Filozofia e mendimit të vetëdijshëm politik
Politika shqiptare e tranzionit ka vepruar kryesisht në mënyrë reaktive, jo projektuese. “Mendimi i vetëdijshëm politik” përfaqëson kalimin nga politika e kuptuar si impuls për pushtet, drejt procesit aktiv, si akt i ndërgjegjshëm i përgjegjësisë historike. Ai e lidh vendimmarrjen me etikën, dijen dhe pasojat afatgjata, duke e vendosur qytetarin si subjekt moral dhe racional.
Nga Safet SADIKU
Filozofia e mendimit të vetëdijshëm politik shfaqet pikërisht në momentet e krizës, kur politika nuk ka luksin e improvizimit. Vërshimet e përsëritura në Shqipëri dhe Kosovë tregojnë se mungesa e planifikimit afatgjatë, e analizës shkencore dhe e përgjegjësisë institucionale nuk është thjesht dështim teknik, por mungesë vetëdijeje politike. Një mendim i vetëdijshëm do t’i trajtonte fatkeqësitë natyrore jo si “ngjarje të paparashikueshme”, por si pasoja të parashikueshme të neglizhencës strukturore. Politika që reagon vetëm pas katastrofës dëshmon se ende vepron në nivel vetëm instinktiv dhe jo racional.
Logjika dhe filozofia janë si dy shtylla që mbajnë mendimin njerëzor: e para kërkon rregull dhe qëndrueshmëri, e dyta kuptim dhe thellësi. Logjika na mëson si të mendojmë sakt, ndërsa filozofia na pyet pse duhet të mendojmë fare. Logjika operon me parime të qarta: „nëse premisat janë të vërteta dhe arsyetimi është i vlefshëm, atëherë përfundimi duhet të pranohet“. Por, jeta rrallë na jep premisa të pastra. Këtu hyn filozofia, duke na kujtuar se e vërteta nuk është gjithmonë vetëm çështje forme, por ka edhe përmbajtjeje me vlerë në varësi të kontekstit. Një paradoks i përhershëm është se sa më shumë përpiqemi të sistemojmë botën me rregulla logjike, aq më shumë zbulojmë kufijtë e tyre. A është njeriu plotësisht racional? Nëse jo, a është logjika e pamjaftueshme, apo jemi ne që nuk dimë ta zbatojmë?
Filozofia nuk nxiton të japë përgjigje, por ajo e vlerëson pyetjen si një akt i lirisë intelektuale. Në fund, logjika pa filozofi rrezikon të bëhet e ftohtë dhe mekanike, ndërsa filozofia pa logjikë rrezikon të shpërndahet në paqartësi. Bashkë, ato na mësojnë një virtyt të rrallë: „që ne në përditshmëri të mendojmë me rreptësi, por edhe me përulësi, duke pranuar se jo çdo gjë që ka kuptim mund të matet, dhe jo çdo gjë që matet ka kuptim.
“Filozofia e mendimit të vetëdijshëm politik” është logjika e kalimit nga reagimi instinktiv drejt veprimit të arsyetuar, nga politika si impuls pushteti drejt politikës si akt i përgjegjësisë historike. Ajo nënkupton një formë mendimi që nuk udhëhiqet nga rrethanat e çastit, por nga kuptimi i thellë i pasojave, i kohës dhe i rolit që subjekti politik mban në rrjedhën historike. Mendimi i vetëdijshëm politik lind aty ku politika pushon së qeni thjesht teknikë qeverisjeje dhe shndërrohet në reflektim etik. Në këtë pikëpamje, filozofia nuk i jep politikës receta, por horizonte kuptimi. Ajo e detyron aktorin politik të pyesë jo vetëm çfarë po bën, por pse dhe për kë po vepron…? Pa këtë vetëdije, politika mbetet e burgosur në ciklin e improvizimit, populizmit dhe administrimit të krizave të përhershme.
Në realitetet kur historia ka qenë e ashpër, e ndarë dhe me vështirësi, si në hapësirën shqiptare, mungesa e mendimit të vetëdijshëm politik ka prodhuar elita që reagojnë, por nuk projektojnë, që sundojnë, por nuk udhëheqin. Këtu e gjithë strategjia e ekzistencës merr dimension kritik, sepse konfirmon faktin, se filozofia e mendimit të vetëdijshëm politik është ndërgjegjja e munguar e shtetit. Ajo është edhe aftësia për të lexuar historinë jo si justifikim, por si mësim dhe jo si barrë, por si përgjegjësi. Kjo filozofi kërkon sjellje me një raport të ri me pushtetin. Pushteti nuk shihet si qëllim në vetvete, por si mjet për realizimin e së mirës së përbashkët. Mendimi i vetëdijshëm politik refuzon instrumentalizimin e qytetarit dhe e vendos atë në qendër si subjekt moral dhe racional.
Në këtë kuptim, politika bëhet dialog, jo monolog, dhe procesi nuk është më si imponim. Në epokën digjitale dhe të globalizimit, kjo përgjegjësi e kthyer në administratë fiton një rëndësi të veçantë. Teknologjia, ndonëse ka rritur shpejtësinë e vendimmarrjes, por jo domosdoshmërisht edhe cilësinë e saj. Vetëdija politike filozofike vepron si frenë morale dhe rregullatore, ku ajo kërkon që zhvillimi i ri të shoqërohet me etikë, që digjitalizimi të mos jetë mjet kontrolli, por emancipimi, dhe që transparenca të mos mbetet slogan, por praktikë e punës së përditshme. Në këtë aspekt, “filozofia e mendimit të vetëdijshëm politik” është kushti themelor për tejkalimin e nyjeve historike dhe për ndërtimin e perspektivave të reja shoqërore. Ajo është forma më e lartë e pjekurisë politike, ku vendimmarrja mbështetet në dije, përgjegjësi dhe vizion afatgjatë. Pa këtë filozofi, politika mbetet e verbër ndaj së ardhmes, dhe bashkë me të, ajo shndërrohet në çalim, si rruga pa dalje, për të gjithë aktin e ndërgjegjshëm të ndërtimit historik.
1) Modelet pozitive: Duke u nisur nga ky konstatim kritik, është e rëndësishme të theksohet se arena ndërkombëtare ofron edhe shembuj pozitivë, ku politika ka ditur ta kthejë domosdoshmërinë në ide dhe idenë në strategji shtetërore funksionale. Këto përvoja tregojnë se nyjet historike nuk janë fat i paracaktuar, por vështirësi që mund të zgjidhen kur ekziston vetëdija institucionale dhe vizioni afatgjatë. Shembujt e vendeve të vogla, të dala nga trauma historike, tregojnë se investimi në administratë racionale dhe në dije shkencore ka qenë çelësi i afirmimit ndërkombëtar. Politikat e suksesshme nuk janë ndërtuar mbi improvizim patriotik, por mbi konsensus shoqëror, profesionalizëm administrativ dhe respekt për gjithë procedurën shtetërore. Në këto raste, administrata nuk ka qenë thjesht zgjatim i pushtetit politik, por tru institucional që garanton vazhdimësi, besueshmëri dhe legjitimitet ndërkombëtar. Parimisht, këto shtete e kanë kuptuar se teknologjia nuk është luks modern, por gjuhë e re e sovranitetit.
Digjitalizimi i shërbimeve publike, ndërtimi i regjistrave transparentë, përdorimi i të dhënave për politika publike dhe përfshirja e ekspertizës akademike në vendimmarrje i kanë kthyer administratat në aktorë të besueshëm në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Këtu ideja ka paraprirë domosdoshmërinë dhe krizat janë lexuar si nxitje për reformë, jo si arsye për justifikim. Në arenën ndërkombëtare, politika që respekton dijen fiton autoritet moral. Shtetet që kanë investuar seriozisht në ekspertizë shkencore kanë ditur të flasin me gjuhën e argumentit, jo të ankesës. Ato nuk e kanë ndërtuar identitetin e tyre mbi viktimizim historik, por mbi kapacitet shtetëror. Kjo u ka mundësuar të dalin nga pozicioni reaktiv dhe të kalojnë në rol proaktiv në organizata ndërkombëtare, duke ndikuar rregulla, standarde dhe agjenda. Në raport me realitetin shqiptar dhe hapësirën e Gadishullit Ilirik, këto përvoja pozitive nxjerrin në pah kontrastin midis domosdoshmërisë së përjetuar si presion dhe domosdoshmërisë së përkthyer në projekt. Aty ku ideja mungon, administrata mbetet formale, dhe aty ku ideja udhëheq, administrata shndërrohet në instrument zhvillimi.
Shembujt ndërkombëtarë dëshmojnë se respekti për procedurën nuk e ngadalëson shtetin, por e përshpejton atë në mënyrë të qëndrueshme. Këto politika e kanë zgjidhur nyjen historike duke mos e prerë fillin e së kaluarës, por duke e riorientuar atë drejt së ardhmes. Ato kanë kuptuar se historia nuk kërkon heroizëm të vazhdueshëm, por inteligjencë institucionale. Filozofia e tyre shtetërore nuk e ka parë administratën si barrë buxhetore, por si investim strategjik. Në këtë kuptim, përvojat pozitive ndërkombëtare tregojnë se zgjidhja e nyjeve historike kalojnë përmes normalitetit institucional. Jo përmes gjesteve të mëdha simbolike, por përmes funksionimit të përditshëm të shtetit. Aty ku procedura respektohet, teknologjia zhvillohet natyrshëm. Dhe aty ku shkenca dëgjohet, politika fiton pjekuri, por edhe aty ku ideja është e qartë, domosdoshmëria humb karakterin tragjik dhe shndërrohet në energji transformuese. Këta shembuj janë dëshmi se edhe shoqëritë e vogla, me histori të ndërlikuar, mund të fitojnë peshë ndërkombëtare nëse ndërtojnë një shtet që mendon. Për shqiptarët, kjo nuk është imitacion mekanik i modeleve të huaja, por frymëzim filozofik, që të kuptohet se modernizimi fillon në mendje, vazhdon në institucione dhe përmbyllet në dinjitetin me të cilin shteti paraqitet në botë. Vetëm kështu, nyjet historike nuk mbeten plagë të hapura, por shndërrohen në pikënisje të një historie më të vetëdijshme.
2) Pasuria e shtetit: Duke e zhvendosur vështrimin te burimet ekonomike dhe dështimet e administratës shtetërore, “Nyjet Historike” marrin trajtën e një ngërçi material dhe institucional, ku pasuria ekziston, por nuk shndërrohet në zhvillim. Në hapësirën shqiptare, toka, uji, energjia, pozita gjeografike dhe kapitali njerëzor kanë qenë gjithmonë potenciale reale… Megjithatë, ato janë administruar më shumë si plaçkë politike sesa si pasuri publike. Kjo mospërputhje midis potencialit dhe realitetit është një nga nyjet më të forta historike të shtetformimit shqiptar. Historia ekonomike shqiptare është ndërtuar nën presionin e domosdoshmërisë dhe jo mbi logjikën e planifikimit. Administratat shtetërore, të lindura shpesh në rrethana të jashtëzakonshme, kanë trashëguar një kulturë menaxhimi që reagon ndaj krizës, por nuk ndërton sisteme. Kështu, burimet ekonomike janë trajtuar si mjete për stabilitet të përkohshëm politik, jo si themel i zhvillimit afatgjatë. Çdo qeveri ka trashëguar nyje të pashkëputura dhe, në vend që t’i zgjidhë, ka shtuar fije të reja improvizimi. Në realitetin aktual të republikave shqiptare në Gadishullin Ilirik, kjo shfaqet në paradoksin e varfërisë në mes të pasurisë.
Vendburime natyrore të pashfrytëzuara, tokë bujqësore e papunuar, energji e keqmenaxhuar dhe migrim masiv i kapitalit njerëzor janë rezultatet e prekshme të së njëjtës nyje, e cila është e pranishme si një panikë e mungesës së një filozofie ekonomike shtetërore. Administrata, e politizuar dhe e paqëndrueshme, shpesh nuk funksionon si kujdestare e interesit publik, por si ndërmjetëse e interesave afatshkurtra. Në këtë kuptim, dështimi nuk është vetëm teknik, por etik. Në parim, ekonomia shqiptare i ngjan një shtëpie të ndërtuar mbi themele të pasigurta historike, ku çdo rinovim kozmetik fsheh, por nuk rregullon çarjet strukturore. Politikat zhvillimore shpallen me gjuhë moderne, por aplikohen mbi një administratë që nuk ka memorien institucionale për t’i zbatuar. Kjo e bën zhvillimin të paqëndrueshëm, të pabarabartë dhe shpesh të varur nga rrethana të jashtme. Nyjet historike, në këtë rast, janë nyje burokratike, ligjore dhe kulturore që e bllokojnë qarkullimin normal të kapitalit dhe besimit shoqëror. Dështimi për të menaxhuar burimet ka prodhuar edhe një pasojë më të thellë, e cila lexohet qartë si humbja e besimit të qytetarit te shteti.
Kur pasuria publike nuk reflektohet në mirëqenie, administrata shihet si strukturë e huaj. Kjo krijon një cikël vetëforcues, ku evazioni, informaliteti dhe emigrimi bëhen strategji individuale mbijetese. Kështu, domosdoshmëria historike për veprim shndërrohet sërish në reagim, jo në projekt kolektiv zhvillimi. Në këtë pikë, filozofia e mendimit të vetëdijshëm ekonomik bëhet instrument çlirimi nga nyjet historike. Ajo kërkon ta shohë burimin jo vetëm si aset financiar, por si përgjegjësi ndërbreznore. Menaxhimi i resurseve nuk është thjesht çështje eficience, por çështje edhe e drejtësisë dhe dinjitetit shtetëror. Pa këtë vetëdije, administrata mbetet teknike në formë, por e zbrazët në qëllim. Me sa duket burimet ekonomike shqiptare janë si lumenj që rrjedhin, por nuk ujisin tokën, sepse kanalet janë të bllokuara nga nyje institucionale.
Filozofia politike dhe ekonomike është akti i pastrimit të këtyre kanaleve, sepse ajo kërkon transparencë reale, profesionalizëm administrativ dhe ndarje të qartë midis shtetit dhe pushtetit. Vetëm kështu, domosdoshmëria historike mund të shndërrohet nga fataliteti në energji zhvillimore. Ndonëse, përvojat jetësore na konfirmojnë, se nyjet historike në menaxhimin e burimeve ekonomike nuk janë të pazgjidhshme, por ato kërkojnë një ridimensionim të rolit të shtetit. Nga administrimi i mbijetesës drejt ndërtimit të mirëqenies dhe nga shfrytëzimi i rastësishëm drejt planifikimit strategjik, nga shteti si pronar i pasurisë, drejt shtetit si kujdestar i saj. Vetëm atëherë, shqiptarët mund të dalin nga cikli i varfërisë strukturore dhe të hyjnë në një fazë ku historia nuk i detyron, por i fuqizon të veprojnë si subjekt i vetëdijshëm ekonomik dhe shoqëror.
Shënim nga sirtari 199:
…. Në mjegullën e dendur të një politike që shpesh ecën pa busull e pa kujtesë, u dëgjua zëri i një politikani të lodhur nga dështimet, i cili, me fjalë të huazuara dhe të ftohta, shpalli se “serbët qenkan rrënjë e lindur e Kosovës”! Ai foli, sikur toka të mos kishte kujtesë, sikur gurët të mos mbanin shenja, e varret të mos flisnin me mishkrime të panumërta. Ishte një fjali e rëndë, si një natë pa agim, që u tha jo nga padija, por nga një përllogaritje e ftohtë politike. Kjo fjali u përplas drejtpërdrejt me mendimin e kthjellët të një juristi shqiptar nga Vjena, i cili, nën hijen e delegacionit zyrtar nga Prishtina gjatë bisedimeve të viteve 2005–2007, kishte ngritur prej kohësh zërin kundër rishkrimit të historisë. Ai këmbëngulte se historia nuk ndërtohet mbi trillime diplomatike, por mbi fakte, arkiva dhe mbi gjakun e derdhur për liri. Në anën tjetër të tryezës, ndërmjetësi amerikan zëri i ftohtë i realizmit ndërkombëtar e kishte thënë hapur se pavarësia e Kosovës ishte e pashmangshme, por se çdo shtrembërim i së vërtetës historike dhe çdo ushqim i narrativave të Beogradit vetëm sa do ta zgjaste konfliktin dhe do ta bënte paqen më të brishtë. Ai paralajmëronte se pengesat artificiale dhe lojalitetet e gabuara nuk prodhojnë stabilitet, por dhunë dhe krizë.
Fatkeqësia nuk qëndronte vetëm te pohimi skandaloz, „se serbët qenkan lindur këtu“, por mejerimi ishte edhe te figura që e shqiptonte atë: një figurë që vazhdimisht u paraqit si përfaqësues i interesit të shqiptarëve të Kosovës, ndërkohë që në çdo fjali të tij mbrohej më shumë këndvështrimi i Serbisë sesa dinjiteti i shqiptarëve. Që nga marrëveshja e Ahtisarit, ai mbeti i pranishëm në çdo qeveri, si një hije që ndërron formë, por kurrë nuk ndërroi qëllimin. Ai mbeti si një vazhdimësi e padukshme e Beogradit brenda institucioneve të shqiptarëve. Përballë kësaj hijeje politike, juristi nga Vjena mbeti dëshmi, se mendimi i vetëdijshëm nuk u shërben pushteteve kalimtare, por ndërgjegjes historike. Ai dëshmoi se fjala që buron nga interesi është e zhurmshme dhe jetëshkurtër, ndërsa fjala që lind nga dinjiteti i një populli mund të vonojë, por nuk humbet. Dhe koha, edhe kur hesht di të dallojë kush foli për të mbajtur karrigen, dhe kush për të mbrojtur të vërtetën.











