Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
BLERINA HAMZË JASHARI
21.11.1991 – 07.03.1998
Çfarë mund të shkruajmë për një fëmijë? Për një jetë të njomë që sapo kishte filluar të lulëzonte, por që u këput mizorisht para se të shijonte gëzimet më të thjeshta e të pafajshme të jetës. Një fëmijë nga familja Jashari, i cili nuk njohu asnjë mëkat, që nuk la pas asnjë shkelje, as edhe më të voglën, që të mund të quhej faj i moshës së tij të njomë.
Si mund të përshkruhet vrasja e një fëmije që nuk kishte arritur ende të shkelte mbi një thnegël pa menduar dy herë, që s’e kishte njollosur ende ndërgjegjen me asgjë tjetër veç pastërtisë së vet të lindur? Ajo nuk shkrepte armë, nuk kërcënonte askënd, nuk ishte pjesë e asnjë lufte të zgjedhur prej saj. Ishte aty — në prehrin e nënës, në prehrin e shtëpisë — siç rriten fëmijët, duke ëndërruar, duke buzëqeshur, duke pritur një të nesërme më të mirë.
Por, përballë mizorisë së verbër të pushtuesit, edhe kjo pafajësi nuk kishte vlerë. Armiku nuk ndalej të pyeste për moshë, as për mëkat, as për drejtësi. Ai shembte mure dhe jetërat brenda tyre me të njëjtën ftohtësi, duke mos kursyer asgjë e askënd që mund të ngjallte shpresë e vazhdimësi.
Çfarë të shkruajmë për këtë fëmijë? Ndoshta nuk ka fjalë që mjaftojnë. Nuk ka gjuhë që e përshkruan dhimbjen dhe turpin që njerëzimi duhet të ndiejë për një humbje të tillë. Mund të përpiqemi ta përshkruajmë me fjalë të bukura — të flasim për pafajësinë, ëmbëlsinë, shpresën e vrarë në djep — por e vërteta është se asgjë nuk e mbush boshllëkun që lë pas një fëmijë i vrarë.
Një fëmijë nuk u flijua sepse bëri ndonjë të keqe. Ajo u flijua sepse ishte pjesë e një familjeje që kishte vendosur të mos përkulet kurrë, të mos dorëzojë as pragun e shtëpisë, as nderin, as lirinë. Dhe ajo mbeti simbol i pafajësisë së dhunuar, i asaj humbjeje që shndërrohet në amanet për të gjithë ne — që të mos harrojmë, të mos lejojmë më kurrë dhe të mbrojmë gjithmonë të drejtën e çdo fëmije për të jetuar në paqe dhe liri.
Sërish, meriton të theksohet dhe të vlerësohet me respekt të thellë puna e jashtëzakonshme dhe e palodhshme e dy atdhetarëve të përkushtuar, profesoreshës Hanumshahe Ilazi dhe profesor doktor Nusret Pllana. Ata nuk janë thjesht studiues të zakonshëm që ndjekin një detyrë atdhetare. Janë dëshmitarë të ndërgjegjes sonë kombëtare, të përkushtuar me pasion dhe ndershmëri për të ndriçuar të vërtetën, për të nxjerrë në dritë padrejtësitë e shumta dhe për të ruajtur kujtesën kolektive nga harresa dhe shtrembërimi.
Në kushte shpesh të vështira e të mungesës së mbështetjes së duhur institucionale, ata kanë marrë mbi vete një mision të madh dhe të vështirë: të dokumentojnë paanshmërisht dhe me përkushtim shkencor vrasjet e pafajshme dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, të cilat nuk kishin asnjë arsyetim moral, ligjor apo njerëzor. Ata kanë ndërtuar, faqe pas faqeje, një testament të fortë që nuk lejon që krimet të mbeten të fshehura, viktimat të harrohen, apo historia të shkurtohet sipas interesave të momentit.
Ky angazhim i tyre, është një akt i vërtetë atdhetarie. Ata kanë zgjedhur të përballen me barrën e rëndë të dhimbjes kolektive, të dëgjojnë rrëfime të tmerrshme, të përballen me dokumente tronditëse, dhe ta shndërrojnë këtë material të dhimbshëm në dije, në kujtesë, në histori të shkruar.
Nëpërmjet të dhënave të tyre, ata u japin zë atyre që nuk mundën të flasin, u japin dinjitet atyre që u përpoqën t’ua mohonin dhe mbajnë të gjallë kujtesën e një populli që ka vendosur të mos harrojë kurrë çmimin e lirisë së vet. Prandaj, puna e tyre nuk është vetëm për t’u lavdëruar — është për t’u çmuar si një pjesë e domosdoshme e trashëgimisë sonë kulturore dhe morale. Është një shembull për të gjithë studiuesit dhe qytetarët se si duhet shërbyer së vërtetës dhe atdheut, me ndershmëri, përkushtim dhe guxim intelektual.
Edhe për vogëlushen Blerina Jashari, autorët kanë lënë dëshmi në librin e tyre monument, duke ruajtur kujtimin e saj me respekt dhe ndjeshmëri të thellë. Ata kanë zgjedhur që emri dhe historia e saj të mos mbeten thjesht një numër anonim i një tragjedie të madhe, por të jenë pjesë e një kujtese të gjallë dhe të dokumentuar, që sfidon harresën dhe heshtjen.
Në ato faqe të shkruara me ndjenja dhe përkushtim, gjejmë këtë përshkrim të qartë dhe të dhimbshëm: “Blerina (Hamzë) Jashari, femër, nxënëse, 7 vjeçare, e lindur më 21.11.1991 në Prekaz të Poshtëm dhe e vrarë po aty, më 07.03.1998.” Ky përshkrim lakonik bart në vetvete një peshë të jashtëzakonshme emocionale dhe morale. Ai shpalos jetën e shkurtër të një fëmije që sapo kishte nisur hapat e parë në botë — një nxënëse vetëm 7 vjeçe, ende e lidhur me lojërat, ëndrrat dhe pafajësinë e fëmijërisë. Por jeta e saj u ndërpre me dhunë, brutalisht dhe padrejtësisht, në vendlindjen e saj — në Prekaz, që nga vend i këngëve dhe i jetës familjare u kthye në një fushë të përgjakur rezistence.
Ky fragment i librit nuk është vetëm një fakt biografik. Është një akt i vetëdijshëm kujtese dhe nderimi. Me këto pak fjalë të matura, autorët synojnë të ruajnë dinjitetin e viktimës dhe të dëshmojnë për mizorinë që nuk kurseu as fëmijët. Ata rreshta lakonikë na detyrojnë të ndalemi, të reflektojmë dhe të kuptojmë përmasat e vërteta të dhimbjes dhe të padrejtësisë që u ushtrua mbi familjen Jashari dhe mbi popullin shqiptar në tërësi.
Duke e përfshirë Blerinën në këtë “libër monument”, autorët i japin asaj vendin që meriton në kujtesën tonë kombëtare — jo si një numër mes shumë viktimave, por si një fëmijë konkret, me emër, me ditëlindje, me histori, që u flijua padrejtësisht për idealin e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor. Blerina e vogël erdhi në jetë më 21 nëntor të vitit 1991, në fshatin Prekaz i Poshtëm, duke u bërë pjesë e një familjeje të njohur për traditën e saj të gjatë të atdhedashurisë dhe të qëndresës. Babai i saj, Hamza Jashari, dhe nëna, Feride Mecini-Jashari, e pritën me gëzim dhe e rritën në gjirin e një shtëpie ku dashuria për familjen dhe atdheun ishte vlerë e shenjtë dhe e padiskutueshme.
Blerina nuk ishte fëmija i vetëm i kësaj familjeje të madhe e të bashkuar. Ajo kishte katër motra të dashura: Selveten, Afeten, Lirijen, Fatimen dhe Besartën. Secila prej tyre ishte rritur me ndjenja të thella përgjegjësie dhe dashurie për njëra-tjetrën, duke formuar një lidhje të veçantë motrash, të ngjizur me kujdesin dhe edukatën e prindërve të tyre. Përveç motrave, Blerina kishte edhe tre vëllezër: Besimin, Blerimin dhe Bekimin. Ata u rritën së bashku si një trung i fortë, të lidhur jo vetëm nga gjaku, por edhe nga ideali dhe trashëgimia morale e familjes Jashari, e cila ishte e njohur për përkushtimin e saj të pathyeshëm ndaj lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
Në këtë mjedis familjar, ku gjyshi dhe gjyshja ishin gjithmonë pranë, Blerina dhe vëllezërit e motrat e saj morën jo vetëm dashuri dhe përkujdesje, por edhe mësime të çmuara për jetën. Ata u edukuan që të ndihmonin njëri-tjetrin, të respektonin traditën dhe të ishin të përgatitur për sfidat që i prisnin. Familja Jashari nuk ishte thjesht një shtëpi me shumë fëmijë, por një vatër ku kultivohej ndjenja e përgjegjësisë për njëri-tjetrin dhe për atdheun.
Në këtë mënyrë, Blerina u rrit mes dashurisë dhe përkushtimit të palodhur të prindërve, të gjyshërve dhe të mbarë familjes së saj, duke u bërë pjesë e një brezi të tërë që do të trashëgonte jo vetëm emrin Jashari, por edhe amanetin e shenjtë të mbrojtjes së lirisë dhe të dinjitetit njerëzor. Gjatë ditëve të tmerrit dhe të heroizmit të pashoq të Masakrës së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, familja e Jasharajve përjetoi një tragjedi që mbeti e gdhendur thellë në kujtesën kombëtare. Nëntë prej fëmijëve të kësaj familjeje u flijuan duke e shndërruar kullën ku jetonin në një altar të lirisë shqiptare.
Në ato tri ditë, kur Prekazi u rrethua me forcë brutale nga ushtria dhe policia serbe, familja Jashari nuk e zgjodhi dorëzimin. Ata qëndruan të ngujuar në shtëpinë e tyre, të vendosur të mos e lëshonin kurrë pragun e nderit dhe të mos lejonin që armiku të shkelte mbi ta pa përballur rezistencën më të madhe që mund të ofronin — jetën e tyre. Në mesin e viktimave ishin fëmijë që nuk kishin njohur ende asgjë tjetër veç përkujdesjes prindërore, dashurisë vëllazërore dhe ëndrrave të pafajshme të fëmijërisë. Ata u bënë martirë pa pasur mundësi të kuptonin plotësisht peshën e asaj për të cilën po sakrifikoheshin: lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e një populli të tërë.
Nga tragjedia e madhe që goditi familjen Jashari në marsin e përgjakshëm të vitit 1998, vetëm dy anëtarë të kësaj dege të ngushtë familjare arritën të mbijetojnë: Bekim Jashari dhe motra e tij e vogël, Besarta. Bekimi, në ato ditë të tmerrshme, ndodhej jashtë kompleksit familjar, një rastësi që e shpëtoi nga vdekja e sigurt, por që i ngarkoi shpirtin me një barrë të rëndë dhimbjeje dhe kujtimesh të pashlyeshme. Ai mbeti dëshmitar i një humbjeje të pakrahasueshme – të gjithë familjarët e tij të afërt, të vrarë në mbrojtje të shtëpisë dhe lirisë. Besarta, ndërkohë, mbijetoi nga masakra në rrethana dramatike. Policia paramendoi se ajo ishte në mesin e të vrarëve dhe kështu i shpëtoi pushkës. Shpëtimi i saj, i çuditshëm dhe tragjik njëkohësisht, është kthyer në simbol të mbijetesës së një fisi që, megjithëse i goditur për vdekje, nuk u shua kurrë.
Bekimi dhe Besarta mbetën të vetmit trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të degës së Hamzë Jasharit. Ata janë bartësit e kujtesës së gjallë për ata që ranë – fëmijë, gra dhe burra – dhe mbi supet e tyre rëndon amaneti i shenjtë për të mos e lënë këtë histori të zbehet ose të harrohet. Ata mishërojnë dhimbjen e thellë, por edhe vendosmërinë për të ruajtur idealin për të cilin prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre dhanë jetën: lirinë, dinjitetin kombëtar dhe të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e vet.
Nëpërmjet jetës dhe angazhimit të tyre, ata jo vetëm që kujtojnë të kaluarën e lavdishme dhe tragjike të familjes së tyre, por edhe i japin kuptim të ri sakrificës, duke e bërë atë pjesë të pandashme të identitetit dhe vetëdijes sonë kolektive. Kështu, Bekimi dhe Besarta janë dëshmi të gjalla të plagës historike, por edhe të fuqisë shëruese të kujtesës, që kthehet në urë mes brezave dhe në garanci që historia e asaj sakrifice nuk do të shuhet kurrë.
Kjo tragjedi nuk është thjesht një fakt historik apo një shifër në listën e humbjeve. Është një histori konkrete dhimbjeje dhe krenarie, një dëshmi e gjallë e çmimit të lartë që pagoi familja Jashari për të mbetur simbol i pathyeshëm i qëndresës dhe i dashurisë për atdheun. Hamzë Jashari, babai i vogëlushes Blerina, dhe e gjithë familja e tij përbëjnë një nga shembujt më të ndritshëm të asaj sakrifice të madhe kolektive që i dha Prekazit statusin e shenjtë të një simboli të pavdekshëm të rezistencës shqiptare.
Ata nuk ishin thjesht një familje që jetonte në një fshat të vogël të Drenicës — ishin një vatër e gjallë e qëndresës, një kështjellë morale ku ushqehej dashuria për lirinë dhe përkushtimi i palëkundur për atdheun. Në vendimin e tyre për të mos u dorëzuar përpara forcës brutale të pushtuesit, ata mishëruan parimin më të lartë të nderit dhe të betimit kombëtar: se liria nuk dhurohet, por fitohet dhe mbrohet me gjakun e bijve të saj më të mirë.
Familja e Hamzës — me prindërit, vëllezërit, motrat, fëmijët e vegjël dhe të moshuarit — e ktheu shtëpinë e vet në një fortesë të vërtetë të shpirtit shqiptar, duke e bërë Prekazin jo vetëm një vend gjeografik, por një kapitull të lavdishëm në historinë e Kosovës. Ky vend, i larë me gjak të pafajshëm, mbeti dëshmi e gjallë se edhe kur rrethimi është i hekurt dhe shpresa duket e shuar, forca e karakterit dhe e dashurisë për atdheun mund të triumfojnë mbi çdo armë.
Kjo sakrificë e përbashkët — ku përfshihej edhe jeta e Blerinës së vogël — nuk ishte një akt i rastësishëm apo i imponuar nga dëshpërimi, por një zgjedhje e vetëdijshme dhe e dhimbshme për të mos e lënë të shuhet idealin e lirisë. Për këtë arsye, Prekazi u shndërrua në një emblemë të çmimit të lartë të pavarësisë sonë — një vend që na kujton se çdo centimetër i lirisë është paguar me gjak, me jetë dhe me dhembje të paimagjinueshme. Në këtë narrativë të përbashkët kombëtare, emri i Hamzë Jasharit dhe i familjes së tij qëndron si një kujtesë e përhershme e kurajës, e vendosmërisë dhe e sakrificës që nuk vdes kurrë, por frymëzon brezat që vijnë për të mbrojtur dhe për të nderuar lirinë që u fitua me aq shumë mundim dhe gjak.
Në vitin 1997, Blerina e vogël kishte nisur një prej etapave më të bukura dhe më të rëndësishme të jetës së saj — rrugëtimin shkollor, duke u ulur për herë të parë në bankat e klasës së parë të shkollës fillore në Skenderaj. Për një fëmijë, kjo ishte jo vetëm një portë drejt dijes, por edhe një udhëtim i mbushur me ëndrra, kuriozitet dhe gëzim të pastër. Blerina nuk ishte thjesht një nxënëse e zakonshme. Me zgjuarsinë dhe përkushtimin që e karakterizonte, ajo dallohej në mësime. Vëmendja e saj në orë, dëshira për të mësuar dhe kujtesa e mprehtë bënin që ajo të përthithte me lehtësi gjithçka që mësuesi i shpjegonte. Ishte ndër ata fëmijë që mësuesit i vlerësonin dhe i përmendnin me krenari, jo vetëm për rezultatet, por edhe për sjelljen e saj të qetë dhe për respektin ndaj shokëve dhe shoqeve të klasës.
Në një kohë kur realiteti jashtë shkollës ishte i mbushur me tension dhe pasiguri, Blerina e vogël mbante me vete një botë të sajën — botën e librave, të lapsave dhe të fletoreve të mbushura me kujdes. Ajo kishte mësuar të gjitha germat e alfabetit të gjuhës shqipe, një arritje që nuk ishte vetëm një hap drejt njohjes së shkrim-leximit, por një simbol i gjallë i identitetit dhe trashëgimisë kombëtare që familja e saj i ushqente me dashuri.
Shkrimi i germave shqipe ishte për të më shumë se një detyrë shkollore. Ishte një mënyrë për të marrë pjesë në trashëgiminë e gjuhës së saj, për të komunikuar, për të kuptuar dhe për t’u kuptuar. Çdo germë që ajo mësonte dhe shkruante me kujdes ishte një dëshmi e një fillimi të ri — një premtim për një të ardhme më të ndritur, ku dija dhe kultura do të triumfonin mbi errësirën dhe frikën.
Kështu, Blerina nuk ishte vetëm një nxënëse e klasës së parë. Ajo ishte një bijë e denjë e një familjeje që i kushtonte rëndësi të madhe dijes dhe atdhetarisë. Nëpërmjet mësimeve të saj të para, ajo po hidhte themelet për t’u bërë një ditë një qytetare e ndërgjegjshme dhe e ditur, një pjesë e gjallë e shpresës së një populli që, edhe në ditët më të vështira, besonte tek drita e dijes dhe fuqia e fjalës së shkruar.
Blerina e vogël shquhej për natyrën e saj të shoqërueshme dhe të dashur, duke krijuar shumë miqësi të sinqerta që në hapat e parë të rrugës së saj shkollore. Ajo nuk ishte vetëm një nxënëse e zellshme dhe e përkushtuar në mësime, por edhe një shoqe e vërtetë dhe e kujdesshme, që dinte të fitonte zemrat e bashkëmoshatarëve me thjeshtësinë dhe mirëkuptimin e saj.
Në mjedisin e klasës, ajo ishte gjithmonë e hapur dhe e afërt. Nuk e mbante dijen për vete si një privilegj personal, por e ndante me gëzim dhe bujari me shokët dhe shoqet e saj. Kur dikush kishte vështirësi, ajo gjendej aty për të shpjeguar me durim ato që kishte mësuar vetë, duke e kthyer procesin e të nxënit në një përvojë të përbashkët dhe të këndshme. Por nuk ishte vetëm dija ajo që ndante. Edhe pak ushqimin që e merrte për mëngjes, ato shujta të thjeshta të përgatitura me dashuri nga nëna e saj, ajo i ndante me të tjerët pa hezitim. Ishte një shenjë e natyrshme bujarie dhe solidariteti, një gjest i vogël, por i mbushur me domethënie, që e tregonte karakterin e saj të pastër dhe shpirtin e saj të formuar në vlerat më të mira familjare.
Në këtë mënyrë, Blerina nuk ishte vetëm një nxënëse model për rezultatet e saj, por edhe për mënyrën se si e jetonte përditshmërinë e saj mes bashkëmoshatarëve. Ajo krijonte një atmosferë dashamirësie dhe mirëkuptimi rreth vetes, duke i bërë të gjithë të ndiheshin të pranuar dhe të vlerësuar. Për këtë arsye, ajo nuk ishte vetëm një fëmijë që mësonte për vete, por një urë lidhëse mes zemrave të vogla që ndanin ëndrra, shpresa dhe buzëqeshje në bankat e shkollës.
Kujtimi i saj, prandaj, nuk është thjesht kujtimi i një nxënëseje të mirë, por i një fëmije që mbolli përreth mirësi, dashuri dhe ndjenja të sinqerta shoqërie, duke lënë pas një shembull të rrallë se si edhe në moshën më të njomë mund të jesh model i vlerave më të larta njerëzore.
Blerina e vogël ushqente një dashuri të pafund dhe të pakushtëzuar për prindërit e saj, nënën Feride dhe babanë Hamza, duke i parë ata si qendra të botës së saj të vogël dhe të mbushur me ëndrra. Ata nuk ishin për të vetëm prindër, por figura të shenjta të dashurisë dhe sigurisë, burimi i çdo ngrohtësie dhe mbështetjeje që ajo njihte.
Po aq e thellë ishte edhe dashuria dhe admirimi që kishte për motrat dhe vëllezërit e saj më të mëdhenj. Ata nuk ishin vetëm shokët e saj të parë të lojës, por edhe mësuesit e saj të parë, të cilët e ndihmonin me durim në mësimet që i dukeshin më të vështira. Në mbrëmjet e gjata, kur familja mblidhej rreth zjarrit ose në odë, ajo ulej pranë tyre dhe i dëgjonte me vëmendje të gjitha ato që ata i mësonin, si të shkruante bukur, si të lexonte rrjedhshëm, si të kuptonte kuptimin e një fjale të re.
Por mësimet nuk mbaronin tek shkronjat dhe fletoret. Në shtëpinë e Jasharajve, edukata ishte më e thellë dhe më e gjerë. Blerina dëgjonte edhe bisedat e të rriturve — fjalët e babait Hamza dhe të nënës Feride, të xhaxhallarëve dhe të gjyshes dhe gjyshit — që flisnin seriozisht për gjëra të mëdha, për atdheun, për robërinë dhe për nevojën e qëndresës. Ajo i thithte ato fjalë me një vëmendje të heshtur dhe të ndrojtur, duke kuptuar se në atë shtëpi nuk ishte e rëndësishme vetëm të mësoje të shkruaje dhe të lexoje, por edhe të kuptoje kuptimin e madh të fjalëve si nder, besë, dhe liri.
Në këtë mjedis të veçantë familjar, Blerina po formohej si pjesë e pandashme e një trashëgimie të shenjtë. Ajo mësonte se mbi gjithçka tjetër duhej dashur familja dhe duhej mbrojtur shtëpia — jo vetëm si ndërtesë, por si simbol i nderit dhe i rrënjëve të saj. Mbi të gjitha, ajo mësoi se dashuria për atdheun nuk ishte një ndjenjë e mjegullt, por një detyrim i shenjtë që fillonte nga dashuria për familjen dhe vazhdonte deri te mbrojtja e pragut të shtëpisë nga çdo armik.
Kështu, dashuria e saj për prindërit dhe për motrat e vëllezërit nuk ishte vetëm një ndjenjë fëmijërore, por themeli i një edukate të rrallë, që e përgatiste të ishte pjesë e një familjeje që kishte vendosur të mos përkulet kurrë. Blerina e vogël, me mendjen e saj të pastër dhe të sinqertë fëmijërore, e lodhte shpesh mendjen duke u përpjekur të kuptonte gjëra që i dukeshin krejt të pakuptueshme dhe të huaja për botën e saj. Ajo nuk mund të kuptonte se si mund të ekzistonin njerëz që do të ishin të aftë të shkatërronin shtëpinë e dikujt tjetër — atë vend të shenjtë dhe të dashur ku rriteshin fëmijët, ku qeshnin, qanin dhe ëndërronin.
Në mendimet e saj të brishta, ideja e shkatërrimit të një shtëpie ishte si një lëndim i drejtpërdrejtë i zemrës. Për më tepër, kur bëhej fjalë për vrasje dhe vdekje, ajo as që arrinte të përfytyronte diçka të tillë. Për të, këto ishin fjalë të mëdha dhe të errëta, plot frikë dhe dhimbje, të cilat mendja e saj e njomë nuk donte dhe nuk mundej t’i mbante brenda.
Sepse Blerina ishte vetëm një fëmijë — një krijesë e pastër dhe e ndershme, e rritur me dashuri dhe e ushqyer me ëndrra të bardha. Për të, bota ishte ende e ndërtuar mbi rregulla të thjeshta, por të ndritshme. Shtëpia ishte vendi më i dashur në botë, familja ishte e shenjtë, njerëzit duheshin dhe ndihmoheshin, jo lëndoheshin, fjala e mirë dhe buzëqeshja ishin mjetet më të forta që njihte.
Ajo e përfytyronte jetën sipas ligjeve të buta të fëmijërisë, ku gjithçka kishte një shpjegim të mirë dhe një fund të lumtur. Në atë univers të pafajshëm, nuk kishte vend për urrejtje, për zjarr e shkatërrim, për britma e lot të pashtershëm. Në këtë mënyrë, mendimet e saj, sado të vogla dhe fëmijërore të dukeshin, ishin në të vërtetë një pasqyrë e kristaltë e asaj çka bota duhet të ishte — një vend ku çdo shtëpi mbahet e shëndoshë dhe e paprekur, ku çdo jetë është e shenjtë dhe e mbrojtur, dhe ku fëmijët nuk kanë pse të mësojnë fjalë si luftë, vdekje dhe shkatërrim.
Dhe ndodhi ajo që askush nuk do të donte të ndodhte kurrë, një ditë, krejt papritur, hordhitë e pushtuesit rrethuan shtëpinë e tyre, duke e shndërruar pragun e ngrohtë familjar në një rreth të hekurt dhe të pamëshirshëm. Në atë çast të zymtë dhe të tmerrshëm, Blerina e vogël, e zuri ngujimi brenda kullës së tyre — një kulle që deri atëherë kishte qenë strehë e dashurisë dhe sigurisë, por që po kthehej në simbol të sakrificës dhe të tragjedisë.
Ajo, vajza e njomë e familjes Jashari, e ndodhur përballë një realiteti të egër që as nuk mund ta kishte imagjinuar, nuk mendoi për veten e saj. Nuk mendoi për frikën e natyrshme që do të kishte çdo fëmijë në ato rrethana, për ankthin e zhurmës së armëve, për errësirën që mbështillte gjithçka. Në ato momente të trishtuara, kur kufiri mes jetës dhe vdekjes ishte bërë i paqartë dhe i frikshëm, mendimet e saj ishin të pastra dhe të përkushtuara.
Ajo mendonte vetëm për një gjë të vetme, për atë që kishte më të shtrenjtë në botë, që babai dhe nëna e saj të jetonin, që vëllezërit dhe motrat e saj të mbeteshin gjallë dhe të gjithë së bashku të mund të vazhdonin të jetonin gjatë dhe të lumtur. Ishte dëshira më e madhe dhe më e thellë e një zemre të vogël dhe të pastër, që nuk njihte asgjë tjetër veç dashurisë dhe kujdesit për të afërmit e saj.
Në atë çast vendimtar, ajo nuk mendoi për dhunën që vinte nga jashtë, as për mizorinë e atyre që kishin rrethuar shtëpinë. Për Blerinën, bota përfundonte dhe fillonte me familjen e saj — me fytyrat që donte dhe që i jepnin kuptim jetës së saj. Ajo s’kishte as dëshirë e as kapacitet të kuptonte urrejtjen e armikut, ajo dinte vetëm të donte, të lutej në heshtje dhe të shpresonte.
Kështu, në ato momente të fundit, Blerina mbeti ajo që kishte qenë gjithmonë, një fëmijë i pastër dhe i pafajshëm, që mbante në zemër një dashuri të pafund për familjen dhe një dëshirë të thjeshtë, por sublime — që të gjithë të jetonin, të rriteshin dhe të ishin të lumtur, larg dhunës, larg frikës, larg vdekjes.
Por pastaj, ndodhi e paimagjinueshmja. Një jehonë shurdhuese — bum… bum… — tronditi themelet e kullës, duke përplasur muret e saj të forta dhe duke shkatërruar çdo ndjesi sigurie që ajo kishte ofruar deri atëherë. Një re e madhe tymi dhe pluhuri u ngrit mbi të, duke mbuluar gjithçka në një errësirë të zymtë dhe të frikshme. Ajo kullë, që për Blerinën kishte qenë strehë, shtëpi, ngrohtësi dhe vend i këngëve dhe i tregimeve të nënës, u shndërrua papritur në skenë të dhimbjes dhe shkatërrimit.
Në ato çaste të tmerrshme, Blerina e vogël nuk e kuptonte dot çfarë po ndodhte. Për mendjen e saj të njomë, zhurma ishte e huaj dhe e frikshme, një e keqe që nuk kishte as emër dhe as arsyetim. Ajo nuk mund të konceptonte urrejtjen që sillte me vete ato granata dhe predha që shkatërronin çdo gjë të dashur për të. Dhe pastaj, papritur, një copëz granate gjeti rrugën e saj mizore drejt zemrës së saj të vogël.
Në atë çast, ëndrrat fëmijërore u shuan dhe jeta e saj e shkurtër mori fund. Por Blerina nuk mbeti vetëm një viktimë e pafajshme e një akti të egër. Ajo u bë engjëll — një prej atyre engjëjve të pastër që, në imagjinatën tonë, bartin një bukuri dhe paqe që nuk mund të preket nga asnjë forcë e keqe. Ajo u ngrit lart, përtej tymit dhe shkatërrimit, duke u bashkuar me engjëjt e tjerë të pafajshëm që kishin ndarë të njëjtin fat tragjik.
Dhe në mënyrë të mistershme, por të shenjtë, ata u bënë pjesë e vetë lirisë së Kosovës. Sepse liria nuk ishte vetëm një fitore politike apo ushtarake, por një borxh i shenjtë i mbuluar me gjakun e fëmijëve si Blerina. Ata nuk e panë kurrë agimin e lirisë për të cilën u flijuan, por ata janë përjetësisht të pranishëm në çdo frymëmarrje të saj.
Kështu, Blerina mbeti përherë engjëll mbrojtës i Kosovës, dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të paguar, por edhe simbol i shpresës së përjetshme për një të ardhme ku asnjë fëmijë nuk do të ketë më frikë nga zhurma e granatave, ku asnjë zemër e njomë nuk do të ndalet më prej urrejtjes së verbër.
Lavdi përjetë engjëllit të vogël, Blerina Jashari, e cila, e ndarë dhunshëm nga kjo botë në moshë të njomë, na përshëndet sot nga parajsa me ëmbëlsinë dhe pafajësinë e saj të përjetshme. Nga ai vend i shenjtë dhe i ndriçuar ku nuk ka më zhurma armësh, nuk ka frikë, nuk ka dhimbje, Blerina na dërgon çdo ditë urime dhe lutje të heshtura, duke mbajtur gjallë kujtesën e saj të pastër dhe amanetin e saj të pashkruar.
Ajo sikur na flet në heshtje dhe na kujton me zë të butë e të qartë se liria e Kosovës nuk është një e dhënë e lehtë, por një trashëgimi e shenjtë që kërkon përkushtim, dijeni dhe dashuri të vërtetë. Në çdo agim të ri, në çdo ditë të qetë dhe të lirë që e gëzojmë sot, mund të ndiejmë përshëndetjen e saj engjëllore, një bekim që na thërret të jemi të denjë për sakrificën që u bë në emrin tonë.
Ajo na uron, me pafajësinë që kurrë nuk iu shlye, që Kosova jonë e dashur të bëhet një parajsë e vërtetë mbi tokë — një vend ku sundojnë paqja dhe drejtësia, ku njerëzit jetojnë me dinjitet, ku ata dinë ta duan njëri-tjetrin dhe, mbi të gjitha, ta duan Kosovën e tyre sovrane.
Ky është amaneti që mbart kujtimi i saj, të mos harrojmë kurrë se çdo cep i këtij vendi është larë me gjakun e engjëjve si Blerina. Të ndërtojmë një shoqëri ku sakrifica e saj dhe e shumë të tjerëve të mos ketë qenë e kotë, ku brezat që vijnë të jetojnë të lirë nga frika dhe urrejtja, dhe ku fjala “atdhe” të mbushet gjithmonë me dashuri dhe krenari.
Lavdi të përjetshme Blerinës dhe gjithë engjëjve të lirisë, që nga parajsa na ruajnë dhe na drejtojnë, duke na kujtuar çdo ditë detyrimin tonë të shenjtë për ta bërë Kosovën vend të denjë për të jetuar, për të ëndërruar dhe për të dashur.
Literatura:
- Hanëmshahe Ilazi & Nusret Pllana, Fëmijet martir të Kosovës, Prishtin, 2019
- Hanëmshahe Ilazi, A vriten engjëjt?! (Vrasjet e fëmijëve në Kosovë) (1981-2000), Prishtinë, 2021
- Mehmet Bislimi, Këtu i thonë Drenicë, Prishtinë, 2004
- Bedri Tahiri, Adem Jashari, legjendë e legjendave, Prishtinë, 2008
- Sabile Keçmezi-Basha, Pafajsija e vrarë, 1 qershor 2025, https://www.zemrashqiptare.net/news/68110/sabile-basha-pafajesia-e-vrare.html
- Bardh Hamzaj & Faik Hoti, Jasharët (Historia e rrëfyer nga Rifat, Besarata, Bashkim, Murat dhe Lulzim Jashari), Prishtinë,2003
- Fehmi Ajvazi, Figura e Adem Jasharit, Prishtinë, 2018
(Vijon)