BARDHA E ANADRINISË

0
Naxhije Doçi

Naxhije DoçiProf. – Prishtinë

BARDHA E ANADRINISË

Atë ditë kur qe bërë nuse Bardha e Anadrinisë,
thotë legjenda,
u shkundën guximshëm përgjumjet e stisura
stinë e të vjelave në përfundim ishte
me hove zgjimi nëpër damarët e etur,
djersa e derdhur shtonte dashurinë
për rrëfimin me dehje falënderimi
sofra e shtruar në hark ylberi shëmbëllente.

Tri ditë e tri net
shiu ra si me grykë të testisë
kur qe bërë nuse kohe Bardha e Anadrinisë,
në kullën me trashëgimi të ndezur historie
dilemë në copëza të derdhura jete
për ndryshimin e lojës së fatit,
melankoli e thellë përmallimi
që dridhi fjalë e zemër te secili me emër.
Lutjet e përrallëta me ofshame të heshtura
as shqetësimet det me dallgët stërkala
nga bindjet mbetur peng i moteve
nuk mund e ndalnin hovin e rrëkesë
as lindjen e së resë
ndër peizazhe të shirta e ograja.

Tri ditë e tri netë nuk pushuan zurla e tupana
as krisma krenare e pushkëve të etnisë
e jehu brilantë i qiftelisë
kur qe përcjellë nuse kohe
Bardha e Anadrinisë.
Martohej m’atë anë bjeshkësh të harlisura,
në Lisnajë
me princin e ëndërrave të saj
martesë magjike me flakërim muze.
Nga madhështia e dashurisë së paskaj
uratat në komponim të gyfuar
për bekimin e lumturisë në kopshtin e zemrës,
përtëritjen e trashëgimisë së dëlirë
në kulla rrëzëlluese guri
me valvitje të derdhur flamuri.

Nga libri: “Vargëzim mbi gjurmë” – Naxhije Doçi – Prishtinë – 2017

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.