11.5 C
Tirana
E dielë, 25 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Gjon Buzuku

Gjon Buzuku

0
Gjon Buzuku

Fatbardha Fishta Hoxha Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha

Nga cikli “Humaniste te hershem shqiptare shek XV-XVIII”

Letërsia e hershme shqiptare, që më parë ka folur latinisht, në kontekstin e njohur mesjetar evropian, me “Mesharin” e Buzukut flet shqip. Ai ka hyrë tashmë, në këtë stad të njohjes sonë, si vepra e parë e shkruar në gjuhën tonë, si monumenti më i vjetër i kulturës shqiptare në gjuhën shqipe. Tashmë dihet që për Buzukun dhe jetën e tij personale kemi vetëm të dhënat që nxjerrim nga pasthënia e “Mesharit”. Aty marrim vesh se ishte prift katolik, famullitar i një kishe. Librin e shkroi apo e shtypi nga 20 marsi 1554 gjer më 5 janar 1555. Ishte nga Veriu, sepse vepra është shkruar në gegërishten veriperëndimore.

Nuk dihet as ku lindi, ku punoi dhe ku e shtypi veprën e tij. Edhe në gjendjen në të cilën kanë arritur studimet tona letrare në të gjithë hapësirën shqiptare shumë prej pyetjeve kanë mbetur të hapura dhe pa një zgjidhje përfundimtare. Problemi i parë që është shtruar për diskutim është fakti, a përbën ky libër, të parën vepër në gjuhën tonë. Mendimet e dhëna nga studiuesit pajtohen me mendimin se duhet patjetër të ketë patur një traditë më të hershme të shkrimit shqip. Dëshmi për këtë sillen dokumentet e para të shqipes, pohimi i Brokardit (Guliem Adae) që flet më 1332 për ndryshimin e gjuhës shqipe nga ajo latine, por përdorimin e alfabetit latin në të gjithë libat e tyre. Arsyetimet e F. Konicës dhe më pas të E. Çabejt e lënë tashmë të hapur për zbulime të reja shtegun në të ardhmen, sadoqë E. Çabej mendon se me trajtën e vet si një vepër e tërë, libri i Buzukut mund të jetë i pari, siç pohon vetë autori. Por Prof. Eqrem Çabej, nisur nga niveli i njohjes shkencore, ka pohuar për të se ai është në të njëjtën kohë një fillim dhe vazhdim i madh.

Studiuesi Rexhep Qosja ka hedhur idenë se është e vështirë me zhvillimin që kishin shqiptarët në trojet e tyre në Mesjetë t’i kenë fillimet e gjuhës së tyre të shkruar dy a më shumë shekuj më vonë se kroatët, malazezët, bullgarët e serbët dhe duke iu referuar supozimit të E. Çabejt, ai pohon “dhe në qoftë fillim, është fillim i madh, dhe në qoftë vazhdim, është vazhdim i madh”. Po kështu një nga problemet më të diskutueshme është edhe ai i vendit të botimit. Disa mendojnë se është botuar diku brenda trojeve shqiptare ose në Shqipërinë Venedikase, të tjerë mendojnë në Itali e më shumë në Venedik ku ishte shtypur edhe “Rrethimi i Shkodrës” i Barletit. Por nuk kanë munguar edhe supozimet që libri të jetë botuar diku në Mal të Zi apo Kroaci. Për vendin ku mund të jetë botuar në Shqipëri është folur për Shkodrën, Durrësin, Tivarin dhe Ulqinin.

Më shumë ka të ngjarë që libri të jetë botuar në Ulqin e sidomos në Tivar. Këto qytete dhe viset përreth ranë në duart e turqve vetëm në 1571 dhe deri në atë kohë, u kishin shpëtuar rrënimeve që pësuan qytetet e tjera. Tivari atë kohë ishte një qendër e rëndësishme fetare e kulturore, seli argjipeshkvie prej disa shekujsh. Në bregdetin e Adriatikut verior në shekullin e 16-të ka pasur tipografi të qëndrueshme por edhe punishte të lëvizshme. Një e tillë mund të ketë qenë në Tivar apo Ulqin. Fshatrat e Krajës e të Shestanit ndërmjet Shkodrës e të Ulqinit, me të folmet e të cilave ka mjaft afri gjuha e Buzukut, ishin në këtë kohë nën protektoratin e Venedikut. Kështu Buzuku mund të ketë punuar nga Kraja e Shestani, pra në Shqipëri, e librin ta ketë botuar në Tivar. Ky supozim përkon edhe me faktin që diktohet në “Meshar”, se autori Buzuku ka qenë në kontakte kulturore me Venedikun, sllavët e Dalmacisë e të Bosnjes. Nga ana tjetër, arsyetimi se libri mund të jetë botuar në Venedik nuk mund të hidhet poshtë.

Nga ky libër i parë i letërsisë shqipe njihet vetëm një kopje, që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. E zbuloi së pari Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova më 1740. Pasi humbi për afër dy shekuj, u diktua sërish me interesimin e arbëreshit Pal Skiroit, më 1910. Kopja e vetme që na ka arritur, është e mangët e jo e plotë. Nga 110 fletë që ka pasur libri ose 220 faqe, me nga dy kolona shkrimi faqja, ka vetëm 94 fletë. Mungojnë ndër të tjera tetë fletët e para ndër to edhe fleta e ballit me titullin, vendin e botimit dhe mundet ndonjë parathënie apo shënim i autorit. Anës kolonave ka të shkruara me dorë nga meshtarë që e kanë pasur në duar, fjalë të shkëputura shqip, latinisht, italisht, emra e fraza të shkurtra. Nga këto shihet se vepra ka qenë në përdorim të gjerë ndër meshtarët e Shqipërisë. Libri përmban lëndë të ndryshme fetare, meshët e të kremteve kryesore të vitit, komente të librit të orëve ose të lutjeve, pjesë nga Bibla, pjesë të ritualit e të katekizmit. Meshari zë afërsisht dy të tretat e vëllimit. Kemi të bëjmë kështu me përkthimin e pjesëve kryesore të liturgjisë katolike, me lëndën që i nevojitet meshtarit në praktikën e përditshme të shërbimit kishtar.

Kjo gjë ka rëndësi të veçantë. Nisma e Buzukut, që merr përsipër përkthimin e pjesëve të liturgjisë, është përpjekje për të futur gjuhën shqipe në kishë. Është fjala për Mesjetën e vonë dhe pragun e Rilindjes në Evropë, kur kjo dukuri shënonte vërtet progres por ende të paligjëruar. Shekulli XVI kur botohej “Meshari” ishte shekulli i Reformës Protestane në Evropë dhe i Kundërreformës që ndërmori Kisha Romane. A ishte “Meshari” produkt apo nën efektet e Reformës, që u përhap në Evropën Qendrore, qe erdhi deri në Kroaci e Dalmaci, apo ishte produkt apo nën efektet e Kundërreformës? Ky problem është shtruar që në vitet ’30 të shek. XX nga dy albanologë të huaj, nga Mario Roque, francez, dhe Giuseppe Valentini, italian. I pari mendon se libri nuk është botuar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Romës, kurse i dyti mendon të kundërtën.

Pas Luftës së Dytë Botërore studiuesit u ndanë në tre grupe: në ata që librin e shohin të jetë shkruar e botuar nën influencën e Reformës (Dh. S. Shuteriqi, I. Zamputi), ose që nuk mbajnë një qëndrim të prerë e pa ekuivoke (M. Domi, I. Rugova) dhe së treti kishte studiues që mendonin se libri i Buzukut është shkruar në pajtim me Kundërreformën (E. Çabej, K. Ashta, etj.). Të parët mbështeten në faktin se me Reformën u bë normë përkthimi në gjuhët e folura popullore të liturgjisë katolike si dhe atë që thotë Buzuku në pasthënien e veprës “Desha me zdritun mendjen e atyne që më ndiglojnë”, sepse sipas tyre zdrtija, ndriçimi i vetëdijes ishte bërthama e Reformës në Evropë. Ndërsa të dytët e shohin veprën në pajtim me Kundërreformën për vetë kohën kur u botua, çfarë koincidon me Koncilin e Trentit që konsolidoi disa lëshime në përdorimin e gjuhëve popullore në shërbesat kishtare, të imponuara nga shtrirja e Reformës, si dhe nga lutja për Papën që nuk mungon në veprën e Buzukut.

Që libri u përfshi në listën e inkuizicionit, këta studiues nuk e pranojnë për faktin se ajo listë nuk njihet dhe ruajtja e saj në Vatikan në një kopje të vetme mund të dëshmojë jo ndjekjen e asgjësimin, por përkujdesjen për ruajtjen e saj. Sidoqoftë problemi është i vështirë për t’u zgjidhur deri në fund. Po pavarësisht nga rrethanat e jashtme, faktorë përcaktues kanë qenë rrethanat e brendshme. Vepra e Buzukut nuk është pa lidhje me këto ngjarje. Jo rrallë në studimet tona është vërejtur iluzioni që kërkon, që shkasin ose origjinën e atyre veprave që shënojnë ngjarje në kulturën tonë kombëtare ta kërkojë diku jashtë trojeve tona. Përpjekja dhe vepra e Buzukut, e këtij eruditi arbër, pa dyshim që është e lidhur me faktorët e jashtëm, por gjithsesi ato mbeten faktorë dytësorë. Për përparësinë e faktorëve të brendshëm, që hedhin dritë në vazhdimësinë e një tradite më të hershme etnokulturore, flasin edhe vëzhgimet në veprën e Buzukut si dhe pasthenia e veprës, ku ai deklaron se ia ka hyrë kësaj nga dashuria për botën tonë si dhe nga shqetësimi se ende nuk ka në gjuhën shqipe diçka nga Shkrimi i Shenjtë, çka flet më së miri për lidhjen e Buzukut me popullin dhe vendin e vet.

Vepra e Buzukut nuk është pa lidhje të brendshme me veprën e humanistëve të tjerë shqiptarë, jo aq për hapësirën gjeografike të veprimit që afron atë me Barletin, Beçikemin nga Shkodra, me Dhimitër Frëngun nga Drishti apo me Marin Segonin që kishte jetuar në Ulqin, sa për elementet humanistë etnokulturorë që i bashkojnë. Por përveç faktorëve të jashtëm, që ushtronin ndikimin përmes ideve humaniste, prania e të cilave vërtetohet tashmë edhe në zonat veriperëndimore dhe sidomos bregdetare të Gadishullit të Ballkanit, tiparet e të cilave gjenden edhe në veprën e shkrimtarit tonë të hershëm, të cilat ia rritin vlerat veprës së tij, vërehen edhe tipare që lidhen me faktorë të brendshëm. Vepra e Buzukut e krahasuar me veprën e humanistëve të tjerë zbulon lidhje dhe vijimësi edhe në një plan të brendshëm si vazhdim i afirmimit të personalitetit të popullit tonë, i vetëdijes së tij. “Meshari” me lëndën liturgjike që përmban, që hyn në ritualin kishtar, i hartuar dhe i botuar në një truall ku krishtërimi roman ndeshej me ortodoksinë bizantine, në rrethana et trysnisë së fesë që sillte pushtuesi osman, përfaqësonte pa dyshim prirjen historikisht progresive për një kishë në gjuhën shqipe, çfarë shprehë krahas të tjerave edhe atë shtysë të brendshme për institucionalizimin e mvehtësisë së kombësisë.

Si e tillë vepra e Buzukut nuk lindi në një truall të zbrazët, jo vetëm nga pikëpamja gjuhësore, por ajo që ka rëndësi më tepër është se vepra lindi si produkt i ndjenjave dhe vetëdijes së formuar të etnosit. Libri i Buzukut është shkruar në alfabetin latin të tipit gjysmë gotik që përdorej në Italinë Veriore. Por autori përdor edhe pesë shkronja të posaçme për tinguj të shqipes që nuk i ka latinishtja. Këto pesë shkronja ngjasojnë me shkronja të alfabetit cirilik të sllavëve të jugut. Studiuesit mendojnë se alfabeti i përdorur nuk duhet të jetë krijuar prej tij, sepse autori nuk flet për vështirësi në krijimin e tij. Ai duhet të ketë ndjekur një traditë më të vjetër, së cilës mundet t’i ketë sjellë modifikime. Sido që të jetë, ai është i pari, me sa dimë deri tani, në një gjurmët e traditës së vjetër, nis një traditë të re të shkrimit shqip, tashmë në një vepër të tërë. Ndjenjat patriotike të Buzukut dallohen jo vetëm në përpjekjen për të futur gjuhën shqipe në shërbesat fetare por edhe në vetë idenë dhe realizimin e të shkruarit të një libri shqip në rrethanat e shekullit të parë të robërisë turke.

Ato dallohen edhe përmes tekstit të librit, por edhe të pasthënies që shpreh bindjet e shkrimtarit. Ai në tërë librin e tij tregon se është i frymëzuar nga dashuria për gjuhën shqipe dhe popullin e vet. Librin, siç shprehet në pasthënie, e ka shkruar duke parë se nuk kishte në shqip ndonjë gjë të përkthyer nga Shkrimet e Shenjta dhe nga dashuria që ndjente për bashkatdhetarët për të ndritur mendjet e tyre. “U Dom Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja të ndigluem në Shkruomit të Shenjtë, nësë dashunit së botës sanë, desha me u fëdiguë, përsa mujta me ditunë, me zdritunë pak mendjet e atyne që të ndiglonjinë”.

Ndër lutje ka vënë një uratë me të cilën i drejtohet Zotit për të ruajtur Shqipërinë prej murtajës “Gjithë popullinë e krështenë ndë Arbanit atë murtajet largo, Ty të lusmë o Zot”. Është për t’u dalluar dhe ajo që ndër meshë ka përfshirë meshë që u përkasin shenjtorëve që ishin popullorë në Shqipëri si Shën Mëhilli, Shën Gjergji, Shën Qurku etj. Vepra e Buzukut është vepra e parë e letërsisë sonë, prodhimi para saj nuk njihet. Ajo na shfaqet me një gjuhë të punuar, me fjalor relativisht të pasur dhe me ortografi të stabilizuar e konsekuente, rezultat i traditës të mëhershme letrare të shkrimit shqip dhe i mjeshtërisë së autorit. Buzuku me sa kuptohet, sipas studiuesve, ka punuar mbi tekste latinisht, italisht e serbo-kroatisht. Përkthimi i pjesëve të Biblës, që përmban, nuk ishte një punë e lehtë. Me gjithë vështirësitë, përkthyesi ia ka dalë në krye të japë shpesh një përkthim të lirë, pa ngurruar të bëjë edhe ndonjë ndryshim në tekst. Shkruan rrjedhshëm, pa ndërtime të ndërlikuara. Me përmasat që ka kjo vepër e Buzukut ai është dokument i rëndësishëm i gjendjes së shqipes në atë kohë, me tekstin në llojin e vet, ai na flet në mënyrë të gjallë për përpunimin e gjuhës së folur në gjuhë të shkruar por në të njëjtën kohë edhe për përpunimin e saj letrar në shprehjen e teksteve të shenjta.

Ai ka ditur të nxjerrë nga thesari i gjallë i shqipes mesjetare atë që i nevojitet dhe me brumin vetjak të saj të gatuajë një lëndë si ajo e “Mesharit”. Në stilin e tij që është stili i kohës por edhe i karakterit të tekstit fetar, ai shpesh merr liri shprehjeje. Dallohen tek Buzuku fjalitë e ngjeshura me çifte sinonimesh si dhe me kundërvënie stilistike si dhe me mjaft togje të qëndrueshme. Interesant na del shkrimtari në stil të tij dhe në mënyrën se si disa shprehjeve u jep formë pyetjeje dhe anasjelltas, por edhe në monologët e dialogët e zhdervjellët tipikë për stilin bisedor-letrar. Studuesit kanë hulumtuar mbi bazën e metodës krahasuese për përcaktimin e poezive origjinale dhe të përkthyera në veprën e Gjon Buzukut. Siç del nga shqyrtimi i lëndës që përmban libri, vërejnë studuesit, nuk mund të flitet për ndonjë tërësi të teksteve liturgjike, por vetëm për pjesë të tëra të tyre.

Në këtë seleksionim të tekstit burimor kanë gjetur shprehje shija e përkthyesit të shkolluar dhe krijues që mbështetet në poetikën e tij mbi tekstet më të bukura liturgjike të kohës, duke përfshirë këtu psalmet, himnet, uratat dhe “Kangët”, siç i ka quajtur edhe vetë Buzuku si “Kanga e Zojsë” etj. Seleksionimi i Buzukut është bërë në dy drejtime, se pari ka të bëjë me ato poezi dhe urata që ishin në përdorim dhe ishin pronësuar në popull, së dyti seleksionimi ka të bëjë me zgjedhjen sa më të ngushtë të himneve, psalmeve dhe të prozës biblike. Këndimi festiv i poezisë së kultivuar popullore kishtare (që do të lëvrohet më pas nga Budi dhe Variboba) në letërsinë e shkruar fillon me Buzukun. Konstatimet e E. Çabejt se: “të parët rudimente të një poezie në literaturën shqipe i gjejmë që më 1555 te Gj. Buzuku” studiuesit tashmë mbi bazën e krahasimeve tekstologjike, i kanë shtuar dhjetra poezi të kënduara nga ai vetë, të përkthyera, të përshtatura e të formësuara gjuhësisht.

Në këtë rast autori i “Mesharit” vetëm sa ka bërë mbarështimin edhe përgatitjen e tyre për shtyp. Shumë prej tyre kanë qenë tekste të përsëritura në popull, dhe nuk mund të quhet tekst i përkthyer prej tij, siç ndodh me tekstin: “O Mëri hirlplote. Ama e përmëshirëshme ti neve n’armikut na defendo, n’ditët së mortesë sonë ti neve na përze. E bekuar je ti ndër gjithë grat, e bekuam frujtëtë e barkut tit”. Lutja “Lavdi i qoftë Atit, e Birit e Shpirtit Shenjtë” si dhe një formësim prej natyre të letërsisë popullore ka lutja “O ati ynë…”. Sado që këto këngë dhe urata nuk janë origjinale të Buzukut mbasë as përkthime të tij, por janë tekste mjaft karakteristike. Përveç pasthënies, dhe të atyre pjesëve ku evokohet “Arbani” sikur dhe ato tekste ku jepen udhëzime për kryerjen e disa ritualeve fetare që janë tekste origjinale të Buzukut, poezitë dhe lutjet origjinale të Buzukut janë pak. Mund të veçohet dy lutje, ku hyn vetë si personazh. Është me rëndësi fakti se në to ai lutet për veten dhe për të gjithë njerëzit e tij, të qarkut të tij, që me siguri nuk kanë figuruar në librat e rrethit evropian. Po riprodhojmë njërën nga këto lutje të kthyer në gjuhën e sotme:

Përze oratetë e mi
O Zot i të gjallëvet e i vdekunet
Shelbuesi i gjithëve
qi ti z do mortnë e të gjallinjë
ndiejmë u ty të lus
e m’i a fësë mua Dom Gjonit
E muo shkatrërro të shkruomitë
e gjithë mëkatet e mive
E ty t’u pëlqeym
përze oratetë e mi
qi u m ty përda
Zot, për muo
e për gjithë njerëzit të mi
n gjakut sim.
e për miq të mi
e për anëmiqt të mi
për të gjallët
porsi për të vdekunitë” (“Meshari”, fleta XIX)

Përveç tri fragmenteve të “Këngës mbi këngët”, të njezeteshtatë psalmeve të përkthyera nga teksti burimor latinisht dhe të dhjetëra uratave, ai ka përkthyer edhe disa himne në një përkthim të lirë. Nga poezitë e përkthyera kuptojmë se Buzuku nuk është një përkthyes i rëndomtë, por poet i frymëzuar. Talenti i tij shfaqet sidomos në poezinë “Kënga e Zonjës” (“Meshari”, f.XX). Duke patur parasysh rregullin që diferencat në strukturë në mes të tekstit biblik dhe letërsisë së mirëfilltë të Mesjetës kanë qenë gati të papërfillshme, është konteksti historik që i jep vlera letrare përkthimit të autorit tonë të hershëm, në një kohë kur Bibla konsiderohej një korpus vlerash të mirëfillta estetike. Veprimi i Buzukut për t’u sjellur shqiptarëve pjesë të Biblës, veprës më të përkthyer në rruzullin tokësor sot, për atë kohë shënonte një akt të madh civilizues, emancipues letrar e kulturor.

Siç ka vënë në dukje filologu më i madh, prof. Eqrem Çabej në parashtrimin e prozave të ungjijve, por sidomos në ato të sakramenteve të shenjta, Buzuku përdor shumë fjalë dhe shtesa nga vetja. Kështu po të shihen pjesët që bëhen për pagëzimin apo për martesën në kishë, Buzuku ka krijuar dialogun duke përdorur si emër shembulli, emrin e vet. Në prozën origjinale të Buzukut ne gjejmë proza që ngjajnë me proverba popullore. Kështu është për shembull shprehja e Buzukut që në qoftë se shqiptarët do të jenë të devotshëm, do të zgjaten të vjelat deri në kohën e korrurave dhe të korrurat deri në kohën e të mbjellave. Kjo mënyrë të shprehuri metaforike flet për kulturën gjuhësore por edhe filozofike e letrare të autorit.

Buzuku është shkrimtar dhe krijues i mirëfilltë. Një përkthyes jo i zakonët. Vepra e tij është më shumë se fetare, liturgjike, është më shumë se vepër gjuhësore. Ajo është me vlera të jashtëzakonshme e të pazëvendësueshme jo vetëm në rrafshin e shqipes së kultivuar, por edhe në rrafshin më të gjerë të albanologjisë e të studimeve krahasuese ballkanike, po aq dhe me vlera letrare.

Gjon Buzuku është padyshim një nga kolosët e kulturës shqiptare. Ai është nismëtar i madh. Emri i parë i Bibliotekës së Gjuhës Shqipe “Meshari”, është monument kulturor, filozofik e fetar i një populli që do të sfidonte perandori të Lindjes e të Perëndimit. Ai është shprehje e vetëdijes së civilizuar të identitetit gjuhësor dhe kulturor etnik të shqiptarëve.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.