AMERIKA – SHPALLJA E PAVARËSISË DHE DEKLARATA E PAVARËSISË

0
USA - Declaration of Independence

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe janë shpërblyer nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, midis të cilave bëjnë pjesë jeta, liria dhe synimi për të qenë fatlumë – Thomas Jefferson

Deklarata e pavarësisë e Amerikës (The Declaration of Independence) është deklaratë të cilën e nënshkruan në Filadelfi (Philadelphi) 13 koloni britanike të deriatëhershme në Botën e re. Me këtë ata e shpallën pavarësinë e vet, duke i sqaruar njëherazi edhe arsyet e një hapi të tillë. Në Deklaratë u theksua e drejta për revolucion, d.m.th. e drejta dhe detyra e çdo populli ta ndërrojë apo ta flakë pushtetin tiranik shtypës. Deklarata u konfirmua nga Kongresi më 4 korrik 1776 dhe u bë akt konstitutiv i ShBA-së, d.m.th. akt i parë kushtetues i saj. jo ditë në ShBA festohet si Ditë e pavarësisë. Pavarësisë e ish-kolonive të veta, Britania e Madhe e njohu më 3 shtator 1783. Në ShBA 4 korriku festohet si Ditë e pavarësisë për arsye se atë ditë të vitit 1776 u votua Deklarata e famshme e pavarësisë me të cilën shtetet amerikane u shkëputën nga Britania e Madhe.

Në kohën e nënshkrimit të Deklaratës, Shtetet e Bashkuara përbëheshin prej 13 kolonive të cilat ishin nën sundimin e mbretit anglez Xhorxhit III (George III). Për shkak të tatimeve që i paguheshin Anglisë, pakënaqësitë shtoheshin dita-ditës. Mbreti i Anglisë, për ta shuar rebelimin, dërgoi atje forca ushtarake të reja. Në vitin 1774, trembëdhjetë koloni i dërguan në Filadelfi delegatët e vet për të themeluar Kongresin e Parë Kontinental. Delegatët nuk ishin të kënaqur nga Anglia, por ende nuk ishin të gatshëm t’i shpallnin luftë asaj. “The British are coming, the British are coming” (“Vijnë britanikët, vijnë britanikët”), ishin fjalët me të cilat industrialisti amerikan Paul Revere (1734-1818), natën e 18 prillit të vitit 1775, duke kalëruar nëpër rrugët e Konkordit (Concorde)Massachusetts, paralajmëronte për përparimin e ushtrisë britanike drejt këtij qyteti.

Në maj të viti të ardhshëm, 1776, kolonitë përsëri i dërguan delegatët e vet në Filadelfi, në Kongresin e Dytë Kontinental. Gjatë tërë vitit paraprak, Kongresi u përpoq t’i zgjidhë dallimet me Anglinë. Në qershor të vitit 1776 u bë e qartë se përpjekjet e tyre janë të kota, kështu që u emërua këshilli për hartimin e Deklaratës së pavarësisë. Në këshill hynë Xhon Adams (John Adams)Benxhemin Frenklin (Benjamin Franklin)Robert Livingstën (Robert Livingston)Roxher Shirmen (Roger Sherman) dhe Tamës Xhefersën (Thomas Jefferson).

*   *   *

Tomas Xhefersonit (Thomas Jefferson) të ri, por elokuent, iu besua roli i hartuesit të Deklaratës, për shkak “të rrjedhshmërisë së jashtëzakonshme të shprehjes”. Kah fundi i qershorit u paraqit projekti i parë i Deklaratës. Në ditët në vijim u përfshinë disa ndryshime dhe më 2 korrik, në orët e vona të paditës, u mbajt votimi. Prej 13 kolonive, dymbëdhjetë votuan “për”, duke përfshirë Pensilvaninë (Pennsylvani), Karolinën Jugore (South Carolin) dhe Delauaren (Delaware), të cilat më herët, për arsye të ndryshme, kishin votuar “kundër”. Vetëm Nju-Jorku* (New York) nuk kishte leje për të votuar “për”, ndaj delegacioni i tij u përmbajt, d.m.th. abstenoi. Do të marrë miratimin e Kongresit Krahinor të Nju-Jorkut, vetëm pas një jave. Më 4 korrik 1776, më tepër se një vit nga fillimi i luftës për pavarësi, Deklarata u aprovua. Teksti i Deklaratës ishte shkruar me dorë, me një shkrim të bukur.

Në këtë tekst e vuri nënshkrimin e vet kryetari i Kongresit Kontinental Xhon Henkok (John Hancock). Shkronjat e tekstit ishin të mëdha në mënyrë që, siç kishte thënë me ironi Henkoku (Hencock), “mbreti Xhorxh III (George III) të mundë t’i lexonte edhe pa syze”. Pas dy ditëve, më 6 korrik 1776, Philadelphia Evening Post e para e publikoi tekstin e Deklaratës. Më 8 korrik të atij viti, me britma plot entuziazëm dhe me rrahjen e kambanave, ajo u lexua dy herë publikisht në sheshin e Filadelfisë e cila që atëherë e mban edhe emrin “Independence Square”.Edhe pse nënshkrimi plotë i Deklaratës nuk ishte kryer deri në gusht, katër korriku u caktua si datë zyrtare e nënshkrimit të saj dhe pas një viti, d.m.th. më 1777, Amerika e festoi ditëlindjen e vet të parë pikërisht më katër korrik.

*   *   *

Shënim: Nju-Jorkun e kanë themeluar holandezët dhe e kanë quajtur Nju Amsterdam.

*   *   *

Trashëgimia e Xhefersonit (Jefferson) është e trefishtë. E para, e artikuloi mitin e parajsës agrareBotës së re që e ushqen dhe e frymëzon imagjinatën e kombit që nga ato kohë të vjetra. Qytetet dhe industrinë, Xhefersoni i shikonte me po aq dyshim sa edhe autokracinë. Kontributi i dytë më i madh i tij ishin të drejtat e shteteve. Ky koncept nuk ishte i tij, por ai ia dha vulën e autoritetit të madh të tij. Dhurata e tretë e Xhefersonit për Amerikën ishte dokumenti me të cilin u përkufizuan parimet themelore të shtetit. Si autor kryesor i atij dokumenti, d.m.th. i Deklaratës së pavarësisë, Xhefersoni nuk synonte origjinalitetin, por arsyen e shëndoshë. Puna e tij reflektonte besimin e iluminizmit në arsyen njerëzore.

Një pjesë e madhe e Deklaratës së pavarësisë përbëhet prej një sërë ankesash dhe kundërshtimesh ndaj kurorës mbretërore britanike. Dy qëndrime, të nënvizuara me penel, ndodhen në fund dhe në fillim të Deklaratës. Ky që ndodhet në fund të dokumentit flet për kolonitë të cilat guximshëm e shpallin pavarësinë e vet, ndërsa në fillim të dokumentit Xhefersoni e përkufizon qeverinë popullor.

Në Deklaratë Xhefersoni mbron “të drejtat e vetëkuptueshme”: “Këto të vërteta ne i konsiderojmë të vetëkuptueshme: të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe janë shpërblyer nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, midis të cilave bëjnë pjesë jeta, liria dhe synimi për të qenë fatlumë. Për t’i ruajtur këto të drejta, ndër njerëz vendoset pushteti i cili ushtron autorizimet e veta të drejta që burojnë nga pëlqimi i atyre mbi të cilët ushtron pushtet. Kurdo që cilado formë e pushtetit bëhet shkatërrimtare për qëllimet e sipërthëna, atëherë është e drejtë e qytetarëve që ta ndryshojnë apo ta braktisin atë dhe të vendosin pushtet të ri, i cili do të bazohet në ato parime dhe do t’i ushtrojë autorizimet e veta në mënyrë të tillë që do të jenë më të përshtatshme për arritjen e sigurisë dhe të fatit të tyre”.

Sipas Xhefersonit, “në qoftë se qeveria nuk u përgjigjet dhe nuk u shërben nevojave tuaja, ju mund ta flakni atë dhe të vendosni një qeveri tjetër”. Kjo pikëpamje mbase ishte e vetëkuptueshme për Tomas Xhefersonin, por edhe për bashkëkohësit e tij. Rëndësia historike e luftës amerikane për pavarësi qëndron pikërisht në faktin se këto ide radikale i dëshmonte në zjarrin e fushëbetejës. I vërtetë është edhe fakti se nevojitej edhe një luftë tjetër – ajo civile*, në mënyrë që edhe zezakët të zinin vend në rubrikën “të gjithë njerëzit”. Nevojiteshin edhe pesëdhjetë vjet të tjerë për t’u shembur paragjykimet mashkullore që midis “të gjithë njerëzve” të përfshiheshin edhe gratë. Por, përcaktimi i modelit është meritë e Tomas Xhefersonit. Me fjalë dhe fraza sublime (të larta, fisnike, të madhërishme), të paharruara, Xhefersoni mbolli bindjet në mendjet dhe në zemrat e popullit amerikan.        

Filozofinë politike të deklaratës, qysh para Xhefersonit, e paraqiti filozofi dhe empiristi anglez i cili studioi në Oksford, Xhon Lok (John Locke, 1632-1704) si dhe disa filozofë të tjerë evropianë. Këtë filozofi Xhefersoni e përmblodhi te “Të vërtetat e vetëkuptueshme”, duke i sqaruar vërejtjet dhe kundërshtimet ndaj mbretit britanik Xhorxhi III (George III), me qëllim që ta arsyetojë para botës shkëputjen e lidhjeve ndërmjet vendit amë dhe kolonive.

Më vonë, Abraham Linkolni* (Abraham Lincoln, 1809 – atentat, 15.04.1865), Deklaratën e pavarësisë e konsideronte bazë të filozofisë politike të vet dhe thoshte se ajo është deklaratë e parimeve nëpërmjet të cilëve duhet interpretuar Kushtetutën e ShBA-së.

Deklarata e pavarësisë e ShBA-së e frymëzoi luftën për të drejta të popujve të margjinalizuar në mbarë botën.                       

Deklarata e pavarësisë pothuajse fjalë për fjale i ka marrë formulimet e filozofit të madh Xhon Lokut (John Lock), kurse vetë ajo e ka frymëzuar Deklaratën për të drejtat e njeriut nga Revolucioni francez.

Kolonitë e atëhershme që e nënshkruan Deklaratën e pavarësisë: Nju-Hempshir (New Hampshire); Masaçusets (Massachusetts); Rod (Rhode); Island (Island); Konektika (Connecticut); Nju-Jork (New York); Nju-Xhersi (New Jersey); Pensilvania (Pennsylvania); Dilever (Delaware); Merilend (Maryland); Virxhinia (Virginia); Karolina e Veriut (North Carolina); Karolina e Jugut (South Carolina); Xhorxhia (Georgia).

Shënim:

Xhon Adams (John Adams, 1735-1826) – politikan amerikan, president i dytë i ShBA-së, u shkollua në Universitetin e Harvardit (Harvard University);

Benxhemin Frenklin (Benjamin Franklin, 1706-1790) – burrë shteti amerikan, filozof, fizikan, ekonomist, shkrimtar. Vite me radhë u preokupua me demokratizmin e Kushtetutës dhe me heqjen e skllavërisë. Është shpikës i rrufepritësit;

Robert Robert Livingstën (Robert Robert Livingston, 1746-1813) – politikan amerikan, diplomat, avokat, u shkollua në Universitetin Kolumbia (Columbia University);

Roxher Shirmen (Roger Sherman, 1721-1793) – burrë shteti amerikan, avokat, Baba themelues i ShBA-së;

Tomas Xheferson (Thomas Jefferson, 13.04.1743 – 04.07.1826) – burrë shteti amerikan, diplomat, avokat, arkitekt, filozof; i përket epokës së iluminizmit; autor kryesor i Deklaratës së pavarësisë; president i tretë i ShBA-së në vitet 1801-1809).

Pesë personalitetet e sipërthënë janë Baba themelues të Shteteve të Bashkuara (Founding Father of the United States). Etër themelues të ShBA-së janë edhe:

Xhorxh Uashingtoni (George Washington, 1732-1799) – oficer i lartë i ushtrisë amerikane; burrë shteti, president i parë i ShBA-së;

– Aleksandër Hamilton (Alexander Hamilton, 1755 ose 1757 – 1804) – ekonomist amerikan, teoricien politik dhe i pari sekretar i Financave i ShBA-së;

– Xhon Xhej (John Jay, 1745-1829) – burrë shteti amerikan, patriot, diplomat; u shkollua në Universitetin Kolumbia (Columbia University);

– Xhejmz Medison (James Madison, Jr.; 1751-1836) – burrë shteti amerikan, diplomat, president i katërt i ShBA-së në vitet 1809-1817);

– Xhon Henkok (John Hencock, 1737-1793) – burrë shteti amerikan, patriot prominent (i shquar), u shkollua në Universitetine Harvardit.

*   *   *

Shënim: Abraham Linkol (Abraham Lincoln, 1809 – atentat, 15.04.1865) – Avokat dhe politikan; kryesisht autodidakt; më 6 nëntor 1860 u zgjodh president i ShBA-së, i 16-ti me radhë; ishte i pari president i Partisë Republikane; para zgjedhjeve presidenciale, shtatë shtete u tërhoqën nga Unioni dhe formuan Shtetet Konfederale të Amerikës; zgjedhjet i fitoi në saje të mbështetjes së plotë nga veriu amerikan; para se të zgjidhej, udhëheqësit e shteteve të jugut deklaruan se në rast fitoreje të Linkolnit, ata do të dalin nga Unioni; prej 996 komunave të jugut, Linkolni fitoi vetëm në dy sosh; në kohën kur ishte president, shpërtheu në Amerikë lufta civile. Ia doli të ruajë Unionin; e çeli rrugën për heqjen e skllavërisë; e forcoi qeverinë federale; e modernizoi ekonominë. Linkolni u rizgjodh president më 4 mars 1864.

Mbrëmjen e 14 prillit të viti 1865, pa truprojën e tij Uard Hil Lamon (Ward Hill Lamon, 1828-1893), Linkolni shkoi në teatër për të parë komedinë muzikore “Kushëriri ynë amerikan” (Our American Cousin, 1858) të dramaturgut, zhurnalistit dhe biografit anglez Tom Tejlor (Tom Taylor, 1817-1880). Komedia shfaqej në Teatrin Ford (Ford’s Theatre) në Uashington D.C. Presidenti ishte ulur në lozhë. Aktori i njohur Xhon Uilks But (John Wilkes Booth, 10.05.1838 – 26.04.1865) kishte mundur të depërtojë në pjesën e pasme të ballkonit ku ndodhej i ulur presidenti. Diku kah mesi i shfaqjes, e qëllon Linkolnin me një plumb në kokë. Vdiq pas një kome 9-orëshe, më 15 prill 1865, në orën 07:22. Pas 12 ditësh, atentatori 27-vjeçar, ithtar i jugut të Amerikës, u vra nga organet e shtetit, në një  stallë ku ishte fshehur.

Shënim: Lufta Civile Amerikane (American Civil War, 12.04.1861 – 09.04/1865) ishte luftë civile në ShBA. Shpërtheu për shkak të formimit dhe shkëputjes së Konfederatës së Shteteve Amerikane. Njëmbëdhjetë shtete skllavopronare të jugut e shpallën shkëputjen e vet nga ShBA-ja dhe formuan Konfederatën. Njëzet e pesë shtetet e tjera e mbështetën qeverinë federale (Unionin). Pas katër vjet luftimesh që u zhvilluan kryesisht në shtetet e jugut, Konfederata u dorëzua, ndërsa skllavëria u hoq tërësisht.

Revolucioni amerikan (American Revolution, 1775/76 – 1783) – ka qenë një prej luftërave çlirimtare më të mëdha. U zhvillua ndërmjet Britanisë së Madhe (Anglisë) dhe 13 kolonive të saj në Amerikën Veriore. Përfundoi në vitin 1781, por ShBA-ja u themelua pas arritjes së Marrëveshjes së paqes të Parisit të nënshkruar më 3 shtator 1783 nga përfaqësuesit e mbretit të Britanisë së Madhe, Xhorxhit III (George III) dhe përfaqësuesve të ShBA-së. Kushtetuta e ShBA-së u miratua në vitin 1789.


TEKSTI I DEKLARATËS SË PAVARËSISË

“Deklarata e pavarësisë, Kongres, 4 korrik 1776

Deklaratë unanime e 13 shteteve të bashkuara të Amerikës

Kur gjatë historisë njerëzore bëhet e domosdoshme për një popull t’i shkëpusë lidhjet politike që e kanë lidhur me dikë tjetër dhe të zërë një vend të veçantë dhe të barabartë në mesin e të fortëve në botë, për të cilën i japin të drejtë ligjet e natyrës dhe të Zotit Natyror, respektimi i domosdoshëm i mendimit të njerëzimit kërkon prej tij t’i tregojë arsyet që e shtyjnë atë të ndahet. Këto të vërteta ne i konsiderojmë evidente: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se janë shpërblyer nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, midis të cilave bëjnë pjesë jeta, liria dhe synimi për të qenë fatlumë.

– Për t’i siguruar këto të drejta, qeveritë e vendosura ndër njerëz, pushtetet e veta legjitime i bazojnë në pëlqimin e atyre mbi të cilët sundohet.

– Po qe se  ndodh që një formë e caktuar e qeverisë të bëhet pengesë për realizimin e këtyre objektivave, atëherë është e drejtë e popullit ta ndërrojë apo ta suprimojë atë, të formojë qeveri të re e cila do të mbështetet në parime të tilla dhe ta organizojë pushtetin e vet asisoj që të ndikojë më së miri në sigurinë dhe në lumturinë e popullit.

– Urtësia e kërkon që qeveritë e formuara më parë, nuk do të duhej ndërruar për arsye të parëndësishme dhe kalimtare; edhe përvoja dëshmon se kur të këqijat janë të durueshme, njerëzit janë më të prirë të durojnë, sesa ta evitojnë padrejtësinë duke e suprimuar formën e pushtetit me të cilin janë mësuar.

– Por, kur një sërë keqpërdorimesh dhe uzurpimesh, që vazhdimisht i shkaktojnë dëm të njëjtit objekt, e që kryhen për t’i vënë njerëzit nën një despotizëm absolut, atëherë është e drejtë dhe detyrim i këtyre njerëzve që një qeveri të tillë ta flakin dhe për një të ardhme të sigurt të vet, të caktojnë roje të reja.

– E tillë ka qenë vuajtja plot durim e këtyre kolonive, e tillë është tani nevoja që i shtyn për ta ndryshuar formën e hershme të pushtetit të ushtruar mbi to. E kaluara e mbretit të tanishëm të Britanisë së Madhe është një histori shkeljesh dhe uzurpimesh të vazhdueshme, me synimin e drejtpërdrejtë që ndaj këtyre shteteve të vendoset një tirani absolute. Për ta dëshmuar këtë, botës së sinqertë duhet t’ia paraqesim këto fakte: Kërkesën e tyre, tejet të dobishme, tejet të domosdoshme dhe në të mirë të përgjithshme, e ka hedhur poshtë me anë të ligjeve. Ua ka ndaluar guvernatorëve të tyre të miratojnë ligje të një rëndësie të drejtpërdrejtë dhe urgjente apo e ka pezulluar hyrjen e tyre në fuqi derisa të japë pëlqim vetë ai. Ligjet kanë mbetur të pezulluar për arsye se ai fare nuk çanë kokën për ta. Refuzoi t’i miratojë ligjet e tjera për ardhjen e një numri të madh njerëzish, përveç nëse këta njerëz heqin dorë nga e drejta e përfaqësimit në organin ligjvënës, e drejtë kjo, që për ata ka një rëndësi të madhe, por që për vetë tiranin paraqet rrezik dhe tmerr.

Për t’i lodhur dhe për t’iu nënshtruar masave të tij, organet ligjvënëse i thirri në vende të pazakonshme dhe të papërshtatshme, e që ndodhen larg vendeve ku ruhen aktet publike të tyre. Disa herë i ka shpërndarë Dhomat e Përfaqësuesve për shkak të kundërshtimit tejet të fuqishëm të shkeljeve të të drejtave të njeriut prej tij. Vazhdimisht ka refuzuar që pas një shpërndarjeje të tillë, të zgjidhen të tjerë, me çka forcat ligjvënëse të pamposhtura do t’i viheshin në dispozicion mbarë popullit. Ndërkohë, shteti i nënshtrohej  rrezikut nga ndonjë invadim i jashtëm, por dhe tronditjeve të brendshme. Synonte të parandalojë popullzimin e këtyre shteteve; për këtë qëllim i bënte obstruksion Ligjit për dhënien e shtetësisë të huajve; refuzonte të miratojë ligje të tjera që do t’i nxitnin ata për të migruar këtu; i ashpërsonte kushtet e përvetësimit të tokës.

Kryente obstruksion ndaj Ministrisë së Drejtësisë, duke refuzuar të japë pëlqim për ligjet mbi themelimin e gjyqësisë. I bëri gjyqtarët të varur vetëm nga vullneti i tij, duke i caktuar pozitat publike të tyre si dhe shumën dhe pagesën e pagave të tyre. Krijoi një mori pozitash publike të reja dhe dërgoi këtu grumbuj nëpunësish për ta keqtrajtuar popullin tonë dhe për ta zhvatur pasurinë e tij. Në kohë paqeje mbante te ne ushtri të përhershme, pa pëlqimin e legjislacionit tonë. Ushtroi ndikim që ushtria të jetë e pavarur nga pushteti civil dhe të ketë epërsi ndaj tij.

U bashkua me të tjerë që t’i nënshtrohemi një gjyqësie qepër kushtetutën tonë është e huaj dhe e panjohur për ligjet tona, duke dhënë pëlqim për aktet e tyre kinse legjitime: Për dislokimin e një numri të madh trupash të armatosur në vendin tonë; Për mbrojtjen e tyre, me gjykim të rrejshëm, nga dënimi për çfarëdo vrasje që do të kryenin ndaj banorëve të këtyre shteteve; Për shkëputjen e lidhjeve tona tregtare me të gjitha anët e botës; Për caktimin e tatimit, pa pëlqimin tonë; Për mohimin e shpeshtë të dobisë sonë nga gjykimet para porotës; Për transportin e popullatës sonë përtej detit, që të gjykohen për gjoja kundërvajtje; Për suprimimin e sistemit të lirë të ligjeve angleze në Provincën fqinje, vendosja e pushtetit arbitrar në atë vend dhe zgjerimi i kufijve të pushtetit të tillë; njëherazi, kjo shërben si shembull dhe është mjet i përshtatshëm për aplikimin e të njëjtit rregull absolut në këto koloni; Për marrjen e kartave tona, abrogimin e ligjeve tona më të çmueshme dhe ndryshimin rrënjësor të formave të qeverive tona; Për pezullimin e organeve tona ligjvënëse dhe dhënien e kompetencave organeve të tyre që në çfarëdo rasti të nxjerrin ligje në emër tonin. Ka hequr dorë nga qeveria e këtushme, duke shpallur se jemi jashtë mbrojtjes së tyre dhe duke ndërmarrë luftë kundër nesh.

I plaçkiti detet tona, i shkretoi brigjet tona, i dogji qytetet tona, shkatërroi jetën e popullit tonë. Në këtë çast, ai është duke transportuar një ushtri të madhe mercenarësh të huaj për ta përfunduar punën e vdekjes, të shkretimit dhe të tiranisë, që tanimë ka filluar në rrethana të vrazhdësisë dhe të dinakërisë që s’e gjen dot shembullin as në kohët më barbare. Si i tillë, ai është plotësisht i padenjë për të qenë në krye të një populli të qytetëruar. I ka detyruar bashkëkombësit tanë, të zënë robër në dete, të ngrenë dorë ndaj vendit të vet, të bëhen xhelatë të vëllezërve dhe të miqve të tyre. Ka organizuar kryengritje të brendshme midis nesh dhe është përpjekur që ndaj trashëgimtarëve të hapësirave tona t’i ngrit indianët e egër dhe të pamëshirshëm, rregulli luftarak i të cilëve është shkatërrimi që nuk njeh moshë, gjini as rrethana.

Në çdo fazë të këtyre shtypjeve, për zhdëmtim ne kemi lutur në mënyrën më përulëse: lutjeve tona gjithmonë na jeni përgjigjur vetëm me fyerje. Ai princ, karakteri i të cilit është caktuar me të gjitha veprat që janë karakteristike për një tiran, është i papërshtatshëm për të qenë sundimtar i një populli të lirë. Nuk e kemi lënë pa iu drejtua edhe vëllezërve tanë britanikë. Kohë pas kohe i kemi paralajmëruar për përpjekjet e legjislacionit të tyre për të shtrirë kompetencat e pajustifikueshme mbi ne. Ua kemi rikujtuar rrethanat e shpërnguljes sonë dhe të vendosjes këtu. I jemi drejtuar drejtësisë dhe zemërgjerësisë së tyre të lindur dhe kemi kërkuar që për hir të lidhjeve fisnore të përbashkëta, të heqin dorë nga uzurpimet, të cilat pashmangshëm do t’i ndërpritnin lidhjet dhe korrespondencën tonë. Ata ishin të shurdhët ndaj zërit të drejtësisë dhe të barazisë për nga gjaku. Për këtë arsye, ne medoemos të ballafaqohemi me pashmangshmërinë e dënimit të shkëputjes sonë dhe t’i konsiderojmë, siç e konsiderojmë pjesën tjetër të njerëzimit, armiq në luftë, miq në paqe.

Pra, ne si përfaqësues të shteteve të bashkuara të Amerikës, të tubuar në asamblenë e përgjithshme, i drejtohemi gjykatës më të lartë të botës: qëllimet tona janë të ndershme dhe të sinqerta dhe i zbatojmë në emër dhe me autoritetin e popullit të mirë të këtyre kolonive; shpallim dhe deklarojmë në mënyrë solemne se këto koloni të bashkuara kanë të drejtë të jenë shtete të lira dhe të pavarura dhe se ato janë të tilla, se ato janë të liruara nga çdo besnikëri ndaj Kurorës britanike dhe se të gjitha lidhjet politike ndërmjet tyre i shtetit të Britanisë së Madhe, janë shkëputur dhe medoemos të shkëputen tërësisht, se, si shtete të lira dhe të pavarura, kanë pushtet të plotë të zhvillojnë luftë, të lidhin paqe, të lidhin aleanca, të vendosin tregti, të marrin të gjitha vendimet dhe të bëjnë çdo gjë tjetër që kanë të drejtë të bëjnë shtetet e pavarura. Dhe në shenjë përkrahjeje të kësaj Deklarate, duke u mbështetur fuqimisht te mbrojtja nga providenca hyjnore, ia premtojmë njëri-tjetrit jetët tona, fatin tonë dhe nderin tonë të shenjtë”.

Shënim: Deklarata e pavarësisë është përkthyer nga Prof. Xhelal Zejneli.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.