ATY KU RUHET GJUHA DHE KULTURA SHQIPTARE

1
Agim Paçarizi - Shkolla shqipe në Gjenevë

Ajete Zogaj Ajete ZOGAJ

    Derisa po lexoja librin në dorëshkrim të autorit dhe veprimtarit të palodhur, Agim Paçarizi, seç m’u kujtua një thënie kuptimplote e Malala Yousafzait, e cila e vlerësonte punën dhe misionin e mësuesit: “Të mos harrojmë: një  libër, një laps, një fëmijë dhe një mësues mund ta ndryshojnë botën”.

    Autori i këtij libri, Agim Paçarizi, i lindur dhe i edukuar në një familje me tradita atdhetare, që i ri e kuptoj rëndësinë e shkollimit dhe ruajtjen e identitetit; identitet  të cilin çdo ditë mundohej ta nëpërkëmbte deri në zhdukje regjimi  serbo -sllav i Milosheviqit.

     Agimi u tregua një mësues shembullor në edukimin e gjeneratave të reja, duke kultivuar tek nxënësit e tij, fillimisht në Kosovë, (rrethinë të Malishevës), ku punoi disa vite si mësimdhënës, por edhe në mërgatë (si i përndjekur politik në Zvicër), duke u shndërruar në një pishtarë arsimi në ruajtjen e kulturës dhe identitetit tonë kudo ku ai punoi e veproi.

    Një dëshmi e punës së tij të përkushtuar ndaj vlerave sublime që duhet t’i ruaj me fanatizëm çdo popull e çdo komb: GJUHA  E NËNËS, KULTURA DHE TRADITA, është edhe ky libër i cili po i dhurohet lexuesit si dëshmi e një kapitulli të ndritur të historisë sonë më të re i shkruar në mërgim, nga një mërgimtar…

Libri monografik shkolla shqipe në Gjenevë (1991-2021) është një libër i hartuar me shumë kujdes e saktësi për një periudhë 30 vjeçare të rrugëtimit të shkollës shqipe në shtetin helvetik, në Gjenevë të Zvicrës.

Autori ka ndjekur rrugën kronologjike të zhvillimit të ngjarjeve, të cilat për 30 vjet e kanë përcjell rrugën e zhvillimit të shkollës shqipe në Gjenevë, rrugë kjo e mbushur me plotë sakrifica dhe peripeci.

Në fakt, leximi i kujdesshëm i këtij libri të krijon përshtypjen se  je duke lexuar një ditar apo edhe një kronikë gazetareske të shkruar me pedanteri dhe stil gazetaresk.

Në libër në mënyrë kronologjike janë dhënë të dhënat për Diasporën shqiptare në Zvicër, në mënyrë të veçantë për Kantonin e Gjenevës ku kontributi i mësimdhënësve shqiptarë dhe intelektualëve të këtij Kantoni, është për çdo lëvdatë.

Monografia është ndarë në 17 kapituj të cilët kanë një emërues të përbashkët: ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare tek fëmijët shqiptarë atje, duke vlerësuar lartë punën e LAPSH në Gjenevë por edhe Lidhjen e Prindërve Shqiptarë të  cilat më vonë u bashkuan në një organ të vetëm. Roli i Shoqatës “Igballe Prishtina” në brendinë e këtij libri,  zë një vend meritor.

Në monografi janë trajtuar sfidat me të cilat janë përballur fillet e shkollës shqipe në Gjenevë, mësimdhënësit e parë, mënyra e organizmit, etj.

Dëshmi të një periudhe historike

Autori i këtij libri, veprimtari Agim Paçarizi, si një kronistë i vyer, renditë të arriturat e shkollës shqipe, qoftë në aspektin organizativ qoftë në aktivitete të lira, për çka janë meritorë mësimdhënësit shqiptarë dhe prindërit e fëmijëve shqiptarë atje.

Zoti Paçarizi, është shumë mirënjohës edhe ndaj zviceraneve të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar për mbarëvajtjen e shkollës shqipe, duke e ndihmuar edhe mjete financiare.

Gjithsesi, autori shpreh falënderim të përzemërt për veprimtarin Dr. Basil Schader-i, por edhe për angazhimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, qoftë në periudhën e paraluftës apo edhe të pas luftës.

Roli i mërgatës shqiptare të Kantonit të Gjenevës dhe shtetit helvetik  në luftën e fundit është i jashtëzakonshëm.

Në këtë libër monografik janë dhënë të dhëna të hollësishme, për mënyrën e financimit, duke filluar nga flet-pagesat, pastaj aktivitete të ndryshme, si:  seminare, kuize diturie, aktivitete për festa kombëtare si:  28 nëntori, dita e pavarësisë, etj.

Në libër, aty- këtu, autori ka shpërfaqur edhe të metat dhe mangësitë të cilat e kanë shoqëruar shkollën shqipe në shtetin helvetik, posaçërisht në Kantonin e Gjenevës.

Vend të rëndësishëm në këtë libër zënë edhe shënimet autobiografike të mësimdhënësve atje, shënime këto që përbëjnë një leksikon të vogël autobiografik brenda librit.

Si përfundim, mund të themi me bindje të plotë se, libri monografik ……., i autorit Agim Paçarizi, është një kapitull historie i asaj pjese të mërgatës sonë, që fati i degëdisi nëpër rrugët e botës! Ky libër është edhe një dëshmi, që shqiptarët historikisht në rrugëtimin e tyre, ku do ku kanë shkuar kanë lënë gjurmë. Sot, shqiptarët e Kosovës të shkapërderdhur anë e kënd rruzullit, janë mjekë të zotë, profesorë, shkencëtarë e deri tek ushtarakë të karrierës e pilotë!

Libri është një dëshmi e punës dhe përkushtimit vetëm të një pjese të mërgatës sonë, e cila do t’u shërbejë të gjithë atyre që mendojnë të merren me hulumtimin e funksionimit të shkollës shqipe në shtetin helvetik, posaçërisht në Kantonin e Gjenevës!

Ky libër, le të jetë një udhërrëfyes edhe për pjesë të tjera të mërgatës sonë në botë, që aktivitetet e tyre në të mirë të gjuhës, kulturës dhe ruajtjes së identitetit, t’i ruajnë, t’i sistemojnë dhe t’i vendosin brenda kopertinave të librit, siç ka vepruar veprimtari i shquar Agim Paçarizi!

1 KOMENT

  1. Agim Paçarizi me te lumte media,
    Thene ç’duhet thene si RILINDAS;
    “Te rruhet GJUHA e kultura shqiptare*
    Atdheut i duhet – ZHVILLIMI e VIJIMESIA;

    Larg Atdheut JETOJME – detyruar KOHA
    MENDIA dhe ZEMRA me te-JETON!
    Krah kam, si Ju-Pasues ATDHETARE;
    Si NJE me JU-mes Torontos me Atdheun JETOJNE!
    Pasardheve; kryefjale *Perkushtim per ATDHE-thene:
    * I BIEM BOTES ANE e MBANE… Po;
    Jo dhe Jo – nuk e harrojme VATANE!*
    Amanet te PARET LENE!

    Toronto, 19 Mars 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.