PROF. FRANÇEKO ALTIMARI
PËRMBLEDHJA NDERON JO VETËM PUNËN TËNDE VËRTET MADHËSHTORE, POR TËRË KRIJIMTARINË E LARTË TË SHPREHUR GJATË SHEKUJVE NË ARTIN E FJALËS GOJORE DHE SHKRIMORE SHQIPE
Anton,
kjo përmbledhje nderon jo vetëm punën tënde vërtet madhështore, por tërë krijimtarinë e lartë të shprehur gjatë shekujve në artin e fjalës gojore dhe shkrimore shqipe që arrite ta evidentoje dhe ta vëje në dritë.
Këto vendburime na mbesin të pazbuluara nëse nuk “kapen“ me dijen (dhe me penën!) e duhur nga shkencëtarë të denjë që arrijnë të na i bëjnë ”tona” me një aftësi të lartë interpretuese që na zbulon atë që artisti i mirëfilltë ka lënë të “mbuluar” me kodin shprehës por jo komunikativ që ai duhet të përdorë.
Po këtë mesazh të thellë receptuesi i mesazhit të artit të fjalës s’arrin ta kuptojë dot pa “ndërmjetësimin” e duhur të interpretuesve të mirëfilltë, figura këto shumë të rralla në traditën tonë kritiko-letrare!
Për fat se ndër garantët e kësaj “xhavide” të çmuar ku ruhen margaritarët e artit të fjalës sonë arbërore kemi Anton Berishën!
Ad maiora et meliora semper[1], Anton i dashur!
Të përshëndes nga Kazallveqi i Puljes
19 korrik 2025
DOM FROK ZEFI
PASURI E MADHE SHPIRTËRORE, KULTURORE E LETRARE
Me respektin dhe mirënjohjen më të thellë, edhe unë e falënderoj nga zemra profesor Anton Nikë Berishën për vizitën e tij të çmuar, si dhe për dhuratën e vyer të librave (vëllimet 1-10), të cilat janë një pasuri e madhe shpirtërore, kulturore e letrare.
Puna dhe përkushtimi i profesor Antonit në fushën e letërsisë, të folklorit dhe të kulturës shqiptare është jo vetëm e jashtëzakonshme, por edhe një burim frymëzimi për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
Të kesh mundësinë ta takosh nga afër një personalitet kaq të madh të dijes shqiptare, është një privilegj i veçantë dhe një nder i madh për mua.
Librat e dhuruar nuk janë vetëm faqe të shkruara ( 4.371 faqe me 7.574 fusnotë), por një dëshmi e gjallë e dashurisë për gjuhën, traditën dhe identitetin tonë kombëtar.
Faleminderit për bujarinë, përkushtimin, si dhe për praninë tuaj të ngrohtë!
Me shumë respekt dhe mirënjohje,
dom Frok Zefi,
Binçë, më 12 korrik 2025
[1] Gjithmonë drejt gjërave më të mëdha dhe më të mira.