7.5 C
Tirana
E shtunë, 28 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Duke shfeletuar librat e shkrimtarit Gjon Marku

Duke shfeletuar librat e shkrimtarit Gjon Marku

0
Tefë Topalli - Librat e Gjon Markut

Nga Prof. Dr. Tefë Topalli

Sa libra ka shkruar dhe botuar Gjon Marku, cilat gjini e lloje letrare ka lëvruar dhe vazhdon të lëvrojë ai, na duket e habitshme kur marrim e lexojmë të dhënat që jepen në ballinat e veprave të tij: nga blloku i poezive, në tregime, nga esetë në studime për ngjarje e figura të shquara, monografitë dhe portretet e personaliteteve të njohura e pak të njohura të Mirditës dhe më gjerë; nga novelat e romanet me përmbajtje historike, tek ato me çështje e probleme të ditëve tona…

Si asnjë tjetër krijues, ose si pakkush në kohën tonë, edhe pa qenë gazetar profesionist, ai ka gjetur një mënyrë të tijën, origjinale: të kërkojë e të njihet me intelektualë, shkencëtarë të fushave të ndryshme, artistë e diplomatë, poetë e shkrimtarë të gjinive të tjera, të hyjë në lidhje me ta e t’u marrë… intervista: çfarë dinë e thonë, si e njohin dhe ç’mbresa kanë për krahinën e Mirditës, për mirditorin dhe njerëzit e thjeshtë që prej shekujsh historikë kanë jetuar e jetojnë në malet e shpatet e tyre të bukura e madhështore, por, jo të lehta për të përballuar terrenin dhe kushtet e natyrës.

Gjithë ata subjekte të zejeve të ndryshme, mjeshtra të një fushe, që e kanë njohur, kanë shërbyer në hapësirën e Mirditës ose kanë punuar e bashkëpunuar me njerëzit e kësaj krahine, që kanë edhe prejardhje fisi a vëllazërie prej atyre fshatrave me histori interesante, qoftë edhe artistë e piktorë, që kanë pasur performancë me artin e tyre tek banorët e atyre maleve, e kanë mirëpritur nismën e

Gjon Markut, janë ulur e kanë treguar ndjesitë e tyre, fakte e ngjarje, mbresa nga shokë e miq të asaj ane, janë shprehur çfarë ka ndryshuar Mirdita dhe si mund të zhvillohet më tepër, falë pasurive të saj të tokës e nëntokës. Deri më sot

Gjon Marku ka publikuar 5 vëllime me intervista, me 2222 faqe, vjelë nga 180 intelektualë të hapësirës shqipfolëse dhe pak të huaj misionarë dhe veprimtarë të fondacioneve të ndryshme, urdhëra fetarë e bamirës.

Në shkrime dhe botime të Gjon Markut, duhen vënë në dukje edhe tri monografi, tre libra studimorë dhe 3 libra nga fusha e filatelisë, madje, duke na thënë se prej më shumë se një shekulli e gjysmë, ka pasur filatelistë edhe në Orosh të Mirditës, që qenka pjesëmarrës i një ekspozitenumizmatike në Romë !

Lexuesi do të pyesë: u kuptua mirë në cilat lëmi qëndron krijimtaria e Gjon Markut, po ky libër imi, çfarë paraqet?

Në epokën tonë digitale dhe të IA, njerëzimi sikur është larguar nga libri, prandaj dhe duhen gjetur rrugë e forma pune që të mos braktiset të lexuarit, në kushtet kur botimet nga fusha të ndryshme diturore, nuk mund të digitalizohen të gjitha shpikjet dhe zhvillimet e shoqërisë globale; shpesh ato dalin vetëm si lajmërime a njoftime të shkurtuara, në programet e Google-it dhe Wikipedia-s…

Prandaj lind nevoja që literatura e pamasë që qarkullon sot, jo vetëm në Shqipëri, por gjithandej në botë, të përshkruhet në thelbin e saj, për të njohur përmbajtjen dhe problemet që ngrihen sot nga shoqëria. Pa sjellë hollësi, brezi im i maturës (e pak vite më vonë) në vitin III dhe IV të shkollës së mesme, kishte detyrim të lexonte, mes tjerësh edhe romanin “Lufta e paqja” të L.Tolstoit, të kishte shënime për ngjarje dhe rreth 500 personazhet!

Të paktë mbeteshin jashtë kësaj kërkese, ku, përveçse shqip, fragmente të tij bëheshin edhe në rusisht dhe me shpjegime të segmenteve të gjatë në gjuhë frënge. Sot nuk mund të bëhet fjalë për kohë të tillë pas leximeve, as në programe shkollore, nuk ka më detyrime të këtij niveli.

Këndej është e natyrshme të shkruajmë e të botojmë shkurtore për vepra letrare e botime të çdo fushe tjetër. Ky libër synon t’i sjellë lexuesit një paraqitje të shkrimtarisë së Gjon Markut, ku ai të marrë njoftime të përgjithshme për kuintesencën e veprave të tij, duke analizuar artin e të shkruarit, mjeshtrinë e autorit, në pjesë të tregimeve e studimeve të tij, mbështetur në metodën që ka përdorur ai dhe forcën e artit të tij. Këtë ka bërë kritiku letrar nga më të njohurit e kohës sonë, profesori i Shkencave Humane i Universitetit të Yale-it e në Harvard, Harold Bloom, i cili për më se 40 vjet i ka transformuar studentët e tij në lexues të përjetshëm, duke i mëkuar me dashurinë e pafund për letërsinë, ndërkohë që media e shpejtë elektronike kërcënon me bjerrjen e leximit ! Ai u ka dhënë jetë librave më të mëdhenj botërorë për dituritë e paçmueshme që ata përçojnë. Ai shkroi me dashuri e pasion librin “Si të lexojmë”,2 tue i sjellë lexuesit jetën dhe veprat e shumë autorëve nga letërsi të popujve të ndryshëm. Sipas Bloomit, duhet të lexojmë në varësi të fushës së interesit dhe të dobies praktike.3

Po çfarë sjell kjo paraqitje e thelbit të librave të një autori? Përgjigjen e pyetjes duhet ta lidhim me psikologjinë e leximit, parimet e së cilës i përcakton aq mirë D.Premack, që shkruan se në aspekte të jetës shkollore jemi të detyruar të lexojmë vetëm me ëndje, të përqëndruar, jo të shpërndarë, duke kalitur kujtesën dhe makinerinë e rëndë mendore…Kjo të shkakton një emtuziazëm të paparë; krijesat që dalin prej imagjinatës, duke lexuar, krijojnë shtresa të papara kujtese, me një gjallëri të mrekullue shme; sepse libri dhe leximi për njeriun janë miq të mëdhenj e të paçmueshëm….Këtë konkluzion Autori amerikan e përqas me një sentencë të Shekspirit (nga tregjedia “Hamlet”): “Nuk ka asgjë të mirë apo të keqe, mendimi i bën të tilla.”4

Edhe ky libër, në përmasa më të ngushta trajtese sesa shembujt që sjell pedagogu amerikan, synon të punojë në këtë drejtim, duke sjellë njoftime për shkrimtarinë e Gj.

Markut, në atë masë sa të tërheqë lexuesit tek vepra e plotë e autorit tonë, që qarkullon në hapësirën shqipfolëse, edhe për të ravijëzuar profilin kulturor, letrar e shkencor të një krijuesi, i cili, jo vetëm librat nuk i ka hequr nga dora, si lexues e studiues, por as penën nuk e ndan asnjëherë nga vetja, duke mos reshtur së shkruari për Mirditën dhe për probleme shoqërore të mbarë vendit. Lexuesi do ta ndjejë këtë tërheqje drejt leximit të krijimtarisë së Gj.Markut, duke gjykuar edhe për konsideratat e dhëna prej meje në këtë paraqitje.

Është ruajtur grupimi që autori u ka bërë botimeve të veta; në vëllimet e mëdha të intervistave, kemi bërë përzgjdhjen tonë, masën e caktuar, si dhe kemi bsjellë edhe ndonjë zë të panjohur që ka shkruar jo pak për krahinën e Mirditës, siç janë Dr.Pjetër Zarishi dhe poetibi madh arbëresh, Zef Krispi. Njëherësh, jemi përpjekur që lexuesi të njohë në thellësi rrafshin intelektual të të intervistuarëve, ndryshe të themi në njëfarë mënyre pse janë thirrur në sofrën e pasur të mirditorëve. Për të gjitha veprat e autorit, jemi ndalur në ato segmente kulminante të fabulës, gërshetimit që bën shkrimtari, për t’ia lënë lexuesit epilogun dhe karakterizimin e mëtejshëm të personazheve veprues.

Shpresojmë të kemi arritur synimin tonë për t’i dhënë kësaj përmbledhjeje kahun e studimit dhe të mbetemi miq me autorin tonë aq të suksesshëm në misionin që ka marrë mbi vete, me rreth 10 mijë faqeve libri, deri më sot…..

Literatura:

2 Harold Bloom, How to read and why (Si dhe përse të lexojmë, përktheu Albana Sala) Dudaj, Tiranë, 2008.
3 Po ai, po aty, f. 13.
David Premack, ExLibris, 20 shtator 2025, f. 11.

Tiranë, 2026

Dërgoi për publikim Kosta Prendi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.