Vrasja e 14 vjeçarit Martin Cani në shkollën “Fan Noli” është një ngjarje tragjike. Është vrasje që trishton dhe dhemb thellë në shpirtin e çdo shqiptari. Dhimbja, çdo ditë dhe më pas bëhet edhe më e madhe, familjes i mungon djali i saj. Martini tani u mungon gjithë shqiptarëve. Ai nuk jeton më, pasi u vra nga bashkëmoshatari i tij në afërsi të shkollës ku kishte shkuar për të marrë dije… Ngjarja duhet analizuar thellë, duhet të kërkohet përgjegjësi, të dënohet autori i krimit dhe të merren masa drastike që të mos kemi më viktima të tjera. Ka shumë enigma ky krim, nuk ka shumë transparencë, hesht drejtoria e shkollës, institucionet ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre. Duhet të dalë përgjegjësia dhe të ndëshkohen autorët.
Drejtoresha e shkollës, mësuesja kujdestare, kolektivi pedagogjik, psikologu i shkollës, punonjësi social, oficeri i sigurisë dhe punonjësi i policisë që mbulon shkollën, duhet të kishin reaguar në kohë për të parandaluar këtë krim të rëndë… Kjo ndodhi tanimë, por të gjithë aktorët brenda shkollës dhe jasht saj duhet të mbajnë përgjegjësi, të nxjerrin mësime dhe të mbrojmë jetën e fëmijëve në shkolla e kudo gjinden ata. Institucionet e shtetit duhet të forcojnë ligjet për krime të tilla dhe t’i dënojnë me ashpërsinë më të madhe ligjore ato. Ngushëllime familjes.
Përtej kësaj ngjarje, dhe duke e analizuar atë, mendoj se problemi është më i ndërlikuar. Shoqëria jonë po kalon shumë trauma. Një shkak i këtyre ngjarjeve janë edhe rrjetet sociale. Shtrohet pyetja: A duhet ndaluar, Tik Toku? Absolutisht, po. A e zgjidh kjo masë problemin? Jo. Tik Toku është një mjet i nxitjes i dhunës nëpër shkolla dhe shoqëri, por nuk është i vetëm. Duhet të ndalohen me ligj edhe disa emisione televizive “çedukuese” për brezin e ri dhe gjithë shoqërinë. Edhe këto masa nuk e zgjidhin problemin, por mund ta minimizonte atë. Më i rrezikshëm është “tiktoku” në mendje, ku dhuna bashkëjeton me ne, në gjithë qenien tonë. Janë mendësitë dhe kufizimet ideore të njerëzve që kanë mentaliteti krahinor, ku sipas tyre “fiton” më i forti. Pa u mbyll një ngjarje me dhunë, hapet një tjetër… Thuhet se shpresa vdes e fundit. Po të vazhdohet kështu, kjo shprehje nuk ka më kuptim. Ajo ka vdekur…
Në trupin e shoqërisë sonë qelizat “kancerogjene” po shumohen me shpejtësi të madhe. Më këto siptoma është prekur pothuajse e gjithë shoqëria. Është prekur familja, shkolla, rrjeti shoqëror, është deformuar njeriu, nuk funksionojnë sa duhet institucionet, pasi deri më tani ka “mbretëruar” pandëshkueshmëria. Ka “ikur” motivi i përkushtimit, ai është zevendësuar me mjetin e fitimit… Nga kjo jam prekur unë, je prekur ti, jemi prekur ne, është e prekur e gjithë shoqëria. Më kryesorja, është celula bazë e shoqërisë, familja. Ajo është dëmtuar rëndë në ADN-në e saj. Dhe si e tillë ajo nuk po e luan siç duhet rolin e saj në edukimin e fëmijëve. Pas familjes, vjen shkolla dhe faktorët e tjerë. Mendoj se familja nuk e luan rolin e saj, kur: Fëmijët rrinë gjithë kohën e lirë me telefon në dorë duke “eksploruar” rrjetet “sociale”.
Ajo duhet të ndërhyjë kur fëmijët ndjekin me orë të tëra telenovelat, kur shohin emisione të papërshtatshme për moshën e tyre. Familja duhet t’i orientojë fëmijët të ndjekin emisione që ndikojnë në formimin dhe edukimin e tyre. Duket t’i mënjanoi, sadopak, nga emisionet ç’edukuese që ata mund të ndjekin. Prindërit duhet të ndërhyjë kur fëmija i tij ka çrregullime në sjellje, mbajnë me vete dhe përdor “armë të ftohta”, nuk respekton shokun, grindet me bashkëmoshatarët, nuk respekton të moshuarit, qëndrojn indiferentë, nuk zbaton rregullat shoqërore, etj. Në familje nuk duhet të diskutohen tema të tilla me fëmijët, si ajo e gjakmarrjes, sidomos në ato zona ku ka gjakmarrje është prezente. Në familje duhet të zënë më shumë vend temat që kanë lidhje me për përdorim e drogës, të pijeve alkoolike, të duhanit, të pornogragisë rrjetet sociale, etj. Qëllimi është parandalimi i tyre. Pas familjes, një rol të madh në edukim luan shkolla, shteti, institucionet.
Vështirësia në edukimin e fëmijëve, rritet më shumë në familjet me prindër të divorcuar, në familjet me një prind, në familjet ku ka përdorim dhune, ku mbizotëron përdorimi i alkolit, i drogës, në familjet me prindër të dënuar. Më keq, dhuna në familje ka marrë përmasa goxha të larta. Fëmija “ç’edukohet” kur sheh skena të tilla ku babai apo nëna dhunuese ushtrojnë dhunë fizike ndaj fëmijëve, kur ka dhunë fizike midis bashkëshortëve, kur babai vret nënën e tyre e anasjelltas, kur ndodhin inçense në familje, ku babai monstër përdhunon vajzën e tij, kur mbi fëmijët ushtrohet dhunë psikologjike, etj. Të gjitha këto dukuri nuk ikin pa lënë gjurmë. Ato ndikojnë negativisht tek fëmijët. Janë këto të fundit që më pas do t’i manifestojnë këto vese në shoqëri…
Krimi ka marrë përmasa të frikshme, prostuticioni ka përhapje të gjerë, droga po përdoret në masë, krimi i organizuar po godet pa mëshirë, vjedhja dhe korrupsioni kanë përfshirë çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Çdo ditë në media shohim e dëgjojmë kronika me vrasje e dhunë, etj. Të gjithë ata që kryejnë këto krime janë bijë nënash e baballarësh, janë pjesë e familjes. Indiferentizmi, liberalizmi, krimi, shthurja nisin nga ne, nga familja. Familja përballet e para me këto dukurive negative, ndaj ajo duhet të luftojë më shumë për edukimin e anëtarëve të saj.
Shkolla dhe institucionet kanë një rol të fuqishëm në edukimin e brezit të ri, në luftën ndaj krimit, në parandalimin dhe luftën kundër ngjarjeve kriminale. Shkolla ka arritje në 30 vite, por ka edhe sfida të mëdha. Ajo duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi edukimit. Edukimi në shkolla ka pësuar një farë “goditje”. Kjo vjen jo vetëm për shkak të shkollës por edhe si pasojë e ndryshimeve ekonomike dhe shoqërore në ditët e sotme. Puna edukative e mësuesit sot është vështirësuar pasi nxënësit reflektojnë në shkollë të gjitha dukuritë negative që ndeshin në familje, rrugë, shoqëri, etj. Shkolla e ka të vështirë pasi një pjesë të nxënësve u mungon “modeli”.
Një pjesë prej tyre: Bëjnë të “fortin” e lagjes; imitojnë heroin “negativ”, që ndeshin në filma dhe telenovela; të tjerë bëjnë “gangsterin” e shkollës; disa të tjerë përdorin fjalorin “rrugaçëror” të rrugës apo grupin shoqëror; të tjerë imitojnë gjuhën fyese që dëgjojnë shpesh në parlament tek disa parlamentar; të tjerë imitojnë “analistët” grindavecë të ekraneve; të tjerë bëjnë të fortin e Tik Tokut; disa prej tyre zgjedhin rrugën e lehtë, në vend të rrugës së vështirë e të sigurtë; nxënës të tjerë intimidojnë dhe bullizojnë shokët, shoqet, bulizonë në ndonjë rast dhe nuk i’u binden edhe mësuesit, etj. Çfarë mund të bëjë mësuesi në raste të tilla? Ai ndihet i pafuqishëm, pothuajse nuk mund të bëjë asgjë kur shkolla është e liberalizuar në ekstrem.
Me dhimbje mund të them, se: “Institucioni” i shenjtë i mësuesit ka goditje të fortë. Kjo ndodh jo për fajin e tij, por edhe të qëndrimit të shoqërisë dhe institucioneve të shtetit ndaj shkollës. Pavarësisht mangësive që vijnë nga koha e tranzicionit, shkolla në këto vite ka shumë arritje pozitive në treguesit e saj. Edukimi i të rinjëve ndikon në parandalimin e krimit dhe ngjarjeve kriminale. Sa më shumë të ketë edukim në shkolla, aq më pak do të ketë kriminel në rrugë. Institucioni i shkollës duhet të forcohet më shumë.
Për këtë, mendoj që institucionet, duhet:
¤ Të rritin buxhetin e shtetit për arsimin.
¤ Të bëjnë përmirësimin e kurrikulës shkollore të arsimit parauniversirar.
¤ Të merrin masa dhe t’i kushtohet më shumë rëndësi edukimit në shkolla, krahas arsimimit.
¤ T’i kushtojnë rëndësi më të madhe bashkëpunimit midis shkollës, mësesve, prindërve dhe nxënësve.
¤ Ta transformojnë shkollën në një qendër komunitare, ku nxënësit të merren më shumë me sport dhe veprimtari kulturore dhe artistike.
¤ T’i kushtohet më shumë rëndësi edukimit patriotik dhe atdhetar të nxënësve.
¤ AMA, nëse bëhet e gjallë si institucion, duhet të marrë masa ligjore dhe të heqë nga ekranet disa “paloemisione” që vrasin dhe ç’edukojnë brezin e ri dhe jo vetëm.
¤ Të marrin masa ligjore për sigurimin e fëmijëve në shkollë.
¤ Të merrin masa për ringritjen e figurës së mësuesit dhe fuqizimin e qeverive të nxënësve në shkolla.
Ibrahim Kabili
Tiranë, më 22.11.2024