HAKMARRJA E VLONJATËVE PËR PUSHKATIMIN E QAZIM KOCULIT

0
Qazim Koculi

80 vjetori i çlirimit të Atdheut.

Nga Enver MEMISHAJ

Kush ishte Qazim Koculi?

Qazim Koculi lindi në vitin 1887 në Kocul të Vlorës. Ai kreu arsimin e lartë në Akademinë Ushtarake Turke, oficer marine. Në vitin 1920 Koculi përfaqësoi Vlorën në Kongresin e Lushnjës, më pas u emërua deputet.

Në Qeverinë e Fan Nolit ishte ministër, ndoqi një politikë kundër Ahmet Zogut dhe kur Zogu në dhjetor 1924 u rikthye në qeveri emigroi jashtë vendit. Në krah të Fan Nolit ai ishte një nga themeluesit e KONARE-s në Vjenë në vitin 1925.

I lodhur nga emigracioni 15 vjeçar në vitin 1939 së bashku me Mustafa Krujën dhe Ali Këlcyrën i kërkuan ndihmë Italisë për të rrëzuar Mbretin Ahmet Zogu.

Me pushtimin italian të Shqipërisë të vitit 1939, Koculi u kthye në Shqipëri dhe u emrua ministër, komisar i lartë në Vlorë. Më 5 janar 1943 u pushkatua në Vlorë, nga mercenarët e Halil Alisë.

Është nderuar nga Presidenti me titullin “Kalorës të Urdhërit të Skënderbeut”, në gusht 2020.

Lufta e Gjormit 29 dhjetor 1942 – 2 janar 1943.
Pushtuesi italian i vendit, ndërmori në Jug një operacion, me qëllim që të shuante Lëvizjen Antifashiste. Më 27 dhjetor 1942, 1500 milicë fashistë, mercenarë dibranë dhe karabinierë u nistën nga Vlora në Tragjas. Gjatë tre ditëve në Tragjas, 28 deri më 30 dhjetor, milicia ushtroi terror dhe dhunë, arrestoi burra e gra, dogji shtëpi dhe bëri grabitje të pasurisë së fshatit.

Më 31 dhjetor në kohë shumë të keqe dhe me mejrgull forcat armike kapërxyen malin për të mbritur në fshatin Gjorm. Nën thirrjen e parisë së fshtarave dhe veçanërisht të Hysni Lepenicës, Skënder Muços, Hysni Kapos, Neki Ymerit fshtarët e Vlorës ishin ngritur në këmbë dhe arrinin në 1500 trupa të armatosur.

Natën e 31 dhjetorit dhe 1 janarit luftimet u zhvilluan në një front të gjerë. Fshatarët e armatosur kishin marrë armët dhe po luftonin heroikisht dhe kështu veprimi armikut arriti të neutralizohej përfundimisht. Forcat popullore në mëngjesin e 1 janarit 1943 kishin arritur të rrethonin forcat armike në Gjorm. Vargje grash e burrash të ngarkuar me ushqime e municione vinin nga thellësia e krahinës për në vijën e parë të luftës.Sapo zbardhi dita forcat popullore filluan sulmin mbi armikun.

Forcat mercenare të Halil Alisë dhe Selim Kaloshit u tërhoqën në Vlorë të mundur dhe të egërsuar nga humbjet njerëzore dhe u sollën me popullin në mënyrë barbare.

Mercenarët e Halil Alisë dhe Selim Kaloshit zbritën në Vlorë plot urrejtje nga humbja e 80 vetave në Gjorm dhe shumë të plagosurve. Kështu pas vrasjes së njerëzve të Halil Alisë dhe nipave të tij Sali Noka dhe Mud Coli dhe kushririt Haziz Alia dhe pas plagosjes të shumë mercenarëve situata ishte acaruar tej mase dhe forcat e Halil Alisë tashmë bënin raprezalje për t’u hakmarrë.

Më 5 janar 1943 Halil Alia dhe Selim Kaloshi duke fajësuar për tradhëti ndaj tyre dhe italianëve Komisarin e Lartë fashist Qazim Koculi dhe prefektin Lele Koçi I thirrën ata me dredhi dhe me mendimin se ata i kishin mashtruar duke u thënë se e kishin rrugën të lirë drejt fshatrave të Vlorës, i pushkatuan.

Mustafa Kruja në shënjë mospajtimi ndaj Mëkëmbësit të Mbretit Jacomoni që nuk pranoi të arrestoheshin e të gjykoheshin vrasësit e Qazim Koculit, mikut të tij 15 vjeçar të emigracionit dhe Lele Koçit, paraqiti menjëherë dorëheqjen nga posti i kryeministrit.

Hakmarrja e vlonjatëve për pushkatimin e Qazim Koculit.
Për pushkatimin e Qazim Koculit, vlonjat tentuan të hakmerren ndaj Halil Alisë. “Në mesditën e 25 majit 1943, disa të panjohur që ishin strukur në afërsitë e qendrës së Drejtorisë së Partisë Fashiste të Shqipërisë, qitshin pushkë kundra kryetarëve të çetave të njoftun Halil Alia e Selim Kaloshi të cilët bashkë me disa veta të armatosur kishin dalë nga Selia e Partisë Fashiste dhe kishin hipur në makinë. Selim Kaloshi mbeti i plagosur rëndë…

Gjatë të shtënave mbetën të plagosur disa vetë”. (AQSH, F. 153, V. 1943, D. 301, f. 29)
“Një person me emrin Maksut, që ka një dyqan në fshatin Kocul dhe që mori pjesë në mënyrë aktive në atentatin kundër dibranit Halil Alia në Tiranë, i tha në mënyrë të rezervuar një miku të tij se atentatorët ishin katër veta. Midis të cilëve kushëriri i ministrit të vdekur Qazim Koculi, i lindur në Çorrush, i biri i Qazimit dhe një kushëriri i këtij të fundit.

Personi i mësipërm që quhet Maksut kishte shkuar në Tiranë për të tërhequr 400 kv. misër, siç rezulton nga leja e rregullt që kishte për këtë. Pas atentatit katër personat e më sipërm u strehuan në shtëpinë e Ago Shero Agaj funksionar, me banim në Tiranë, që pastaj u gjeti atyre mjetet për t’u larguar në siguri të plotë.

Në organizimin e atentatit mendohet se kanë marrë pjesë: xhandarmëria, Ali Këlcyra, Mustafa Kruja, Ago Shero Agaj dhe mjaft funksionarë të tjerë nga Vlora që janë me banim në Tiranë.

Thuhet se njësiti atentatorve prej 5 vetas, kishte në krye djalin e motrës së Qazin Koculit”.
(AQSH, F. 152, V. 1943, D. 105, f. 75.)

Ministri Drejtësisë i shkruan Kryeministrisë.
Nr. 3033 Tiranë me 5.6.43- XXI . “Kemi nderin të sjellim në dije se Prokuroria Mbretnore e Tiranës me shkresën nr. 2240 dt. 29.5.943 na njofton atentatin që ka ndodhur më datën 26.5.943 përpara Federatës Fashiste, kundra Selim Kaloshit dhe Halil Halisë nga Dibra, ku kanë mbetur të plagosur: 1. Selim Kaloshi, 2. Haxhi Skepi, 3. Gjetan Gjoni, 4. Riza Cerra, 5. Karabinjer Zanghi Paulo, 6.Xhemal Kurti agjent i policis Tiranës dhe 7. Ali Haxhi Filja. Prej këtyne Karbinjeri Zanghi dhe polici Xhemal Kurti janë plagosur rëndë, ndërsa të tjerët më lehtë.

Nga përfundimi i hetimeve të Prokuroris ka rezultuar që autorët e atentatit kanë mbetur të pa njohur në kohë që u çvillua kjo ngjarje.

Prej të sulmuarve Halil Halisë, Selim Gjetan Kaloshit, Xhitan Aliu, Haxhi Skepit, Riza Hajredin Çerrës, Hystem Bitrit, Riza Brahim Çerrës, Bajram Skepit, janë shti pushkë në të kotë dhe në të gjitha drejtimet duke mbetur të plagosur prej këtyre polici Xhemal Kurti, karabinjeri Zanghi Paulo dhe Ali Haxhi Filja, dy të parët në rastin që kryenin detyrën e tyne.

Në bazë të këtij rezultati të hetimeve Prokuroria për vrasjen e munguar në dam të tre personave që shënohen më sipër ka nxjerrë letër-rreshtime kundra Selim Kaloshit, Halil Halisë dhe gjithë shokëve të tyne që i shoqërojnë, duke ia dërguar Komandës së Gjindarmërisë për ekzekutim.

Ma vonë Prokuroria është njoftuar privatisht se Selim Kaloshi dhe Halil Alija janë antarë në Këshillin Epror Fashist Koperativ.

Në qoftë se këta janë ngarkuar në funksionet e Këshilltarit simbas nenit 6 të D.M, nr. 101 dt. 3.4.940, natyrisht as nuk mund të rreshtohen as të dërgohen në gjyq.

Prandaj, lutemi që ajo Kryesi të intervenojë pranë dhomës se Korperatave për të bërë pyetje nëse këta dy janë Këshilltarë efektivë dhe në rast pozitiv rilutemi që të kërkohet autorizimi i Dhomës për ndjekje kundra tyre. Përfunimi të na njoftohet. Ministri Anton Kosmaçi” (AQSH, F.149-1, D.450, f.355)

Këshilli i Epërm Fashist Korporativ, i përgjigjet kryesis së Këshillit të Ministrave
“Nr. 224 Prot. Tiranë më 5.7.943 XXI. Në lidhje me shkresën e atejshme nr. 1799 datë 28 qershuer 1943- XXI, ju njoftojmë se z. Selim Kaloshi nuk asht anëtar i kësaj dhome. Sa për Halil Alinë, kërkesa e autorizimit për ndjekje penale po i përcillet Komisjonit Legjislativ të Drejtësis, vendimin e të cilit do t’jua kumtojmë sa më parë. Kryetari Fejzi Alizoti”. (AQSH, F.149-1 , D.450, f.358)

Halil Alia

Forcat partizane ekzekutojnë Halil Alinë.
“Gjatë ditëve të para të dhjetorit 1944, forcat e brigadës tonë kanë qenë në veprim të paprerë për eliminimin e plotë të mbeturinave reaksionare në zonën e Lumës. Në një kohë prej 7-8 ditësh, këto forca të shkëputura reaksionare, pas operacionesh të bëra ranë në duart tona 710 reaksionarë dhe shumë lëndë reaksionare.

Më 23.12.1944 dhe pikërisht në orën 14.00 komanda e vendit Bicaj lajmëron se tradhtari Halil Alija gjendej në katundin Kolesjan bashkë me 7-8 reaksionarë të tjerë, të besuarit e stij. Komandanti i brigadës, i pasuar nga një repart partizan, niset ngutësisht për në Bicaj. Në bashkëpunim me kompaninë e shtabit të Divizionit II dhe partizanët e komandës së vendit, bëhet një rrethim në shtëpinë ku ishte strehuar reaksionari Halil Alia. Ftohet pronari i shtëpisë që të nxjerrë familjen jashtë se do hapej zjarr kundër tradhtarit të popullit.

Halili e detyron të zotin e shtëpisë të mos i nxjerrë fëmijët se atij i shërbenin si peng i ndonjë tradhëtie të rastit. Zjarri fillon i fortë. Reaksionarët shtien nga penxheret, rrethimi bëhet tre qarqe. Duke parë se tradhtari nuk do të dorëzohet, vendoset t’i vihet zjarr shtëpisë. Gjithashtu në formacion, partizanët i afrohen shtëpisë, duke ngushtuar rrethimin, kalojnë nëpërmes të plumbave, hipin në mure, zbulojnë çatinë dhe hedhin granata brenda në dhomë. I vënë njëkohësisht dhe flakën. Të rrethuarit detyrohen ta lënë atë shtëpi dhe të hidhen në anë tjetër, aty afër, nga e cila shtien pa pushuar, pa dashur të dorëzohen, në mënyrë që të përfitojnë nga terri i natës që po afrohej.

Jepet urdhër që t’i vihet flaka dhe kësaj shtëpie, edhe këtë herë zëvendëskomisari i kompanisë së Batalionit II Sali Muharremi, bashkë me partizanët Ali Musta dhe Elham Gani vrapojnë t’i ngjiten murit të kësaj shtëpie, të çajnë çatinë, të hedhin bomba dore brenda shtëpisë dhe së fundi t’i vënë flakën. Të detyruar nga flaka që po rrëmbente gjithë ndërtesën, reaksionarët thërresin për dorëzim. Zjarri i pushkëve pushon për një kohë në pritje të dorëzimit të tyre.

Nga ndërtesa del i pari Halil Alia, i cilit urdhërohet të hedhë armën shpejt. Në kohën kur ky tenton të hapë zjarr kundra partizanëve që e kanë rrethuar, komandanti i brigadës dhe komandanti i Batalionit II shtien mbi të pa i lënë rast që të dëmtojë shokët dhe e shtrijnë të vdekur përdhe. Pastaj vritet dhe reaksionari Xhetan Gjoni, i cili tenton të çajë rrethimin. Reaksionarët e tjerë u zunë robër.

Nga kompania e shtabit të Divizionit II mbetën të vrarë 3 partizanë… Ranë në duart tona 4 automatikë, 8 revolverë, 3 pushkë, pak municion, 1 çantë me dokumente të Halilit dhe pak të holla”. (Nga letra e datës 27 dhjetor 1944 e komandantit të Brigadës XVIII për Divizionin e VIII. Fb i K.D.)

Busti i një njeriu të kompromentuar!
Pas vitit 1990 me vendim të Këshillit Bashkiak të Peshkopise Hail Alisë iu ngrit në këtë qytet busti. Historiani Uran Butka e quan këtë veprim papërgjegjshmëri historike. “Halil Alia është një figurë e kompromentuar historikisht, që nuk e nderon as bashkinë e rrethin e Dibrës dhe as Shqipërinë…, më 1933 vrau shokun e tij…, Halil Alia u inkuadrua me trupat fashiste në krye të 480 milicëve…, në Vlorë në vitin 1942 dogjën shtëpi, vodhën e vranë burra e gra…, gjatë vitit 1944 forcat ne Halil Alisë bashkëpunuan me gjermanët në batalionin “Vermoshi”. (Uran Butka “Polemika”, Tiranë 2024, f. 451-455).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.