DR. DOM LUSH GJERGJI: VEPRA-HOMAZH PËR NËNËN TEREZE, NACIONIN DHE KOSOVËN

1
Dom Lush Gjergji - Jeta, Dashuria, Dëshmia

Nga Isak A H M E T I

I. Në vend të shënimit hyrës – pak biografi

Dr. Dom Lush Gjergji, prift katolik shqiptar i Ipeshkvisë së Kosovës me të cilin me lidhë shumëçka që nga fëmijëria e deri me sot, u lind me 21 mars 1949 në Stubëll të Epërme të Karadakut, Komuna e Vitislë. Shkollën fillore katër klasët e para i kreu në vendlindje, klasën e pestë në Viti, kurse klasët e fundit të fillores në Zhegër.

Gjimnazin klasik e kreu në Dubrovnik tek Jezuitët ku ishim bashkë të një gjenerate.
Vitin e parë të filozofisë e kreu në Split, ndërsa vitet e tjera dhe magjistraturën në filozofi i kreu në Romë. Poashtu në Romë ka diplomuar teologjinë pranë Universitetit të famshëm PROPAGANDA FIDE-URBANIANA. Paralelisht me studimet universitare të filozofisë dhe teologjisë i ka kryer edhe studimetv universitare dhe pasuiniversitare në Institutin e Psikologjisë në USH “LA SAPIENZA” në Romë ku edhe ka doktoruar me 1975, me temën: LA DONA ALBANESE (GRUAJA SHQIPTARE), pjesë të të cilës, në formë të librit, i ka botuar në shqip me 1977, në Sarajevë, ndërsa autori i këtij shkrimi, unë Isak Ahmeti, kam shkruar dhe publikuar artikullin e parë vlerësues në Kosovë për këtë libër (Drita, revistë fetare-kulturore 3 maj 1978.

Pas përfundimit me sukses të doktoratës, Dom. Lushi kthehet në Kosovë ku, përveç veprimrarisë meshtarake merret me shkrime dhe me aktivitete të tjera brenda dhe jashtë vendit, që nderojnë jo vetëm Dom Lushin por edhe Nënën Tereze, Nacionin dhe Kosovën. Vite me radhë ishte redaktor dhe kryeredaktor i revistës fetare-kulturore “DRTA” dhe i SHB “DRITA” në Ferizaj. Ka sherbyer si famullitar në Binçë por edhe si Vikar gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës. Është anëtar i LSH të Kosovës dhe anëtar i Akademisë së Arteve me seli në Paris…

II. Emër i krahasueshëm edhe me Barletin

Një figurë emblematike në kulturën tonë bashkëkëhore është padyshim edhe ajo e Dom Lush Gjergjit, emër i njohur në Evropë dhe botë. Ky personalitet i fuqishëm krijues, përveç si autor i shumë veprave kulturore dhe fetare, ndër qarqet kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare, njihet edhe si biograf zyrtar i Nënës Tereze. Monografitë e mrekullueshme, do thoshim monumentale, të tij për figurën, për jetën dhe për veprën e Nënës Tereze tashmë edhe zyrtarisht e shpallur shenjtëreshë nga Vatikani, janë përkthyer në shumë gjuhë botërore dhe janë botuar nga shumë shtëpi të njohura botuese në botë që nga Europa e deri në SHBA.

Lirisht prandaj mund të thuhet se botimi i veprave të tij në gjuhët botërore është një fenomen i rrallë mbase i parendomtë i botës sonë kulturore, fetare dhe publicistke-letrare Shumë nga veprat i tij tashmë nuk i përkasin vetëm kulturës sonë por edhe kulturës evropiane dhe botërore tamam ashtu siç i përkët tërë botës edhe vetë Nëna jonë Tereze.

E shoh të arsyeshme të theksoj me këtë rast se Noli ynë, duke shkruar për Marin Barletin (lexo: Marin Bardhecin!), thoshte se ai, pra Marin Barleti, në.veprën e tij elegante dhe me stilin e tij të kujdesur ka fituar këndinjës anembanë botës dhe e ka bërë të pavdekur kujtimin për Skënderbeun në Evropë dhe botë. Edhe për Dom Lushin do thoshim se me veprën e tij për Nënë Terezen, Lajmëtare e Paqes së Hyjit në botë, me gjuhën e tij elegante dhe me stilin e tij të kujdesur, origjinal, ka fituar lexues anembanë botës dhe e ka bërë të pavdekur kujtimin për Nënën Tereze në Evropë dhe botë duke e paraqitur dhe mbtojtur dinjitetshëm identitetin shqiptar të saj.

Ç’është e vërteta, atë çka e ka bërë me uratë dhe vepra humane Nëna jonë Tereze po e bën me penë autori ynë, Dom Lushi, emër i njohur në Evropë dhe botë.

III. Një pasqyrë e shkurtër (kronologjike) e veprave të Dom Lushit në gjuhët botërore

Dom Lush Gjergji është autor i shumë veprave fetare dhe kulturore që kanë vlera shumëdimensionale. Por më se tepërmi ai do çmohet ndër qarqet kulturore dhe fetare, kombëtare dhe ndërkombëtare, si biograf zyrtar i Nënës Tereze. Në këtë kontekst, prandaj, është me rëndësi të theksohet se pas botimit të veprës së tij të parë shqip me titull: ROLI I FEMRËS SHQIPTARE NË FAMILJE DHE SHOQËRI (1977), autori në fjalë boton librin tjetër në shqip me titull: NËNA JONË TEREZE, SHB “DRITA” FERIZAJ dhe KS-Zagreb 1980.

Sipas vlerësimeve të përgjitshme është ky libri bazor biografik i Dom Lushit që është përkthyer më se shumti në gjuhë të huaja, por që i ka shërbyer jo vetë. këtij autori por edhe autorëve të tjerë shqiprarë dhe të huaj për libra të tjerë me të njejtën tematikë.
Libri: NËNA JONË TEREZE, është libri i parë i një autori shqiptar, në gjuhën shqipe, dhe biografia e parë e plotë e Nënës Tereze. Ky libër do të përkthehet në shumë gjuhë të huaja si p.sh. kroatisht, sllovenisht, italisht, frëngjisht, spanisht, rumanisht, anglisht etj.

Me 1986, me rastin e kremtimit të 75 vjetorit të lindjes së Nënë Terezes, autori boton në shqip librin tjetër, të dytin me radhë, për Nënën Tereze me titull:

LULE PËR NËNËN, SHB “DRITA”, FERIZAJ –

KS, Zagreb, 1986.
Është ky një libër ekskluziv, libër – homazh – Lule për Nënën, me 165 autorë, ku janë përfshirë kontributet e çmueshme të artit (poezi, prozë, pikturë, skulpturë, muzikë, kushtuar motrës sonë, Nënës Tereze, Nënë e botës, Gonxhe Bojaxhiut. Pas bitimit shqip, një vit më vonë, ky liblr përkthehet dhe botohet edhe në gjuhën italiane, por me një titull paksa më përkufizues se shqip:

MADRE TERESA LE SUE RADICI

(që në shqip i bie: NËNA TEREZE DHE RRËNJËT E SAJ) Emi – Pieme, Itali, 1987.
Përkthimi me përkushtim dhe elegancë gjuhe dhe stili i këtij libri tematik nga poetja italo arbëreshe, Kate Cukaro, hap njëkohësisht edhe një udhë për afirmimin e mëtejmë jo vetë të autorit në fjalë, të Nënë Terezes por edhe të autorëve të tjerë shqiptarë që janë marrë dhe merren me zejen e artit.

Si njëri nga njohësit më të afërt jo vetëm të jetës dhe veprës së Dom Lushit (me të cilin kam bashkëpunuar me dekada sidomos në fushën e shkrimeve, e shoh të arsyeshme të theksoj se ai, përveç në gjuhën amtare shqipe, sumicën e veprave të tij i ka shkruar drejpërdrejt në gjuhën kroate dhe italiane, ku ka shtjelluar shumë tema e me theks të veçantë temën që lidhet me figurën e Nënë Terezes në të gjitha dimensionet e saj. Në kontekst me këtë le të theksojmë p.sh. se me 1990 autori në fjalë ka shkruar dhe botuar italisht veprën e tij me titull:

MADRE TERESA – LA MADRE DELLA CARITA

Velar, Bergamo, Itali, 1990, që për çdo vit është ribituar në gjuhën italiane. Mirëpo kjo vepër monografike, për shkak të vlerave shumështresore (edhe të historisë shqiptare (mbasi që aty kemi edhe pjesë dhe shënime historike mbi origjinën, traditën dhe gjuhën shqipe …që është mburojë e pathyeshme e Ballkanit dhe Evropës ), është përkthyer dhe botuar edhe në disa gjuhë botërore si: anglisht (1991), spanisht (1992), frengjisht (1993), polakisht (1994), gjermanisht (1995), etj.

Në vitin 1995 ka shkruar dhe botuar italisht veprën tjetër të radhës me titull:
VIVERE, AMARE, TESTIMONIARE (LA SPIRITUALITA DI MADRE TERESA) që në shqip i bie: ME JETUE, ME DASHTË, ME DESHIRUE, PËRSHPIRTMËRIA E NËNËS TEREZE, Botues: VELAR, 1985. Është ky një studim monografik i strukturuar në tri pjesë:

I. TË JETOSH ME KRISHTIN,
II. TË DASHUROSH ME MARINË dhe
III. TË DËSHMOSH ME KISHËN. Është ky interpretimi i parë teologjik i Nënës Tereze duke u mbështetur në tekste biblike, në dokumentet e Koncilit të II-të të Vatikanit dhe në mësimet, porositë dhe dëshmitë e saja për botën e sotme. Ky libër është botuar edhe kroatisht, madje është edhe botimi amerikan me titull:

Lush Gjergji: MOTHER TERESA, TO LIVE, TO WITNESSE HER SPIRITUAL WAY, NEW CITY PRESS, NEW YORK, 1998.
Me 2002, Dom Lushi ka botuar në gjuhën italiane edhe një libër xhepi me titull:
MADRE TERESA, L’AMORE IN AZIONE
(që në ship i bie: Dashuria në veprim), Ed.VELAR, 2002. Po këtë libër autori; me 2002, e ka botuar edhe polonisht.

Ç’është e vërteta, librat e Dom Lushit, si publikime të rralla, luksoze dhe të veçanta, në gjuhët botërore janë një dhuratë e çmueshme për njerëzimin, janë njëkohësisht edhe ura afrimi dhe komunikimi, që paraqesin NËNËN TONË TEREZE, si një shembull përsosmërie në botë.

Vepra e tij si p.sh. ajo me titull:

LA MADRE DELLA CARITA

(NËNA E DASHURISË) si publikim i rrallë dhe i veçantë është përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botës dhe ka arritur një shifër rekord: në 4 milonë kopje, 500 prej të cilave me një lidhje speciale, të mbështjella në lëkurë ariu të bardhë të zonave polare, iu kanë dhuruar shumë personalitetve të njohura botërore si dhe Atit të shenjtë Papa Gjon Pali II.
Një eveniment par excelence n’Evropë dhe botë.

Është me rëndësi të theksohet këtu se shumicën e veprave të tij, lekturimin e të cilave e kam bërë unë, ai m’i ka dhurar me dedikim në shenjë nderimi dhe falëbderimi për çka e falënderoj nga zemra.

IV. Kosova dhe nacioni

Përveç trajtimit me përkushtim dhe dashuri të figurës së Nënë Terezes, autori në fjalë ka trajtjar, madje mjaft shpesh, edhe temën e KOSOVËS dhe të NACIONIT.
Ai do dallohet dhe çmohet edhe si autor dhe koautor i disa librave në gjuhën italiane për Kosovën, për Levizjen Paqësore dhe qëndresën e popullit shqiptar të Kosovës, për tolerancën e shqiptarëve të kultivuar ndër shekuj, për aspiratat shekullore të Kosovës për liri dhe pavarësi etj. Në këtë kiontekst po përmendi librin e tij :

RESISTENZA NON VIOLENZA NELLA EX-JUGOSLAVIA DAL KOSOVO…
REZISTENCA JO VIOLENTE NË ISH JUGOSLLAVI KOSOVA -DËSHMI DHE PROTAGONISTË, EDITRICE HISTORIA ITALIANA, 1993. Ky libër, siç dihet tashmë, i botuar së pari në italisht dhe më pas edhe në anglisht, konsiderohet kontribut i veçantë në senzibilizimin e kauzës së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Ky libër ka shërbyer dhe shërben edhe si literaturë në shkollat e Italisë.

V. Vepër homazh …

Vepra e Dom Lushit është homazh jo vetëm për NËNËN TERZEZE – LAJMËTARE E PAQES SË HYJIT në botë, por edhe për NACIONIN dhe KOSOVËN. Ky është edhe trinomi: NËNA TEREZE, NACIONI dhe KOSOVA që përshkon opusin krijues të Dom Lushit, që është përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botës.Fenomen i rrallë dhe i parendomtë, gjithsesi.

Në Durrës, 2006-2023.

1 KOMENT

  1. Njeriu- NJERI duhet te mesoje gjithe jeten: Faleminderit i nderuar Isak Ahmeti Krijues i vertete te se vertetes, sjelle kete fiugure per mua te pa njohur Po GJENI8 sa shkruani Ju.*Dr.Dom Lush Gjergji dhe vepra e Tij* ju faleminderit e lexova me laps ne dore si 87 vjecar ,qortuar veten…Ju prifte e mire; i nderuar Isak Ahmeti,ma mbushe kete dite ne vetmi-tej Oqeanit-Toronto.Miresite ju shoqerofshin. .Si *Pasues Veterane*87 vjeca; Bir i*Dangelise Naimjane*(ani se ATEIST)Po…me ZOTIN!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.