Dëmtuar gjatë leximit…

0
Besnik Mustafaj - Dëmtuar gjatë rrugës

Arben Çejku

(Karikatura e një regjimi në romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”, të Besnik Mustafajt)

Një vepër arti, pikturë apo skulpturë, mund të dëmtohet gjatë rrugës edhe për shkak të formës së transportit. Po një vepër letrare (roman, poezi, tregim, dramë, novelë), a ka të ngjarë që të dëmtohet gjatë “transportit” të saj nga shkrimtari tek lexuesi, kur ajo hyn në procesin e leximit? Unë mendoj se, po! “Dëmtimi gjatë leximit”, nuk lidhet me dëmtimet e librit si objekt fizik, por nënkupton mos-vendosjen apo shkëputjen e parakohshme të urave të komunikimit midis një vepre në proces leximi dhe një lexuesi, që kërkon të reflektojë mbi atë që po lexon. Sa e sa libra i kemi shfletuar vetëm në faqet e para dhe pastaj i kemi braktisur? Sa e sa të tjera nuk i kemi zënë me dorë fare, duke i lënë në pluhurin e harresës?

Janë një mijë e një arsye, ato që ndikojnë në fenomenin e dëmtimit të një libri, gjatë leximit…

Dëmi më i madh, që pëson një vepër letrare, në këtë që po e apostrofojmë si “dëmtim gjatë leximit” është, kur kjo vepër nuk lexohet fare! Kjo shkakton edhe dhimbjen më të madhe për një shkrimtar, për një krijues! “Dëmet” e tjera gjatë leximit, siç mund të jenë mungesa e vëmendjes së plotë nga ana e lexuesit, pamundësia për ta rrokur në tërësi vlerën artistike të veprës, dituria e cunguar historike, për të kuptuar kontekstin dhe mesazhin politiko – shoqëror të veprës, mungesa e shijeve të holla artistike, për të kuptuar stilistikën dhe gjithë figuracionin e veprës, pamundesia abstraguese, për të vlerësuar personazhet si heronj real të përditshmërisë etj, etj, janë në fakt “dëme kolaterale”, të pa konsiderueshme. Vepra, sigurisht, që mund të jetë “dëmtuar gjatë leximit” edhe për këto shkaqe, por për autorin, rëndësi ka që ajo ka gjetur një lexues të caktuar. Ashtu si gratë lehona, që kanë frikë, për krijesën e tyre të brishtë, kur e shohin se ndonjëherë bie në duar të pastërvitura, edhe shkrimtarët brengosen se mos vepra e tyre, si një bebe, bie dhe dëmtohet…

Në procesin e gjatë të leximit, gjithnjë kam patur dhe vazhdoj ta kem brengën se, në mos edhe unë kam dëmtuar gjatë leximit disa vepra! Kjo më ka nxitur që t’ju rikthehem e t’i rilexoj disa prej tyre. Rileximi më ka provuar se kam dëmtuar, sidomos kryevepra, gjatë leximit. Rileximi i veprave të shquara më ka bërë të kuptoj se, gjatë procesit të leximit të parë, kam patur humbje dhe nuk e kam vjelur dot të gjithë produktin. Pra, në këtë rast, jam dëmtuar unë gjatë leximit. Kur i jam kthyer për së dyti dhe ndoshta edhe për së treti, kam vënë re humbjet, boshllëqet që kam patur gjatë leximit (leximeve) të mëparshme. Ka qenë e njëjta vepër, i njëjti autor. Por në çdo lexim, kam kuptuar më mirë, kam parë më mirë dhe kam mësuar më shumë nga vepra.

Shkëndijën fillestare për këtë apostrofim të marrëdhënies magjike; shkrimtar – vepër – lexues, ma nxiti titulli i romanit, “Dëmtuar gjatë rrugës”, i shkrimtarit Besnik Mustafaj.

Pasi e lexon këtë roman, kupton se nuk janë vetëm veprat, ato që “dëmtohen gjatë rrugës”, por edhe vetë shkrimtarët apo njerëzit që e rrethojnë atë. Madje, edhe një shoqëri e tërë, mund të dëmtohet gjatë rrugës! Ecja në rrugën e jetës, nuk është vetëm një ecje horizontale hap pas hapi, por ajo shpesh herë mund të transformohet në një kërcim hendeqesh misterioze ose në një kacavjerrje me këmb’e duar në murin që të del përpara…

Mustafaj, me romanin e tij më të ri, na ndihmon të shohim dhe të kuptojmë se jo vetëm një njeri, por një shoqëri e tërë u dëmtua gjatë rrugës së absurdit të komunizmit shqiptar! Këtij procesi surrealist të dëmtimit gjatë rrugës, nuk i shpëton dot askush, pavarësisht se ku mund të ndodhet për momentin. Gardianët e së keqes, janë gjithnjë vigjilent, siç është një nga personazhet kryesore në roman, “Shoqja Rushe”, e cila, si një flutur, pasi sillet e sillet rreth dritës së partisë, më në fund, edhe ajo përplaset, duke rënë përtokë pa mëshirë dhe pa asnjë vlerë.

Kurthi ku bie lexuesi i këtij romani është keqkuptimi se ai këtë vepër – homazh, shkrimtari Besnik Mustafaj e bëri për nënën e tij! Madje, në ditët e panairit të librit, vitin e kaluar, gjatë promovimit, dëgjoja shumë njerëz që thoshin, “ Besniku ka bërë një roman për nënën”. Unë, pa e lexuar, u thoja me humor se, me siguri që, “Nëna e Besnikut është më e mirë se Nëna e Gorkit”…

Në roman, “Shoqja S.” është personazhi kryesor, por njëkohësisht është edhe nëna e autorit. Vetë romani është shkruar në stilin e një memuari autobiografik. Saga e romanit (historia) përshkruhet si një ngjarje familjare, sepse ajo përgjithësisht zhvillohet brenda shtëpisë së nënës së autorit. Edhe heronjtë kryesorë të rrëfimit janë një grusht familjarësh, si psh, nëna e autorit, babai, gjyshi, dy vëllezërit dhe disa të njohur përreth. Duke përdorur këtë dinakëri artistike, autori e shpëton veprën e tij nga dëmtimi gjatë leximit. Por kjo lloj letërsie, nuk është gjithnjë e garantuar për të arritur suksesin artistik! Ajo është një nga sfidat më të mëdha, sprovat më delikate, kur krijuesi vendoset, herë në në rolin e objektit dhe herë në rolin e subjektit, në romanit që po shkruan. Por këtë sprovë, Mustafaj e ka tejkaluar, kryesisht tek romani pararendës , “Autoportret me teleskop”.

Tek “Dëmtuar gjatë rrugës”, autori herë shikon me sytë e një bebeje të vogël, herë abstragon dhe shikon veten me sytë e nënës së tij, ndërkohë që në fillimin dhe në fund të romanit është djali shkrimtar dhe figurë publike, që plotëson “amanetin e nënës”, që hiq më pak, është detyra për të shkruar një roman të jashtëzakonshëm. Dhe ja ka dalë me sukses!

Në këtë roman, Mustafaj merr për bazë një histori të thjeshtë njerëzore, të treguar si brengë shpirti nga nëna e tij, dhe e vendos në qendër të veprës duke e kthyer dalë nga dalë në kryehistori, në kryengjarje, në kontrast të thellë me ngjarjet e mëdha, (si, p.sh, vizita e Hrushovit në Tiranë) që prodhon vetë shteti. Madje edhe super shteti, siç ishte Bashkimi Sovjetik apo Kina.

Në qendër të romanit është historia e thurjes së një palë çorapesh për ish-udhëheqësin sovjetik, Hrushov, nga një grua e zakonshme, në një skaj të largët të republikës së revolucionarëve shqiptarë. Rreth kësaj ngjarjeje dhe këtij triki artistik, Mustafaj ndërton një kryevepër të ironisë, sarkazmës, alegorisë dhe ndëshkimit artistik për një nga regjimet më të egra në Europë! Duke vënë në qendër të romanit një personazh të thjeshtë, të pa arsimuar, të tkurrur në vetvete, një grua tradicionale në sjellje e mendim, të përkushtuar për familjen, një nënë tipike shqiptare të viteve ’60, Mustafaj, e kthen nënën e tij në simbol të mijëra nënave shqiptare, që nuk e kanë djalin “shkrimtar”, që t’u shkruajnë historinë, por që kishin të njëjtin fat si nëna e Besnikut! Autori, fillimisht kujdeset të krijojë dy grupimet shoqërore, që në njërën anë simbolizojnë popullin e thjeshtë dhe në anën tjetër klubin e “njerëzve të rinj”, që ishin një prodhim hibrid i taborreve ideologjike, që shkelnin mbi Shqipërinë.

Ngjarjet zhvillohen në një qytezë të vogël dhe të izoluar veriore, që për nga simbolika është vetë Shqipëria e diktarorit Hoxha. Kjo vihet re lehtë nga marrëdhënia kapilare që është mes kësaj province dhe kështjellës së socializmit, që është larg në Tiranë.

Nëna e shkrimtarit, jashtë vullnetit të saj bëhet pjesë e teatrit absurd, duke marrë role që tentojnë ta ndryshojnë, ta deformojnë si njeri. Pra, ta dëmtojnë gjatë rrugës. Madje, në një moment, kur ajo nga një grua e rëndomtë u bë “shoqja S”, sepse veprën dhe shembullin e saj revolucionar e proklamoi vetë E. Hoxha, ndjeu dyshimet e para brenda vetes. Kur këtë ja tha rastësisht edhe një nga shoqet e saj të ngushta, komshia Drita, atëherë, beteja mes njeriut të ri socialist dhe atij tradicionalist, u bë më e ashpër brenda botës së saj të pastër.

Ajo kishte qenë krejt e virgjër politikisht dhe ideologjikisht, deri në momentin që thuri ato dreq çorapesh për udhqheqësin botëror dhe puna e saj doli në gazeta dhe takime publike. Në këtë rrugëtim të shkurtër, “Shoqja S”, gati përdhunshëm vihet në skenën e teatrit tragji-komik për të ushqyer popullin me propagandë, jo për të plotësuar nevojat e saj shtëpiake.

Në këtë ngarendje ajo, përveç fëmijës së vogël, lë vetëm herë pas here edhe gjyshin e autorit, i cili nga ana e vet, është simboli i malësorit tradicional, që as nuk e refuzon as nuk e pranon dot gjithë atë histeri enveriste, që përballë tij shfaqet gjithnjë kërcënues. Ashtu siç kanë bërë miëjra e mijëra shqiptare në këtë udhëtim paradoksal, edhe nëna e autorit, “Shoqja S.” e kryen golgotën e absurdit. Por, pak para fundit, ajo ndeshet me Dritën, komshien e saj, të cilën po e internojnë.

Në këtë moment, “Shoqja S”, flak tej frikën dhe çdo lidhje me klubin e shoqeve të agjitpropit dhe zyrave të partisë dhe i gjendet pranë me përkushtim e zemër, si dikur. Kur dy miket e vjetra gjenden përballë, Drita, vlerëson gjestin e “Shoqes S” dhe i thotë, “ti nuk ke ndryshuar..”. Ky pohim i Dritës ishte lajmi më i mirë për nënën e autorit, e cila pas kalimit nëpër gjithë atë labirinth angazhimesh publike dhe zyrash shteti, kish mbetur përsëri njeri me shpirt të mirë dhe nuk ishte bërë plotësisht “njeri I ri”, nuk ishte bërë fiks si shoqja Rushe. Pra, ishte dëmtuar fare pak gjatë rrugës së vështirë, që kish kaluar.

Leximi i romanit nis si kuriozitet, për të vlerësuar, sesi një shkrimtar mund të shkruaj për nënën e tij. Por në fund, romani “zhgënjen” për mirë. Nuk është një vepër homazh për një nënë të vetme, por është një kryevepër e letërsisë moderne e realizmit total, e cila trajton në mënyrën më të veçantë periudhën e diktaturës në Shqipëri. Lehtësia me të cilën autori të shpie në thelbin e procesit transformues (ndryshe nga Kafka tek Procesi psh), gjuha e pastër dhe plot figuracion artistik, analizat e veçanta psikologjike të personazheve dhe sidomos monologjet e “Shoqes S”, e bëjnë romanin një sy magjik nëpër të cilin shihet pas në kohë një realitet të metaltë, që peshon rëndë në supet e secilit.

Romani është një akt-akuzë artistike kundër autokracisë dhe diktaturave, të cilat synojnë nënshtrimin e shoqërisë, nëpërmjet deformimit të individit. Por kur vjen fjala tek një diktaturë e llojit komunist, si ajo që ishte në Shqipëri, absurdi nuk mund të trajtohet artistikisht, vetëm se nëpërmjet satirës, sarkazmës dhe mjeteve të tjera sa më fine, me qëllim që tragjikja e realitetit të mos ja zërë frymën artit të romanit.

Për ata që janë lindur pas viteve 1990 dhe nuk kanë përjetuar asgjë nga ai absurd tragjik, kjo vepër do t’u shërbejë si një çelës për të hapur sa më mirë portën e së shkuarës. Nga ana tjetër, ky roman është një homazh artistik për të gjithë ata njerëz të thjeshtë, anë e mbanë Shqipërisë, që direkt apo indirekt u detyruan të bëhen vegla dhe viktima të diktaturës.

Ai sistem ishte si zjarri; t’i afroheshe shumë, të digjte; t’i largoheshe shumë, të ngrinte. Gjetja e vendit më të përshtatshëm për të qëndruar në atë fermë oruelliane, ishte gjëja më e vështirë.

“Dëmtuar gjatë rrugës”, është një roman, që e tejkalon misionin e shpalosjes së lakuriqsisë së një karikature tragji-komike. Mesazhet, kryesisht mesazhet që sjell ky libër, janë me vlerë shoqërore, për sot dhe për nesër. Edhe në procesin e gjatë të tranzicionit demokratik në Shqipëri, sa e sa personazhe periferike e qëndrore janë “dëmtuar gjatë rrugës…”? Sa të tjerë rrezikojnë sot, që të “dëmtohen gjatë rrugës”? Në fakt, metafora e rrugës, mund të mishërohet tek koha dhe përditshmëria jonë. Sa presion bashkëkohor bëhet sot mbi karakteret e brishta njerëzore? A nuk janë ende si dikur, po aq të frikshme zyrat e shtetit, sikur i shihte nëna e shkrimtarit Besnik? A nuk janë intrigat, pabesitë, kurthet, degradimet e personalitetit ato që herë pas here na presin në krye të shkallëve në institucionet ku trokasim? A nuk është ringjallur autokracia si karikaturë e demokracisë?

Përveç vlerave të spikatura artistike dhe risisë që sjell në prozën shqiptare të këtij shekulli, ky roman, mendoj se është, gjithashtu një leksion purifikues, edukativ dhe i pazëvendësueshëm për rininë e sotme, para së cilës ka sfida të reja. Sokrati, një herë e një kohë i porosiste të rinjtë athinas; “Njihe vetveten”! Kurse sot, Mustafaj, me këtë roman, sikur na porosit të gjithëve; “mos e tradhëto vetveten”!

E përmenda edhe pak më lart se, me këtë roman, shkrimtari Besnik Mustafaj ka kapërcyer veten dhe ky është një hop cilësor, që nuk e bën dot gjithkush. Ka shkrimtarë të mëdhenj, si psh Kadare apo ndonjë tjetër, që gjatë këtyre dy a tri dekadave të fundit, nuk e kanë tejkaluar dot vetveten. Është e dhimbshme, p.sh, që një kandidati për çmimin “Nobel” në letërsi, t’i përmenden si kryevepra, romane të shkruara dekada më parë. Liria është një mundësi e madhe për shoqërinë që të ecë përpara. Por, ndonjëherë, për shkrimtarët e periudhës së post-diktaturave, kjo sikur u kufizon elementët krijues, sidomos në rrafshin e figuracionit, metaforave dhe simbolikave të tjera.

Lajmi më i gëzuar për një shkrimtar është, kur një nga veprat e tij përqafohet gjerësisht nga publiku dhe konsiderohet si një vlerë e munguar. Mirëpo, pikërisht këtu, fillon edhe problemi për të, sepse ky standard është një lloj steke, që ai e ka para vetes çdo ditë për ta kaluar. Nëse ai nuk e kalon dot, siç edhe ka ndodhur shpesh, atëherë, rron shkrimtari, por vdes arti i tij. Unë besoj se me kërkesat që ka ndaj vetes, Besnik Mustafaj, do ta tejkalojë këtë roman me një prurje tjetër befasuese. Por, sido që të ndodhë, “Dëmtuar gjatë rrugës”, mendoj se ka hyrë denjësisht në panteonin e kryeveprave të prozës shqiptare.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.