Shkruan: Don Robert Kola
Zjarri: vallja e misterit të jetës
Zjarri është frymëzimi zanafillor i njeriut. Me fillimin e zotërimit të zjarrit, ai bëhet edhe drita e vatrës së tij. Vatra e njeriut bëhet tempull i zjarrit dhe njeriu bëhet roja e tij. Nga vatra e zjarrit, njeriu thur ëndrrat dhe përflaket vizioni mbi misterin e jetës. Të rrëmbejë zjarrin është ëndrra e pushtetit të njeriut, por edhe të rrëmbehet nga zjarri, është përmallimi i shpirtit të tij.
Simboli i zjarrit është rrëmbyes, si vetë trajta e zjarrit. Zjarri çdo gjë që përfshin e përshkon në flakë, pa u përshkuar vetë në asgjë tjetër, pos flakës. Shndërron çdo lëndë që përfshin në zjarr, pa u shndërruar trajta e tij. Përpin, por nuk përpihet. Përmbush, por nuk zbrazët. Kallë, por nuk digjet. Në vallen e trajtës së zjarrit, njeriu gjakon të përmbushë dhe të përsosë edhe vallen e jetës. E vallja është festa e parë e njeriut. Ajo kryhet rreth zjarrit dhe i paraprin këngës. Vallja shquan lartësimin e mishit dhe të shpirtit në trajtën e zjarrit. Vallja e jetës së njeriut është valle e puthitjes me zjarrin. Ajo është themeli i breznisë njerëzore. Brez zjarri është breznia njerëzore.
Vallja, kënga dhe poezia e njeriut janë shtigjet që thurin përmallimin e tij me puthitjen e zjarrit. Profecia është përmbushja e thurjes së shtigjeve të njeriut me zjarrin e pashuar.
Si rrallë ndër poezitë që hasim, rreth përflakjes me zjarrin që tejfiguron jetën dhe krijesën është edhe poezia e Th. Eliot-it. Cikli i poezisë së tij, nuk përmbyllet me “Tokën e shkretë,”[1] por me vargjet e “Katër kuarteteve,” rreth këngës së kurorëzimit mes zjarrit dhe lules, në një kurorë të vetme. Rreth saj, poeti na dhuron vargje të rralla:
Dhe çdo gjë do të shkojë mirë
E gjithë çka do t’shkojë për së mbari
Kur gjuhët e zjarrta të bashkohen
Në kurorëzimin e nyjës së zjarrit
Dhe zjarri e lulja do jenë një gjë e vetme.
Në palcën e zjarrit, palca e lules! Ja misteri i shugurimit që kurorëzon zjarrin dhe lulen në një gjë të vetme. Çka poezia heton, përmbushet nga profecia.
“Zjarr prej Zjarrit”
Në himnin e Kishës, që i lartësohet Shpirtit Shenjt, në lavdet e mëngjesit të ditës së Rrëshajave, hasim vargun i cili thotë, se Ai vjen:
Pa djegur, por duke shndritur;
pa shkatërruar, por duke ndriçuar.[2]
Në një varg tjetër, në himnin e liturgjisë së lavdeve, thuhet:
Nga drita e Atit
i bukuri zjarr jetëdhënës,
parzmat besnike ndaj Krishtit
i mbushi me flakë të fjalës.[3]
Pra, Zjarri i Shpirtit Shenjtë është zjarr që përflak krijesën, pa e shkrumbuar dhe pa e cenuar palcën e saj. Ai e lartëson, e shndrit dhe e tejfiguron krijesën me dritën e pashuar, në kurorën e Lavdisë së Hyjit.
Nga tradita e Kishës lindore, e cila është vatra e mistereve të përflakura nga zjarri i Shpirtit Shenjtë, hasim edhe këtë Tropar të mrekullueshëm, rreth misterit të Shpirtit Shenjtë:
Shpirti i Shenjtë është dritë dhe jetë,
dhe burim i gjallë shpirtëror: Shpirti i urtisë,
i mirësisë dhe i drejtësisë,
Shpirt mendor dhe zotëror, që paqëson mëkatet;
Perëndi dhe perëndimtar: Zjarr prej Zjarrit që flet,
që vepron edhe që përndan dhurata;
me anën e të cilit u kurorëzuan
Profetët, Apostujt dhe Dëshmitaret.[4]
Shpirti Shenjt është Zjarri shugurues, që shuguron me Zjarrin e pashuar të Lavdisë së Hyjit. Po shkëpus vetëm pak rreshta nga homelia e Shën Gregorit nga Nazianzeni. Ai para besimtarëve të tij, rreth misterit dhe veprimit të Shpirtit Shenjtë, ndër të tjera, thotë: “Shpirti Shenjt ishte, është, dhe do të jetë gjithmonë. Ai s’ka as fillim e as mbarim dhe s’ka munguar asnjëherë, por është gjithmonë i bashkërenditur dhe i bashkë numëruar me Atin dhe me Birin. (Mt 28, 19; 2 Kor 13, 13) Kurrë nuk përkonte që Biri t’i mungonte Atit, ose Shpirti Shenjt t’i mungonte Birit. Sikundër, jeta Hyjnore do të ishte e pa lavdërueshme deri në kulm, po sikur të arrinte bashkë plotësin nga pësimi i ndonjë ndërrimi.
Shpirti gjithmonë është pjesëmarrës (Zan 1, 1-3), pa u ngjitur në pjesëmarrjeje prej tjetrit, përkryen (τελειοῦν), pa u përkryer (ου τελειούμενον); përmbush, pa u mbushur; shenjtëron, pa u shenjtëruar; hyjnizon pa u hyjnizuar. Ai është gjithmonë i njëjtë në vetë vete, si ndaj Atit, po ashtu edhe ndaj Birit dhe qëndrojnë bashkë.
Është i padukshëm, s’ka as kohë, as hapësirë; është i pandërrueshëm, i pa cilësi dhe i pa sasi, i patrajtë dhe i paprekshëm, i vetë lëvizshëm dhe i pa ndalur, i vetë lirshëm, i vetë pushtetshëm dhe gjithëpushtetshëm. Edhe pse Ai i referohet Shkakut të Parë (Atit), gjithë ajo që i përket Birit, po ashtu i përket edhe Shpirtit Shenjt. Ai është jetë dhe jetëdhënës, dritë dhe udhëheqës i dritës, i mirë në vetë vete dhe burim i mirësisë. Është Shpirt i qëndresës (Ps 50, 14), udhëheq, dërgon, bashkon, ngrit për vetë tempullin, prin dhe frynë si do Ai, ndan karizmat, është Shpirti i bijësisë, i së vërtetës, i urtisë, i njohjes, i dijes, i shprestarisë, i këshillës, i forcës, i frikës.
Përmes Tij Ati njihet dhe Biri është i lavdëruar dhe Ai vetëm prej tyre njihet. E kemi fjalën, pra, për një përbashkësi të vetme, një kult të vetëm, një adhurim të vetëm, një pushtet të vetëm, një përsosmëri të vetme dhe një shenjtëri të vetme. Përse më duhet të zgjatem më shumë? Krejt çka është e Atit është edhe e Birit, pos palindësisë. Krejt çka është e Birit është edhe e Shpirtit Shenjtë, pos lindësisë. Këto veti nuk janë dallim që i përkasin substancës se vetme, por i përkasin dallimit të relacionit mes vetjeve.”[5]
Zbulesa: vatra e Zjarrit
Zbulesa e Shkrimit të Shenjtë është rrëfimi i shugurimit të krijesës me Zjarrin dhe Dritën e Shpirtit Shenjtë. Qysh nga drita e parë e krijimit të Zanafillës e deri të Apokalipsa, ku shfaqët Fytyra e Qengjit, që përflak mbarë krijesën me Dritën dhe Zjarrin e Lavdisë se pambaruar që vjen nga Fytyra e Tij, është zbulesa e Zjarrit që tejfiguron krijesën. Zbulesa e Hyjit është zbulesë e Zjarrit.
Moisiu e takoi Hyjin në malin Horeb, përmes kaçubës që ndizej flakë, por që nuk shkrumbohej. Moisiu kishte mbetur krejt i habitur nga ajo pamje:
Engjëlli i Zotit iu duk në flakën e zjarrit
në midis të një kaçube.
Kaçuba ishte ndezur flakë,
por nuk digjej.
Moisiu mendoi: ‘po afrohem të shoh
këtë dukuri të madhe: pse nuk digjet kaçuba?’
Kur Zoti e pa se po afrohet për të parë,
Hyji e thirri prej kaçubës dhe i tha:
‘Moisi, o Moisi!
‘Ai i përgjigji: Urëdho!’
Ai i tha ‘mos u afro këtu!
Hiçi sandalet prej këmbëve të tua,
sepse vendi në të cilin qëndron
është tokë e shenjtë.’ (Dal 3, 1-5)
Zjarri i Lavdisë së Hyjit është shtegu i eksodit. Nga zjarri që ndizte flakë kaçubën, por që nuk shkrumbohej, Mojsiu kundroi rrezen virgjërore edhe të lindjes së Virgjëreshës:
Ferrën e nxoniti Moisiu,
dhe lindjen e Virgjrës e mori vesh.[6]
Në saje të shfaqjes së dritës së Fytyrës së Hyjit, filloi eksodi i popullit kah toka e premtuar:
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet,
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
po e djathta jote dhe krahu yt
e drita e fytyrës sate. (Ps 44, 2)
Kënga e eksodit pas kalimit të Detit të Kuq (shih: Dal 15, 1-18), s’ka të ndalur. Ajo përkryhet në eksodin e lavdisë së pambaruar të Hyjit përmes Mishërimit. Kraharori i Virgjrës Mari, do të përshkohet nga Zjarri i Lavdisë së Shpirtit Shenjtë dhe Ajo do të ngjizë dhe do të lindë: “trëndafilin e pa fishkur.”[7] Përmes Frytit të kraharorit të Saj, me Mishërimin dhe Ngjalljen e Jezu Krishtit, lartësohemi në gjirin e Lavdisë së pambaruar të Hyjit.
Lavdia e Ngjalljes: vatra e Liturgjisë
Duke përshkuar vdekjen, Jezusi bëri që përmes Ngjalljes, të gurgullojë prej saj lumi i jetës. “Jeta gurgulloi nga varri, me kthjelltë se nga kraharori i shporuar, me jetëdhënëse se nga kraharori i Virgjrës Mari. Aty ku as në varr, nuk shuhet etja e njeriut, Hyji erdhi dhe e mblodhi me etjen e vet. S’është më vetëm etja që kërkon Burimin, është Burimi që bëhet etje dhe gurrë.
Lumi i Jetës ishte i shtrirë në përuljen e kenozës së trupit të vdekshëm të Jezusit dhe duke përshkuar vdekjen, bëri të gurgullojë Jeta nga dheu i ynë, në trupin e pa shkatërrueshëm të Krishtit. Varri mbetët shenja e skajshme e dashurisë, ku Fjala kurorëzohet me mishin tonë dhe nuk është me vendi që mban Trupin e tij: ‘nuk është këtu” ngulmonin të tre Sinoptiket […] Në Jezu Krishtin, pamja e Atit për njeriun përkryhet: ‘Ti je Biri im, unë sot të linda.’
Në këtë ditë të lindjes, lumi i Jetës, i shtrirë nga varri deri tek ne në Trupin e pa shkatërrueshëm të Krishtit, është bërë Liturgji […] Përpara lumi i Jetës ishte në kenozë në Trupin e tij i fshehur dhe i kufizuar sikur i Adamit, Jezusi ishte “shpirt i gjallë.” Mirëpo, kur u ngrit nga varri u bë: “shpirt jetëdhënës” (πνεῦμα ζῳοποιοῦν). (1Kor 15, 45)
Përmes Ngjalljes se Jezu Krishtit natyra njerëzore e tij u bashkua me Atin, dhe në Trupin e tij shkëlqen Lavdia e Hyjit. I bashkuar me Burimin, ai dhuron Jetën (krhs. Gjn 5, 20-26). Lumi i Jetës tani buron nga Froni i Hyjit dhe nga Qengji. Liturgjia lindi dhe Ngjallja e Jezusit është gurgullima e saj e parë.”[8]
Fryti i parë i Ngjalljes së Jezu Krishtit është dhurimi i Shpirtit Shenjtë. Përmes Ngjalljes së Jezu Krishtit, Kisha qëndiset me zjarrin e lavdisë së Shpirtit Shenjtë. Liturgjia e Kishës gjithë burimin e dritës se saj e merr nga kremtimi i kujtimit të vdekjes, ngjalljes dhe ardhjes së tij me lavdi.
Gjiri i Kishës: përflakje më Zjarrin e Lavdisë
Festa e Rrëshajave në Kishë quhej edhe: “Pasqua rosada.” Në traditën e Kishës Lindore, gjatë kremtimit të Rrëshajave hidheshin petale të luleve që binin mbi besimtarët si flakëza zjarri. Kjo traditë mori hov sidomos në traditën Perëndimore gjatë Mesjetës dhe ruhet edhe sot në shumë vende. Në Romë, nga kuba e hapur e Panteonit, kur fillon procesioni i kremtimit të Meshës, derdhin mbi besimtarët e pranishëm, petale të trëndafilave që bien nga lartë mbi besimtarët.
Shën Gregori i Nazianzenit gjatë një homelie të mbajtur në festën e Rrëshajave, porosiste besimtarët e vet se si festa e Rrëshajave duhet të kremtohet, sipas pëlqimit të Shpirtit Shenjtë: “S’ka gjë me të bukur e që i fal gëzimin atij që e do të bukurën, se sa kur i duam festat dhe festimet sipas Shpirtit Shenjt. Të ndalemi pak dhe të shqyrtojmë.
Hebrenjtë festojnë, por sipas shkronjës: janë të përqendruar në ligjin material dhe s’kanë arritur ende tek ligji sipas shpirtit. Po ashtu edhe Grekët festojnë, por sipas trupit dhe në përputhje me hyjnitë dhe demonët e tyre: e para shquan pasionet e tyre, e dyta, shquan nderimi ndaj tyre për pasionet e ngritura. Kremtojmë edhe ne, por sipas pëlqimit të Shpirtit Shenjtë (Eορταζομεν και ήμεις, αλλ’ ώς δοκεί τώ Πνεύματι).”[9]
Me ardhjen e Shpirtit Shenjtë, gjiri i Kishës përflaket nga Zjarri. Ai përkryen lavdin e Ngjalljes në misteret që Kisha kremton.
Si rrallë kush, Shën Efraimi nga Syria thuri vargje të përflakura, rreth mistereve të kremtuara. Ai u quajt nga tradita e Kishës me të drejtë: “Harfa e Shpirtit Shenjtë.” Ja një pjesë nga teksti i tij i përflakur nga Zjarri i mistereve që Kisha kremton:
Shih, Zjarri dhe Shpirti në kraharorin e asaj që të mbarti.
Shih, Zjarri dhe Uji janë në lumin në të cilin je pagëzuar.
Zjarri dhe Shpirti janë në gurrën tonë të pagëzimit,
Në Bukën dhe në Kelkun është Zjarri dhe Shpirti Shenjt.[10]
Në lutjen e dytë eukaristike, mbi shugurimin e bukës dhe të verës, Kisha lutet që ato të shenjtërohen me vesën e Shpirtit Shenjtë:
Haec ergo dona, quaesumus
Spiritus tui rore sanctifica.[11]
Në Eukaristi kurorëzohet vesa dhe zjarri në një kurorë të vetme në Trupin e Krishtit. Në liturgjinë e Shën Gjon Gojaritit, pas kungimit me Korpin dhe Gjakun e Krishtit, besimtarët brohorasin:
Pamë dritën e vërtetë,
morëm frymën qiellore,
gjetëm besimin e vërtetë,
duke iu falur Trinisë së pandarë,
se ajo në shpëtoi.[12]
Misteret e kremtuara janë Fryti i Ngjalljes, që përflakin jetën e saj me Zjarrin e Shpirtit Shenjt. Duke u rreshtuar pas vargut të Shën Efraimit, mund të thuhet:
Kremtohet Pagëzimi: Zjarri i Shpirtit Shenjtë.
Kremtohet Eukaristia: Zjarri i Shpirtit Shenjtë.
Shugurohet meshtari: Zjarri i Shpirtit Shenjtë që përtërihet: “in visceribus eorum.”Kremtohet kurora e martesës: Zjarri i Shpirtit Shenjtë, që qëndis dashurinë e tyre.
Kremtohet homilia: përflakje me Zjarrin e Shpirtit Shenjtë.
Nga parzma e Kishës shpërthen edhe përflakja e dritës dhe e zjarrit të jetës mistike. Shën Gjoni i Kryqit: “më i shenjti i poetëve dhe poeti i shenjtërve” e dëshmon, si rrallë kush tjetër, përflakjen e jetës mistike me Zjarrin e Shpirtit Shenjtë, sidomos me veprën: “Flaka e gjallë e dashurisë”. I përfshirë dhe i lartësuar nga zjarri i dashurisë, përmes Zjarrit të Shpirti Shenjtë, ai këndon:
O flakë e gjallë e dashurisë,
që me butësi plagos.[13]
Kjo flakë e gjallë e dashurisë është Shpirti Shenjtë. Ai është: “flaka e jetës hyjnore dhe plagos shpirtin me të njëjtën butësi të jetës së Zotit.”[14]
Strofa e fundit e këngës vjen edhe si kurora e flakës së dashurisë:
Në t’këndshmen frymën tënde,
plotë me të mirë e lavdi,
sa ëmbël me bën të dashuroj.
Shpirti Shenjt e përsos dhe e përkryen dashurinë në shpirtin tonë, duke hukatur po atë dashuri që përkon në vetë Hyjin: “Shpirti Shenjt, në të vërtetë, hukat në shpirt me të njëjtën përmasë me të cilën ai e kupton dhe e njeh Zotin […] Dukë e bërë atë të dashurojë me një përsosmëri dhe ëmbëlsi që përkon me Të.”[15]
“Zjarr prej Zjarrit” është Shpirti Shenjt, që në zjarr dashurie shndërron.
[1] T. S. ELIOT, Toka e shkretë. E Mërkura e Përhime. Katër kuartete, Zgjodhi dhe përktheu Gentian Çoçoli, Aleph, Tiranë 2017, f. 110. Përkthimi në shqip i vargut ndjek versionin nga A. M. Tamburini. Shih: A. T. TAMBURINI, Poesia e profezia, në Osservatore romano, 22 gusht 2022. Cituar sipas: www.osservatoreromano.va.
[2] “Feria V Octavam Pentecoste,” në Breviarum Romanum. Cituar sipas SHËN GJONI I KRYQIT, Flaka e gjallë e dashurisë, përkth., Luket Hasaj, Botoi “Fjala Hyjnore, Prishtinë – Shkodër 2016, f. 42.
[3] Himni i Dielës së Rrëshajave, Ora e mesme, në Liturgjia e Orëve II, Botoi Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Tiranë – Shkodër – Prishtinë 2006, f. 875.
[4] E Diela e Rrushajave, në Triodi dhe Pesëdhjetorja, E përktheu Imzot Fan Stylian Noli, E botoj Peshkopata e Amerikës, Boston, Mass, 1952, f. 382.
[5] GREGORIO DI NAZIANZENO, Orazione 41. Per la Pentecoste, në Tutte le orazioni, a cura di Claudio Moreschini, Bompiani, Milano 2000, f. 991.
[6] Shërbesa e Himni Akathisti, Kënga VIII, në Triodi dhe Pesëdhjetorja, f. 108.
[7] Shërbesa e Himnit Akathisti, Kënga I, në Triodi dhe Pesëdhjetorja, f. 97.
[8] J. CORBON, Liturgia alla sorgente, Edizioni Paoline, Roma 1983, f. 46t.
[9] GREGORIO DI NAZIANZENO, Orazione 41, f. 981.
[10] SANT EFREM, Inni sulla fede, 10, 6. Cituar sipas S. BROCK, Sant Efrem e il suo “Mare di simboli,” në: www.amicidipadrebernard.org.
[11] Prex Eucharistica II, në MISALE ROMANUM, Editio Typica tertia, Libreria Editrice Vaticana 2002.
[12] E Diela e Rrushajave, në Triodi dhe Pesëdhjetorja, f. 374.
[13] SHËN GJONI I KRYQIT, Flaka e gjallë e dashurisë, f. 11.
[14] SHËN GJONI I KRYQIT, Flaka e gjallë e dashurisë, f.15.
[15] SHËN GJONI I KRYQIT, Flaka e gjallë e dashurisë, f. 139t.