GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-së (41)

0
Sabrie Zymer Jashari

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

 SABRIJE ZYMER JASHARI
(01.01.1976 – 5.3.1998)

Është thënë sa e sa herë dhe me të drejtë mendoi se duhet të vazhdojmë të themi pa pushim, në luftën heroike të Prekazit dhanë jetën mbi 59 anëtarë të familjes së madhe Jashari, së bashku me të tjerë që kishin ardhur me ndërgjegje dhe përkushtim për ta ndihmuar këtë familje të rrethuar. Ata nuk ishin thjesht të afërm, por bashkëluftëtarë dhe bashkëmendimtarë që e shihnin mbrojtjen e kullës së Jasharajve si mbrojtje të nderit dhe të vetë ekzistencës së kombit. Për tri ditë të gjata dhe të përgjakshme, familja Jashari dhe tërë lagjja e tyre e Prekazit u shndërruan në simbol të një rezistence të pathyeshme, duke luftuar jo vetëm për të mbrojtur jetën e tyre, por për të ruajtur dinjitetin kombëtar dhe njerëzor të një populli të tërë. Kjo rezistencë nuk ishte thjesht një përleshje e armatosur, por një akt i vetëdijshëm heroizmi, një sfidë e hapur ndaj një pushteti që synonte të shuante çdo shenjë të lirisë dhe krenarisë shqiptare.

Në ballë të kësaj epopeje qëndronte figura legjendare e Adem Jasharit – një prijës dhe një simbol i pathyeshmërisë, i cili refuzoi kategorikisht idenë e dorëzimit apo kompromisit. Për Adem Jasharin, mbrojtja e shtëpisë, familjes dhe atdheut ishte detyrë e shenjtë që nuk mund të neglizhohej as përballë forcës shkatërrimtare të një ushtrie të tërë. Ky qëndrim i pamposhtur nuk mbeti një akt individual, por u kthye në një frymë kolektive që përfshiu gjithë familjen dhe farefisin. Hamëz Jashari, krahu i djathtë i Adem Jasharit dhe bashkëluftëtar i palodhur, u bë shembull i së njëjtës vendosmëri dhe guximi, duke qëndruar deri në fund përkrah vëllait të tij. Po ashtu Shaban Jashari, i moshuar por i pathyeshëm në shpirt, dëshmoi se mbrojtja e pragut të shtëpisë ishte një detyrim që nuk njihte moshë.

Ky akt qëndrese nuk u kufizua vetëm brenda familjes së ngushtë. Ai u zgjerua natyrshëm në tërë lagjen, duke përfshirë figura të tjera që u bënë pjesë e të njëjtës histori lavdie dhe sakrifice. Hamit Jashari, bashkë me tërë familjen e tij, ndoqi shembullin e Adem Jasharit, duke vendosur të mos braktisë kullën dhe të përballet me pasojat më të rënda. Zymer Jashari, me tërë familjen e tij, dëshmoi po ashtu besnikëri ndaj idealit të qëndresës. Faik Jashari dhe shumë të tjerë qëndruan krah për krah, duke u bërë pjesë e pandashme e kësaj epopeje kolektive.

Ky solidaritet i rrallë dhe ky bashkim i jashtëzakonshëm përtej lidhjeve të gjakut, i dhanë Prekazit statusin e një simboli të pavdekshëm të luftës për liri. Ai tregoi se dinjiteti kombëtar nuk mbrohet vetëm nga heronj të veçantë, por nga një popull i tërë që vendos të qëndrojë i bashkuar edhe në orët më të errëta. Lufta e tri ditëve në Prekaz nuk ishte thjesht një betejë ushtarake, ajo ishte një akt themeltar për ndërgjegjen kombëtare shqiptare, një testament i përjetshëm i sakrificës dhe i gatishmërisë për të dhënë gjithçka për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

Për tri ditë me radhë, mbi shtëpitë dhe mbi trupat e gjallë të anëtarëve të familjeve Jashari dhe të gjithë atyre që ndodheshin në Prekaz, u ushtrua një dhunë e papërmbajtur dhe e pamëshirshme, duke shpalosur të gjitha mjetet e makinerisë së organizuar të krimit shtetëror serb. Ajo që ndodhi në ato ditë nuk ishte një operacion i zakonshëm ushtarak, por një akt i mirëfilltë i terrorit dhe i shfarosjes së qëllimshme të një familjeje dhe të një bashkësie që kishte guxuar të ngrejë zërin për liri.

Forcat serbe, të armatosura deri në dhëmbë, nuk kursyen asgjë nga arsenali i tyre i frikshëm. Çdo shtëpi u kthye në objektiv të pandërprerë të granatimeve, duke mos lënë muret, pullazet apo bodrumet të paprekura nga predhat. Granatat e tankeve dhe minahedhësve, fishekët e topave me kalibra të ndryshëm, mitralozat e rëndë shkatërruan çdo shenjë jete, duke e kthyer Prekazin në një peizazh të përgjakshëm dhe të shkatërruar. Në këtë ofensivë brutale nuk kishte vend për dallim mes qytetarit të rëndomtë dhe luftëtarit, mes të rriturit dhe fëmijës, mes shtëpisë si strehë e shenjtë familjare dhe një objektivi ushtarak. Qëllimi i kësaj furie shkatërrimtare ishte i qartë, fshirja e çdo gjurme rezistence, eliminimi fizik i një familjeje që ishte bërë simbol i lirisë dhe përulja e një populli të tërë përmes terrorit. Ky veprim i paramenduar dhe i koordinuar dëshmonte jo vetëm kapacitetin ushtarak të makinerisë serbe, por edhe cinizmin e saj moral. Shkatërrimi i shtëpive, i vendeve ku fëmijët kishin hedhur hapat e parë, ku gratë kishin ushqyer dhe edukuar breza, ku burrat kishin trashëguar tradita dhe zakone, ishte një goditje kundër vetë identitetit dhe memories kolektive shqiptare.

Në këtë mënyrë, lufta e tri ditëve në Prekaz nuk ishte vetëm një betejë lokale. Ajo ishte një kapitull i errët i historisë së krimeve kundër njerëzimit, ku u shfaqën qartë metodat e dhunës së planifikuar shtetërore, e cila synonte jo vetëm nënshtrimin ushtarak, por edhe shkatërrimin shpirtëror dhe kulturor të një populli që kërkonte të jetonte i lirë. Ata që ranë dëshmorë dhe u martirizuan në atë masakër të përgjakshme përfaqësonin një mozaik të tërë jete dhe moshash – që nga fëmijët me pafajësinë e tyre të brishtë, tek djemtë dhe vajzat e mitura që sapo nisnin të ëndërronin për të ardhmen, e deri tek gratë, nënat, plakat dhe pleqtë që kishin mbajtur mbi supe barrën e jetës dhe të përvojës. Kjo përfshirje e gjerë moshe e bën tragjedinë e Prekazit edhe më të thellë dhe më universale, pasi ajo nuk la asnjë brez pa prekur, duke shuar jetë në çdo stad të saj.

Sabrije Zymer Jashari lindi më 1 janar 1976, në Prekazin e Ulët – një vend që do të bëhej më vonë emblemë e qëndresës dhe e sakrificës kombëtare shqiptare. Ajo ishte bija e Zymerit dhe e Hamides, të cilët kishin krijuar një familje të madhe dhe të bashkuar, ku vlerat e dashurisë, solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë nuk ishin vetëm parime të trashëguara, por mënyrë jetese e përditshme. Familja e Sabrijes ishte e madhe, përbërë nga dymbëdhjetë fëmijë, secili prej tyre pjesë e një mozaiku të veçantë familjar që përfaqësonte fuqinë dhe bukurinë e jetës tradicionale shqiptare. Në atë shtëpi, harmonia nuk ishte e rastësishme, por një kulturë e ndërtuar me durim dhe përkushtim nga prindërit, që kishin mësuar të gjithë fëmijët e tyre ta çmonin njëri-tjetrin dhe të ndiheshin të lidhur jo vetëm me gjak, por edhe me dashuri dhe përgjegjësi të ndërsjellë.

Fëmijët e kësaj familjeje të madhe – Myrtezi, Sabrija, Hanifja, Enveri, Zyhrija, Hajrija, Drita, Veseli, Naxhija, Imeri, Sherifja dhe Hamidja – përbënin një bashkësi të gjallë, ku lidhjet vëllazërore dhe motërore forconin identitetin individual dhe kolektiv. Në këtë mjedis të ngrohtë dhe të dendur me jetë, çdo fëmijë rritej duke mësuar rëndësinë e ndarjes së gëzimeve dhe sfidave, duke u formuar si pjesë e një strukture të fuqishme që ishte në gjendje të përballonte vështirësitë e jetës. Familja Jashari e Zymerit dhe Hamides ishte shembull i jetës tradicionale patriarkale shqiptare, ku numri i madh i fëmijëve nuk shihej si barrë, por si bekim dhe forcë. Harmonia që mbretëronte mes tyre ishte një shprehje e natyrshme e vlerave të trashëguara ndër breza – respekti për të moshuarit, dashuria për të vegjlit, ndihma për më të dobëtit dhe përgjegjësia e përbashkët për të mbrojtur nderin dhe unitetin familjar.

Në këtë kontekst, jeta e Sabrijes nuk mund të kuptohet thjesht si biografia e një individi, por si pjesë e një tregimi më të gjerë kulturor dhe shoqëror. Ajo ishte bijë e një familjeje që mishëronte tiparet më të bukura të jetës shqiptare në fshat – një bashkësi e vogël, por e fuqishme, ku fëmijët mësonin që herët të ndanin jo vetëm bukën, por edhe fatin dhe përgjegjësitë. Ky ishte themeli mbi të cilin formoheshin karakteret e forta dhe të qëndrueshme, të afta për t’u përballur me sfida të mëdha dhe për të mbrojtur me sakrificë idealet më të larta të jetës dhe të lirisë.

Të gjithë këta fëmijë u rritën dhe u formuan në një mjedis familjar të veçantë, ku edukimi nuk ishte i kufizuar vetëm në mësimin e shkrimit dhe leximit, por shtrihej thellë në shpirtin dhe ndërgjegjen e tyre, duke u ngulitur vlera të përjetshme dhe të shenjta. Prindërit e tyre, të njohur për trimëri dhe urtësi, i mësonin fëmijët e tyre me të njëjtën rëndësi me të cilën mësonin alfabetin, se dashuria për atdheun është mbi çdo gjë tjetër dhe se ajo është themeli mbi të cilin ndërtohet nderi dhe dinjiteti njerëzor.

Në këtë familje, edukimi për atdhetarinë nuk ishte thjesht një mësim teorik apo një slogan i zbrazët, por një pjesë integrale e përditshmërisë, një frymë që mbushte çdo bisedë dhe çdo veprim. Fëmijët mësonin që herët se liria nuk është një luks, por një nevojë thelbësore njerëzore, dhe se njeriu i robëruar, i privuar nga të drejtat dhe dinjiteti, nuk mund të ndërtojë as familje të qëndrueshme e as jetë të sigurt. Ky kuptim i thellë për lidhjen midis lirisë dhe jetës së denjë ishte një pjesë e pandashme e formimit të tyre moral. Zymer Jashari, si kryefamiljar dhe burrë me vizion të qartë, e kishte të kristaltë këtë të vërtetë se mbrojtja e shtëpisë dhe e atdheut nuk është një detyrë e zakonshme, por një obligim moral dhe ekzistencial që nuk mund të neglizhohet kurrë. Për të, shtëpia dhe atdheu ishin të pandashëm – si dy anë të së njëjtës medalje. Ai e dinte se humbja e njërës do të thoshte humbjen e tjetrës, dhe se pa atdhe nuk mund të kishte strehë të sigurt për familjen, as të ardhme për fëmijët.

Kjo bindje e palëkundur ishte ajo që e udhëhiqte në edukimin e fëmijëve të tij dhe që trashëgohej prej tyre si një amanet i shenjtë. Në këtë mënyrë, familja Jashari nuk ishte thjesht një bashkësi biologjike, por një vatër e gjallë atdhetarie dhe rezistence morale, ku brezat rriteshin me ndërgjegjen se liria është vlera më e lartë dhe më e shtrenjtë që duhet mbrojtur me çdo çmim. Ky edukim i thellë, i mbështetur në përvojën historike dhe në ndjenjat më të forta njerëzore, ishte themeli mbi të cilin u ngrit qëndresa heroike e kësaj familjeje – një qëndresë që nuk do të përkulej as përpara forcës së armikut më të fuqishëm dhe që mbeti përherë shembull i gjallë i dashurisë për atdheun dhe lirisë.

Ashtu siç ishte edukuar dhe përgatitur ndër vite, e gjithë familja e Zymer Jasharit e vërtetoi me vepra përkushtimi ndaj atdheut dhe kombit. Nuk mbetën vetëm fjalët dhe mësimet, por u kthyen në veprim të drejtpërdrejtë e sakrificë konkrete në momentin më të vështirë të historisë së tyre dhe të krejt Kosovës. Kur erdhi koha e fatit të madh e tragjik, ajo kohë vendimtare e fillimit të marsit 1998, familja Jashari nuk hezitoi asnjë çast të merrte pjesë aktive në mbrojtjen e Prekazit. Nga data 5 deri më 7 mars, kur ndodhi një nga betejat më të ashpra dhe më të përgjakshme të historisë së re shqiptare, familja e Zymer Jasharit dëshmoi qartë se ishte rritur me ndërgjegjen e sakrificës dhe të përgjegjësisë kombëtare.

Nën rrethimin e hekurt të forcave serbe, ku predhat, granatat dhe zjarri i mitralozave nuk kursenin asgjë, anëtarët e kësaj familjeje u rreshtuan në mbrojtje të shtëpisë dhe të atdheut, duke e parë këtë jo si zgjedhje, por si detyrim të shenjtë. Ata ishin të vetëdijshëm për rrezikun dhe pabarazinë e forcave, por nuk u tërhoqën dhe nuk kërkuan rrugë shpëtimi individual. Pjesëmarrja e tyre në luftën e Prekazit nuk ishte thjesht mbrojtje e pragut familjar, por pjesë e një rezistence më të gjerë për mbrojtjen e dinjitetit dhe të së drejtës së një populli për të jetuar i lirë. Ata e kthyen kullën në simbol të qëndresës dhe vetëflijimit, duke i treguar botës se liria nuk mund të nënshtrohet me dhunë, as të fshihet me zjarr e me hekur.

Në këtë mënyrë, familja e Zymer Jasharit nuk u dallua vetëm për numrin e anëtarëve të saj, por për madhështinë morale të qëndresës së saj kolektive. Ata mbetën shembull i pavdekshëm i një bashkësie familjare të përkushtuar deri në fund ndaj idealit kombëtar, duke u shndërruar në frymëzim të përhershëm për brezat që do të vijnë.

Sabrije Zymer Jashari kreu arsimin fillor në Skenderaj, duke lënë pas vetes një shembull të spikatur të përkushtimit dhe të seriozitetit në procesin mësimor. Ajo shquhej jo vetëm për aftësitë e saj të shkëlqyera në mësim dhe zellin në përvetësimin e njohurive, por edhe për sjelljen e saj të matur dhe të kulturuar, që pasqyronte vlerat më të mira të edukatës familjare. Në bankat e shkollës, Sabrija ishte një nxënëse e dalluar, e cila me zellin dhe seriozitetin e saj frymëzonte edhe bashkëmoshatarët. Shumë shpejt ajo fitoi respektin e mësuesve dhe të shokëve të klasës, jo thjesht për rezultatet e saj të larta në mësime, por edhe për natyrën e saj të qetë, të sjellshme dhe të përkushtuar. Arsimtarët e vlerësonin lart Sabrijen, duke e përmendur shpesh si shembull të një nxënëseje ideale që ndërthurte dijen me karakterin e formuar. Për ta, ajo nuk ishte vetëm një nxënëse me nota të mira, por një model edukate dhe qytetarie, një vajzë që mishëronte respektin ndaj mësuesit dhe bashkëpunimin me shokët e klasës.

Në mjedisin arsimor të kohës, ku sfidat ishin të shumta dhe mjetet e pakta, përkushtimi i Sabrijes kishte një domethënie të veçantë. Ajo shprehte jo vetëm dëshirën për të mësuar, por edhe vetëdijen se arsimi ishte një mjet çlirimi personal dhe kombëtar. Edukata që ajo bartte ishte reflektim i drejtpërdrejtë i trashëgimisë morale të familjes së saj, ku ndershmëria, respekti dhe dashuria për dijen ishin vlera të pazëvendësueshme. Kështu, rrugëtimi i Sabrijes në shkollën fillore në Skenderaj nuk ishte vetëm një proces formal mësimor, por një etapë formimi shpirtëror dhe moral që do të linte gjurmë të pashlyeshme në karakterin e saj dhe që do të shërbente si bazë për të përballuar me dinjitet dhe forcë sfidat e mëvonshme të jetës.

Megjithëse Sabrija e përfundoi me sukses të shkëlqyer ciklin e shkollës fillore dhe ishte mase e gatshme të vazhdonte shkollimin e mesëm, realiteti politik dhe shoqëror i kohës ia bëri të pamundur një rrugëtim të tillë të natyrshëm arsimor. Në rrethana normale, përkushtimi dhe talenti i saj do ta kishin drejtuar pa pengesa drejt bankave të shkollës së mesme, ku ajo do të kishte mundësi të thellonte njohuritë dhe të ndërtonte ëndrrat e saj për të ardhmen. Por koha nuk ishte e zakonshme. Ishte koha e okupimit serb, e një regjimi shtypës që kishte ndërmarrë një politikë sistematike të mohimit dhe zhdukjes së identitetit kombëtar shqiptar. Një nga instrumentet më të egra të kësaj politike ishte mbyllja e shkollave në gjuhën shqipe. Ky akt nuk ishte vetëm një masë administrative, por një përpjekje e mirëmenduar për të ndërprerë zinxhirin e trashëgimisë kulturore dhe për të zhveshur të rinjtë shqiptarë nga arma më e fuqishme që mund të kishin në duar – dijen dhe ndërgjegjen kombëtare.

Në këtë kontekst të errët, për një vajzë si Sabrija, vazhdimi i shkollës nuk ishte më një e drejtë e garantuar, por një sfidë e madhe që rrezikonte sigurinë e saj dhe të familjes. Për të vazhduar shkollimin, ajo dhe bashkëmoshatarët e saj detyroheshin të ndiqnin mësime në sistemin paralel, që zhvillohej fshehurazi në shtëpi private të fshatarëve përreth. Ky nuk ishte një proces i thjeshtë dhe i sigurt, por një akt guximi dhe rezistence, që nënkuptonte ballafaqim të vazhdueshëm me kontrolle gjatë shkuarje ardhjeve në shkollë, frikën e bastisjeve, arrestimeve dhe ndëshkimeve të rënda. Vendimi për të mësuar në ato kushte ishte më shumë se një përpjekje për të marrë njohuri – ishte një akt politik dhe moral, një formë rezistence kulturore që afirmonte të drejtën e pakontestueshme për të qenë shqiptar, për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe dinjitetin.

Për Sabrijen dhe të rinjtë e asaj kohe, shkolla nuk ishte vetëm një institucion, por një front i qartë i luftës për mbijetesë kombëtare dhe një dëshmi e palëkundur e vendosmërisë për të mos u shuar përballë dhunës dhe asimilimit. Kështu, pengesa që iu vendos Sabrijes për të vazhduar arsimin e mesëm nuk ishte thjesht një pengesë personale, por pjesë e një tragjedie të madhe kolektive. Ajo shënonte dhunën strukturore që synonte të gjunjëzonte një popull të tërë duke i mohuar të drejtën më themelore – atë të dijes dhe zhvillimit shpirtëror e intelektual.

Kontrollet ishin aq të shpeshta dhe të imta sa askush nuk mund të ofronte siguri se një fëmijë që nisej për mësim do të kthehej i padëmtuar në shtëpi. Rreziku ishte real dhe i shumëfishtë – që nga keqtrajtimet e dhunshme fizike dhe psikologjike, deri tek bastisjet, arrestimet dhe ndëshkimet kolektive që synonin të frikësonin dhe të thyenin vullnetin e të gjithë komunitetit shqiptar.

Ky realitet i zymtë i transformoi fëmijët shqiptarë në dëshmitarë dhe pjesëmarrës të një përvoje të dhimbshme historike. Ata nuk ishin thjesht nxënës që mësonin abetaren dhe matematikën, por pjesë e një brezi që mësonte në kushte lufte se çfarë do të thoshte të rrosh nën pushtim dhe të përpiqesh të ruash gjuhën, kulturën dhe dinjitetin nën kërcënimin e armëve. Kjo përditshmëri e vështirë, e mbushur me pasiguri dhe frikë, e bëri edhe më të qartë për shqiptarët e asaj kohe se lufta për arsim dhe liri ishte e pandashme dhe se edukimi në gjuhën amtare ishte një akt i vërtetë rezistence.

Lagjja Jashari dhe posaçërisht familja e Shaban Jasharit e kishin shumë të qartë, madje të ngulitur në vetëdije, se sulmi i 22 janarit 1998 nuk ishte as rastësor dhe as i fundit. Ata e kuptonin se ai sulm nuk përfaqësonte tjetër veçse një paralajmërim të zymtë për atë që do të vinte më pas, një ofensivë edhe më e madhe, më e dhunshme dhe më e vendosur për të shuar çdo shenjë të rezistencës shqiptare në Prekaz.

Me këtë bindje të palëkundur, familja dhe lagjja nuk jetonin më në iluzionin e qetësisë së përkohshme. Ata përgatiteshin me seriozitet e vendosmëri për përballjen që e shihnin si të pashmangshme. Çdo natë, burrat e gratë e lagjes mblidheshin për të diskutuar, për të ndarë informacione dhe për të hartuar plane konkrete mbrojtjeje. Ato mbledhje nuk ishin vetëm diskutime strategjike, por edhe rit ceremonial i forcimit të besës dhe i lidhjes së përbashkët për rezistencë deri në fund.

Ajo që doli si qëndrim i përbashkët dhe i pandashëm në mesin e të gjithë anëtarëve të familjes Jashari ishte i qartë dhe pa ekuivokë se në rast se ndodhte sulmi i paralajmëruar, askush nuk do të dorëzohej gjallë. Ky vendim nuk ishte thjesht një akt trimërie individuale, por një marrëveshje e vetëdijshme kolektive, një betim solemn se dinjiteti, liria dhe nderi nuk do të shkëmbeheshin me mbijetesë të turpshme.

Ky nivel i lartë i organizimit dhe i ndërgjegjes nuk karakterizonte vetëm familjen e ngushtë të Adem Jasharit. Përreth kullës së tij, në të gjithë lagjen, armët ishin siguruar dhe gati në çdo shtëpi kishte burra të gatshëm për të mbrojtur familjet, fëmijët dhe tokën e tyre. Ata nuk e shihnin veten si individë të izoluar, por si pjesë të një trungu të përbashkët që duhej të mbrohej me çdo kusht.

Përveç familjes së Adem Jasharit, aty ishin edhe kushërinj të afërt dhe të vendosur po ashtu për luftë dhe rezistencë: Halit Jashari, Zejnë Jashari, Hamit Jashari, Faik Jashari dhe shumë të tjerë. Këta nuk ishin thjesht emra të listuar në një gjenealogji familjare, por pjesëtarë të një bashkësie të ngjeshur dhe të lidhur fort në besë, në gjak dhe në ideale. Ata përbënin një bashkësi të armatosur jo vetëm me pushkë, por edhe me vendosmërinë për të mos pranuar poshtërim dhe nënshtrim.

Kjo përgatitje e kujdesshme dhe kjo marrëveshje morale e bërë me ndërgjegje ishin prova e qartë se familja dhe lagjja Jashari nuk e shihnin luftën si një aventurë të pasionuar, por si një detyrim të shenjtë për të mbrojtur nderin familjar dhe të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar të lirë në vendin e vet. Në organizimin dhe përgatitjen për mbrojtje të lagjes Jashari nuk munguan as gratë dhe vajzat e kësaj lagjeje, të cilat nuk mbetën në rolin pasiv të shikueses apo viktimës, por u përfshinë me vendosmëri dhe përgjegjësi të plotë në planet dhe përgatitjet për rezistencë. Ato ishin pjesë e natyrshme dhe e pandashme e strategjisë së mbrojtjes, duke dëshmuar se në kohë fatkeqësish dhe rreziku kolektiv, përgjegjësia për shtëpinë dhe atdheun është e barabartë për të gjithë – pa dallim gjinie apo moshe.

Veçanërisht në shtëpinë e Zejnë Jasharit, nuk ishte vetëm djali Murtezi ai që qëndroi aty i palëkundur në mbrojtje të pragut të shtëpisë. Edhe gratë e shtëpisë morën një vendim të vetëdijshëm dhe të fortë të mos largoheshin, të mos braktisnin shtëpinë dhe kullën e tyre, pavarësisht rrezikut të jashtëzakonshëm që i kanosej gjithë lagjes. Ky vendim nuk ishte i lehtë dhe as i imponuar, por një shprehje e qartë e lidhjes së tyre me vendin, familjen dhe idealin e nderit.

Me kalimin e ditëve dhe intensifikimin e luftimeve, ato gra dhe vajza u dëshmuan jo thjesht si qëndruese, por si të zonja dhe të guximshme në mbrojtjen e kullave. Ata nuk ishin vetëm prapavija morale dhe emocionale e burrave që luftonin, por edhe bashkëluftëtare të heshtura, të përkushtuara në mbrojtjen e çdo qosheje të shtëpisë dhe në forcimin e vendosmërisë kolektive për të mos u dorëzuar.

Në këtë rezistencë të organizuar dhe të ndërgjegjshme, përveç vëllait Murtezit, në kullën e Zejnë Jasharit qëndronin edhe nëna Mihrija, motrat Sabrija dhe Hanifja, si dhe vëllai Hajzeri. Bashkë me ta ishte edhe babai i tyre, Zejnë Jashari, i cili me autoritetin dhe përvojën e tij, udhëhiqte këtë qëndresë të bashkuar familjare. Ky konfigurim familjar nuk ishte rastësi, por pasqyrim i një modeli tradicional shqiptar ku kulla dhe shtëpia ishin të shenjta dhe mbrojtja e tyre ishte një detyrë e përbashkët dhe e pandashme për të gjithë anëtarët e saj.

Ky akt i qëndrueshmërisë kolektive, ku gratë dhe vajzat nuk kërkuan strehim të sigurt gjetkë, por zgjodhën të mbeteshin aty ku kishin lindur dhe rritur, tregoi thellësinë e lidhjes së tyre me tokën dhe familjen. Ato dëshmuan se mbrojtja e atdheut nuk ishte një barrë që u takonte vetëm burrave me armë në dorë, por një përgjegjësi që bashkonte të gjitha gjeneratat dhe të dyja gjinitë në një akt të shenjtë rezistence dhe sakrifice.

Ky bashkim familjar nuk ishte një mbledhje e zakonshme. Ishte një mburojë morale dhe praktike përballë një rreziku të njohur dhe të pritshëm. Ata e dinin që sulmi mund të vinte në çdo çast dhe prania e njëri-tjetrit ofronte një ngrohtësi të fundit njerëzore, një betim të heshtur solidariteti dhe qëndrese, për të mos u ndarë kurrë, sado e rëndë të bëhej gjendja. Këto frikëra u bënë realitet tragjik në agimin e 5 marsit 1998. Para orës gjashtë të mëngjesit, forcat ushtarake dhe policore serbe nisën një ofensivë të organizuar dhe të egër mbi lagjen Jashari, duke përdorur të gjitha mjetet e dhunës moderne për të shkatërruar jo vetëm një familje, por vetë simbolin e rezistencës shqiptare.

Me një koordinim të frikshëm dhe një vendosmëri barbare për shkatërrim total, filloi granatimi i pandërprerë me predha artilerie. Shtëpia e Legjendarit Adem Jashari u godit e para, duke shënuar fillimin e një sulmi të mirëplanifikuar që synonte eliminimin e tij dhe shembjen e frymës së rezistencës që ai përfaqësonte. Në të njëjtën kohë, predhat goditën edhe shtëpitë e Halit Jasharit, Hamit Jasharit dhe të tjerë anëtarëve të familjes e lagjes, duke krijuar një front të gjerë të shkatërrimit dhe terrorit.

Në ato çaste të para të mëngjesit, zjarri i armëve dhe shpërthimet e artilerisë e shndërruan lagjen në një arenë lufte të vërtetë. Por, paralelisht me këtë valë dhune të egër, nisi edhe një tjetër histori – ajo e rezistencës së armatosur dhe të vendosur të Jasharajve. Përballë një makinerie të blinduar dhe të pamëshirshme, burrat dhe djemtë e kësaj familjeje morën armët dhe qëndruan, duke e kthyer çdo shtëpi në një bastion të fundit të lirisë dhe nderit.

Kështu, më 5 mars filloi jo thjesht një betejë ushtarake, por një epope heroike, ku gjaku dhe dhimbja u ndërthurën me krenarinë dhe vendosmërinë për të mos u dorëzuar kurrë. Sulmi nuk ishte thjesht një akt i dhunës së organizuar shtetërore, por një përpjekje e paramenduar për të zhdukur simbolin e qëndresës kombëtare shqiptare – një përpjekje që, ndonëse shkatërroi jetët dhe shtëpitë, nuk arriti kurrë të mposhte shpirtin e pathyeshëm të kësaj familjeje dhe të këtij populli.

Në kushtet e një rrethimi të hekurt dhe të pamëshirshëm, ku çdo rrugë shpëtimi ishte ndërprerë dhe ku zjarri i artilerisë së rëndë binte pandërprerë nga të gjitha anët, shumë anëtarë të familjes Jashari ranë si martirë në altarin e atdheut. Ata nuk ishin thjesht viktima të një sulmi të organizuar ushtarak, por dëshmorë të një ideali të madh, që zgjodhën të qëndronin dhe të flijoheshin për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.

Në ato orë të errëta dhe të përgjakshme, ndërsa predhat dhe plumbat shkatërronin muret e shtëpive dhe përvëlonin ajrin me zjarr dhe tym, këta burra dhe gra, djem dhe vajza të familjes Jashari, dëshmuan me jetën e tyre se ideali i mbrojtjes së atdheut dhe nderit ishte më i fortë se frika e vdekjes. Në atë betejë të pabarabartë, ranë Murtez Zymer Jashari dhe Hajzer Zymer Jashari, të cilët me armë në dorë u përballën me fuqinë e verbër të një ushtrie të tërë. Me ta ranë gjithashtu Halit Imer Jashari dhe Abdullah Zejnë Jashari, duke treguar se rezistenca ishte e përbashkët dhe pa dallim moshe apo brezi.

Mes atyre që dhanë jetën ishin edhe gratë e familjes – Elheme Jashari, Mihrije Jashari dhe Bahtije Jashari – të cilat nuk pranuan të largoheshin nga shtëpia e tyre edhe kur ajo u kthye në shënjestër të artilerisë. Ato dëshmuan se mbrojtja e pragut të shtëpisë ishte një detyrë e shenjtë për çdo anëtar të familjes, pa përjashtim.

Po ashtu, Sabrije Zymer Jashari dhe Hanife Zymer Jashari, dy vajza të reja të asaj familjeje, u flijuan në atë betejë heroike, duke u bërë simbole të rinisë shqiptare që nuk pranoi të jetonte nën robëri. Bashkë me ta ranë edhe të rinjtë Bujar Zejnë Jashari dhe Blerim Zejnë Jashari, të cilët, megjithëse të njomë në moshë, treguan një guxim dhe vendosmëri që do të mbetet përgjithmonë shembull frymëzimi.

Ky akt i përbashkët flijimi, i bërë në rrethana të tmerrshme dhe nën breshërinë shkatërrimtare të artilerisë, nuk është vetëm një faqe tragjike e historisë sonë, por një testament i gjallë i dashurisë për atdheun. Ata që ranë në Prekaz nuk u shuan vetëm si individë, por u ngritën në ndërgjegjen kombëtare si dëshmorë të pavdekshëm, që me gjakun e tyre vulosën të drejtën e patjetërsueshme të një populli për të jetuar i lirë dhe me dinjitet.

Duhet theksuar me veçanti se mes të rënëve të asaj masakre të tmerrshme, mungojnë ende kufomat e Mihrije Jasharit dhe të dy bijave të saj, Sabrijes dhe Hanifes. Për këto tri viktima nuk dihen saktësisht as rrethanat e fundit të vdekjes së tyre, as vendndodhja e mbetjeve mortore. Mbetet enigmë e dhimbshme dhe plagë e hapur për familjen dhe për gjithë kombin, fakti që këto trupa nuk u gjetën dhe nuk mundën të përcilleshin me nderimet e merituara.

Megjithatë, është e njohur dhe e dokumentuar se shtëpia ku ishin strehuar familjarët e Halit, Zejnë dhe Zymer Jasharit u kthye në një hi e blozë nga fuqia shkatërrimtare e predhave të artilerisë dhe nga flakët përvëluese që e përfshinë atë. Granatimet e pandërprera dhe zjarri që shkrumboi muret, çatitë dhe çdo strehë, nuk kursyen as jetët dhe as gjurmët e atyre që u ndodhën brenda. Ky shkatërrim total e bën edhe më të vështirë rindërtimin e saktë të skenarit të fundit të atyre çasteve tragjike.

Ekziston një bindje dhe një hipotezë e bazuar në natyrën e veprimeve të forcave serbe në atë kohë që trupat e Mihrijes dhe të dy bijave të saj mund të jenë tërhequr dhe zhdukur qëllimisht nga ushtria dhe policia serbe. Kjo mendohet të jetë bërë me synimin për të fshehur sadopak krimin e rëndë dhe barbarinë e tyre kundër grave dhe fëmijëve, duke zbutur në mënyrë të rreme provat e masakrës para opinionit ndërkombëtar. Zhdukja e kufomave të tyre përbën një formë të veçantë të krimit – mohimin e të drejtës për varrim dhe kujtesë, një dhunë që vazhdon edhe pas vdekjes.

Megjithë këtë dhimbje të madhe, pjesa tjetër e dëshmorëve dhe dëshmoreve të familjes Jashari prehen në paqe në Kompleksin Memorial të Varrezave në Prekaz. Aty janë varrosur të gjithë ata që ranë më 5, 6 dhe 7 mars 1998, krah për krah me legjendarin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ky vend nuk është thjesht një varrezë, por një tempull i kujtesës kombëtare, një dëshmi e pavdekshme e qëndresës dhe e sakrificës supreme për liri. Në ato varre nuk flenë vetëm trupat e njerëzve, por ruhet përjetësisht ideali i një populli që refuzoi të jetojë i nënshtruar dhe që vendosi ta paguajë lirinë me gjakun më të shtrenjtë – atë të bijve dhe bijave të tij më të mirë.

Literatura:

  1. Bardh Hamza & Faik Hoti, Jasharët, Prishtinë 2003
  2. Bedri Tahiri, Adem Jashari legjendë e legjendave, Prishtinë 2008
  3. Ibrahim Çitaku, Drenica 1991-1999, Prishtinë 2004
  4. https://prointegra.ch/nje-cerek-shekulli-nga-gjenocidi-ne-prekaz/
  5. https://www.drini.us/epopeja-e-jashareve-nje-heroizem-i-pashembullt-ne-historine-e-njerezimit/
  6. https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1526894/kush-ishin-grate-e-vajzat-qe-u-vrane-ne-renien-e-familjes-jashari/
  7. https://www.radiokosovaelire.com/myrtez-zymer-jashari-5-3-1979-5-3-1998/
  8. https://www.radiokosovaelire.com/hajzer-zymer-jashari-15-4-1969-5-3-1998/

(Vijon)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.