SKËNDER MUÇO, MARTIRI I ÇËSHTJES KOMBËTARE

0
Skënder Muço

Rreth veprës së Enver Memishaj “Dr. Skënder Muço, kontributi i tij politik dhe patriotik”,
(I mohuar nga komunistët) Tiranë 2025. Botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Në vitin 1994, Skënder Muços, ju dha dekorata më e lartë e Republikës së Shqipërisë: “Urdhëri i Flamurit Kombëtar të Klasit I” , me këtë motivacion: “Për merita të shquara në luftën për bashkimin dhe lartësimin e Kombit, për Unitetin Kombëtar, Lirinë dhe përparimin e Atdheut”.

Nga Laureta Petoshati

Në morinë e veprave studimore, që kanë të bëjnë me historinë, studiuesi Enver Memishaj, që shpesh boton si Enver Lepenica, dekoruar “Mjeshtër i Madh”, para pak kohësh botoi monografinë “Dr. Skënder Muço, kontributi i tij politik dhe patriotik”.Libri ka një parathënie nga dr. Bujar Leskaj dhe recensa dr. Dorian Koçi.

Studimi mjaft serioz e me vlera dhe i bazuar në dokumenta autentike, arshiva, gazeta, libra e dëshmi mbi avokat dr. Skënder Muçon, por dhe bashkëluftëtarët e tij, pasqyron portretin më të mirë të këtij patrioti e luftëtari antifashist, të kësaj figure shumë të rëndësishme në historinë shqiptare dhe me rol mjaft domethënës në fushën patriotike, politike dhe rezistencën ndaj pushtuesve nazistë dhe fashistë.

Në këtë monografi, si drita e diellit, kuptojmë se kush ishte dr. Skënder Muço, roli i tij si avokat gjatë periudhës së Zogut dhe mbi të gjitha në kohë të Luftës Antifashiste ishte shumë më i gjerë se profesioni në vetvete, sepse ai e vuri dijen, guximin dhe profesionin në shërbim të lirisë dhe pavarësisë kombëtare.

Ai u bë mbrojtës i të drejtave dhe lirive njerëzore. Si avokat i formuar në perëndim dhe konkretisht në Bolonjë, Skënder Muço përdori njohuritë e tij juridike për të kundërshtuar padrejtësitë dhe për të mbrojtur idealet e lirisë dhe të drejtësisë në Shqipëri, gjë që e tregoi në vitin 1932, kur u arrestua dhe u dënua me vdekje si pjesëtar i organizatës politike anti Zogiste, “Lëvizja e Fshehtë e Vlorës”.

Zoti Memishaj ka ditur të hedhë dritë për avokat, doktor Skënder Muçun si politikan, aktivist dhe udhëheqës i rëndësishëm në Luftën Antifashiste, kundër fashizmit e nazizmit. Në libër me anë të dokumenteve tregohet se ai që më 7 prill 1939, ditën e pushtimitai u bë pjesë e Lëvizjes Antifashiste me demonstratat kundër pushtimit fashist në krah të prof. Isuf Luzaj dhe arsimtarëve të shkollës Tregtare dhe më pas falë aktivitetit antifashist doli në udhëheqje të Luftës Antifashiste.

Zoti Memishaj ka provuar me anë të dokumenteve historik se Skënder Muçua dhe Hysni Lepenica ishin bashkëthemelues të organizatës nacionaliste Ballit Kombëtar dhe pas Konferencës së Mukjes një nga udhëheqësit e kësaj organizate.

Skënder Muço dhe Hysni Lepenica themeloi më 25 gusht 1939, Komitetin Qarkor të Ballit Kombëtar të Vlorës , organ ky që udhëhoqi Luftën Antifashiste, në Vlorë.

Autori i librit tregon mbi bazën e dokumenteve se Skënder Muçua dhe Hysni Lepenicës në shtator të vitit 1942 krijuan çetën e parë antifashiste në qarkun e Vlorës dhe e emëtuan “Shqiponja”.

Si një personalitet me vizion Skënder Muçua dhe major Azis Çami do të marrin pjesë në Konferencën e Pezës, dhe për këtë arsye Azis Çamo do të arrestohet e burgoset deri në prill të vitit 1943. Në Konferencën e Pezës dhe në atë të Mukjes ai vërtetë përfaqësonte Ballin Kombëtar, por në vetëvete ai ushtroi rolin e një avokati populli, duke u përfshirë drejtpërdrejt në luftën për çlirim të të gjitha trojeve shqiptare.

Autori i librit z. Memishaj nëpërmjet dokumenteve ka përshkruar se Skënder Muçua ishte në lëvizje në tokën shqiptare dhe mori pjesë, foli si orator i klasit parë dhe dha ndikimin e tij në Lëvizjen Antifashiste.

Prof. Abas Ermenji, diplomuar në Paris shkruan për Skënder Muçon: “Ish nga të parët që e kuptoi natyrën tiranike të lëvizjes komuniste, dhe mendoi se ajo lubi duhej shtypur me armë”

Kështu si një politikan vizionar për t’i bërë konkruencë Partisë Komuniste ai së bashku me Musine Kokalarin, Isuf Luzin, Xhevit Mëhilliin e patriot të tjerë themeloi më 2 tetor 1943 Partinë Socialdemokrate.

Në një kapitull të veçantë autori ka trajtuar bashkëpunimin e Ballit Kombëtar me misonet aleate anglo-amerikane, ku Skënder Muçua ishte i deleguar i Ballit Kombëtar, personalisht nga Mid’hat Frashëri, pranë këtyre misioneve.

Ai do të këmbëngule pranë misioneve dhe do të hartoi një Projekt Marrëveshja, që iu dorëzua misionit aleat në Gjirin e Gramës në Dukat duke vënë në provë sinqeritetin e këtyre të fundit dhe të shumë shteteve anëtare brenda aleancës. Në Gjirin e Gramës në atë kohë me Antoni Kueil (Anthony Quayle) ishte dhe serbo-amerikani Nik Kukiç, i njohur me pseudonimin “Galba”, që kryente detyrën e radio-operatorit. Në këto misione kishte edhe agjentë të dyfishtë, që përpiqeshin në interes të vendit të tyre dhe nuk pyesnin nëse vriteshin, apo digjeshin shqiptarët.

Më 20 mars të vitit 1944 me një anije që drejtohej nga një kapiten serb vjen misioni i katërt aleat që udhëhiqej nga togeri 26 vjeçar Xhejm Hadsën (James Hudson) me emrin e koduar “Bill”. Në këtë mision ai shoqërohej nga togeri shqiptaro-amerikan Tom Stefan me emrin e koduar “Art” dhe nënoficeri shqiptaro-amerikan, minoritar grek, Kosta Ruci. Pak ditë më vonë, pikërisht aty, më 25 mars 1944, avokati Skënder Muço do të takohej me Antoni Kueil-in. Do të ishte mbi të gjitha ky takim që do të na kujtonte shprehjen e Ismail Qemalit se “Fati i popujve të vegjël, kalon nepërmjet, dyerve të tragjedive të mëdha”, sepse këtu me anë të marrëveshjes së shkruar në bazë të ligjeve ndërkombëtare të kohës, ai tregoi haptaz muret e padukshme brenda kësaj aleance që kishte bashkuar armiq të përjetshëm si amerikanët me rusët dhe serbët e grekët me shqiptarët.

Bernd J. Fisher shkruan: “Më 21 nëntor 1943, një pamflet i Ballit Kombëtar, me shumë gjasë i shkruar nga Skënder Muço, sulmonte ashpër gjermanët dhe bashkëpuntorët shqiptarë si armiq barbarë. Skënder Muço kryetar i Ballit Kombëtar për krahinën e Vlorës dhe anëtar i këshillit të tij, u tregua i gatshëm të luftonte nën urdhërat e drejtpërdrejta të britanikëve, në rast se Londra do të ndihmonte për vënien nën kontroll të partizanëve”.( Bernd J. Fisher “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945”, Tiranë 2000, f. 253)

Kërkesat e Skënder Muços në Projek Marrëveshjen e hartuar kërcënonin interesat serbe, greke dhe ato ruse të pansllavizmit mbi territorin shqiptar. Kështu që mendohet se një nga variantet se kush e spiunoi Skënder Muçon te Gestapua gjermane janë agjentët e dyfishte në misionet aleate.

Arrestimi tij më 10 gusht 1944 dhe pushkatimi i tij nga Gestapua gjermane më 12 gusht 1944 së bashku me dy bashkëluftëtarët e tij dr.Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini , në afërsi të fshatit Bubullimë të Lushnjës, e bën atë martir i çështjes kombëtare, simbol të sakrificës së një intelektuali dhe avokati që vendosi atdheun përpara jetës personale.

Rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se sjell të gjallë një patriot, një politikan dhe udhëheqës të rëndësishëm të Luftës Antifashiste, për të cilin regjimi komunist kishte hedhur shumë baltë.

Shtëpinë ia dogjën fashistët, pasurinë që i mbeti, bagëtinë ia grabitën komunistët, sakrifikoi për atdheun të vetmen pasuri që i kish mbetur: jetën e tij, nga nazistët gjermanë.

Ky libër nuk duhet lexuar thjesht si monografi, pasi i kalon kufijtë e kësaj gjinie, aurori ka sjellë edhe 150 faqe me dokumente historike që botohen për herë të parë e ndriçojnë jo vetëm figurën e Skënder Muços, por edhe ngjarjet e Luftës Antifashiste

Z. Enver Memihsaj – Lepenica ka përshkruar mbi bazën e dokumenteve historike sesi Skënder Muçua u luftua sa qe gjallë, u sulmua edhe pas rënies si dëshmor i atdheut, u shpronësua dhe familja u persekutua, nga komunistët, që synonin pushtetin me ndihmën e serbëve.

Shërbimet e shquara Skënder Muço i solli vendit të tij si përfaqësues politik dhe ideologjik i një force demokratike si Partia Socialdemokrate që ai krijoi dhe doli në udhëheqje të saj.

Ai ishte zëdhënës i një ideologjie që kërkonte një Shqipëri të pavarur, demokratike dhe shteti ligjor. Ai ishte kundër totalitarizmit, atij fashist, atij nazist, si edhe atij komunist.

Heshtja vrastare e regjimit komunist ndaj kësaj figure madhore, lufta e klasave që iu bë familjes, tregon bashkëfajësi në krimin ndaj tij edhe pse u pushkatua nga gjermanët.

Ky libër është një homazh për këtë intelektual, për këtë mendje të ndritur, që unë do ta quaja avokatin e popullit shqiptar në kohë lufte.
Skënder Muçua e shkroi vetë me gjakë librin e jetës së tij, jo me pseudonimin Barcallai, por me emrin e tij të vërtetë. Mendoj se Skënder Muçua do të ishte krenar për këtë monografi kushtuar atij vetë dhe do ta falënderonte me shpirt Enver Memishën.

Për lidhjet e mia familjare, krahinore me të dhe për detyrimin intelektual ndaj kësaj figure, faleminderit dhe prej meje, i nderuar Enver Memishaj.

* * *

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, me vendimin nr. 355 datë 8.8.1994, ka shpallur dëshmorë të Atdheut: Skënder Daut Muçon, Zako Munin Mezinin dhe Yzeir Ismail Alimerko.

Dërgoi për publikim Enver Memisha

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.