Uji përballë pasojave të ndryshimeve të klimës!

0
11
Uji në Shqipëri

Mentor Kikia

Me një mesatare vjetore reshjesh prej rreth 1300 deri në 1400 milimetra, një rrjet lumenjsh me një rrjedhë mesatare prej rreth 40 miliardë metër kub ujë në një cikël hidroligjik vjetor dhe një sistem të jashtëzakonshëm të rezervuarëve artificialë, me një kapacitet të projektuar 550-560 milion m3 ujë, Shqipëria është në top listën e vendeve më të pasura me ujë në Europë për frymë të popullsisë në Europë. Por ndryshimet klimatike po e modifikojnë mënyrën e jetesës dhe marrëdhënien e njeriut me natyrën.

Shqipëria është në hartën e vendeve ku këto ndryshime janë të dukshme. Sistemi i reshjeve ka ndryshuar, vera është më e thatë, më e nxehtë dhe më e gjatë, ndërsa dimri më i butë. Reshjet e shiut nuk shtrihen në kohë, por bien në intervale më të shkurtra, në formë rrebeshes. Reshjet në formën e borës po reduktohen, duke bërë që në male të mos rezervohet ujë mjaftueshëm për të furnizuar ujërat nëntokësore dhe rrjetin lumor të vendit në stinën e pranverës dhe verës. Lumenjtë në verë shterojnë dhe rezevra në ujëmbledhës është reduktuar me rreth 45%.

Ka një debat ende të pashteruar mbi shkaktarët e ndryshimit të klimës dhe ngrohjes së planetit, por sfida më e madhe sot është përshtatja me këto kushte të reja. Në një cikël artikujsh do të trajtojmë situatën në disa sektorë që ndikohen drejtëpërdrejtë nga ndryshimet e klimës. Në artikullin e mëposhtëm trajtohet sektori rezervës uroje, përdorimi i saj për ujitje dhe përspektiva e afërt e këtij sektori.

Të përgjithshme

Klima e vendit tonë është mesdhetare, me verë të nxehtë e të thatë, dhe dimër të ftohtë e të lagësht. Mesatarja vjetore e reshjeve është rreth 1400 mm, në zonat malore rreth 3000 mm, ndërsa në zonat fushore të ultësirës perëndimore rreth 1000 mm. Rreth 80% e reshjeve ndodhin në periudhën midis muajve tetor–mars, veçanërisht gjatë muajit nëntor dhe rreth 20% i përkasin periudhës tjetër praverë-verë.

Deficiti ujor për ujitje gjatë periudhës maj-shtator është rreth 350-450 mm (ose 350-450 mm rreshje të munguara), çka nënkupton, se për çdo hektar ne ujitjen siperfaqesore nevojitet rreth 3500-4500 m3 ujë, (për metoden e ujitjes sipërfaqësore me kanale të hapura, që dominon në vendin tonë) ose rreth 2000-2500 m3 ujë (në sistemet e ujitjes me tuba me presion). Kjo sasi e munguar e ujit që i nevojitet bimëve, duhet të sigurohet nëpërmjet ujitjes.

Për këtë arsye, ujitja në kushtet e vendit tonë, është faktor shumë i rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme të prodhimit bujqësor, për më tepër, që me projeksionet e ndryshimeve të mundshme klimaterike, mund të kemi paksim të rreshjeve vjetore (verë me thatësirë të tejzgjatur) dhe çrregullime të theksuara në intensitetet e rreshjeve gjatë periudhës vjeshtë-dimër (mundësi për përmbytje të shpeshta dhe të paparashikuara).

Në thelb ujitje, do të thotë ti ofrosh bimës ujin e nevojshëm në sasinë dhe kohën e duhur, dhe në funksion të kësaj prjektohet dhe ndërtohet edhe infrastruktura e ujitjes (burimet ujore dhe rrjeti i shpërndarjes). Ndërsa nëpërmjet kullimit, mundësohet largimi i ujërave të tepërta sipërfaqësore si dhe kontrolli i nivelit të ujërave nëntoksore, për krijimin e kushteve normale në zonën rrënjore të bimëve.

Në tërësinë e saj infrastruktura e ujitjes dhe kullimit, përfshin:

• Ujitja: Burimet ujore për ujitje rreth 626 diga të rezervuarëve për ujitje dhe rrjedhat natyrale të lumenjeve dhe përrenjëve si dhe rrjetin e kanaleve ujitëse (për dërgimin e ujit nga burimi tek parcelat), që mbulojnë një sipërfaqe potencialisht të ujitshme, rreth 360,000 ha;
• Kullimi: Rrjetin e kanaleve kulluese dhe 29 hidrovoret (stacione pompimi të kullimit) për kullimin e rreth 280,000 ha (75,000 ha kullojnë me hidrovoret, ndërsa 205,000 ha me rrjedhje të lirë);
• Rreth 700 km argjinatura për mbrojtjen nga gërryerjet dhe përmbytjet nga lumenjtë të tokave bujqësore dhe zonat rurale, kryesisht në ultësirën perendimore (ku rreziku potencial nga vërshimet e lumenjëve nga dalja nga shtrati i tyre shtrihet në rreth 130,000 ha)

Infrastruktura e ujitjes (e projektuar)

Potencialisht me infrastrukturën egzistuese mund të mbulohet me ujitje një sipërfaqe rreth 360,000 ha, nga të cilat 285,000 ha ujiten me rrjedhje të lirë (gravitet) dhe furnizohen me ujë nga rezervuaret, lumenjtë dhe përrenjtë, ndërsa rreth 75,000 ha janë projektuar të ujiten me ngritjen e ujit me stacione pompimi, që aktualisht janë të gjithë jashtë funksioni.

Në këtë sistem ujitës rreth 190,000 ha janë projektuar të ujiten nga 626 rezervuarë me aftësi ujëmbledhëse të projektuar rreth 560 milion m3/sezon ujitës, ndërsa rreth 170.000 ha, skemat ujitëse kanë për burim ujor ujërat e lumenjve dhe përrenjve, nga të cilët mund të merren rreth 450 milion m3 ujë/sezon ujitës (ku përfshihet edhe përdorimi i ujerave nëntoksor nga puset individuale të fermerëve)

Masat për garantimin e burimeve ujore për ujitje

Pamvarësisht se aktualisht fermerët kanë akses për ujë për ujitje në rreth 265,000 ha (në 73% të sipërfaqes potencialisht të ujitshme 360,000 ha ), për mundësimin e ujitjes së qëndrueshme në të gjithë sipërfaqen potencialisht të ujitshme 360 000 ha dhe garntimin e burimeve ujore për ujitje, duke konsideruar edhe impaktin e pritshëm të ndryshimeve klimaterike, duhen ndërmarrë një sërë masash (disa prej te cilave janë në process), që kanë të bëjnë kryesisht:

Garantimi i burimeve ujore:
• Shfrytëzimi maksimal i aftësisë akumuluese të ujit në 626 rezervuarët ekzistues për ujitje, nëpërmjet rikonstruksionit të plotë të tyre.
Deri tani janë rehabilituar plotësisht rreth 40 rezervuar dhe me mbështetjen e Bankës Botërore është në proces studimi i parafisibilitetit të rreth 430 digave dhe në funskion të përfundimeve/gjetjeve të këtij studimi dhe të studimit të bërë me parë për 195 diga të tjera, do të vazhdohet me fazat e tjera të studimit të fisibilitetit, hartimit të projekteve të zbatimit dhe kryerjes së punimeve civile për rehabilitimin e një pjese të digave, të vlerësua si prioritare nga siguria dhe aftësia ujitëse (nga 626 diga gjithsej).
• Gjithashtu në perspektivë do të vleresohet mundësia e fillimit gradual të ndërtimit të burimeve të reja ujore, kryesisht për qëllime ujitje (rezervuar të rinj).

Rritja e eficencës në përdorimin e ujit:

• Rehabilitimi dhe modernizimi i infrastrukturës ekzistuese të ujitjes për rritjen e eficencës së përdorimit të ujit (zvogelimit të humbjeve) në sistemet me kanale të hapura.
Ky është një proces i vazhdueshëm, ku nëpërmjet investimeve të përvitshme të MBZHR (për knalet kryesore ujitëse) dhe bashkive (për kanlet e dyta dhe të treta), synohet rrikthimi i rrjetit ujitës në kushtet e projektit dhe rritjes së eficencës në shpërndarjen e ujit nga burimi ujor tek parcela. Deri tani këto investime janë shtrire në rreth 265,000 ha.
• Implementimi i teknologjive moderne të ujitjes, që kanë eficencë shumë të lartë në përdorimin e ujit për ujitje (ujitje me tuba me sisteme të mbyllura me presion, pra ujitje me pika, sprinkler/minisprinkler etj)
Pamvarësisht, se disa fermerë aplikojnë ujitje modern në sipërfaqe të vogla, krahas procesit të rehabilitimit po investohet për implementimin e ujitjes modern (ujitje me presion) në sipërfaqe të mëdha me përdorim të energjisë elektrike nga burime te rinovueshme (përdorimi paneleve diellore).
Kështu nëpërmjet projektit “Qëndrueshmëria ndaj klimës dhe zhvillimit të bujqësisë”, të financuar nga Banka Boterore (për periudhen 2024-2027) do të mundësohet:
o Kompletimi i ujitjes me presion për një zonë pilot prej rreth 500 ha në skemën ujitëse të Divjakës, si dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme (panele diellore) për stacionet e pompimit;
o Implementimi i teknologjive moderne të ujitjes me presion në skemën ujitëse me burim ujor rezervuarin e Janjarit, për rreth 2200 ha të fushës së Mursisë në bashkinë Konispol, duke zevëndesuar ujitjen me kanale të hapura me sisteme me tuba me presion si dhe përdormi i panaleve diellore për stacionet e pompimit;
• Ndërtimi për herë të parë i Platformës digjitale për bujqësinë inteligjente dhe klimën, ku do të grumbullohet informacione për llojin e tokës, të dhëna hidrometereologjike, praktikat bujqësore (përdorimi i plehëruesve, pesticideve, ujitjen etj), duke synuar orientimin e fermerëve në praktika më të qëndrueshme bujqësore. Në fazën e parë kjo platformë do të mbulojë një sipërfaqe prej 2000 ha për tu zgjeruar në të ardhmen.

• Rikthimi i ujitjes në sipërfaqen prej 75 000 ha me ngritje mekanike (me stacione pompimi)
Aktualisht qeveria është në fazën e studimit të fisibilitetit për skemat ujitëse me ngritje mekanike për një sipërfaqe rreth 13,000-15,000 ha dhe në vijim ky aktivitet do të zgjerohet gradualisht edhe për sipërfaqe të tjera që ujiten me ngritje mekanike (stacione pompimi). Synimi në këto skema ujitëse është, që të zëvendesohet ujitja me kanale të hapura me sisteme modern të ujitjes me tuba me presion dhe përdorimi i energjisë së rinovueshme (për prodhimin e energjisë elektrike nëpermjet paneleve diellore), për mbajtjen në punë të këtyre stacioneve, çka minimizon koston e ujitjes për fermerët me këto skema ujitëse.

Situata aktuale dhe rekomandime

Qëndrueshmeria e ujitjes sipas konceptit të sipërcituar, ka të bëjë me garantimin e burimeve ujore dhe funksionimit efiçent të sistemit të shpërndarjes së ujit, nga burimi tek bima. Përsa i përket skemave ujitëse që furnizohen direkt nga rrjedhat ujore natyrale, pamvarësisht pranisë së ujit në burim (megjithëse gjatë periudhës së verës, kemi ulje të prurjes së tyre), mungesa e infrastrukturës efiçente ka vështirësuar ujitjen, pasi rreth 40% e ujit, që hyn në sistemet ujitëse humbet në rrjetin shpërndarës.

Përsa i përket burimeve ujore artificiale për ujitje, nga vlerësime të përafërta rezulton, se aftësia akumuluese e ujit në një pjesë të rezervuareve është ulur ndjeshëm (me rreth 30-40%), pasi pjesa me e madhe e tyre janë mbushur me aluvione, kanë probleme të sigurisë së digave (rreth 65 e te gjithë digave kane probleme te ndryshme teknike që lidhen me sigurinë e tyre) dhe janë në fund të ciklit të projektuar për shfrytëzim.

Kështu, nga 560 milion m3 uje që akumulohej në 626 rezervuaret për të ujitur rreth 190,000 ha, aktualisht akumulohen rreth 300-350 milion m3 ujë për sezon ujitës.

Në total, nga 1 miliard m3 ujë të nevojshëm për një sezon ujitës të parashikuar sipas projektit (duke konsideruar përdorimin e ujit të lumenjeve dhe rezervuareve), aktualisht nëpërmjet skemave egzistuese të ujitjes, mund të shfrytezohen për ujitje rreth 0.6-0.7 miliard m3 për sezon ujitës.

Nëse konsiderojmë ujitjen e rreth 360,000 ha me metodën aktuale të ujitjes sipërfaqësore dhe me eficencë të plotë të sistemit të shpërndarjes rreth 70%, do të nevojiteshin për ujitje, në burim rreth 1.5 miliardë m3 ujë.

Kjo sasi uji për qëllime ujitje përbën rreth 3% të sasisë totale të rrjedhës vjetore të ujërave sipërfaqësore në territorin e Shqipërisë, por kjo sasi uji nuk është e shfrytëzueshme në pjesën më të madhe. Megjithëkëtë, “Build Green Group”, në udhëzuesin “Ndryshimet klimatike dhe pasojat e tyre në Shqipëri”, vëren se “burimet ujore në Shqipëri janë parashikuar të bien mes 14%, që është niveli aktual, deri në 40% deri në fund të shekullit. Ndryshimi klimatik përmes rritjes së temperaturave të dimrit ndikon në akumulimin e borës në mbledhësit e ujit. Si rezultat i kësaj, Shqipëria vazhdimisht do të vuajë nga përmbytjet, të cilat janë problematike për bujqësinë”. Kapaciteti i komuniteteve – shton më tej udhëzuesi – veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta (përfshirë Shqipërinë), për tu përballuar kostot mund të jetë zvogëluar si pasojë e ndryshimit të vazhdueshëm të klimës, të lidhur kryesisht me degradimin e ekosistemeve, reduktimin e disponueshmërisë së ujit dhe ushqimit, si dhe humbjen e pasurive të biodiversitetit dhe burimeve natyrore, duke rritur ndjeshmërinë e tyre. Kur komuniteteve të ndjeshme u mungon elasticiteti dhe burimet për tu përballur me një rrezik, të tilla rreziqe kthehen në fatkeqësi. Variabla të tjera të tilla si rritja e popullsisë, mund të bëhen komplekse dhe të përkeqësojnë ndikimet e ndryshimeve klimatike deri në rritjen e fatkeqësive. Rreziqet nga fatkeqësitë shumohen me intensitetin e rrezikut dhe me dobësitë sociale dhe mjedisore të shoqërisë dhe të mjedisit. Nga ana tjetër, ato mund të reduktohen nga aftësia e shoqërisë për tu përballur me rrezikun.

P.S:
Ky artikull është pjesë e një fushate mediatike ndërgjegjësimi për çështjen e ndryshimnit të klimës, në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi për ndryshimet e klimës: Ndikimi i partive politike për politikat klimatike”, zbatuar nga organizata Forumi i Mendimit të Lirë, mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Produktet mediatike për llogari të këtij projekti u përgatitën nga organizata Forumi i Mendimit të Lirë, me asistencën e studiuesve të fushës së bujqësisë, ujërave dhe çështjeve të klimës: Arben Muka, Albert Kopali dhe Arben Pambuku.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.