Ibish Neziri
Në ditët e fundit, disa të ashtuquajtur “analistë” e “publicistë”, në krye me Halil Matoshin, në studio televizive janë shprehur se “Kosova po shkon drejt federalizimit”. Këto deklarata, të përsëritura me lehtësi e me mungesë të përgjegjësisë intelektuale, meritojnë një kritikë të ashpër dhe të pakompromis.
Sepse ato nuk janë mendime të padëmshme – janë mesazhe politike të rrezikshme që, nën maskën e debatit akademik, minojnë stabilitetin e shtetit të Kosovës dhe përgatisin terrenin për projekte që bartin në vete rrezik për çrregullime, përçarje e madje për trazira.
Kur fjala kthehet në provokim politik
Është e qartë se këto “teza” për federalizim nuk burojnë nga një analizë e brendshme kushtetuese apo administrative, por nga narrativat e vjetra të Beogradit që kërkojnë ta paraqesin Kosovën si shtet të papërfunduar, të hapur për “zgjidhje të reja”.
Madje, vetë Beogradi zyrtar, ndonëse përdor shpesh gjuhë provokuese, nuk ka artikuluar publikisht idenë për federalizimin e Kosovës. Dhe ja ku jemi sot: disa zëra brenda Kosovës po flasin për të njëjtën ide me “guxim” që as qarqet serbe nuk e kanë shprehur kaq hapur deri më tani.
Ky është një veprim i papërgjegjshëm intelektual dhe politik, sepse në vend që të mbrojë themelet kushtetuese dhe unitetin e shtetit, i jep zë pikërisht atyre që duan ta zhbëjnë Kosovën.
Deklarata e Marko Jakshiqit – pasqyrë e efektit zinxhir
Se sa të rrezikshme janë këto deklarata e dëshmon edhe deklarimi i Marko Jakshiqit, kandidatit serb për kryetar të Mitrovicës së Veriut, i cili reagoi menjëherë pas këtyre paraqitjeve televizive.
Në një intervistë për gazetën Danas të Beogradit të datës 14.10.2025, Jakshiqi u shpreh:
“Ajo që do të bëhet në nivelin qendror është më pak e rëndësishme, sepse aty priten presione. Megjithatë, koha do të tregojë se shumë presione mbi çfarëdo gjëje çojnë në shpërbërjen e saj, dhe nga këta presione me siguri do të ndodhë diçka e re. Gjithnjë e më shumë ka intelektualë në komunitetin shqiptar që tashmë flasin për një Kosovë federale…”
Pra, menjëherë pas deklaratave të “analistëve” shqiptarë, ideja për “federalizim të Kosovës” u përvetësua nga politika serbe lokale dhe u shndërrua në argument politik të radhës. Ky është shembulli më i qartë se si një fjali e papërgjegjshme në studio mund të përhapet si zinxhir provokimesh, duke u përdorur pastaj si armë retorike kundër vetë shtetit të Kosovës.
Liria e fjalës nuk është liri për të minuar shtetin
Në çdo vend demokratik, liria e fjalës ka kufirin e përgjegjësisë publike. Kur një deklaratë e cenon integritetin territorial, rendin kushtetues dhe bashkëjetesën qytetare, ajo nuk është më “opinion” – është nxitje destabiliteti.
Në një shoqëri që ende përpiqet të konsolidojë sovranitetin e vet, këto zëra nuk duhen trajtuar si mendime akademike, por si paralajmërime për përçarje që kërkojnë kundërpeshë morale dhe reagim publik. Prandaj, është detyrë e çdo qytetari, intelektuali dhe gazetari të ndërgjegjshëm që t’u kundërvihet hapur dhe me argumente këtyre narrativave të rrezikshme.
Kosova nuk ka nevojë për “federalizim”, por për unitet, shtet ligjor dhe forcim institucional. Çdo përpjekje për ta ndarë apo “riformatuar” shtetin është një rrugë drejt shthurjes së tij – dhe historia jonë e afërt na ka mësuar se pas çdo ideje të tillë fshihet gjithmonë një interes që nuk është në dobi të Kosovës.