që libri të ishte origjinal e i pëlqyeshëm edhe pse ndaj kësaj figure ishin shkruar shumë libra të tjerë para tij, pa përmendur artikujt e pafundëm në shtypin e të dy periudhave të një kohe të trazuar që përfshiu fundin e shekullit të XX – të e fillimin e shekullit të ri në Mirditë e në të gjithë Shqipërinë. Por nga leximi i tij kuptova se jo vetëm në këtë trajtesë, por në të gjitha punimet e tij, qoftë publicistike apo monografike e dokumentare, origjinaliteti e këndvështrimi realist – pozitiv, janë tiparet e tij më qënësore.
Bëra këtë hyrje disi të gjatë për të mbërritur deri tek njohja me librin e tij më të fundit deri më sot, atë “Një jetë përmes ditarit (II)”, të sapobotuar. Është vëllimi i dytë i ciklit ditar të këtij autori, një botim mjaft cilësorë, i shtypur nga Enti Botues “Gjergj Fishta” në Lezhë. Kot nuk është thënë, se tek thjeshtësia nis edhe madhështia. Ditari i Markut vjen i thjeshtë, në të shënohen ditë e data të jetës së tij personale e shoqërore, shënohet moti, e përmes ngjarjeve të ditës, kalohet në reflektime të bukura autoriale për ngjarje e personazhe, që nga ata të përditshmit e të zakonshmit si ne, deri tek ato politike e shoqërore mjaft të njohura në shoqërinë shqiptare.
Tek personazhet e çastit e të përditshmërisë, autori zbulon e paraqet veti e tipare mjaft të spikatura e me vlera shoqërore që ndryshe s’do t’i mësonim dot, ndërsa tek figurat e mëdha e të njohura nga ana jonë përmes filtrave propogandistikë të kohës, apo thjesht përmes ekranit, ai na zbulon bukur anën e tyre njerëzore, të panjohur nga se publicitetit zyrtar i figurës së tyre nuk i kishte interesuar ndoshta kurrë kjo anë.
Shpalosen bukur cilësi e kontribute të drejtuesve politikë rajonal e kombëtarë, anët njerëzore të shkrimtarëve të mëdhenj si Dritero Agolli e të tjerë, tipare vetjake e origjinale nga jeta e Ndue Shytit e Frrok Haxhisë, punë e kontribute të drejtuesve, intelektualëve e biznesmenëve pukjanë, e plot të tjera. Nuk mbeten pas në këtë aspekt as figura të njohura të intelektualëve e shkrimtarëve lolalë, ku përmes takimeve të shumta që autori ka patur me ta, shpalosen cilësitë e tyre të vyera, që ndoshta përditshmëria jonë nuk na lejon për t’i shquar. Bashkëpunimi i autorit me shkrimtarin Ndue Deda është kudo i pranishëm, ashtu si edhe botuesi e publicisti Frano Kulli, intelektuali e shkrimtari Bardhok Pulaj e të tjerë, që vijnë tek lexuesi me një paraqitje të kandshme e realiste.
Duke shfletuar ditarin e Mark Mesulit, një njeriu që merret me letra nuk mund të mos i bëje përshtypje fakti se atij i janë dashur me dhjetëra e dhjetëra ecejake nga Gjegjani në Pukë, në Rrëshen, në Lezhë, në Durrës, në Tiranë e Peqin, thjesht e vetëm për të takuar personazhet e librave të tij, për të siguruar dëshmi e materiale dokumentare origjinale, për të biseduar me faqosësit e botuesit e librave dhe për t’i prezantuar ata ndaj publikut, lexuesve e dashamirësve të vet, për të kuptuar se ai është shkrimtar realist e i besueshëm, katërcipërisht në ato që shkruan, por edhe në tërësi për të patur pak më shumë vlerësim ndaj autorëve, librit e vlerave të tij, mjeti më i sigurt për t’ua përcjellë brezave historinë e kulturën tonë. Ditari i Markut e bën bukur këtë.
Autori thotë se përmes këtij libri po sjell për ne “një jetë përmes ditarit”, e unë me gojën plot e me bindje e them, se ditari i tij është jetë përtej jetës. Ai na dëshmon sot ne për jetën e personazheve të shquar, shumë prej të cilëve nuk jetojnë fizikisht, por që ditari i Markut i sjell e do t’i ruaj gjatë si të gjallë, pasi nuk është përshkrues, por një ditar ndërveprues i autorit me personazhet e librit. Ai na flet sot për përditshmërinë e tij si autor, por na bart si lexues ndër kohëra, vende, ngjarje e personazhe të panjohura, duke na i bërë edhe ata të njohur, ashtu siç do t’a bart edhe vetë autorin në kohërat që do të vijnë, si një njeri që jeton mes njerëzve të zakonshëm, me thjeshtësinë, çiltërsinë e përditshmërinë e tij, duke shënuar kudo gjurmë të pashlyeshme në kujtesë, jo thjesht duke mbajtur ditar.
Hygo ka shkruar diku se “Çdo sukses është çmim i guximit”, e unë mund të them pa frikë se autori Mark Mesuli ka guxuar, duke e bërë jetën e tij publike përmes ditarit, ashtu siç jam i bindur se ai e ka prekur suksesin, sepse nga ditarët e tij ke se ç’të mësosh sot edhe nesër, pasi ai, siç i thotë bukur nipi i tij, Alori, në 70 – vjetorin e lindjes, është krenaria e gjithë Pukës (dhe Mirditës, shtoj unë), apo si e shpreh po aty edhe e reja, Ornela, është si një enciklopedi e gjallë prej së cilës ke se ç’mëson kurdoherë.
Libri “Një jetë përmes ditarit” i autorit Mark Mesuli, na e prezanton bukur edhe familjen e tij të mrekullueshme, nisur nga bashkëshortja Davë, Nënë Heroinë me titull, e heroinë e vërtetë në përkujdesjen ndaj Markut, mirërritjen e fëmijëve, nipave e mbesave, por edhe në shërbimin e gjatë e të papërtueshëm ndaj publikut, në rolin e saj human si infermiere – mami. Ku ka më bukur se t’i njohësh ata përmes rreshtave të librit, ashtu siç vijnë e bëhen të njohur për ne edhe shokë e miq të tyre, nxënës e kolegë të autorit, ngjarje të thjeshta, që flasin shumë e të bëjnë që t’a ndjesh veten pjesë e tyre, edhe nëse s’i ke takuar kurrë ata, apo s’ke qenë kurrë në vendet ku kanë jetuar e janë zhvilluar ngjarjet e pasqyruara.
Së fundmi, duke i uruar suksese e jetë të gjatë autorit, shpreh bindjen se ai përfaqeson një personalitet të padiskutueshëm të së djeshmes e të sotmes, e se figura e tij do të njohë vetëm ngritje e vlerësime edhe në të ardhmen, qoftë përmes kryeveprës njerëzore, familjes së tij që sot ka 8 bijë e bija që jetojnë (veç vajzës Diana, ndarë tragjikisht nga jeta), dhe 16 nipa e 9 mbesa të mrekullueshëm, së bashku me Davën e mirë, Nënën e tyre Heroinë. Po ashtu, Marku e figura e tij do të lartësohen edhe përmes veprës së shkruar, të ditarit që ka akoma shumë për të “gërmuar”, të arkivit fotografik, albumeve pa fund dhe bibliotekës së tij personale, me mbi 5000 ekzemplarë, e rrallë për një indivd jo vetëm në Veri dhe e denjë për t’u quajtur institucion më vehte, që pret vizitorë atje në Gjegjanin mirditor të rrethit të Pukës, vendlindja e tij që se ndanë kurrë nga vetja.











