E VËRTETA PA ZBUKURIME

1
Arif Ejupi

Cikël aforizmash dhe sarkazmash nga Arif Ejupi

• Interesxhinjtë vlerësojnë xhepin dhe xhupin, e jo dijen.
• Kur përfundon interesi, zbehet miqësia.
• Disa gra vlerësohen për pamjen, jo për dijen.
• Nëse dritaret e shtëpisë tënde janë ngjitur me të fqinjit, sherri është i pashmangshëm.
• Dënim më i rëndë nuk ka, se kur të udhëheq i padituri dhe injoranti.
• Zbatimi i kanunit dhe ligjit njëkohësisht vetëm e bën punën llugë.
• Nata vjen e qetë, por bredhacakët ia prishin qetësinë.
• Disa shkojnë në varrim për të kryer formalitet, jo për të respektuar.
• Më vështirë është të ruhet fama se sa të fitohet.
• Dy kandidatët për kryetarë të Prishtinës premtojnë parajsën, pa e parë që i ka mbuluar bërlloku.
• Shteti ndërtohet me punë, e jo me analiza boshe; ngase për konfiguracionin gjeografik kujdesen të fortit.
• Sot, pozitë merr nëse ke muskuj dhe nëse bëhesh si mësalla me shtatë fytyra.
• Në fushata zgjedhore, mashtruesi i bën të gjithë dajallarë, nipa e mbesa.
• Sikur ta nderonim njëri-tjetrin si në fushatat zgjedhore, do të ishim populli më i lumtur në botë.
• Te ne më keq të shohin po të jesh pa parti, se sa pa grua.
• I promovojnë si heronj, e u dalin tradhtarë, domethënë kanë hyrë në pyll pa sëpatë.
• Disa, mjerë shtëpia dhe partia që i ka.
• Le të dihet kush është gazetar e kush prokuror, se u bëmë horë.
• Liderët partiakë nuk thonë: “Na u largua rinia!”, por thonë: “Rroftë partia!”
• Disa nostalgjikë ende për Titon e Enverin – të dyve Kosova ua ka parë sherrin.
• Lepujt shtohen shpejt, sepse vdesin shpejt.
• Ata që gjithmonë janë ushqyer me biftek, sallatë jeshile e verë, sot sillen si shpëtimtarë të kombit.
• Historia që shkruhet nëpër kafene e oda, tretet si vesa para diellit.
• Puna e analistëve politik – profesion apo zbavitje?
• “Fakte” ka plot, por fakt është që po gënjehet shumë.
• “Kojshia Show” – jo vetëm kojshia, po tanë katundi e krejt qyteti.
• “Në pikë” – në pikë të hallit kemi rënë, se nuk po dimë kujt me i besua.
• “Udhëve” – jemi shpërndarë si vezët e qyqes.
• “Gjurmë drite” – pak dritë, rrena e improvizime shumë.

1 KOMENT

  1. z. Arif Ejupi!

    FL admin. i se cilës është Arben Çokaj, publikon shkrime që nxisin lexuesin për KOMENT.
    LEXOVA Aforizmat e juaja dhe më lanë përshtypje të thellë: secila më me vlerë se tjetra.
    Janë aktualitet i kohës.
    I keni thënie të shkurtëra, ama me domëthënie…!
    Ju lumtë mendja dhe ju lumtë dora!

    Respekt,
    për juve, dhe
    për admin, z. Arben Çokaj

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.