13.5 C
Tirana
E dielë, 25 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Evropa dhe SHBA-të në një kurs përplasjeje për Grënlandën

Evropa dhe SHBA-të në një kurs përplasjeje për Grënlandën

0
Protestë në Kopenhagë për Grënlandën

Një protestë në Kopenhagë të shtunën. Hilary Swift për The New York Times

Nga Katrin Bennhold, 19 janar 2026Përktheu Arben Çokaj

Mirëmëngjes, botë! Jam duke shkuar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku disa nga njerëzit më të pasur dhe më të fuqishëm në botë mblidhen një herë në vit për një javë takimesh të nivelit të lartë dhe festash luksoze. Presidenti Trump do të jetë atje.

Një çështje që pa dyshim do të gjallërojë bisedat këtë javë është fati i Grenlandës – dhe bashkë me të edhe fati i aleancës së NATO-s. Trump i ka kërcënuar kombet evropiane me tarifa të larta, nëse nuk e lejojnë të marrë përsipër ishullin Arktik. Sot shkruaj për sa larg mund të jetë e përgatitur të shkojë Evropa për t’u përgjigjur.

Zyrtarisht dorezat janë hequr.

Në një postim në Truth Social këtë fundjavë, Presidenti Trump i dha një ultimatum Evropës: Nëse ata nuk do të lejonin “blerjen e plotë dhe totale” të Grënlandës, ai do të vendoste tarifa për një grup vendesh evropiane, 10 përqind në shkurt dhe pastaj 25 përqind në qershor.

Udhëheqësit evropianë u përgjigjën se nuk do të bullizoheshin.

Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, e quajti ultimatumin “krejtësisht të gabuar”. Presidenti Emmanuel Macron i Francës shkoi aq larg sa tha se Evropa duhet të hakmerret me mjetin më të fortë tregtar që ka në dispozicion: aktivizimin e një rregulloreje që mund të kufizojë aksesin e kompanive amerikane në tregun e BE-së.

Brenda disa orësh nga postimi, anëtarët e Parlamentit Evropian njoftuan se do të ngrinin ratifikimin e marrëveshjes tregtare të Evropës me Trump.

Ambasadorët e BE-së mbajtën një takim urgjent në Bruksel të dielën për të vlerësuar situatën. Bisedimet – ndonëse paraprake – e bënë të qartë se zyrtarët do të preferonin të negocionin sesa të hakmerreshin. Por takimi gjithashtu e bëri të qartë se ata janë të përkushtuar për të mbrojtur Grënlandën.

Kryeministrat dhe presidentët nga e gjithë BE-ja do të takohen më vonë këtë javë.

Evropa mbetet shumë e varur nga Shtetet e Bashkuara për mbështetje përmes NATO-s dhe në luftën e Rusisë me Ukrainën. Kjo ka qenë arsyeja kryesore pse udhëheqësit evropianë kanë treguar një përmbajtje të tillë në marrëdhëniet e tyre me Trump deri më tani.

Ata pranuan tarifa më të larta të SHBA-së vitin e kaluar. Ata i shprehën respektin e tyre në një seri vizitash në Shtëpinë e Bardhë. Ata u treguan të përmbajtur në kritikat e tyre kur herë pas here Trump dukej se favorizonte qëndrimin e Rusisë ndaj atij të Ukrainës. Për Venezuelën, ata mezi folën fare.

Por lëvizja e Trump për të marrë Grëenlandën, një territor autonom që kontrollohet nga Danimarka, një anëtare si e NATO-s ashtu edhe e BE-së, e ka lënë Evropën pa zgjidhje tjetër përveçse të përgjigjet.

Pyetja është se sa ndikim ka Evropa mbi Trump. Rezulton se është mjaft i madh. Por ky ndikim gjithashtu potencialisht vjen me një kosto të lartë.



Klikoni për të parë videon. The New York Times

Bazuka tregtare

Mjeti tregtar me të cilin Macron ka sugjeruar të godasë SHBA-në zyrtarisht, quhet “instrumenti anti-shtrëngim” – i njohur më mirë si bazuka tregtare e Evropës. Nuk është përdorur kurrë, as kur Trump vendosi tarifa për vendet e BE-së vitin e kaluar.

Fola me kolegen time Jeanna Smialek në Bruksel, e cila ka raportuar mbi luftën e re tregtare të Trump me Evropën. Jeanna më tha se shumë kompani amerikane, veçanërisht kompanitë amerikane të shërbimeve, mbështeten në aksesin në Bashkimin Evropian, tregun më të madh të vetëm në botë.

Bazuka mund të përdoret për të vendosur kufizime mbi kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë ose ofruesit e tjerë të shërbimeve me biznes të rëndësishëm në kontinent.

Nëse je Apple ose Google ose Meta ose ndonjë nga këto firma të ndryshme teknologjike, je shumë i varur nga konsumatori evropian,” tha Jeanna. “Kjo i jep Evropës shumë mundësi për të rritur presionin ose për të ushtruar presion kur bëhet fjalë për aksesin tek ata konsumatorë.”

Ndjekja e kompanive të mëdha teknologjike do të rriste ndjeshëm tensionet transatlantike. Kjo do të kishte edhe një kosto për konsumatorët evropianë.

Nëse përdorni mjete që bllokojnë aksesin në Google, Facebook ose Instagram, ky nuk është një propozim pa kosto”, tha Jeanna. “Do të thoshte që qytetarët evropianë kanë më pak akses, ose ndoshta kanë akses më të shtrenjtë.”

Si hap i parë, BE-ja mund të lejojë gjithashtu që një listë prej 93 miliardë eurosh me tarifa hakmarrëse për mallrat e hartuara vitin e kaluar të hyjë në fuqi, i thanë zyrtarët Jeannës.

Të tradhtuar, të hutuar, të frikësuar

Megjithatë, tani duket se ka një mbështetje të madhe në Evropë për t’iu kundërvënë Trumpit.

Protestues në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, të shtunën. Juliette Pavy për The New York Times

Të shtunën, njerëz në të gjithë Groenlandën zhvilluan protesta. Kryeministri Jens-Frederik Nielsen udhëhoqi një marshim nëpër kryeqytetin, Nuuk, në një moment duke u ngjitur në një grumbull dëbore për të ngritur një flamur të Groenlandës.

Sondazhet kanë treguar se banorët e Groenlandës preferojnë të mbeten një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës. Fola me kolegun tim Jeffrey Gettleman, i cili është në terren në Nuuk, në lidhje me reagimin e njerëzve atje. Mund ta shikoni bisedën tonë më sipër.

Në Danimarkë, mijëra njerëz marshuan drejt Ambasadës Amerikane në Kopenhagë. Danezët, të cilët luftuan përkrah ushtarëve amerikanë në Afganistan dhe Irak, thonë se ndihen të tradhtuar, të hutuar dhe të frikësuar nga kërcënimet e Trump.

Trump argumenton se SHBA-të duhet të kontrollojnë Grënlandën si një fortesë kundër ambicieve kineze dhe ruse në Arktik. Por SHBA-të tashmë kanë të drejtë të zgjerojnë praninë e tyre ushtarake në Grënlandë sipas një marrëveshjeje të vitit 1951 me Danimarkën. Kërcënimet e tij me tarifa erdhën pasi disa vende evropiane dërguan trupa në Grënlandë, për të marrë pjesë në stërvitje ushtarake, së bashku me forcat daneze javën e kaluar – një shfaqje solidariteti që mund ta ketë zemëruar Trumpin. Të njëjtat kombe tani kërcënohen nga tarifa shtesë.

Një moment për të vendosur për Evropën

Është shumë herët për të ditur nëse Evropa do të vazhdojë me masa hakmarrëse, më tha Jeanna. Varësia ushtarake e Evropës nga SHBA-të mbetet. SHBA-të janë jetike për mbrojtjen e Ukrainës. Por Grënlanda i ka ndryshuar llogaritë.

Ky është një kërcënim për sovranitetin e një kombi,” tha Jeanna. “Ky mund të jetë momenti që më në fund i bën evropianët të ndryshojnë anë në përdorimin e këtyre mjeteve tregtare vërtet agresive.”

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.