FJALA E DOSTOJEVSKIT NË KOMEMORACIONIN PËR NDER TË PUSHKINIT (PJESA I)

0
Fjodor Mihajlloviç Dostojevski

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Dostojevski konsideronte se nuk ka njerëz të këqij. A thua pse?!
Përse “Krimi dhe ndëshkimi” edhe pas 150 viteve vazhdon të jetë roman politikisht relevant?!    
Dostojevski ka thënë për Pushkinin se ai erdhi te rusët si një yll i ri udhërrëfyes, tejet i shndritshëm në rrugët tona të errëta; ai emblemë dhe profeci”.

Në vitin 1880 shoqëria “Adhuruesit e letërsisë ruse” e Moskës organizoi një komemoracion treditor për nder të Pushkinit. Në kuadër të kësaj u shpalos edhe shtatorja e këtij poeti famëmadh. Ditën e fundit, fjalimin e vet e mbajti edhe Dostojevski, disa muaj para se të vdiste vetë. Kjo ngjarje zhvillohet në kohë tronditjesh politike dhe trazirash shoqërore në relacioni Shën-Peterburg – Moskë, kryesisht lidhur me dominimin shtetëror në rritje që kishte të bënte me çështjet publike dhe me jetën publike. Organizuesit e komemoracionit vlerësuan drejt se Dostojevski do t’ia dalë që me fjalimin e vet t’i qetësojë pasionet në popull dhe publikun ta tubojë rreth idesë së përbashkët: shënimit dhe lartësimit të dimensionit profetik të talentit të Pushkinit*.

*   *   *

Fjala e Dostojevskit në komemoracion për nder të Pushkinit

Pushkini nuk është fenomen i përditshëm. Mbase është fenomen unik i shpirtit rus, thotë Gogoli*. Unë do të kisha shtuar “edhe fenomen profetik”. Po, në paraqitjen e tij në skenë ka pasur diçka vërtet profetike. Pushkini u shfaq mu në fillim të vetëdijesimit tonë të vërtetë. Fillimi më i hershëm erdhi një shekull pas reformave të Pjetrit të Madh*. Ai na erdhi si një yll i ri udhërrëfyes, tejet i shndritshëm në rrugët tona të errëta. Ai është emblemë dhe profeci.

Punën e poetit tonë të madh e kam ndarë në tri periudha. Nuk flas si kritik letrar. Ndalem në punën krijuese të tij vetëm për ta ilustruar konceptin tim të rëndësisë së tij profetike për ne si dhe për t’i dhënë kuptim fjalës sime profeci. Mirëpo nuk më duket se periudhat e punës së tij ndahen nga njëra-tjetra me kufij të prerë. Sipas mendimit, fillimi i “Eugjen Onjeginit” ende i përket periudhës së parë. Onjegini përfundon në periudhën e dytë kur Pushkini tashmë i kishte gjetur idealet e veta në tokën e vet të lindjes, kur i futi në zemër dhe i kultivoi në shpirtin e tij mëshirues dhe të ndritshëm.

Thonë se në periudhën e parë Pushkini i ka imituar poetët evropianë, Parnin*, Andre Shenin* dhe sidomos Bajronin*. S’ka dyshim se poetët evropianë kanë ndikuar me të madhe në zhvillimin e gjenisë së tij. Ata kanë ndikuar mbi të gjatë tërë jetës së tij. Megjithëkëtë,  poezitë më të hershme të Pushkinit nuk kanë qenë imitime të rëndomta. Në to është shprehur pavarësia jo e përditshme e gjenisë së tij. Në imitim kurrë nuk pasqyrohet një vuajtje  individuale dhe thellësi të tilla të vetëdijes siç e ka pasqyruar Pushkini te poema “Ciganët” që  unë e vendos në periudhën e tij të parë. Të mos harrojmë se forca dhe vrulli i tij krijues kurrë s’do të kishin qenë aq evidente sikur vepra e tij të ishte vetëm imitim. Heroi i “Ciganëve”  Aleko dëshmon për një ide ruse – të fuqishme, të thellë dhe të pastër. Më vonë kjo ide te “Onjegini” do të ketë një përkryerje të harmonishme.

Aty pothuajse i njëjti Aleko shfaqet jo në dritën fantastike por si një personazh konkret, i vërtetë dhe i qartë. Me Alekon Pushkini zbuloi dhe e paraqiti në mënyrë gjeniale bredhësin fatzi në tokën e tij të lindjes, viktimë të historisë ruse. Bredhësi fatkeq, i shkëputur nga populli, në shoqërinë tonë ishte një domosdoshmëri historike. Ky tip heroi është i vërtetë. Është pasqyruar në mënyrë të përsosur, është tip i përhershëm, prej kohësh i strehuar në tokën tonë ruse. Këta bredhës rusë të pastrehë enden edhe sot. Do të nevojite një kohë e gjatë që të mos jenë të tillë.

Po qe se në kohën tonë nuk shkojnë më në cergat e ciganëve për t’i kërkuar idealet e veta universale në jetën e egër të ciganëve, po qe se nuk kërkojnë më të ikin nga jeta e ngatërruar dhe e pakuptimtë e intelektualëve tanë rusë dhe nuk kërkojnë ngushëllim në gjirin e natyrës, ata do të hidhen në socializëm që në kohën e Alekos nuk ka ekzistuar. Ata me fenë e re marshojnë në fushë tjetër dhe atje punojnë me zell, duke besuar se Alekoja me veprimet e veta fantastike do ta arrijë qëllimin dhe do ta gjejë fatin, jo vetëm për vete, por për mbarë njerëzimin. Bredhësi rus mund të gjejë qetësi vetën në lumturinë e të gjithë njerëzve.

S’do të gjejë kënaqësi në diçka më pak të vlefshme se socializmi, të paktën derisa kjo ende është çështje e poezisë. Ky është po ai njeri i Rusisë që paraqitet tani në kohë tjetër. Ky njeri, po e përsëris, ka lindur në fillim të shekullit të dytë pas reformave të mëdha të Pjetrit të Madh, në një shoqëri intelektuale, të caktuar nga populli. Shumë intelektualë rusë të kohës së Pushkinit, atëherë dhe sot, kanë punuar si nëpunës, në punët shtetërore, në hekurudhë, në banka, kanë fituar kush si ka mundur ose janë marrë me shkencë, kanë mbajtur ligjërata. Krejt këtë e kanë bërë rregullisht, ngadalë dhe qetë, kanë marrë rroga, kanë luajtur shah, pa pasur dëshirë të shkojnë në taborët e ciganëve apo në ndonjë vend tjetër, që përputhet më tepër me kohët tona moderne.

Ata shkojnë deri aty sa të luajnë liberalin “me petkun e socializmit evropian”, të cilëve socializmi u jep njëfarë karakteri beninj rus. Por kjo është vetëm çështje e kohës. Çka ndodh po qe se njëri ende nuk është nisur, kurse tjetri ka hasur në dyer të mbyllura dhe me forcën e vet i ka rënë me kokë? I njëjti fat i pret të gjithë njerëzit po qe se nuk do ta  ndjekin rrugën e shpëtimit – bashkimin e përulur me popullin. Por të supozojmë se ky fat nuk i pret të gjithë. Le të mjaftojnë “të zgjedhurit”, le të niset vetëm pjesa e dhjetë, kurse shumica dërmuese të mos ketë pushim për shkak të tyre.

Ëndërrimtari i mjerë nuk ishte në gjendje të arrijë harmoninë universale, por as  të ciganëve, kështu që pa hakmarrje, pa keqdashje dhe me një respekt të thjeshtë e dëbuan.

Alekoja ende nuk mund ta shprehë si duhet atë që e mundon. Tek ai ende çdo gjë është disi abstrakte. Ai e adhuron natyrën, shfaq neveri për shoqërinë e lartë, tregon respekt për çdo njeri, mbron të vërtetën që e ka humbur dikush, e që nuk mund ta gjejë. Natyrisht, nuk mund të tregojë se ku ndodhet e vërteta, ku dhe në ç’mënyrë do të mund të shfaqej përsëri, kur ka humbur saktë, por ai vuan sinqerisht. Ndërkohë, personi imagjinues dhe i padurueshëm kërkon shpëtim në radhë të parë në dukuritë e jashtme.

Kështu edhe duhet të jetë. Si duket, e vërteta është diku jashtë këtij personi, në ndonjë vend tjetër të Evropës me institucione historike e politike të forta dhe me jetë shoqërore e qytetare të qëndrueshme. Njeriu i tillë kurrë nuk do të kuptojë se e vërteta, në radhë të parë ndodhet te vetë ai. Si mund ta kuptonte ai këtë? Një shekull të tërë nuk ka mundur të jetë zot në vend të vet. Ka harruar se si punohet. Ai s’ka kulturë.

Është rritur si nxënëse manastiri, e mbyllur midis mureve. Ka kryer detyra të ndryshme që nuk kanë përkuar me kualifikimin e tij, me pozitën në katërmbëdhjetë klasë* në përputhje me të cilat ndahet shoqëria ruse e arsimuar. Tani për tani ai është një fije bari e këputur në rrënjë, e që e merr era. Ai e ndjen këtë dhe vuan për këtë, shpesh vuan në mënyrë akute! Po çka nëse që me lindje i ka takuar bujarisë dhe ka poseduar bujkrobër. Atëherë ka mundur t’i lejojë vetes, sikur Alekoja, liri fisniku, fantazi të këndshme për njerëzit të cilët do ta mahnitin me jetën ku s’vlen ligji dhe të punojë si stërvitës ariu që luan në cergën e ciganëve? Bashkëshortja, “bashkëshortja e egër”, siç thotë një poet, me siguri do t’i jepte shpresë se do ta tejkalojë shqetësimin.

Me  mendjelehtësi, por plot pasion, e përqafon Zemfirën “Ja mënyra ime e ikjes. Këtu mund të gjej lumturi, larg botës, në gjirin e natyrës, me njerëzit që s’kanë as qytetërim, as ligj.” Dhe ç’ndodh? Ai nuk mund t’u bëjë ballë kushteve të kësaj natyre të egër, kurse duart i ka të përlyera me gjak. I shkreti ëndërrimtar nuk ishte në shkallën e harmonisë universale, por as të ciganëve dhe ata e dëbojnë pa hakmarrje dhe pa keqdashje, me dinjitet të thjeshtë.

O njeri krenar, shko tani
te ne ligji juaj nuk ekziston
Prej tij askush aty nuk pëson.

Kuptohet, krejt kjo është e imagjinuar, por njeriu krenar është i vërtetë. Figura e tij është dhënë me përpikëri. Pushkini është i pari i cili e ka rrokur atë tip dhe duhet ta dimë këtë. Po qe se i ndodh diçka që më së paku i pëlqen, është i gatshëm t’i zbatojë dënimet e ashpra dhe torturat për padrejtësinë e kryer, ose, që është akoma më ngushëlluese, do t’i kujtohet se i përket njërës prej katërmbëdhjetë shkallëve* dhe se do të zbatojë – dhe kjo ka ndodhur shpesh – torturën dhe ndëshkimin e parashikuar me ligj.

Zgjidhja ruse “e çështjes së të mallkuarve” është paralajmëruar me zë të ulët në përputhje me besimin dhe drejtësinë e popullit. “Ule kokën o njeri krenar dhe së pari thyeje krenarinë tënde. Ule kokën o njeri i ngeshëm dhe së pari puno në tokën tënde të lindjes.” Është një zgjidhje sipas urtisë dhe drejtësisë së popullit.

“E vërteta nuk është jashtë teje, por brenda teje. Gjeje veten brenda vetes, nënshtroju vetes, bëju zot i vetvetes dhe do ta shohësh të vërtetën. Kjo e vërtetë nuk është në gjëra, as jashtë teje apo përtej kufirit, por në radhë të parë në punën tënde. Nëse ngadhënjen dhe e nënshtron veten, atëherë do të jesh më i lirë se që ke ëndërruar ndonjëherë se do të jesh. Do të fillosh një vepër të madhe, do t’i bësh të tjerët të lirë, do ta gjesh lumturinë ngase jeta jote do të përmbushet. Më në fund do ta kuptosh popullin tënd dhe të vërtetën e tij të shenjtë. As te ciganët, as diku tjetër, harmonia universale nuk mund të gjendet për sa kohë që ti vetë nuk je i denjë për të vërtetën, je dashakeq dhe mendjemadh,  e kërkon jetën si një dhuratë, pa e vrarë mendjen fare se për të vërtetën njeriu duhet të paguajë çmim.”

Kjo zgjidhje e çështjes është paralajmëruar mjaft mirë në poemën e Pushkinit “Ciganët”. Edhe më mirë është pasqyruar në romanin “Eugjen Onjegini”. Kjo nuk është fantazi, është poemë konkrete dhe realiste në të cilën jeta reale ruse është mishëruar me forcën krijuese dhe përsosmërinë të cilën para Pushkinit por edhe pas tij, nuk e ka arritur askush tjetër.

Duke i shikuar njerëzit nga lartësia, Onjegini nuk e kuptoi Tatjanën kur e takoi për herë të parë në një vend të izoluar, nën vellon e një vashe të pastër dhe virgjëre.

Natyrisht, Onjegini vjen prej Peterburgu. S’ka dyshim se kjo paraqet rëndësi për romanin. Pushkini medoemos ta përfshinte këtë tipar realist më të rëndësishëm në jetën e heroit të vet. Po e përsëris, ai është i njëjti Aleko, sidomos kur më vonë në poezi bërtet nga e keqja: “Pse s’kam paralizë, si ai praktikanti i gjorë nga Tule?”

Tani në fillim të romanit ai ende është një spitullaq dhe njeri i botës. Ka parë shumë pak për të qenë i dëshpëruar nga jeta. Por tanimë e ka vizituar dhe e ka shqetësuar “zoti i demonëve të fshehtë të lodhjes.”

Në një vend të harruar, në zemër të vendit amë, Onjegini është i internuar në vend të huaj. Ai s’di ç’të bëjë dhe disi është i vetëdijshëm për kërkimin e tij. Endet nëpër vendin e vet  dhe në vende të huaja, është i mençur dhe i sinqertë, por e ndjen se midis në vend të huaj është i huaj. E do vendin e vet por s’i beson dot atij. Ka njohuri për idealet kombëtare, por s’u beson atyre. Ai beson vetëm në pamundësinë e plotë të çfarëdo pune në vendin e vet të lindjes. Kësaj mundësie, atëherë dhe sot, i kanë besuar shumë pak vetë. Të tillët i sheh me përbuzje dhe kjo për të ardhur keq. Ai e vret Lenskin nga spleen-i, mbase nga spleen-i i lindur prej dëshirës së zjarrtë për një ideal universal, mjaft i ngjashëm me ne dhe shumë i mundshëm.

Tatjana është krejt tjetër, ka karakter të fortë dhe qëndron fort në tokë të vet. Ajo është më e thellë dhe më e mençur se Onjegini. Me një instinkt fisnik kërkon të dijë se ku ndodhet e vërteta dhe ç’është e vërtetë. Mendimi i saj vjen në shprehje në fund të romanit. Ndoshta do të kishte qenë më mirë për Pushkinin që veprën e vet ta kishte quajtur “Tatjana” dhe jo “Onjegini” ngase ajo është personazhi kryesor. Ajo është pozitive dhe jo negative, tip i bukurisë pozitive dhe apoteozë e femrës ruse. Poeti e ka caktuar ta shprehë idenë e romanit të vet me skenën e takimit të fundit të Tatjanës me Onjeginin. Pas saj, tip aq i bukur dhe pozitiv i vashës ruse, në letërsinë tonë nuk është krijuar kurrë. Ndoshta me përjashtim të Lizës në “Folenë fisnike”Turgenjevit*.

Duke i shikuar njerëzit nga lartë, Onjegini nuk e kuptonte as Tatjanën kur e takoi për herë të parë në një vend periferik, nën vellon e thjeshtë të një vajze të pastër dhe virgjëre. Para tij ajo ndjehej tejet e turpshme. Ai nuk ishte i zoti të vërente se para vetes kishte një vajzë modeste komplete dhe të përsosur. Mbase e ka konsideruar “embrion moral”. Ajo, embrion! Ajo, pas letrës së saj dërguar Onjeginit! Po qe se në poezi ekziston embrioni moral, atëherë ky është vetë ai – Onjegini. Dhe s’kishte se si ta kuptonte.

A e njeh ai shpirtin e njeriut? Ka qenë person abstrakt, gjatë gjithë jetës ëndërrimtar i palodhur. Këtë zonjë të madhe nuk e kupton edhe më vonë në Peterburg kur “ai në shpirt i kishte kuptuar të gjitha përsosmëritë e saj”. Kjo shihet nga letra që ia kishte dërguar asaj. Por këto s’janë veçse fjalë. Kaloi nëpër jetën e tij e papranuar dhe e pavlerësuar dhe këtu qëndron tragjedia e dashurisë së tyre.

Po sikur gjatë takimit të tij të parë në fshat të kishte ardhur prej Anglie Çajld Haroldi apo lord Bajroni për t’ia treguar Onjeginit bukurinë e turpshme dhe modeste të Tatjanës, ai do të ishte mahnitur ngase këta shkretanë universalë kanë shpirt servili. Por kjo nuk ndodhi kështu që kërkuesi i harmonisë kozmike, pasi tregoi shumë respekt, me vuajtjen e vet universale dhe gjakun e shokut të vet të derdhur në një zënkë të pakuptimtë, nisi të bredhë nëpër tokën e vet të lindjes, i verbër ndaj saj. Me tërë forcën që ka, ai bërtet: Ende jam i ri dhe jeta është e fortë në mua. Po ç’më  pret? – vuajtja, vuajtja, vuajtja”.  

Tatjana e kuptonte këtë. Në vargjet e pavdekshme poeti e tregon ardhjen e saj për ta parë shtëpinë e njeriut i cili për të është tejet i mirë por që s’e kupton. Nuk flas për të bukurën artistike të paarritshme dhe për thellësinë e vargjeve të poetit. Ajo është në dhomën e tij të punës. Ajo i shikon librat dhe sendet e tij. Nëpërmjet tyre ajo përpiqet ta kuptojë shpirtin e tij, ta zgjidhë enigmën e vet. Më në fund, ky “embrion moral” ndalet mendueshëm me ndjesinë se enigma e saj është zgjidhur dhe me zë të ulët thotë: “Mos vallë ai s’është veçse një shaka?”

Patjetër ta thoshte këtë. Ajo e kuptoi. Shumë më vonë, kur të takohen përsëri në Peterburg, tanimë ajo e njeh mirë.

Imagjinoni sikur po ndërtoni një pallat të fatit njerëzor për t’i bërë më në fund të lumtur të gjithë njerëzit, për paqen dhe prehjen e përhershme dhe imagjinoni se për këtë qëllim duhet të torturoni deri në vdekje një qenie njerëzore të vetme.

Kush është ai që ka thënë se jeta në pallat dhe jeta shoqërore kanë ndikuar keq në shpirtin e Tatjanës. Kush thotë se tani ajo e refuzon Onjeginin edhe për shkak të pozitës së re të saj si një zonjë me stil dhe për shkak të ideve të reja? Kjo s’është e vërtetë. Jo, ajo është po ajo Tanjë, po ai vend, Tanjë si dikur! Ajo s’është e lazdruar. Përkundrazi, e mundon jeta plot shkëlqim e Peterburgut. Kjo e ka lodhur dhe i shkakton vuajtje. Ajo e urren pozitën e vet –  zonjë e shoqërisë së lartë. Kushdo që mendon ndryshe për të, nuk e kupton se ç’ka dashur të thotë Pushkini.

Ajo prerazi i thotë Onjeginit: “Tani i përkas tjetërkujt, do t’i jem besnike deri në vdekje.” 

E tha këtë si një ruse e vërtetë dhe këtu ndodhet apoteoza e saj. Ajo e shpreh të vërtetën  poetike. S’do të them asnjë fjalë për bindjet fetare të saj, për pikëpamjet e saj mbi shenjtërinë e martesës, jo, s’do të hyjë aty. Po atëherë, a refuzoi ta ndiqte atë, ndonëse vetë i tha “të dua”? Mos vallë e refuzoi ngase si një ruse dhe jo si një e jugut apo si një franceze, nuk qe e aftë të ndërmerrte hapa të guximshëm, apo s’pati forcë të hiqte dorë nga nderimet, nga pasuria, nga pozita në shoqëri dhe nga konvencionet e virtytit? Jo, gruaja ruse është e guximshme. Personin të cilit i beson, druaja ruse e ndjek pa hamendje dhe këtë e ka dëshmuar. Por Tatjana “i është dhënë një tjetri dhe atij do t’i qëndrojë besnike deri në vdekje”.

Për kë do të jetë e devotshme ajo? Cilat detyrime do t’i kryejë me besnikëri? Kemi të bëjmë me një gjeneral plak të cilin ajo assesi s’mund ta dojë, me të cilin u martua vetëm sepse “nëna e luti me lot dhe betime”. Atëherë shpirti i saj i dërmuar dhe i plagosur ka qenë i kapluar nga dëshpërimi. Pa shpresë dhe rreze drite? Po, ajo i është besnike atij gjenerali, burrit të vet, njeriut të ndershëm i cili e do, e respekton dhe krenohet me të. E mallkonte të ëmën, megjithëkëtë iu bind lutjeve të saj. U betua se do të jetë grua besnike. U martua me gjeneralin  nga dëshpërimi.

Por tani ai është burrë i saj dhe po t’i nënshtrohej Onjeginit do ta turpëronte burrin e vet, do ta degradonte dhe do ta varroste së gjalli. A mund dikush fatin e vet ta ndërtojë mbi fatkeqësinë e tjetrit? Lumturi nuk është vetëm kënaqësia në dashuri. Ajo nënkupton harmoninë shpirtërore më të lartë. Si do të gjente qetësi shpirti po të qëndronte pas tij veprimi njerëzor i pandershëm dhe i pamëshirshëm? A duhet të ikë Natasha vetëm për hir të pasioneve dhe të injorojë bukurinë shpirtërore? Ç’ lumturi do të ishte ajo që do të ndërtohej mbi fatkeqësinë e tjetrit?

Imagjinoni sikur po ndërtoni një pallat të fatit njerëzor, për lumturinë e përhershme të çdo njeriu, për paqen dhe prehjen e përgjithmonshme. Imagjinoni sikur po e tmerroni deri në vdekje një qenie njerëzore të rëndomtë, pra jo një person “të rëndësishëm”, një person qesharak dhe jo një Shekspir*, thjesht një plak të ndershëm, burrin e një gruaje të re të cilës ai i beson verbërisht. Ai krenohet me të dhe e respekton, ndonëse fare nuk ia njeh zemrën. Është i lumtur dhe i qetë. Pallati juaj mund të ndërtohet vetëm nëse ai turpërohet, çnderohet dhe torturohet. Ju mund ta ndërtoni pallatin tuaj, vetëm duke e çnderuar veten dhe duke i shkaktuar fatkeqësi tjetrit!

A do të pajtoheshit të bëheni arkitekt i një fatkeqësie me një kusht të tillë? Kjo është pyetja. A mund ta doni një person i cili e pranon nga ju një lumturi që buron nga vuajtja shkaktuar tjetrit? Kjo mbase do të konsiderohej si vuajtje e një qenieje të parëndësishme. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një qenieje të vrarë mizorisht dhe padrejtësisht. Po ta kishit atë lumturi, përgjithmonë do të kishit qenë të lumtur, ndaj a do të pajtoheshit me një lumturi që buron nga vuajtja e tjetrit? A ka mundur të zgjedhë ndryshe shpirti i madh i Tatjanës që ka vuajtur aq shumë?

Jo, shpirti i pastër rus vendos kësisoj: Lërmëni të jem e privuar nga lumturia, qoftë sikur ajo të jetë pafundësisht më e madhe se fatkeqësia e këtij plaku. Në fund, askush, pra as ky plak, nuk e di dhe nuk e çmon flijimin tim. S’mund të jem fatlum duke e shkatërruar tjetrin dhe këtu qëndron tragjedia. Vija s’mund të tejkalohet. Tatjana i thotë Onjeginit: ditën e mirë! Mund të thuhet se edhe Onjegini është fatkeq. Gjeneralin, ajo e shpëtoi, kurse Onjeginin e shkatërroi. Por kjo është një çështje tjetër, ndoshta më e rëndësishmja e romanit.

*   *   *

 Shënime:

Pushkin, Aleksandër Sergejeviç, Moskë, 1799 – Shën-Peterburg, 1837) poet, tregimtar dhe dramaturg rus. Humbi jetën në dyluftim.
Gogol, Nikolai Vasileviç (1809-1852) – tregimtar dhe komediograf rus;
Pjetri i Madh (Petar I Alekseeviç ose Pjetri i Madh, 1672-1725), perandor i Rusisë;
“Eugjen Onjegini” (1833), poemë, roman në vargje i Pushkinit;
“Ciganët” (Cygani, 1824), poemë e Pushkinit;
Parni (Evariste Désiré de Forges de Parny, 1753-1814) poet francez;
Shenie, Andre (André-Marie Chénier, 1762-1794) poet dhe eseist francez;
Bajron, Xhorxh Gordon (George Gordon Byron, 1788-1824) poet anglez;
Tabela e rangjeve – shtyllë e hierarkive shoqërore/zyrtare ruse, në përputhje me të cilat ndahej shoqëria ruse e arsimuar;

Turgenjev, Ivan (Ivan Sergejeviç Turgenjev, 1818-1883) – tregimtar dhe dramaturg rus. “Foleja fisnike” (Dvorjanskoe gnezdo, 1859) është roman i tij ku flitet për “njerëzit e tepërt” si dhe për bujarinë apo për intelektualët të cilët qenë të paaftë që idetë e tyre t’i shndërrojnë në vepër;

Shekspir, Uilliam (William Shakespeare, 1564-1616) – dramaturg dhe poet anglez; Ka pasur studiues të letërsisë që e kanë vënë në dyshim autorësinë e Shekspirit mbi veprat e tij. Shekspiri në moshën 13-vjeçare e ka ndërprerë shkollimin. Atëherë si u bë baba i tragjedisë moderne. Shkrimtari gjerman Johan Volfgan Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832) thotë: “Për të krijuar art, duhet të jesh gjeni. I tillë ishte Shekspiri. Autor i tragjedive është ai.” Në shekullin III para K. u shtrua “çështja homerike”. Ishte ose jo Homeri i verbër autor i dy poemave, “Iliadës” dhe “Odisesë”, apo ishte vetëm një aed (rapsod), apo ishte vetëm autor i “Iliadës” por jo edhe i “Odisesë”.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.