
Fjalë paraprake
Një gjurmim shkencor që ka munguar
Profesori universitar, Ardian Doka, i është qasur dhe e ka studiuar në mënyrë të lartësuar e të shumanshme tekstin në latinisht të vitit 1332 dhe historikun e tij, po dhe tekstin e tërësishëm të Directorium ad passagium faciendum (Udhëzues për të bërë kalimin), në veçanti pjesën prej rreth 150 faqesh (tekstin e faqeve 365-517, brenda një vëllimi të përzier me titullin Përmbledhje e Historianëve të Kryqëzatave, Dokumente Armene, (Dokumente latine e franceze lidhur me Armeninë), vëllimi i dytë, botuar nga Akademia franceze e letrave të bukura, në Paris, më 1906.).
Brenda Directorium-it (Udhëzuesit) gjendet, siç është e njohur tashmë, edhe kjo frazë: «Et licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in usu et in omnibus suis libris.» (Sipas Brocardus, Directorium ad passagium faciendum, në RHC2, f. 484) – Këta shqiptarë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, por përdorin në librat e tyre shkronjat latine, që u rizbulua nga Edith Durham-i më 1909.
Ky mendim që është në tekstin e Projektit të kryqëzatës Directorium ad passagium faciendum i vitit 1332, pa emrin e autorit, ka zgjuar interesimin dhe ballafaqimin e mendimeve të shumë studiuesve, shqiptarë dhe të huaj.
Dy kanë qenë çështjet që e kanë bërë mirëfilli të ndërliqshëm studimin e këtij teksti, po dhe të tekstit të tërësishëm të Projektit: përkthimi në shqip i këtij teksti (për studiuesit shqiptarë) dhe autorësia e tij (për studiuesit e huaj).
Çështja e autorësisë së tekstit të Projektit ka nxitur hulumtimin dhe ballafaqimin, shpesh të ashpër, të studiuesve të huaj. Kjo lidhet me mëdyshjet nëse Directorium ad passagium faciendum dhe Descriptio terrae sanctae, ishin vepra të të njëjtit autor, të dy autorëve të ndryshëm? – Të Brokard Gjermanit (një domenikan), i cili mes viteve 1275-1285 kishte qëndruar në Palestinë, ku shkroi në latinishte librin me titullin Descriptio terrae sanctae, apo Directorium-i qe vepër e Guljelm Ades, kryeipeshkvit të Tivarit, siç thoshte Kohler-i. Kështu, për 125 vjet Projekti qarkulloi pa emër autori, përballë Descriptio-s, që e kishte emrin e autorit, Burcardus Teutonicus, gjithashtu frat i urdhrit domenikan.
Për të qenë mendimet dhe vlerësimet e tij sa më të qëndrueshme, të mbështetura në fakte e të dhëna të tekstit të Projektit anonim të kryqëzatës, Doka e vështron atë në tri rrafshe të rëndësishme: a) merret me studimin e vetë tekstit të Projektit – Udhëzuesit, në faqet 365-517 të përmbledhjes së 1906-s, e boton tekstin në origjinal, latinisht, dhe e përkthen në gjuhën shqipe; b) merret me vlerësimet e një vargu autorësh të huaj që janë marrë me përkthimin, me studimin dhe me botimin e Directorium-it dhe c) i vlerëson mendimet e studiuesve shqiptarë për pjesën e tekstit ku flitet për gjuhën dhe librat në gjuhën shqipe.
Ndërliqësia e çështjes së autorësisë së
Directorium ad passagium faciendum
Profesor Doka i parashtroi vetes si detyrë kryesore që të thellohet sa më shumë në qenësinë e tekstit të Directorium ad passagium faciendum dhe mundësisht të caktojë dhe autorin që do ta ketë shkruar. Për t’ia dalë kësaj ai lexoi një varg punimesh të autorëve të huaj, sidomos ato që lidheshin me përgatitjen dhe botimin në gjuhë të huaja, sidomos në frëngjisht, të Directorium-it, shpesh dhe kundërthënëse, duke nxjerrë në dritë të dhëna e fakte të rëndësishme për natyrën e tekstit.
Për të mos e ngarkuar këtë fjalë paraprake me mendime të shumta që i përdor autori ynë në rrafshin e këtij hulumtimi, po përmend vetëm tri. Kështu, Doka thotë që «Kohler-i, megjithëse këmbënguli jo pak për Guljelm Aden, qe i detyruar të pranonte se “… vetë forma e dy shkrimeve është krejt e ndryshme. Kushdo që i lexon pa paralajmërim, me siguri, nuk do të mendojë se bëhet fjalë për të njëjtin autor. Descriptio-ja mban vulën e një mendjeje të thjeshtë dhe jo fort të mprehtë, por të qetë e tolerante. Te Directorium-i shohim një shkrimtar me inteligjencë të madhe e të shkëlqyer, një njeri të kulturuar dhe të nyjëtuar, por me pasione të dhunshme, një apostull të dubluar me një inkuizitor […] autori i Descriptio-s jep hollësi të sakta, të mbledhura në terren, mbi vrasësit, vendin e të cilëve ai e ka vizituar; kurse autori i Directorium-it, duke shkruar më vonë, pohon se nuk i ka njohur dhe rrëfen për ta vetëm ç’ka dëgjuar të thuhet”».
Përkthyesi në frëngjisht i Directorium-it dhe i De modo-s, Jean Miélot, nuk e pati fort të vështirë që edhe tek anonimi i Directorium-it “të shquante” Brokard Gjermanin. Megjithatë, këto dy vepra nuk mund të vijnë nga e njëjta penë, sepse domenikani që shkroi më 1332 Directorium-in ishte francez, kurse domenikani tjetër, të cilit i detyrohemi për Descriptio-n, ishte një gjerman i shtyrë në moshë. Edhe për Giles Constable dallimet midis dy veprave De modo-s dhe Directorium-it janë shumë të mëdha, prandaj ka pak të ngjarë që ato të jenë punë e të njëjtit autor. Nëse tek Tractatus-i qasja është më fort ekonomike, sepse Guljelm Ade përqendrohet te bllokada tregtare ndaj Egjiptit, Directorium-i ka një orientim më politik dhe duket se autori bën fjalë për vise më të largëta sesa sivëllai i tij, duke shpalosur njohuri më të thella për astronominë dhe lundrimin.
Pikërisht në gjurmimin ngulmues e të gjerë të profesor Dokës, zënë e tfillohen fijet e autorit të njëmendët të Directorium-it, Rajmond Stefanit, një frat domenikan i zoti, të cilin studiuesi ynë e quan, jo pa arsye, pseudo-Brokardi. Domenikani nuk e kishte vënë emrin te Projekti i kryqëzatës së menduar për në Tokën e shenjtë, drejtuar Filipit VI Valua, mbretit të Francës për disa arsye.
Pasi e studion me kujdes tekstin e Projektit, Doka shkruan: «Nëse “kryqëzata e vogël avinjonase” do të dilte me sukses, Filipi VI Valua do të shtinte në dorë Rashën, të cilën Rajmond Stefani e quan një “xhevahir të bukur, të këndshëm dhe të çmuar”, dhe do t’ia kthente perandorinë e rrëmbyer nga Mihali VIII Paleologu “të zotit të saj të vërtetë”, të mishëruar në personin e tij. Gjithashtu, “kryqëzata e vogël avinjonase” do ta ndihmonte edhe Gjonin XXII që t’i fuste sërish në vathën e Kishës Romane delet e humbura për shkak të skizmës së madhe, si serbët, bizantinët, armenët, bullgarët, rusët dhe vllehët.
A nuk thotë Rajmond Stefani se “edhe sikur vetëm ky përfitim, e asnjë tjetër, të vinte nga kalimi i lartpërmendur, askush nuk duhet ta quajë atë një gjë të vogël…” Te meraku i papës që të mos merrej vesh se ishte ai që po i frynte këtij zjarri, ndërkohë që i përgjërohej Filipit VI ta drejtonte vetë ekspeditën dhe të nisej sa më parë për në Jerusalem, duhet kërkuar, sipas Kohler-it, shkaku i vendimit të autorit të Directorium-it për të mbetur anonim. Rajmond Stefanit do t’i kushtonte ruajtja e anonimatit, sepse nga njëra anë do të shtrëngohej të shkelte mbi egon e tij, kurse, nga ana tjetër, do ta cenonte jo pak edhe besueshmërinë e projektit që po paraqiste».
Nga studimi hyrës i Ardian Dokës, mësojmë se Charles Kohler-i na bën të ditur se «një letër e shkruar nga Gjoni XXII për mbretin Oshin [të Armenisë], më 8 qershor 1318, në të cilën [papa] e njoftonte për dërgimin e këtij misioni, na thotë se njëri prej misionarëve, me sa duket vetë shefi, ishte ngarkuar posaçërisht për ngritjen e shkollave dhe emri i tij figuron në letër: quhej Rajmond Stefani (Raimundus Stephani). Ndërsa nga Omont-i mësojmë gjithashtu se «më 1 prill 1318, papa Gjoni XXII, për të siguruar organizimin e misionit të Persisë, pati vendosur ta ngrinte qytetin Sulltanijes në rangun e një argjipeshkvie dhe kishte caktuar si titullarin e parë të selisë së re domenikanin Franko të Peruxhës, deri atëherë misionar në të njëjtin rajon.
Disa ditë më vonë, një bulë e datës 1 maj, emëronte pranë Frankos së Peruxhës, si sufraganë, gjashtë domenikanë të tjerë, duke i veshur njëkohësisht me dinjitet ipeshkvor. Guljelm Ade ishte njëri prej tyre dhe ky është dokumenti i parë në të cilin përmendet emri i tij. (Gjoni XXII e transferoi Guljelm Aden përsëri, këtë herë në selinë argjipeshkvore të Tivarit, në Dalmaci, në vitin 1324).
Pra, pas ballafaqimit të shumë mendimeve dhe të fakteve Doka ia del të ndriçojë se cili ishte autori i Projektit anonim të kryqëzatës, Rajmond Stefani, po dhe ta shpalosë mirëfilli karakterin e tekstit të Directorium ad passagium faciendum.
Gjykime dhe lëkundje të studiuesve shqiptarë
Meqenëse në Projektin e Rajmond Stefanit gjendet teksti ku flitet për gjuhën shqipe dhe për librat shqip, Ardian Doka merret gjerësisht me atë që kanë thënë studiuesit tanë për tekstin në latinisht, që, të thuash, e kanë përkthyer sipas pikëvështrimeve të tyre. Ajo që heq peshë është se Doka nuk i kursen studiuesit tanë që kanë shpejtuar për të marrë “primatin”, për të dëshmuar se arbërorët – shqiptarët kishin librat në gjuhën e tyre, e ndryshme nga gjuha latine qysh në fillim të shekullit XIV.
Shqyrtimin e mendimeve të studiuesve shqiptarë Doka e bën me gjakftohtësi dhe me argumente dhe nuk i kursen autorët, pa marrë parasysh shquarësinë (zulmën, emrin) e tyre. Jo pse ai ka dëshirë dhe synim t’i kundërshtojë, po dija që pati fituar duke e lexuar tekstin e origjinalit dhe duke i njohur shumë mendime dhe vlerësime të studiuesve dhe botuesve të huaj të Projektit, pati si rrjedhojë që t’i cilësojë ato si të paqëndrueshme.
Duke folur për këtë dukuri, Doka shkruan: «Dihet mirëfilli se për interpretimin e saj (çështjen e tekstit për gjuhën shqipe dhe për librat në shqip në vitin 1332) ka pasur qysh herët dy qëndrime: njëri, le ta quajmë “zyrtar”, i përfaqësuar nga vetë Edith Durham-i, prof. Mahir Domi, prof. Dhimitër Shuteriqi, Stavro Skendi, prof. Eqrem Çabej etj., i cili e do fjalëformën latine litteram me kuptimin ‘shkronjë’ ose ‘alfabet’ dhe tjetri, “i pazyrtarizuar” ende, që e do të njëjtën fjalëformë me kuptimin ‘gjuhë’ ose ‘libër’, i përfaqësuar nga prof. Zef Skiroi, i Riu, prof. Selman Riza, Alain Ducellier, Gunar Svane, prof. Injac Zamputi etj. Natyrisht, nuk është e vështirë të kuptohet edhe që leximi i parë u ka çelur shtegun hamendësimeve lidhur me ekzistencën e shkrimeve shqipe jo pak, por 223 vjet para Buzukut»[1].
Sipas studiuesit Doka, e meta kryesore e vlerësimeve lind, para së gjithash, nga përkthimi i tekstit në latinisht, ku flitet për gjuhën shqipe dhe për libra shqip.
Këtë gjë e kishte vërejtur dhe prof. Selman Riza, i cili në veprën Pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe, krestomaci thjesht gjuhësore, të botuar në Tiranë më 1961, shkruante: «Tani kuptohet vetiu se në frazën e Brokardit, njëjësi litteram latinam kurrsesi nuk mund të ketë kuptimin e kësaj apo asaj shkronje latine të veçantë; e për pasojë kuptohet vetiu se në këtë frazë ky njëjës kurrsesi nuk mund të jetë përdorur për vetvete: përkundrazi është krejt e qartë se aty njëjësi: litteram latinam qëndron domosdo për shumësin litteras latinas. […] së këndejmi nuk mund të nxirret aspak përfundimi se, në frazën e Brokardit, shumësi litteras latinas paska dashur pa tjetër të thoshte vetëm e vetëm alfabet latin.».
Në polemikë me Domin,, me Shuteriqin, por edhe me të gjithë studiuesit e mëparshëm, me një përjashtim të vetëm (Zef Skiroin, të Riun), Riza shtie në punë argumente gjuhësore për të na mbushur mendjen që autori i Projektit të kryqëzatës, Brokardi, në të vërtetë Rajmond Stefani, e kishte fjalën për gjuhën latine dhe jo për alfabetin latin. Së këndejmi, prof. Riza thoshte se për ta kuptuar mirëfilli tekstin për gjuhën shqipe dhe librat shqip, është e domosdoshme të studiohet me kujdes të shtuar i gjithë teksti në latinisht «një interpretim rreptësisht shkencor i shprehjes litteram latinam (për të mënjanuar njërin nga dy kuptimet e saj të mundshëm) do të kërkonte një analizë paraprake jo vetëm të frazës përkatëse “Licet Albanienses” etj., por edhe të mbarë tekstit përkatës, d.m.th. të mbarë relacionit të Brokardit (lexo: Rajmond Stefanit). Ndërkaq hëpërhë ky i fundit është për ne i paarritshëm.»
Ardian Doka është i vetmi deri më sot që e plotësoi këtë kusht që e përmend prof. Riza, duke e studiuar me vëmendje tekstin e Projektit të Rajmond Stefanit, duke e përfshirë tekstin në latinisht dhe përkthimin në shqip të rreth 150 faqeve te Rajmond Stefani, Udhëzues për të bërë kalimin. Raimundus Stephani, Directorium ad passagium faciendum.
Studiuesi Doka ka shkuar më larg se cilido autor i deritanishëm në shpalimin e qenësisë së tekstit të vitit 1332 e të historisë së tij, po dhe për ndriçimin e pjesës së tekstit që arbërorët – shqiptarët kishin librat e tyre që në fillim të shekullit XIV. Ai e përktheu kështu pjesën e tekstit që flet për gjuhën dhe librat shqip: «Le të kenë arbërit një gjuhë [të folur] krejt tjetër nga latinishtja e të ndryshme, prapëseprapë [ata] gjuhën [e shkruar] latine kanë në përdorim [letërkëmbim][2] dhe në të gjithë librat e vet.»
Këtë përkthim ai e ndërlidh edhe me qëllimin e autorit të projektit të kryqëzatës dhe shkruan: «Për mendimin tonë, ky lloj ngulmimi është shprehje e kënaqësisë që ka ndier frati i urtë kur e kuptoi më në fund se e kishte kapërcyer edhe ngërçin me gjuhën. Ai merr një vlerë të posaçme nëse fragmenti lexohet edhe “politikisht” – ndonëse arbërit janë një popull tjetër, me një gjuhë të ndryshme nga latinishtja e të tjetërllojshme, ata mbeten prolatinë (kupto edhe profrancezë), sepse i përkasin ritit latin, i urrejnë sllavët (armiqtë e të vërtetave tona dhe të fesë sonë) dhe si gjuhë shkrimi përdorin latinishten».
«Pra, Rajmond Stefani e ka fjalën për gjuhën e shkruar latine dhe jo për alfabetin latin. Fragmenti i tij nuk na ndihmon dot për të provuar, qoftë edhe tërthorazi, se shqipja shkruhej në shekullin XIV. Megjithatë ai, i marrë veçmazi, nuk provon logjikisht as të kundërtën, kështu që çështja jonë mbetet gjithsesi e hapur. I kemi zënë besë Rajmond Stefanit, në cilësinë e dëshmitarit të vetëm, duke e lexuar ligsht ose drejt fragmentin në fjalë, pa na vajtur ndër mend se autori i tij mund të mos ishte i interesuar të thoshte të vërtetën. Pas shqyrtimit të kujdesshëm të krejt relacionit, kjo nuk ngjan e pamundur[3]. Në këtë kuptim, pesha e dëshmisë së Rajmond Stefanit, pavarësisht prej leximit që mund t’i bëhet, relativizohet mjaft».
Studimi i prof. Ardian Dokës për Projektin e Rajmod Stefanit, sidomos për pjesën kur bëhet fjalë për gjuhën e arbërorëve – shqiptarëve dhe për librat e tyre, dëshmon për një punë shkencore të mirëfilltë, larg çdo animi ose ngjyrimi kombëtar e historik, gjë që të kujton atë që shkrimtari i shquar rus, Anton Çehovi me përvojë, po i thoshte Ivan Buninit, një shkrimtari të ri, i cili shkruante proza të shkurtra dhe më vonë dhe e fitoi Çmimin Nobel për letërsi (më 1933): «Kur të shkruash prozë, duhet të jesh i ftohtë si akulli dhe të kesh qetësi absolute».
Ardian Doka veproi në të njëjtën mënyrë duke e studiuar Projektin e Rajmond Stefanit, po në vend të qetësisë absolute, zbatoi punën këmbëngulëse, përkushtimin dhe hulumtimin e gjatë në heshtje.
Prishtinë, gusht 2024
ANTON NIKË BERISHA
[1] Shih dy studimet e mia monografike “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014 dhe Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza 2016.
[2] Natyrisht, këtu nuk e kemi fjalën thjesht për letërkëmbimin ndërpersonal, por për komunikimin me shkrim në përgjithësi.
[3] Në gjurmimet e veta Doka dëshmon se herë-herë Rajmond Stefani shfaqet kontradiktor (edhe gënjen).
Prof. Doka,
Në portalin FJALA e LIRË, moderator i të cilit është i nderuemi Arben Çokaj, gjithëherë publikohen shkrime të mirëfillëta që na zgjojne kërsherinë t’i lexojmë dhe të japim komente.
Shkrimin e Juaj e lexova me kujdes.
Ju lumtë që keni studiuar në mënyrë të lartësuar e të shumanshme tekstin në latinisht të vitit 1332 dhe historikun e tij.
Studimi i juaj kur bëhet fjalë për gjuhën e arbërorëve – shqiptarëve dhe për librat e tyre, dëshmon për një punë shkencore të mirëfilltë, larg çdo animi ose ngjyrimi kombëtar e historik…
*
Komentin po e përfundoj me këtë mendim, në fakt me këto dy vargje:
Me studime të vjetra jemi rritë,
edhe sot duhet t’i ruejmë si sytë!
IMH