Etika shqiptare

0
Safet Sadiku

Safet SADIKU

Etika shqiptare

Fjala e dhënë
te ne nuk tretet
As era nuk e shpie
as shiu nuk e lan

Ajo rri si guri
në prag të shtëpisë
Një herë thuhet
dhe përjetë mban…
Etika shqiptare
si zemër mali
Me duar që mbjellin
jetë e dritë

Me shpirtin si flakë
si kroje të bardha
Me besë që nuk blihet
nuk shitet, nuk fshihet
Mikëpritja jonë
me dyer të hapura
Me sofër që s’njeh
as të huaj, as të largët
Një kafshatë ndan
me të varfërin
Një konak e shtronte
për udhëtarin e ardhshëm
Kështu rron
ende shqiptari?
kështu është rritur
Me fjalën e tij
më të fortë
se një prush
Me zemrën e tij
sa një mal e një fushë
Me nderin si lis
që nuk e tund as era
shqipja gjithmonë
gjallëron si pranvera

Etika shqiptare e shprehur përmes vargjeve poetike!

Poezia “Etika shqiptare” e Safet Sadikut është një frymëzim me vargje reflektuese që lartëson vlerat tradicionale të moralit shqiptar. Ajo trajton temën e etikës kombëtare, duke theksuar virtyte si besa, fjala e dhënë, mikpritja, nderi dhe qëndrueshmëria morale, të cilat autori i paraqet si pjesë të qenësishme të identitetit shqiptar. Stili i poezisë është i thjeshtë dhe i fuqishëm, me një ton epik dhe emocional që përforcon mesazhin. Vargjet janë të ngjeshura dhe simbolike, si: “Fjala e dhënë, te ne nuk tretet. As era nuk e shpie, as shiu nuk e lan”, ku fjalës i jepet një peshë e shenjtë.

Simbolika që përdor autori: “Guri në prag të shtëpisë”, “zemra si mal”, “shpirti si flakë”, përforcon idenë e një etike të palëkundur dhe madhështore. Në fund, poeti ngre pyetjen sfiduese: “Kështu rron ende shqiptari?”, duke ftuar lexuesin të reflektojë mbi qëndrueshmërinë e këtyre vlerave në kohët moderne. Mund të them se poezia e Safet Sadikut shërben si një manifest etik dhe kulturor, që synon ruajtjen e kujtesës morale në një shoqëri në trazicion. Këto vargje poetike i ngjajnë një himni për nderin dhe fjalën e dhënë, dhe njëkohësisht janë thirrje për rikthim te rrënjët morale të kombit.

Isuf Bytyçi

Safet SADIKU

Zoti im quhet Atdhe!

Që kur linda
U shpreha qartë
Edhe kur qajta
Si foshnjor
Me ulurima zëri
Kam thënë:
“Jam vetëm
Atdhetar i betuar!
nuk dua të jem
fetar i turbulluar!”

Zoti im
Quhet atdhe!
Tejkalon
Çdo religjion
Çdo ideologji
Pse këndojnë
Për hasmëri!
Në çdo familje
Në çdo shtëpi?
Besimi në atdhe
Është besimi në zot!
Si e vetmja fole!
Është e qartë për ne!
Pa atdhe nuk kemi fe!

Zoti im
Quhet atdhe!
Është e vetmja
Dritë e lulëzuar
Pa atdhe
Mund ta puthësh
Secilën fe!
Jeta të shkon
Nën rrufe!…
Me rrëke…
Zoti im
Quhet atdhe!
Jam me fat
Në këtë fole

Zoti im
quhet atdhe
U tregua
shumë bujar
Që nga lindja
n’ditën e parë
Betimit tim
I vajti mbarë!
Luftë e shpallur!
Lajmi ka ardhur
I konfirmuar!
Se zoti im
quhet Atdhe!

Kur atdheu është burim i shenjtërisë

Poezia “Zoti im quhet Atdhe!” e Safet Sadikut është një deklaratë e fuqishme atdhetarie, ku autori vendos atdheun në vendin e shenjtë të Zotit, duke e paraqitur si burimin e vetëm të besimit, identitetit dhe ekzistencës. Ajo afirmon një patriotizëm absolut, që tejkalon fenë dhe ideologjitë, me vargje të forta si: “Pa atdhe nuk ke fe!”. Përmes një gjuhe të drejtpërdrejtë dhe retorike, poezia krijon një atmosferë militante, ku atdhetaria është mision dhe betim. Refreni i përsëritur “Zoti im quhet Atdhe!” vepron si një kredo personale dhe kolektive, duke e kthyer poezinë në një manifest politik dhe kulturor.

Autori shmang figurshmërinë e hollë, duke zgjedhur një ton të ashpër dhe sfidues, që përçon mesazhe të qarta dhe mobilizuese. Poezia trajton tensionin mes identitetit kombëtar dhe ndarjeve fetare, duke mbrojtur idenë se atdheu është një dhe forma më e lartë e besimit. Kjo poezi është një akt poetik i besimit ndaj kombit, një thirrje për vetëdije dhe veprim, që i përket më shumë traditës së poezisë së protestës dhe rilindjes kombëtare.

Isuf Bytyçi

Safet Sadiku

FJALA

Fjala e menduar
Fjala e dhënë
Fjala e mbajtur

është zemra
e çdo besimi
është çelsi
i çdo suksesi

Fjala në shoqëri
është si flori
me fuqi

Ajo lind burrëri
Lidh dashuri
Frynë shpirt lirie
për çdo njeri

S’pyet për moshë as pasuri
As për grada e hierarki

Fjala është pasqyrë
e sjelljes, e dëshirës

Amanet i shpirtit
gur i ndershmërisë

Mjer ai që quhet faqezi
sepse fjala e tij s’pati burrëri

Fjala si pasqyrë e shpirtit

“Fjala” e Safet Sadikut është një poezi me mesazh të fuqishëm moral dhe etik, që vlerëson fjalën si pasqyrë të shpirtit dhe karakterit njerëzor. Me vargje të thjeshta dhe të kuptueshme, poezia e përshkruan fjalën si simbol të nderit, besës, burrërisë dhe ndershmërisë. Ajo thekson rëndësinë e të menduarit para se të flasësh, të qëndruarit pas fjalës së dhënë, dhe të mos përdorurit të saj për mashtrim apo poshtërim.

Struktura poetike me ritëm dhe rima të natyrshme përforcon mesazhin etik, ndërsa përdorimi i figurave simbolike si “fjala si flori” dhe “gur i ndershmërisë” e lidh poezinë me traditën shqiptare. Vargu përmbyllës është një kritikë morale ndaj atyre që nuk mbajnë fjalën, duke i dhënë poezisë një ton reflektues dhe edukues. Në fakt, kjo poezi është një thirrje për integritet dhe përgjegjësi në komunikim, duke e parë fjalën si themel të besimit dhe marrëdhënieve njerëzore.

Isuf Bytyçi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.