Fig 3. Emisioni i 7 marsit 2008, ku për herë të parë figuroi teksti “Republika e Kosovës”
Besnik Fishta
Pullat e para postare të Postës së Kosovës u emetuan më 15 mars 2000, dhe tematika e parë që u përzgjodh ishte “Paqja” (fig. 1), një zgjedhje e ngarkuar me simbolikë për një vend që sapo kishte dalë nga një konflikt i rëndë. Ky emision përbëhej nga pesë pulla me pamje dhe vlera të ndryshme nominale, të shprehura në markën gjermane (DM), që në atë periudhë ishte valuta e përkohshme në përdorim në Kosovë. Më 12 nëntor 2001, u lëshua në qarkullim emisioni i dytë i pullave postare (fig. 2), sërish me pesë pulla, por me një karakteristikë të veçantë: vlerat nominale ishin të shënuara në dy valuta, marka gjermane dhe euro, për shkak të procesit të kalimit gradual në monedhën europiane.
Pas këtij momenti, të gjitha emisionet pasuese të pullave janë shënuar vetëm në euro, duke reflektuar qasjen e Kosovës drejt institucioneve dhe simboleve perëndimore. Një kthesë e rëndësishme në zhvillimin e filatelisë ndodhi pas vitit 2004, kur Posta e Kosovës u konsolidua më tej dhe filloi të lëshojë një numër më të madh emisionesh me tematika të larmishme: histori, art, figura kombëtare, sport, biodiversitet, trashëgimi kulturore, roli i gruas në shoqëri, flora dhe fauna, ngjarje kombëtare dhe përvjetorë të rëndësishëm. Këto emisione morën përmasën e komunikimit kulturor dhe edukativ. Një moment historik në filatelinë kosovare ishte emetimi më 7 mars 2008 i pullës për Ditën e Mësuesit, ku për herë të parë figuroi teksti “Republika e Kosovës” (fig. 3).
Më pas, më 19 mars 2008, emetimi për Ditën e Pavarësisë shënoi jo vetëm një përvjetor, por edhe afirmimin e identitetit të ri të shtetit të pavarur. Këto ngjarje e vendosën filatelinë kosovare në një stad të ri, ku ajo shërbente si dëshmi e shtetformimit dhe e aspiratave politike e kulturore. Pavarësisht përparimit, filatelia e Kosovës është përballur me disa sfida të mëdha. Mungesa e njohjes së gjerë ndërkombëtare, veçanërisht në fazat e para, ka ndikuar që pullat kosovare të kenë përhapje të kufizuar në tregun ndërkombëtar të filatelisë dhe në katalogët kryesorë botërorë. Po ashtu, infrastruktura filatelike mbetet e brishtë, për shkak të mungesës së muzeve, ekspozitave të qëndrueshme, shoqatave aktive, literaturës filatelike dhe katalogëve të specializuar.
Edhe ndikimi i dobët në edukimin dhe kulturën masive ka bërë që filatelia të mbetet e kufizuar në një rreth të ngushtë njohësish dhe koleksionistësh. Megjithatë, vitet e fundit kanë sjellë një larushi tematike dhe një përmirësim të ndjeshëm në cilësinë vizuale të pullave. Janë përfshirë figura të grave të shquara (si Shote Galica, Nexhmije Pagarusha, Nekibe Kelmendi), trashëgimi kulturore (si Xhubleta apo Fibulat ilire), ngjarje sportive, personalitete botërore me origjinë kosovare (Rita Ora, Dua Lipa) dhe tematika sociale si mbështetja për gjidhënien, dhuna ndaj grave etj.
Kjo dëshmon për një vetëdije të re mbi rolin e filatelisë, jo vetëm si përkujtim i së kaluarës, por edhe si mjet komunikimi për vlerat shoqërore aktuale. Është për t’u theksuar edhe fakti se, në arenën ndërkombëtare, pullat e Kosovës kanë marrë disa herë vlerësime dhe çmime, si për paraqitjen e tyre artistike, ashtu edhe për përmbajtjen identitare. Për shembull, në konkursin “WIPA Grand Prix”, pulla me mineralet e Kosovës u përzgjodh mes nëntë pullave më të bukura të Europës për vitin 2009. Po ashtu, blloku filatelik “Mendo gjelbër” u rendit në vendin e pestë në grupin e dhjetë pullave më të bukura të vitit 2016.
Fig 1. Emisioni i parë i Filatelise Kosoves 15 marsit 2000 me temën “Paqja”
Fig 2. Emisioni i dytë me vlera ne marka dhe euro me 12 Nendor 2001
Krahasuar me Kosovën, filatelia shqiptare ka një histori më të hershme, duke nisur në vitin 1913 me emetimin e pullës së parë më 5 maj. Ajo ka zhvilluar natyrshëm një komunitet të konsoliduar koleksionistësh nga e gjithë bota. Në Shqipëri ka ekzistuar një lëvizje e organizuar filatelike që prej vitit 1947, fillimisht në Shkodër, më pas në Korçë (1949) dhe në Tiranë (1959). Po ne Shkoder se pari,e pastaj ne qytetet e tjere janë zhvilluar veprimtari cilësore.
Kane qene kryesisht në formën e konferencave dhe ekspozitave filatelike,apo dhe ne shkolla e qendra pune. Ne çdo vit kishte te te pakten nje ose dy ekspozita, të cilat sidomos ne vitet `70 ne kushtet e izolimit total te vendit mundesuan ruajtjen e kontaktit me boten pertej kufijve. Pas viteve ’90, janë shënuar edhe zhvillime të tjera pozitive, si ne drejtim te literatures filatelike,pjesmarrjes ne ekspozita ne nivel europian apo boteror etj.
Ndërkohë, filatelia e Kosovës ndodhet ende në fazën e ndërtimit të përvojës së saj, por po njeh një zhvillim të vrullshëm, falë punës profesionale dhe përkushtimit të punonjësve të Postës së Kosovës. Një sukses i rëndësishëm është krijimi vitet e fundit i Klubit Filatelik Kosovar, i cili po njeh rritje të qëndrueshme dita-ditës. Në shumë aspekte kemi progres cilësor: pullat kosovare, krahasuar me ato të Shqiperise, janë më ekspresive dhe më bashkëkohore, duke reflektuar nevojën për afirmim ndërkombëtar dhe ndërveprim me botën.
Kështu, Kosova sjell freski dhe një qasje më të guximshme vizuale dhe tematike, krahas traditës së pasur të Shqipërisë. Në rastin e Kosovës, filatelia ka luajtur një rol të veçantë në ndërtimin e identitetit shtetëror dhe në prezantimin e tij në arenën ndërkombëtare. E ndikuar nga rrethanat historike dhe politike, por edhe nga nevoja për përfaqësim simbolik dhe afirmim kulturor, filatelia e Kosovës është zhvilluar nga një praktikë e thjeshtë postare në një mjet të rëndësishëm të kujtesës kombëtare dhe të diplomacisë kulturore.