Autore:
Elife LUZHA
10.09.2025
Teksa Kosova i afrohet zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, vëmendja publike dhe institucionale, po përqendrohet gjithnjë e më shumë te çështjet thelbësore të përfaqësimit të drejtë dhe gjithëpërfshirës në proceset vendimmarrëse. Në këtë kontekst, pjesëmarrja aktive e grave në politikë mbetet një sfidë e vazhdueshme për shoqërinë kosovare.
Në vitin 2025, përfaqësimi i grave në politikë nuk duhet të shihet më si një çështje dytësore apo si pjesë e zakonshme e agjendës për barazisë gjinore, por si një element themelor për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe të qëndrueshme. Edhe pse legjislacioni për barazi gjinore, parashikon kuotën 40% për përfaqësimin e grave në të gjitha nivelet e pushtetit, statistikat vazhdojnë të dëshmojnë për një nën – përfaqësim të dukshëm, veçanërisht në pozitat vendimmarrëse.
Në praktikë, zbatimi i kuotave gjinore nuk ka sjellë rezultatet e pritura. Ato nuk e kanë zbehur diskriminimin – përkundrazi, janë shndërruar në një mekanizëm formal që favorizon emërime jo mbi bazën e meritës, por për të përmbushur një detyrim ligjor. Siç e ka përshkruar një gazetare sllovene, kjo qasje i ngjan “një ndërhyrjeje të kirurgjisë estetike, që mund të jetë kundërproduktive, sepse pjesa e shëndoshë e trupit mund të pësojë deformim, apo helmatisje”.
Të dhënat zyrtare tregojnë një rritje të lehtë të numrit të grave që garojnë për postin e kryetares së komunës – nga 3,9% në vitin 2017, në 8,5 % në vitin 2025. Megjithatë, pavarësisht se Kosova ka zgjedhur gra në postin e Presidentes së Republikës (Atifete Jahjaga dhe Vjosa Osmani), përfaqësimi i tyre në nivelin lokal mbetet shumë i ulët. Që nga përfundimi i luftës, vetëm një grua është zgjedhur kryetare komune – një zë i vetëm në një kor burrash që vazhdon të dominojë politikën vendore.
Me fjalë të tjera, në garën për të zgjedhur apo për t’u zgjedhur, gratë në Kosovë ende nuk gëzojnë mundësi të barabarta me kolegët e tyre burra. Ato përballen me standarde të dyfishta dhe shpesh trajtohen si figura simbolike, jo si aktore të mirëfillta politike. Madje, është bërë e zakonshme të dëgjosh shprehjen “Nëse nuk i nënshtrohesh kësaj bote mashkullore, nuk ke asnjë shans për sukses”.
Si pasojë, shumë gra zgjedhin të mos përfshihen fare në politikë, duke refuzuar të bëhen pjesë e një sistemi që shpesh i injoron dhe përjashton – një sistemi që nuk vlerëson kontributin dhe thellësinë e mendimit, por dukjen apo stilin e komunikimit. Një sistem ku, në vend që të analizohet programi, komentohet fustani.
Ky refuzim nuk është një zgjidhje e lehtë, por një zgjedhje me dinjitet. Një formë e heshtur rezistence – një mënyrë për të bërë politikë, edhe pa qenë pjesë e saj. Një kujtesë se politika nuk është vetëm arti i fjalës, por edhe i kurajës. Është rruga që ke zgjedhur të mos ecësh, për të mos qenë thjesht dekor.
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit, janë një mundësi reale për gratë që garojnë për postin e kryetares në dhjetë komuna të Kosovës. Me vendosmëri, profesionalizëm dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, ato jo vetëm që mund të përballen me padrejtësitë, por edhe t’i sfidojnë ato.
Gratë duhet të ndërtojnë rrjete të reja bashkëpunimi dhe solidariteti – brenda dhe jashtë politikës – sepse përfaqësimi gjinor është pasqyrim i realitetit tonë shoqëror.
Është koha që gratë të mbështesin gratë – jo për të përmbushur kuota, por për të ndërtuar një të ardhme ku barazia nuk është përjashtim, por normë. Ku përfaqësimi i grave në politikë nuk shihet më si kërkesë, por si domosdoshmëri për drejtësi dhe zhvillim.
Gratë nuk duhet të jenë vetëm të pranishme, por forcë udhëheqëse dhe zë që dëgjohet. Sepse kur gratë ngjiten në skenë me guxim, ndryshimi nuk është më shpresë – por drejtim.