
Xhelal Zejneli
Doktrina e Monrosë (The Monroe Doctrine) – është parim i politikës amerikane që e ka formuluar në vitin 1823 presidenti i ShBA-së Xhejms Monro ( James Monroe, 1759-1831) kund ndërhyrjes së shteteve evropiane në marrëdhëniet e kontinentit amerikan.
Shkaku i drejtpërdrejtë për proklamimin e këtij parimi ndodhi në vitin 1821, kur Rusia të cilës atëherë i takonte Alaska*, ua ndaloi hyrjen të gjitha anijeve të huaja në bregun veriperëndimor të Amerikës.
Shënim: ShBA-ja e bleu Alaskën nga Rusia në vitin 1867 për 7.2 milionë dollarë.
* * *
Në të njëjtën kohë Aleanca e Shenjtë (aleancë e lidhur midis Prusisë, Austrisë dhe Rusisë), meqë sapo e kishte shuar revolucionin spanjoll, përgatitej për ndërhyrje kundër lëvizjeve që luftonin për pavarësinë e kolonive të Spanjës dhe të Portugalisë në Amerikës Jugore. .
Me këtë rast, presidenti i ShBA-së Xhejms Monro (James Monroe), në letrën dërguar Kongresit më 2 dhjetor 1823, deklaroi se kontinenti amerikan në të ardhmen nuk mund të konsiderohet zonë kolonizimi e cilitdo shtet evropian. Çdo përpjekje të atyre shteteve që sistemin e tyre të qeverisjes i cili dallohet nga sistemi amerikan, ta përhapin në hemisferën perëndimore, ShBA-ja do ta konsiderojë të rrezikshme për paqen dhe sigurinë e vet.
Ndërhyrja e Francës në Meksikë në vitin 1860 dhe ndihma që ua jepte Anglia shteteve të jugut amerikan gjatë luftës civile të viteve 1860-1864 – e vunë në dyshim Doktrinën e Monrosë. Pas mbarimit të luftës civile, ShBA-a insistoi për zbatimin e saj. Më në fund, francezët u tërhoqën nga Meksika.
Më vonë, Doktrina e Monrosë u zbatua në ndërtimin e kanalit të Panamasë. Marrëveshja Clayton-Bulwer e viti 1850 e cila parashikonte kontrollin e përbashkët anglo-amerikan të kanalit, në vitin 1899 u zëvendësua Marrëveshjen Hay-Pauncefote, me të cilën, për kanalin e Panamasë pranohet vetëm kontrolli i ShBA-së.
Në vitin 1896, presidenti i ShBA-së Stivën Grover Kleveland (Stephen Grover Cleveland, 18 mars 1837 – 24 qershor 1908) deklaroi se Doktrina e Monrosë i jep të drejtë ShBA-së të vendosë në kontestin kufitar midis Guajanës Britanike dhe Venezuelës.
Në vitin 1902, kur Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia ndërmorën bllokadën e përbashkët të Venezuelës, për ta detyruar t’i shlyejë borxhet, presidenti amerikan Teodor Ruzvelt (Theodore Roosevelt, 27 tetor 1858 – 6 janar 1919) e zgjeroi Doktrinën Monro asisoj që ShBA-ja të mundë të ndërmarrë edhe aksion preventiv, për ta pamundësuar ndërhyrjen apo intervenimin evropian të planifikuar.
Me kalimin e kohës, kjo doktrinë u bë parim i përbashkët i të gjitha republikave të Amerikës dhe jo vetëm politikë e njëanshme e ShBA-së.
Me Deklaratën e vitit 1942 më Limë, shtetet anëtare të Unionit Panamerikan shprehën vendosmëri për t’u mbrojtur bashkërisht nga çdo ndërhyrje e jashtme. Në Marrëveshjen e Rio de Zhaneiros (RioTreaty) të vitit 1947, ranë dakord se sulmi mbi cilindo prej tyre, do të konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Në vitin 1954, sekretari shtetëror i ShBA-së Xhon Foster Dalles (John Foster Dulles, 25 shkurt 1888 – 24 maj 1959) deklaroi: “krijimi i një qeverie komuniste apo prokomuniste në ndonjë shtet të Amerikës Latine, qoftë edhe me vullnetin e lirë të popullsisë, do të kishte qenë në kundërshti me Doktrinën e Monrosë, për arsye se një qeveri e tillë për nga natyra e vet do t’i nënshtrohej ndikimit të huaj”.
Në fillim, Doktrina e Monrosë ka qenë një dokument i politikës kundër përzierjes së shteteve të huaja në punët e shteteve të tërë hemisferës perëndimore (Amerika Veriore dhe Amerika Latine), me të cilin njëherazi evitohet politika e përzierjes në punët evropiane.
Për këtë arsye, asaj i referohen edhe izolacionistët amerikanë. Më vonë kjo doktrinë mori karakter shumë më ofensiv.
* * *
Izolacionizmi ka qenë rrymë politike në ShBA e cila i kundërvihej përzierjes së Amerikës në problemet botërore. Kjo rrymë kërkonte sidomos që ShBA-ja sa më shumë të izolohet nga politika evropiane, të qëndrojë larg problemeve evropiane. Izolacionizmi nuk kishte të bënte me Azinë dhe me Amerikën Jugore. Deri në Luftën e Parë Botërore, izolacionizmi përbënte një prej parimeve themelore të politikës së jashtme amerikane. Vërtet Amerika mori pjesë në Luftën e Parë Botërore, por pas mbarimit të luftës, përsëri u bë izolacioniste dhe refuzoi të hyjë në Lidhjen e Kombeve. Sidomos Partia Republikane angazhohej për politikë të jashtme izolacioniste.
Izolacionistët u bënë tejet aktivë në vitet para Luftës së Dytë Botërore dhe u ngritën vendosmërisht kund ndihmës amerikane për aleatët. Kjo zgjati derisa ShBA-ja nuk hyri në luftë pas sulmit të Japonisë në Perl Harbur (Pearl Harbour) më më 7 dhjetor 1941. Me fjalë të tjera, izolacionizmi amerikan shkoi në favor të fuqive të boshtit. Pjesëmarrja e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore, si dhe lidhjet ekonomike dhe politike pas luftës midis ShBA-së dhe Evropës, ndikuan në rënien e theksuar të numrit dhe të ndikimit të izolacionistëve në jetën politike të ShBA-së.
Në vitet ’60 të shekullit XX, izolacionizmi si program politik në ShBA – u shua. Deri në Luftën e Dytë Botërore, tendenca izolacioniste, në njëfarë mase, kanë ekzistuar edhe në Britani të Madhe. Ato kanë kërkuar mospërzierjen në punët e kontinentit evropian, sidomos mospërzierjen në pjesën lindore të Evropës. Kohë pas kohe, tendenca izolacioniste paraqiteshin edhe në disa dominione britanike.
* * *
Sapo erdhi në krye të administratës, presidenti Donald Tramp përcaktoi Strategjinë e re amerikane të sigurisë. Kjo strategji paralajmëron “shlyerje civilizuese” në Botën e Vjetër. Në këtë dokument që u publikua më 9 dhjetor 2025, administrata e Trampit i vë në dyshim marrëdhëniet e afërta midis Evropës dhe ShBA-së, si ato të pas Luftës së Dytë Botërore. I kritikon vendet evropiane se në lëmin e mbrojtjes vazhdojnë të varen nga Amerika. Kur është fjala për konfliktet globale, Trampi u jep përparësi apo prioritet interesave amerikane. Strategjia e re amerikane ndaj Evropës të përkujton kohën e izolacionizmit amerikan.
* * *
Ministria Amerikane e Punëve të Jashtme (State Department), një ditë pas kapjes së Nikolas Maduros (Nicolás Maduro, 23 nëntor 1962 – ), publikoi në platformën X, bashkë me fotografinë e presidentit Donald Tramp (Donald Trump, 14 qershor 1946 – ), mbishkrimin:
“Kjo është hemisfera JONË dhe presidenti Tramp nuk do të lejojë të rrezikohet siguria jonë”.










