
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Bashkimi i Forcave Ilegale Shqiptare në Vitin 1982
Në vazhdim të komunikatës, pas paraqitjes së programit politik, të qëndrimeve ideologjike dhe të objektivave strategjike, autorët ndaleshin edhe te çështjet organizative dhe te mesazhi që dëshironin t’i përcillnin opinionit ndërkombëtar. Këto pika përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të përpjekjeve të lëvizjes për të ndërtuar jo vetëm një organizatë të qëndrueshme politike, por edhe një mekanizëm të komunikimit publik dhe të ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare.
Në vazhdim do të paraqes tekstin e komunikatës:
K O M U N I K A T Ë
Përfaqësuesit e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ) dhe të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ) u mblodhën më 17 shkurt 1982 dhe zhvilluan bisedime përfundimtare për bashkimin e këtyre organizatave në një të vetme. Pas arritjes së bashkimit u vendos që organizatat të organizohen në Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi.
Në ndërkohë bisedime u zhvilluan edhe me përfaqësuesit e Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK) me të cilët bisedimet përfunduan më 15 maj 1982.
Me një shkallë të lartë të unitetit të mendimit përfaqësuesit e të tri organizatave me këtë rast pos tjerash, morën këto vendime e qëndrime:
- Që organizata e re të pagëzohet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi.
- LRSHJ-ja si front unik i rezistencës do të përfshijë në gjirin e saj të gjitha forcat patriotike e revolucionare të popullit shqiptar në Jugosllavi, si dhe të gjithë patriotët në mërgim, të cilët për shkak të dhunës dhe terrorit serbomadh janë detyruar t’i lënë trojet e veta të stërlashta.
- LRSHJ-ja do të luftojë për formimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, në të cilën duhet të përfshihen të gjitha territoret etnike shqiptare dhe për realizimin e këtij qëllimi do të shërbehet me të gjitha mjetet që lejon etika revolucionare.
Duke u nisur nga bindja politike dhe gjerë tek revolucioni i armatosur po qe se e kërkon nevoja.
- LRSHJ-ja është thellësisht e bindur se duke luftuar për Republikën Shqiptare në kuadrin e Federatës Jugosllave, si përfaqësuese e vetme e popullit shqiptar në shtetin jugosllav, LRSHJ-ja konsideron se lufta e saj e drejtë i shërben edhe forcimit të unitetit të federatës jugosllave, ruajtjes së paqes në Ballkan dhe stabilitetit të përgjithshëm në Evropë e më gjerë.
- LRSHJ-ja llogarit në ndihmën dhe përkrahjen e të gjitha forcave progresive të Jugosllavisë, të cilave u propozon luftë të përbashkët kundër forcave hegjemoniste, kolonialiste, shoviniste dhe forcave tjera reaksionare në Jugosllavi, të cilat kanë sot pozita dominuese në të gjitha strukturat e shtetit si të tilla paraqesin rrezik permanent për të ardhmen e Jugosllavisë për perspektivën e popujve që jetojnë në të dhe për paqen në këtë regjion:
- LRSHJ-ja me të gjitha forcat do të luftojë kundër çdo shovinizmi e separatizmi sepse edhe këto izma reaksionare që mund të paraqiten edhe tek ndonjë shqiptar e dëmtojnë unitetin e Jugosllavisë dhe vetvetiu edhe luftën e drejtë që bën populli ynë.
- LRSHJ-ja përshëndet qëndrimin e drejtë të të gjithë opinionit progresiv ndërkombëtar, që u solidarizua dhe po solidarizohet me kërkesën e drejtë të popullit tonë për Republikën e vet në kuadrin e Federatës jugosllave.
- Përshëndetet qëndrimi i PPSH dhe i qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së popullit shqiptar në Jugosllavi për konstituimin e Republikës së vet në kuadrin e Federatës Jugosllave, me çka dëshmojnë interesimin e vet për këtë pjesë të kombit dhe principialitetin e politikës së jashtme ndaj RSFJ, ku respektohen me përpikëri parimet e mos cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, mos përzierjes në punët e brendshme, respektimit reciprok dhe barazisë së plotë në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ruajtjes së fqinjësisë së mirë duke qenë gjithmonë në gatishmëri të plotë të mbrojnë interesat e pjesës së kombit brenda normave dhe ligjeve ndërkombëtare.
- LRSHJ-ja u bën thirrje të gjitha grupeve ekzistuese dhe individëve që luftojnë për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, që t’i bashkohen Lëvizjes për Republikë.
- LRSHJ-ja që tash distancohet nga të gjitha format e luftës që mbajnë erë terrorizmi dhe s’do t’ua shtrijë kurrë dorën e pajtimit individëve që i kanë duart e zhytura në gjakun popullit e lëvizjeve që nuk e zbatojnë e çojnë në dëm të popullit, gjithashtu Lëvizja s’do të bashkëpunojë asnjëherë me rrymat e organizata politike që mbajt vulën e tradhtisë , apo qëllimin ta rrezikojnë pavarësinë e RSFJ.
- Organi qendror i LRSHJ-së do të jetë “Zëri i Kosovës”.
- LRSHJ-ja ua bën me dije si OKB-së ashtu edhe qeverive të të gjitha shteteve që janë për paqe, liri dhe demokraci në botë, se pa iu njohur popullit shqiptar në Jugosllavi statusi i kombit dhe e drejta e patjetërsueshme e tij për Republikën e vet në kuadrin e federatës jugosllave, pa u liruar pa asfar kushti të gjithë të burgosurit politikë dhe pamundësimin e kthimit në vendlindja të të gjithë të mërguarve që luftuan për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi LRSHJ-ja nuk do të qetësohet kurrë:
– RROFTË REPUBLIKA SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI!
– RROFSHIN TË GJITHË POPUJT E RSFJ!
– RROFTË LËVIZJA PËR REPUBLIKË!
Komiteti Qendror i Lëvizjes për Republikën Shqiptare në RSFJ
Nga këndvështrimi historik, kjo pjesë e komunikatës është dëshmi e qartë e procesit të ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare gjatë viteve tetëdhjetë. Ajo tregon se lëvizja ilegale nuk e shihte më veten vetëm si një forcë opozitare brenda Jugosllavisë, por si një subjekt politik që kërkonte të fitonte vëmendjen dhe mbështetjen e opinionit ndërkombëtar.
Në të njëjtën kohë, ajo pasqyron besimin e veprimtarëve të kohës se e drejta për liri, barazi dhe vetëpërfaqësim kombëtar ishte pjesë e parimeve universale që duhej të mbroheshin jo vetëm nga vetë shqiptarët, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare në tërësi. Në këtë kuptim, këto pika të komunikatës përbëjnë një pasqyrë të qartë të ambicieve politike, të vizionit strategjik dhe të kulturës së rezistencës që karakterizoi lëvizjen kombëtare shqiptare në një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së saj moderne.
Vijon











