FJALA LAMTUMIRËSE me rastin e vdekjes së shkrimtarit e publicistit Ibrahim Berjashi

0

Mehmet Bardhi
Ulqin, e diele, më 16 mars 2025

IBRAHIM BERJASHI (1948-2025)

Të nderuem familjarë, miq, shokë e bashkëveprimtarë të Ibrahimit, ju nga Kraja, Ana e Malit, Ulqini, Shkodra e Kosova,

Të nderuem të pranishëm,

Më lejoni që me këtë rast plot dhimbje e  pikëllim, me rastin e vdekjes së Ibrahimit, kur po i japim përcjelljen e fundit për në jetën e përtejme, t’i them disa fjalë lamtumirëse e falënderuese.

Ibrahim Berjashi lindi në vitin  23  prill  1948 në katundin Berjashaj – Ostros  të Krajës, në nji familje të ndershme e punëtore, në kohna të vështira, menjiherë mbas Luftës, në ato kohna që jetuan si gjithë kranjanët, me atë bujqësi e blegtori që Kraja ofronte në ato kohna, me prodhimin e duhanit, kështenjave e të tjera, që mundësuan  shkollimin në ato rrethana të vështira ekonomike, besa edhe politike. I jati, Meha Nila, ishte për shumë vjet me radhë mezin në xhaminë e katundit.

Ibrahimin e pata koleg, bashkudhëtar gjatë klasëve të nalta në Shkollën Fillore në Ostros, për tri vjet, mandej edhe në shkollën normale “Zenel Hajdini” në Ferizaj, për katër vjet rresht, si edhe në Internat, ku banuam, gjatë viteve të 60-ta, pastaj si kolegë, punuam bashkë edhe mësuesa në Shkollën Fillore në Ostros dhe tash 20 vjetët e fundit, e kisha kojshi të parë.

Menjiherë mbas shkollës fillore që e kreu në Ostros, Ibrahimi bashkë me disa nxanësa nga Kraja dhe Ana e Malit erdh dhe u regjistrua në Shkollën Normale në Ferizaj, ku unë me 6, 7 nxanës të tjerë, nji vjet ma përpara, e kishim “zbulua” Ferizajin, ishim regjistrua të parët në këtë shkollë të mesme për mësues…

Kështu, pothuajse jetuam, u rritëm dhe u plakëm në shumë udhëtime të jetës, që nga Kraja, Kosova, e cila na dha shkolla, të cilës duhet t’i falënderohemi shumë, se pa Kosovën, nuk di si do të shkonte puna e shqiptarëve të këtyne trevave etnike, kur Qeveria, regjimi e atëhershëm i Malit të Zi, na i mbylli shkollat në gjuhën shqipe dhe na përndoqi, kur kufijt e Shqipnisë ishin mbyll hermetikisht e shpëtimin e gjetëm atje, në Kosovë, që frytet po i gëzojnë e i gëzojmë sot, deri, pastaj, në Ulqin.

Kur studentët nga Kraja, të cilët studionim në Universitetin e Prishtinës dhe në shkolla të tjera të nalta në qytetet e tjerë të Kosovës, themeluam shoqatën studentore atdhetare, KLUBIN E STUDENTËVE NGA KRAJA “SHQIPONJAT”, Ibrahimi të nesërmen e botoi si lajm në gazetën e përditshme “Rilindja”. Ai, që atëherë u përcaktua se do të bahej gazetar. Ashtu edhe ndodhi. Ibrahimi  nga viti 1975 deri në vitin 2002 ka kjenë gazetar, korrespodent i rregullt i “RILINDJES”, pastaj te “Bota sot”, te “Bujku” etj.

Me letërsi ka nisur të merret që në bankat e shkollës së mesme.
Ka bashkëpunua me të gjitha gazetat e revistat në gjuhën shqipe në: Titograd (Podgoricë), Prishtinë, Shkup, Ulqin: “Jeta e re”, “Fjala”, “Jehona”, “Pionieri”,“Fatosi”, “Fati”, “Zana” etj. 

Ishte iniciues dhe kryetar i parë i SHAI “Art Club”, me seli në Ulqin, si dhe bashkërendues i takimeve ndërkombëtare letrare “Kalimera Poetike” që mbahet në Ulqin tradicionalisht në fillim të gushtit, duke e pagëzuar këtë vend “Qyteti i Poezisë”.

Ishte anëtar i redaksisë së revistës “Koha”, e cila u botua në Titograd (Podgoricë),  nga viti 1978-1988.  Po ashtu, ishte kryeredaktor i revistës “Fati”. Në vitet e luftës 1998 dhe 1999  botoi gazetën “SHPRESA”, gazetë për të përndjekurit kosovarë që gjetën strehim në Mal të Zi.

Ibrahimi ka marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar “Shkodra ndër shekuj”, ndërsa me SHAI “Art Club” në vitin 1995 ka organizuar Simpoziumin Mbarëshqiptar për 440-vjetorin e botimit të Mesharit të don Gjon Buzukut, që është vlerësuar si konferencë e parë gjithëshqiptare.

Në gazetën “Rilindja” punoi deri në vitin 2002, kur ajo përfundimisht u mbyll. Në vitin 2004 u punësua dhe deri në pensionim punoi gazetar dhe redaktor në televizionin “Teuta” në Ulqin. Me punën dhe angazhimin e tij në këtë Televizion, la pas vetes një arkiv të pasur me emisione nga lëmi të ndryshme të jetës shoqnore, kulturore, arsimore e politike të këtyne trevave dhe ma gjanë. Ibrahimi,  vlen të përmendët për punën e tij,  për gjithë këto vite si gazetarë me përvojë, në  televizionin Teuta, po edhe ma parë, edhe për kontributin shumë të rëndësishëm  në informimin e  diasporës sonë, për ngjarjet ma të randësishme nga vendlinja dhe anasjelltas.

Këtu realizoi disa dokumentarë etnografikë televizivë, si atë për Arbneshët e Zarës, “Dita e Tratkës në Krajë”, “Mullinjtë e Millës”, “Nuk tëhuajësohet Valdanosi” etj.

Ibrahim Berjashi është shkrimtar i njoftun dhe i dalluem për fëmijë. Përmbledhjet e tij janë pjesë e lektyrave shkollore. Gjatë gjithë jetës punoi me përkushtim për kultivimin, ruajtjen, afirmimin e begatimin e kulturës e letërsisë kombëtare shqipe, me porosi të qartë – ruajtjen e identitetit kombëtar. Me shkrimet e tija gazetareske ai informoi publikun e gjanë shqiptar e jo vetëm, për shqiptarët në trojet e veta etnike, sot në Malin e Zi dhe integrimin e tyne në trungun mbarëshqiptar.

Në fillimet e shumëpartiaksisë, ishte ndër të parët që me shkrimet e tij në gazeta dhe në emisione televizive, me artikuj, intervista etj. informoi  opinionin e gjanë për aktivitetet shoqnore, kulturore e politike të partisë së parë politike shqiptare – LD në MZ, e ma vonë edhe për subjektet e tjera. Kështu bani që të njihet aktiviteti i gjanë shoqnoro-politik e atdhetar i partive politike shqiptare në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar.

Ibrahimi, siç e përmenda, ishte për shumë vite një figurë e rëndësishme në televizionin Teuta. Me punën dhe angazhimin e tij lë pas vetes një arkivë të pasur të emisioneve nga lëmi të ndryshme. Informoi diasporën për ngjarjet ma të randësishme nga vendlinja etj.etj.

Të nderuem të pranishëm,

familjarë të Ibrahimit, farefis dhe të afërm, shokë, miq, kolegë, bashkëveprimtarë dhe të gjithë ju që e njoftët Ibrahimin, këtu e në diasporë (mërgim), po që nuk patët mundësi të jeni sot prezent, më lejoni që në emnin tim, të bashkëveprimtarëve atdhetarë dhe të krijuesve letrarë, t’Ju shprehi ngushëllime të sinqerta.

Faleminderit të gjithë Ju që sot jeni këtu. Nderuat Ibrahimin, familjen, të gjithë ne, por edhe vetën dhe familjet Tuaja.

Ibrahimi pastë rahmet dhe ju të tjerët paçi shëndet e i paçi me jetë!

I kjoftë i lehtë dheu i tokës ku u lind e u rrit!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.