Letër e hapur drejtuar anëtarëve të ardhshëm të grupit negociator për marrëveshjen speciale me Greqinë drejt Hagës
Nga Artur Meçollari
Të nderuar anëtar të projektuar,
Unë nuk e di kush do të jeni. Me shumë mundësi disa prej jush mund t’i njoh edhe personalisht. Por, në pamundësi për të dhënë opinionin tim zyrtarisht, arsye që do t’ua shpjegoj më pas, do t’ju rekomandoja që gjatë negocimit të jeni të kujdesshëm, profesionistë, me integritet dhe patriotë.
Çdo vendim i gjykatës së Hagës do të jetë përfundimtar, i paankimueshëm, i detyrueshëm dhe i përjetshëm. Vendimi juaj nesër do të ketë të njëjtën peshë me atë të dy protokolleve për kufijtë tokësorë të Shqipërisë të vitit 1925 dhe 1926.
Rekomandimi im për ju është të studioni dosjen, shënimet, bisedimeve, raportet dhe çfarë është arritur gjatë negociatave të papërfunduara të vitit 2018, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, si dhe dosjen e MEPJ për keto negociata.
Në grupin tuaj mund të kete edhe anëtarë të negociatave të vitit 2018. Ata do të jenë një aset për ju. Negociatat e vitit 2018 u ndërprenë për shkak të mungesës së përgjegjësisë të KM Rama, i cili sot në asnjë rast nuk i përmend.
Edhe pse unë vazhdoj të besoj se vijimi i negociatave dypalëshe me grekët do të ishte rruga më e mirë, kjo tashmë do të varet nga vendimi i Presidentit.
Në datën 20 tetor 2020, KM Rama ka dakordësuar me MPJ të Greqisë në Tiranë për të çuar çështjen e detit në Hagë. Dakordësia përfshin çuarjen e të gjithë çështjes, duke përjashtuar dakordësitë e arritura gjatë vitit 2018. Pra, sipas marrëveshjes politike të vitit 2020, në vitin 2018 nuk ka patur as negociata dhe as dakordësi.
Duke dakordësuar çuarjen e të gjithë çështjes në Hagë, KM Rama ka marrë kompetencat tuaja, të grupit negociator. Pasi ai ka vendosur jo vetëm vajtjen në Hagë, por dhe termat mbi të cilat do të shkohet, pra marrëveshjen speciale. Kështu që ju do të jeni të detyruar të përballeni me presionin e tij, nëpërmjet Ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha.
Por çfarë do të ndodhë nëse ju dakordësoni me palën greke një marrëveshje speciale sipas dakordësisë politike të KM Rama me MPJ të Greqisë, Dendias?
Vendimi i GJK i vitit 2010 që shpalli antikushtetues draft-marrëveshjen e vitit 2009 mbështetet në të drejtën ndërkombëtare të detit dhe vendimet e mëparshme të gjykatës së Hagës. Por, një vendim i Hagës i kësaj natyre nuk përfshin një marrëveshje tekstuale, por vetëm vijën delimituese. Dhe çdo vendim i Hagës, sipas dakordësisë së tetorit 2020, do të rezultonte në linja të përgjithshme në përputhje me vendimin e GJK, por jo në interes të Shqipërisë. Ai do të jetë shumë pranë vijës delimituese të vitit 2009 të rrëzuar nga GJK dhe shume larg pretendimeve të palës shqiptare të vitin 2018.
Njëkohësisht një vendim i Hagës sipas dakordësisë 2020, do të zhbëjë dy dakordësi të arritura në vitin 2018:
Së pari, humbjen e vijës së drejtë bazë. Kjo do të shkaktojë një humbje të një sipërfaqeje prej 40 km2.
Vija e drejtë bazë e Shqipërisë është shpallur në vitin 1976 dhe është depozituar në OKB në vitin 1993. Ajo është njohur nga pala greke gjatë negociatave të vitit 2018, si dhe në Parlamentin e Greqisë. Për shkak të metodologjisë së ndërtimit të saj përpara hyrjes në fuqi të UNCLOS 1982, gjykata me siguri të lartë (rasti Kenia-Somali), do ta rrëzojë atë dhe automatikisht Shqipëria humb 40 km2.
Shqipëria e shfuqizoi në rrethana enigmatike dhe të dyshimta, me vendim parlamenti, këtë vijë në vitin 2008, ndërsa vijonin negociatat, por u rikthye në vitin 2012. Duke qenë se Greqia e njehu vijën e drejtë bazë të Shqipërisë në vitin 2018, ajo ka mundesi ta rrëzojë atë vetëm në një gjykatë;
Së dyti, Haga do të rrëzojë njohjen e Protokollit të Firences të vitit 1925 nga Greqia.
Gjatë negociatave të vitit 2018 me palën greke u ra dakord që në preambullën e draft-tekstit të marrëveshjes të dakordësuar tashmë të përfshihej Protokolli i Firences i 27 janarit 1925 për kufijtë tokësorë me Greqinë. Greqia e ka firmosur këtë protokoll por nuk e ka ratifikuar, ndërsa Shqipëria e ka ratifikuar.
Fakti që Haga në vendim nuk paraqet një draft-tekst marrëveshje, por vetëm vijën delimituese, ky dakordësim humbet. Përfshirja e Protokollit të Firences në draft-tekstin e dakordësuar nuk nënkupton ratifikim të tij, por njohje nga ana e Greqisë.
Shkurtimisht, nëse ju nuk do të negocioni një marrëveshje speciale me Greqinë për në Hagë, por do të noterizoni dakordësinë e KM Rama, nuk do të bëni gjë tjetër veçse do ti jepni mundësinë Greqisë që, nëpërmjet gjykatës së Hagës, të arrijë një marrëveshje pranë asaj të vitit 2009, dmth krejt e pafavorshme për Shqipërinë.
Në vitin 2018 u dakordësua për një sipërfaqe plus 40 km2 krahasuar me vijën delimituese të vitit 2009 për efekt të vijës së drejtë bazë. Nëse negociatat nuk do të ishin ndërprerë Shqipëria do të fitonte edhe një sipërfaqe shtesë për shkak të efektit të equite-së të shkëmbinjve në detin territorial dhe ishujve në shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive.
Prandaj unë vazhdoj t’i qëndroj idesë se vijimi i negociatave të zhvilluara në vitin 2018 është zgjidhja më e mire. Vajtja në Hagë mund të behet vetëm për mosdakordësitë e negociatave të vitit 2018.
Varianti i tretë, ai sipas dakordësisë politike të 20 tetorit 2020 – prioritar për Qeverinë Rama – është më i dëmshmi për Shqipërinë.
Drejtuesit tuaj politikë janë të kompromentuar në këtë proces. Presidenti i Republikës Bajram Begaj do ta firmosë autorizimin për nisjen e negociatave, siç ja ka kërkuar MEPJ për të gjithë çështjen, pasi ai nuk ka mundësi tjetër. I kapur nga KM Rama dhe nën hetim nga SPAK për disa prona të FA, ai nuk mund të dalë kundër KM Rama edhe pse është këshilluar nga këshilltarët e tij mos të firmosë autorizimin.
Kryeministri Rama është ai që ndërpreu negociatat e vitit 2018 dhe dakordësoi marrëveshjen politike të 20 tetorit 2020. Për të rëndësi ka që të ketë një vendim nga gjykata e Hagës. Por nuk ka rëndësi rezultati. Për të mjafton që vendimi të jetë përfundimtar nga një gjykatë ndërkombëtare dhe të heqë pengesat e vendosura nga qeveria greke për anëtarësimin në BE. Nuk duhet harruar se qeveria greke është po ajo me të cilën Qeveria Berisha negocioi në vitin 2009 në të njëjtat rrrethana politike.
MEPJ Ferit Hoxha është personi që ka drejtuar grupin negociator të draft-marrëveshjes së detit me Greqinë të vitit 2009, të rrëzuar nga GJK në vitin 2010. Ai e ka humbur besueshmërinë për të drejtuar një process të tillë. Për më tepër, pasi firmosi draft-marrëveshjen e vitit 2009, së bashku me anëtarët e grupit, ai e depërtoi informacionin në media duke i deklaruar se marrëveshja që kishte firmosur dhe drejtuar vetë disa ditë më pare “binte ndesh me interest kombëtare”.
Veprimi i Hoxhës nuk ishte në dobi të interesave kombëtare, pasi ai firmën e kishte hedhur me vullnet, por të drejtonte median ndaj anëtarëve të tjerë të grupit negociator. Ashtu siç edhe ndodhi.
Personalisht kam dhënë kontributin tim në rrugë zyrtare në rrëzimin nga GJK të draft-marrëveshjes së vitit 2009 dhe kam qenë pjesë e grupit negociator të vitit 2018. Pasi KM Rama bëri marrëveshjen politike të 20 tetorit 2020, në 23 janar 2021 më thirri nëpërmjet ish-Sekretarit të Përgjithshëm të KM Ëngjëll Agaçi duke më propozuar pozicionin e Këshilltarit të tij për Sigurinë Kombëtare dhe të merrja drejtimin e grupit negociator. E pranova propozimin me kusht, që të revokonte urdhrin e lirimit tim nga FA, premtim që e kishte bërë qysh në 14 shtator 2020, tre ditë pas lirimit tim.
KM Rama e pranoi kërkesën time dhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili gjithashtu më thirri në takim, nisi procedurat. Por, procedura nuk vijoi, pasi ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Barjam Begaj nuk pranoi të nisë procedurën, edhe pse ndërkohë kisha një muaj që kisha fituar në gjykatën e Shkallës së Parë Administrative të drejtën e rikthimit në FA.
Po ashtu MEPJ Olta Xhaçka e takoi KM Rama dhe i kërkoi me përulësi moskthimin tim në FA duke pretenduar se marrëveshjen do ta bënte ajo. KM Rama ndërroi mendje. Po në vitin 2021 MEPJ kontraktoi kompaninë Omnis Strategy të znj. Blair për 3 milion euro, e cila sipas informacioneve në raportin e saj përfundimtar rekomandoi se nëse Shqipëria do të shkonte në Hagë për të gjithë çështjen rezikonte të humbiste vijën e drejtë bazë. Po ashtu Omnis Strategy nuk pranoi të këshillonte palën shqiptare në Hagë.
Qysh prej vitit 2021 nuk jam thirrur nga ndonjë insitucion shtetëror për konsultime mbi këtë çështje, por gjatë gjithë kësaj periudhe kam bërë publike qëndrimet e mia në media.
Të nderuar anëtar të projektuar,
Ju sot keni peshën e negociatave me Greqinë për detin, negociata jo të lehta. Greqia ka institucione të konsoliduara dhe profesorë me famë ndërkombëtare në të drejtën e detit. Keni mbi supe peshën e marrjes së një vendimi të rëndësishëm për fatin e Shqipërisë. Historia padrejtësisht e ka bërë Shqipërinë shumë të vogël, dhe ajo nuk ka më territore për të humbur. Duhet të marrim atë që na takon.
Gjatë këtij procesi do të jeni nën presionin e KM Rama dhe MEPJ Hoxha. Duhet të tregoni integritet, profesionalizëm dhe patriotizëm. Unë ju rekomandoj të njiheni me vendimin e GJK, dosjen e negocimit të vitit 2018, dokumentacionin që MEPJ i ka dërguar Presidentit të Republikës për këto negociata, si dhe raportin e Omnis Strategy.
Në këto dokumenta gjendet edhe vizioni i MEPJ mbi marrëveshjen speciale, e shprehur nëpërmjet një draft-marrëveshje provizore. Gjithashtu thërrisni për t’u konsultuar sa më shumë njerëz të fushës, ndihma e të cilëve do të jetë e vlefshme për ju.
Duke ju uruar suksese në negociata, ju kujtoj se ky proces do integritet, profesionalizëm dhe patriotizëm. Ai kërkon që të heqësh dorë nga interesat personale që lidhen me punën dhe karrierën. Fëmijet dhe familja juaj duhet të krenohen nesër me ju dhe Shqipëria të marrë atë që i takon nga ky proces. Çështja e detit me Greqinë është një çështje thellësisht kombëtare. Ajo, ashtu si në 17-vitet e fundit, nuk do ti shpëtojë gjykimit të opinionit publik kombëtar, pjesë e të cilit kam qenë dhe do të jem edhe unë.
Artur Meçollari
Kapiten i rangut të parë (Rez) dr.
Ish zëvendëskomandant dhe komandant në detyrë i Forcës Detare, si dhe anëtar i grupit negociator 2018 për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë.











