Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, udhëheqës shteti e profesor i dalluar universiteti, shquhet edhe si poet me shpirt të butë gjyshi.
Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, ish-President i Republikës së Kosovës dhe profesor i dalluar i Historisë së Shtetit dhe së Drejtës, është njohur gjithmonë për urti, përkushtim dhe mirësjellje njerëzore.
Përveçse si akademik dhe udhëheqës i respektuar, ai është shquar për afërsinë dhe dashurinë e thellë ndaj familjes – prindërve, motrave, vëllezërve dhe gjithë farefisit.
Në jetën e përditshme, ai mbetet prind dhe gjysh shembullor, që gëzimin dhe ndjenjën e dashurisë i shpreh edhe në formën më të pastër të shpirtit – poezinë.
Në vitin 2019, me rastin e njëvjetorit të lindjes së nipit të tij, Fatmirit (junior), profesori nxori në pah këtë anë të ndjeshme krijuese.
Në një poezi të shkruar me sinqeritet dhe mall gjyshi, ai shpalosi gëzimin dhe dashurinë e papërshkruar për nipin e tij, i cili sot ka mbushur 7 vjet.
Poezi për nipin – Fatmirin e vogël
Ti një vjet, unë gjashtëdhjetetetë,
Të njëjtën datë erdhëm në këtë jetë.
Unë në kohë të rënda – në robëri,
Ti në ditë gëzimesh – në Liri.
Ti Fatmir e unë Fatmir,
Ec e shtyhemi cili më i mirë.
Që në fillim unë e humb këtë garë,
Kohë e jotja tash ka ardhë.
Shumë ditëlindje vijnë e shkojnë,
Shtatin tënd do ta burrërojnë.
Mendje kthjelltë e plot gjallëri,
Kështu të do gjyshi ty!
Paç shumë gëzime, nipi im,
U rritsh pa brenga, burrë e trim.
Këso vargjesh për të gjithë ju, gjithmonë i radhita,
Me dashni – gjyshi për mbesa e nipa.
Prishtinë, 23 tetor 2019
Përgatiti për botim Arif Ejupi






