Në ditëlindjen e 91-të të mikut – Ullmar Qvick

0
Rizah Sheqiri - Ullmar Qvick

Rizah Sheqiri

Një ditëlindje e veçantë për një mik të veçantë

Në këtë ditë të rëndësishme, le të festojmë jo vetëm 91 vitet e jetës së Ullmar Qvickut, por edhe veprën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në letërsi, kulturë dhe dialogun mes popujve. Qofshin vitet që vijnë të mbushura me shëndet, gëzim dhe frymëzim të pashtershëm!
Urime të përzemërta për mikun e çmuar!

I dashur Ullmar,
Shumë urime për ditëlindjen tënde të 91-të!

Është e vështirë të gjej fjalët e duhura për të përshkruar sa shumë ka rëndësi miqësia jonë për mua gjatë viteve. Për më shumë se 33 vjet kam pasur privilegjin të të quaj mikun tim, poetin dhe kolegun tim si shkrimtar, por mbi të gjitha një burim frymëzimi. Gjatë këtyre viteve kemi ndarë shumë biseda, bashkëpunime, të qeshura dhe ndoshta edhe disa momente serioze – dhe çdo çast ka qenë i çmuar.

Urtësia jote, ngrohtësia jote dhe aftësia jote për të parë si njerëzit ashtu edhe kontekstin në thellësi më kanë impresionuar gjithmonë. Ti ke një kombinim të rrallë të përvojës së jetës dhe gëzimit të jetës, gjë që e bën çdo njeri të ndihet i vlerësuar dhe i forcuar në praninë tënde.

Gjatë gjithë këtyre viteve kemi pasur shumë projekte të përbashkëta, si të mëdha ashtu edhe të vogla. Një nga momentet e para të paharrueshme ishte gjatë muajve të parë të qëndrimit tim në Suedi, më saktësisht në Ystad në vitin 1992. Atëherë mora pjesë në një projekt të madh që trajtonte përvojat e refugjatëve. Ishte një ekspozitë fotografike dhe për imazhet dokumentare shkrova poezi në shqip – poezi që ti i përktheve në suedisht. Disa prej këtyre poezive i lexova për herë të parë përpara një publiku suedez në bibliotekën e qytetit të Ystadit.

Ishte një moment i rëndësishëm për mua. Që atëherë, kontakti ynë ka vazhduar rregullisht, fillimisht me letra dhe më vonë ky komunikim u zhvillua në një projekt të madh të përbashkët: puna jonë për përpilimin e tekstit shkollor “Urat tona”për fëmijët shqiptarë në Suedi, botim i Entit të Shkollave të Suedisë “Skolverket”. Ti, unë dhe miku ynë i vjetër, Ramadan Rexhepi, ishim bashkëautorë të asaj vepre – një punë për të cilën edhe sot e gjithë ditën mund të jemi krenarë.

Rizah Sheqiri

Kemi marrë pjesë edhe në shumë projekte dhe angazhime të tjera, veçanërisht për luftën e Kosovës për liri. Ti ke përkthyer disa nga artikujt e mi me synimin për të përhapur të vërtetën mbi situatën në Kosovë dhe për të ngritur zërin për të drejtat e popullit shqiptar dhe përpjekjen e tij për paqe dhe liri.

Koha ka kaluar, dhe ne kemi qenë aktivë në projekte të ndryshme të shkrimit – ndonjëherë së bashku, ndonjëherë veç e veç – por gjithmonë me mbështetje të ndërsjellë dhe gëzim për sukseset e njëri-tjetrit. Një moment veçanërisht i gëzueshëm ishte në vitin 2017, kur përktheve përmbledhjen time të parë poetike “Marimanga e dritës – Ljusets spindel”, në bashkëpunim me shtëpinë botuese Ordspår. Libri ishte një sukses për mua si autor – por edhe për ty si përkthyes.

Madje libri u recenzua në Göteborgs-Posten më 26.10.2017, gjë që më bëri shumë të lumtur, veçanërisht sepse recensioni ishte një homazh jo vetëm për mua, por edhe për popullin shqiptar. Kritiku i njohur letrar dhe recensenti Ulf Eriksson e vlerësoi shumë lartë poezinë time duke shkruar, ndër të tjera, se “Ljusets spindel – Merimanga e dritës” meriton të lexohet sipas vlerës së saj, si poezi dëshmie, gatishmërie dhe tani kujtesë” e një kohe të vështirë.

Më kujtohet veçanërisht kur ti shprehe gëzimin tënd për atë recension dhe the: “Imagjino, dikur kam punuar si shpërndarës gazetash për Göteborgs-Posten – dhe tani ajo gazetë vlerëson një libër që unë kam përkthyer!…”
Ishte sikur koha të lidhej në një moment të bukur krenarie dhe mirënjohjeje.

Po. Kemi krijuar shumë kujtime, ura miqësie dhe thesare të çmuara – jo vetëm për veten tonë, por edhe për brezat e ardhshëm, si suedezë ashtu edhe shqiptarë.

Gjatë viteve, ne gjithashtu kemi vlerësuar dhe kritikuar në mënyrë të kujdesshme veprat e njëri-tjetrit. Për shembull, unë kam shkruar për mediat shqiptare lidhur me broshurën tënde të vlefshme të publikuar në vitin 1999 me titullin “Blickpunkten: Kosova, një broshurë mbi tradhtinë, krimet dhe dëshirën për liri. Mbi luftën e shqiptarëve për drejtësi.” Më vonë, ndër të tjera kam bërë një recension për librin tënd “Më shumë heroizma se sa grurë” për katalogun e BTJ – Shërbimit Bibliotekar të Suedisë.

Por një recension më ka mbetur veçanërisht në kujtesë – një që ende më sjell gëzim sa herë që e kujtoj. Ishte recensioni im për përmbledhjen tënde poetike “Hägringar och positioner,” i cili u botua si artikulli kryesor në faqen e kulturës të Blekinge Läns Tidning më 2 nëntor 2019, i ilustruar me fotografinë tënde dhe kopertinën e librit.

Fotografia jote mori qendrën e vëmendjes. Në të njëjtën faqe ishte gjithashtu një njoftim shumë më i shkurtër mbi përkthyesit e laureates të Çmimit Nobel, Olga Tokarczuk, që u mblodhën në Stokholm, shkrim ky, ndoshta pesë deri në gjashtë herë më i shkurtër se recensioni për librin tënd, i cili kishte zën vendin kryesor në faqen e kulturës, të gazetës ditore Blekinge Läns Tidning që po e kremtonte 150-vjetorin e themelimit.

Vërtet… Ishte një moment i duhur dhe i bukur për njohjen e veprës tënde… Për këtë gjë ndihem shumë i nderuar si recensent dhe aqë më tepër më ka bërë shumë të lumtur fakti që shkrimi im ishte për poezinë tënde, për ty dhe për librin tënd.

Po, ne kemi shumë kujtime të lumtura për të festuar…
Prandaj, sot nuk dua vetëm të festoj ditëlindjen tënde duke përkujtuar disa nga kujtimet tona të përbashkëta – dua të të nderoj edhe si mik, mentor dhe njeri i mrekullueshëm. Prania jote ka pasuruar jetën time në kaq shumë mënyra, me mençurinë, përkushtimin dhe zemrën tënde të madhe. Jo vetëm që më ke frymëzuar me fjalët dhe veprat e tua, por edhe me mënyrën tënde të të qenit – gjithmonë i vëmendshëm, i urtë e i mbushur me ngrohtësi njerëzore.

Moqësia jonë, edhe pse fizikisht në largësi, përmes jetës dhe punës tonë krijuese, është një dhuratë për të cilën jam thellësisht mirënjohës. Faleminderit për gjithçka që ke ndarë me mua gjatë viteve. Me mirënjohje shoh prapa në rrugën tonë të përbashkët dhe me shpresë pres vazhdimin e këtij bashkëpunimi. Miqësia jote është shndërruar në një forcë të heshtur në jetën dhe krijimtarinë time – një pasuri që e mbaj me mirënjohje të thellë.

Të ndaja momente jete e krijimtarie me ty si mik ka qenë një burim i madh gëzimi dhe frymëzimi – diçka për të cilën jam thellësisht mirënjohës çdo ditë. Miqësia jote ka pasuruar si jetën time, ashtu edhe shprehjen time artistike – një dhuratë me vlerë të rrallë, të cilën e ruaj me respekt dhe dashuri.

Me një dëshirë të sinqertë që të festojmë edhe shumë e shumë ditëlindje tua së bashku dhe me shpresën që vazhdimisht do të ndajmë gëzimin e sukseseve tona krijuese, të dërgoj një mijë urime të përzemërta për ty në këtë ditë kaq të veçantë.

Sot më sjell një gëzim të thellë fakti që në Mitrovicë, Kosovë, po festohet zyrtarisht ditëlindja jote e 91-të. Është një nder që në këtë ditë, për të kremtuar ditëlindjen tënde, bëhet lansimi e përurimi i dy librave: botimi i ri i librit “Ullmar Qvick 91 år, 91 vjet – 91 dikter, 91 poezi”, një përmbledhje me 91 poezi tua në suedisht dhe shqip – një vepër që pasqyron një jetë të mbushur me ndjenjë të thellë, mprehtësi dhe përkushtim letrar – dhe libri tjetër, i monografisë së mikut tonë, Fetah Bahtiri, mr titull “Ullmar Qvick – Albanolog plus”, ku edhe unë kam pasur privilegjin të kontribuoj me disa tekste për juve dhe për veprimtarinë tënde letrare, si dhe të bëj me shumë kënaqësi edhe dizajnimin e kopertinës së librit.

Veprimtaria jote si ndërtues urash mes kulturave, veçanërisht mes Suedisë, Kosovës dhe Shqipërisë, sot e gjithë ditën vlerësohet nga shumë njerëz. Prandaj, nuk është për t’u habitur që sot ditëlindja jote nuk po festohet vetëm në Kosovë, por edhe nga shqiptarët dhe miqtë e shqiptarëve në mbarë botën.

Faleminderit për përkushtimin tënd të përjetshëm për letërsinë, për zërin tënd në debatin publik dhe për frymëzimin që vazhdimisht na jep të gjithëve. Veprimtaria jote është një kujtesë për fuqinë e fjalëve, për besnikërinë ndaj asaj që besojmë – dhe për rëndësinë e të mos ndalurit kurrë së krijuari.

Me gjithë respektin dhe mirënjohjen time, Käre vän – i dashur mik – Ullmar Qvick të uroj një ditëlindje të lumtur !

Me respekt dhe përzemërsi,
Rizah Sheqiri

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.