BABADIMRI

0
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

TUNGJATJETA

Male me lisa – fusha me grurë
Zogj me këngë – kulla me flamur.
Gurra me ujë – trima në çeta
Lumenj me shelgje – liqe e këneta.
Tungjatjeta!

Natë me hënë – diell me rreze
Qiell me yje – dyer me reze.
Bujq me plugje – shitëse me gazeta
Burra me armë – dasmorë me trumbeta.
Tungjatjeta!

Nëna me djepa – grigje me baresha
Shkolla me nxënës – poetë me vjersha.
Atdhe me trima – fëmijë me biçikleta
Biblioteka me libra – buste me gërsheta.
Tungjatjeta!…

MOTI I KEQ

Era kur fryn – shahet qielli
Shiu kur pikon – qanë qielli.
Breshëri bie – top lozin yjet
Bora bie – të ftohtë kanë pyjet.
Rrufeja kur shti – zemërohen retë
Lumi vërshon – s’e tërheqin qetë…

STËRNIPI I SKËNDERBEUT

Bora bie, fryn era me shtrëngatë
Unë fletore, libra fus në çantë.
U them prindërve: lamtumirë
Udhembarë, o djalë i mirë!
Burrërisht si trim dal nga dera
Ktheu prapë, më thotë era!
Jo, oj erë s’kthehet prapë trimi
Me një vjershë më thërret xha Naimi.
Dua t’i dal zot edhe unë Atdheut
Se, jam stërnip i Skënderbeut.

Obo-booo, ç’u zemërua era e malit
Turr të egër seç i bëri djalit.
Po trimi me gjoks e grushte para
E bëri erën të ikë nëpër ara.
Shiko babi, shiko si ecë shkollari
S’e ndal shiu, era, bora, as acari.

Përpara o bir, me libra në dorë
Suksese të reja për të korrë!…

DIMRI ME QERRE

Vargu i gjatë me çanta në dorë
Krah për krahu në erë, e dëborë.

Acari u vë pusi pas një ferre
Dimri rrugëve endet me qerre.

Armët dorëzoni, mos bëni asnjë hap
Pushka e dimrit: shkrrap – shkrrap…

SHARRI PLAK

Sharri plak folë me lisat
Sharri plak fol me bishat.
Sharri plak folë me burimin
Sharri plak folë me trimin.
Sharri plak folë me gurin
Sharri plak folë me flamurin.
Sharri plak folë me shpezët
Sharri plak folë me rrezet.
Sharri plak folë me bariun
Sharri plak shahet me veriun…

BABADIMRI

Babadimri,
Natyrës ia sjell pajën
Lepujt mezi e tërheqin sajën.

Valles ia merr bashkë me fëmijë
Qielli fishekzjarre s’di sa mijë.

Fëmijëve u shpërnda dhurata
Yhahaaa – i ka duart e gjata.

Babadimër,
Lisave më pak erë veriu
Maleve gjithmonë këngë bariu!…

DORDOLECI ME LLULLË

Fëmijët dordolecit i vunë kësulë
Goni tha: jepni edhe një llullë!
Duhanin vetëm mos ia ndizni trimit
Se hutohet s’di nga t’i fryej tymit.
Kollitet, mund t’i dhëmbë barku
Fyti i bëhet më zi se oxhaku.
Karrota si bënë keq në vend të hundës
Pullat ku i latë, mbërthenja gunës!
Fshisën ia veni, mos e leni pa armë
Nata e gjatë, mund të ketë zjarmë.

Gon Hutaçi tinës me kësulë në kokë
Ndize he burrë, bëmu edhe ti shok!
Dordolecit, po sa iu tymuan flokët
Faqeve teposhtë i rrëshqitën lotët.

Lepuri që i përcillte këto veprime
Fëmijët, tha vërtetë bënë dy gabime:
Një: dordolecit i dhanë llullë duhani
Dy: Karrota i takonte këtij azgani…

PLEPAT NË LUHAJË

Vu e vuuu… Unë jam era
Librat mos i lini te dera!
E nëse u mërzitën, o Nikollë
M’i jepni mua t’shkoj në shkollë!

Fiu – fiuuu, fishkëlloj me pip
Me vete barti letra e grip.
Udhëtarëve pluhur u hedh në sy
Po m’hidhërove të sulmoj edhe ty.
Kësulën ta marr vrik – shallin
Dhe shëtis me të livadhin.
Pemëve gjethet tinës ua vjedh
Edhe unë, si ju di të bredh.
Bustave u vë kurora lulesh
Fluturave, ti kur u turresh.

Kështu vrapoj vu e vu, haj – haj
Majat e plepave i hip në luhajë…

MALEVE TE BURIMI

Krah për krahu – taborre, taborre
Faq më faqe, o dorë për dore!
Urra! Do të dalim maleve te burimi
Shtrigës sulm me libra këndimi!
Ca të ndalemi me barinj n’bregore
Cung më cung si në banka shkollore.

Fytas të rrokemi sikur burrat
Hapi ynë të eci nga gurrat…

PAK NËPËR VERË
PAK NËPËR DIMËR

O do të turrem andej nga mali
Kodrës, majave me hapa djali.
Pak nëpër verë, pak nëpër dimër
Se, jam djalë, o me libër.
Që, s’trembet fare nga veriu
Më rritë bora, më rritë shiu.

E do të pij ujë te një burim
Ta shuaj etjen, të bëhem trim.
Sharrit plak t’i ngjitem në majë
Mes dy lisash të bëj luhajë!
Malësorçe t’ia them si bariu
Le të bie bora, fryj veriu…

PLEPAT LEXOJNË QIELLIN

M e madhe e shtypit, m e vogël e shypit
MJEGULLAT
Pikat e shiut lëshohen teposhtë rrypit.
Bari sytë i lanë me shtama
Shelgut në lumë i laget këmba.

Lulja derën vrik ia çelë bletës
Vjollca në ferrë u prinë çetës.
Flutura livadhit kërkon ombrellën
Zogu ngutas e vesh fanellën.
Leximi vazhdon në tjetrën faqe
Tymi ngrihet mjegull mbi oxhaqe.

Kryerresht.
Shkollari ngutet nga shkolla
Lahu e lahu lisi, ftoi, molla.

Natyra i vesh rrobat e ngushta
Lulet zgjasin duart grushta, grushta.
Plepat gjithmonë me syza të fshime
Qielli qenka plot vjersha e tregime…

EJA PAS MEJE

Gur më gur e kaloj lumin
Gjoksin para e pres sulmin.
Dora-dorës ballë kësaj beteje
Eja pas meje!

Lule më lule eci si bletë
Vjershën time kërkoje në çetë!
Vullnetare doli pas një reje
Eja pas meje!

Mal më mal atje, te burimi
Shkollarëve t’u prij te këndimi.
Klasë më klasë me zë rrufeje
Eja pas meje!…

TË LINDË DIELLI

Vjersha jemi, ecim librave t’këndimit
Gazetave, herë fletoreve të trimit.
Shkollave me nxënës i hapim dritaret
Marrim malet.

Verës – dimrit me shoqe e shokë
Qafë për qafe e kokë më kokë.
Armë e fortë jemi në këtë botë
Kemi të ftohtë.

Xhep më xhep e dorë më dorë
Gjoksin para në shi e dëborë.
Hapi ynë ecën nga qielli
Të lindë dielli!…

VJERSHË PA NJË VARG

Festave rri kaçaku në mes lulesh
Babi, ndal! Me këta vargje ku turresh?
Bustin dua të përqafoj fluturim
Zemër më jep, e më bënë trim!

Librave m’i zgjon vjershat kalavesh
Vocrraku një varg më tha në vesh:
Mua poetit faqja seç m’u lag
Vjershës sime i mungon një varg…

VËLLEZËRISHT

Rrugës ma ndërsen qenin
Veten e lëvdon vazhdimisht.
Kësaj i thuakan vëllazërisht?

Fajtor më bënë para nënës
Nga unë bënë me gisht.
Kësaj i thuakan vëllazërisht?

Vjersha ime të zemron në libër
Faqeve i turresh egërsisht.
Kësaj i thuakan vëllazërisht?

Banane për vete do çdo ditë
Mua lëvoret m’thua merri lirisht!
Kësaj i thuakan vëllazërisht?

Dita – ditës në shtëpi e shkollë
Lojën time e vjedh tinëzisht.
Kësaj i thuakan vëllazërisht?!..

Nga libri me poezi për fëmijë: Ujku e di një lojë, 1985).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.