Autore:
Elife LUZHA
Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, veçanërisht zgjedhjet e 28 dhjetorit, më kanë shtyrë që edhe një herë t’i rikthehem kulturën politike dhe të rikujtoj rëndësinë e saj në funksionimin e demokrasisë sonë të re. Përtej fituesve dhe humbësve, zgjedhjet gjithmonë pasqyrojnë mënyrën se si një shoqëri e koncepton politikën, pushtetin dhe përgjegjësinë publike. Prandaj, reflektimi mbi kulturën politike mbetet thelbësor për të kuptuar drejtimin në të cilin po ecën shoqëria jonë.
Kultura politike ekziston që nga formimi i bashkësive të para shtetërore; megjithatë, si term, për herë të parë u artikulua nga Gabriel Almond dhe Sidney Verba në veprën e tyre “The civic culture” më 1963.
Dëshira për të kuptuar shkaqet e rënies së qeverive përfaqësuese në Itali dhe Gjermani gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, si dhe dështimi i demokracisë në disa shtete pas vitit 1945, i shtyu Almond-in dhe Verbën të analizojnë marrëdhëniet ndërmjet individit dhe sistemit politik. Në studimin e tyre, ata arritën në përfundimin se orientimet, qëndrimet dhe sjelljet politike të individëve janë përcaktuese për qëndrueshmërinë e sistemit politik.
Në thelb të kulturës politike qëndron respektimi i mendimit ndryshe dhe aftësia për të ndërtuar pushtetin pa dhunë, duke përfshirë llogaridhënien si forma më e lartë e shprehjes së kulturës politike. Siç vëren autorit slloven Južnič (1989), kultura politike përfshinë traditën politike, institucionet publike, rregullat formale dhe jo formale të lojës politike si dhe stereotipat dhe qëndrimet politike të një shoqërie. Me fjalë të tjera, çdo ide, bindje apo praktikë që lidhet me politikën është pjesë përbërëse e kulturës politike.
Almond dhe Verba, dalluan tri modele kryesore të kulturës politike:
Kultura politike parokiale (ose provinciale), karakteristike për shoqëritë tradicionale e fisnore, ku individët nuk janë të vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë e sistemit politik.
Kultura politike e subjektit, ku qytetarët janë të vetëdijshëm për ekzistencën dhe rëndësinë e sistemit politik, por nuk marrin pjesë aktive në vendimmarrje. Në këtë rast, legjitimiteti u takon autoriteteve dhe burokracisë, por jo partive politike apo qytetarëve.
Kultura politike pjesëmarrëse, përfaqëson modelin e demokracisë përfaqësuese, ku qytetarët angazhohen aktivisht në proceset politike, marrin pjesë në vendimmarrje dhe kontribuojnë në forcimin dhe funksionimin e institucioneve të shtetit.
Duke u nisur nga këto ndarje, secili prej nesh mund të reflektojë mbi orientimin personal, por dhe mbi atë shoqëror, të kulturës politike që përfaqëson. Kjo na çon natyrshëm drejt pyetjes: si mund të shpjegohet kultura politike në shoqërinë tonë?
Në mendimin shqiptar, kultura politike lidhet kryesisht me trashëgimin e Mendimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e ndërtuar mbi idetë e lirisë, rezistencës dhe solidaritetit. Në librin “Shekulli i ri i politikës shqiptare” (2014), Veton Latifi argumenton se parimet themelore të politikës shqiptare, burojnë nga kjo traditë, e cila ka ndikuar fuqishëm në formësimin e mendimit dhe veprimit politik ndër breza.
Një element që z. Latifi thekson me të drejtë është edhe roli i diaspora shqiptare, e cila ka kontribuar dukshëm në zhvillimin e mendimit politik dhe në afrimin e kulturës politike shqiptare me modelet e demokracive perëndimore.
Në këtë kontekst, rezistenca, toleranca, solidariteti, koncepti i lirisë dhe kompaktësia politike mbarëkombëtare konsiderohen si vlera origjinale dhe elemente autoktone të kulturës politike shqiptare.
Ndërkaq, fenomene si përçarja politike, udhëheqja bajraktariste, klientelizmi apo improvizimi institucional, përbëjnë devijime serioze nga këto vlera dhe paraqesin pengesa të mëdha për avancimin e shoqërisë.
Nëse do ta përkufizonim kulturën politike shqiptare sot, ajo mund të përshkruhet si një përzierje heterogjene e elementeve parokiale, subjektive dhe pjesëmarrëse. Ky heterogjenitet reflektohet qartë në tranzicionin e zgjatur politike, vështirësitë në ndërtimin e shtetit ligjor dhe në pasigurinë demokratike që vazhdon të na shoqërojë.
Është e vërtetë se zgjedhjet e fundit në Kosovë dëshmuan një shkallë më të lartë pjekurie qytetare dhe politike, sidomos me pranimin e rezultateve dhe mos ngritjes së tensioneve paszgjedhore. Megjithatë, diskursi publik mbetet i polarizuar dhe i mbingarkuar me përplasje të personalizuara, gjë që, sipas mendimin tim, e zhvendos vëmendjen nga përmbajtja programore drejt konfliktit.
Edhe mediat tradicionale dhe rrjetet sociale, në vend që të promovojnë debate përmbajtësore apo të kontribuojnë në ”ngritjen e popullit, ndërgjegjësimin dhe plugimin e mendjes së tij”, siç do të thoshte Faik Konica, fokusohen kryesisht te konfliktet dhe skandalet, duke ndikuar negativisht në jetën politike dhe kulturën politike demokratike në vend.
Prandaj, sfida jonë sot nuk qëndron vetëm te ndërrimi i elitave politike, por mbi të gjitha te ndërtimi i një kulture politike përbashkuese, ku politika shihet si një veprimtari e përbashkët shoqërore dhe ku institucionet, mediat dhe qytetarët kontribuojnë së bashku në kalimin nga politika emocionale drejt një politike me kulturë të lartë demokratike.
Vetëm kështu mund t’i afirmojmë vlerat tona autentike të një kulture politike demokratike, e cila mbështet konsolidimin e demokracisë dhe stabilitetin institucional.
Ashtu qoftë!











