Xhelal Zejneli
Më 22 shkurt 2023, në një pjesë të rrugës “Skupi” të bashkisë Karposh të Shkupit, gjatë gërmimeve apo punimeve të caktuara, midis tjerash është gjetur edhe një pllakë mermeri me mbishkrimin “Dardanus”. Lidhur me zbulimin e këtij thesari të çmuar për historinë, kulturën dhe trashëgiminë materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve, janë sensibilizuar përfaqësues të shoqërisë civile, mediume, drejtues shqiptarë të institucioneve të shtetit dhe mbarë publiku. Këto zbulime kapitale edhe njëherë dëshmojnë për autoktoninë e shqiptarëve – bijë të ilirëve – në këto hapësira të gadishullit ballkanik. Artefaktet, d.m.th. gjërat apo sendet, të krijuara mjeshtërisht nga dora e njeriut dhe të zbuluara në këtë vendburim arkeologjik apo në nekropolin e tij, duhet të studiohen nga arkeologët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Siguria e zbulimeve të tilla duhet të jetë në kompetencë të organeve ndërkombëtare, përkatësisht të UNESCO-s. In ultima linea, zbulimet e tilla paraqesin thesar për njerëzimin dhe jo vetëm për shqiptarët.
* * *
Dardania dhe dardanët – Dardania është vend i dardanëve. Në shekullin I, me krijimin e provincës së Mëzisë së Sipërme (Moesia Superior), Dardania u shkëput nga provinca e Maqedonisë dhe u përfshi në të (në Mëzinë e Sipërme). Gjatë sundimit të Dioklecianit*, Dardania përbënte një provincë me vete të Ilirikut*, me qendër Skupin*. Qytete të tjera të rëndësishme të provincës së Dardanisë qenë Naisi (Naissus – Nishi i sotëm), Ulpiana* dhe Municipium DD*. Në antikitetin e vonë qyteti më i madh dhe kryesor i Dardanisë u bë Justiniana I*.
* * *
Dardanët kanë qenë fis i madh ilir, banorë të një treve të gjerë që shtrihej në veri të lumit Angri e Margi (Ibri dhe Morava jugore e sotme), duke përfshirë edhe Naisin (Naissus – Nishi i sotëm) në jug, deri te rrjedha e sipërme e lumit Aksios (Vardari) në kufi me paionët. Në lindje, dardanët kufizoheshin me trakët*, ndërsa në perëndim arrinin deri te mali Scard (Sharr) si dhe deri te lumi Drilon (Drin). Zemrën e trojeve të tyre e përbënte Kosova e sotme. Nga nën-fiset kryesore të dardanëve njihen galabrët dhe thunatët. Zbulimet arkeologjike në viset e Dardanisë dëshmojnë se këta kishin arritur zhvillim ekonomik dhe shoqëror relativisht të lartë – që në Kohën e hekurit*.
Të kësaj kohe janë vendbanimet e para të fortifikuara dhe marrëdhëniet me Greqinë si dhe me qytetet e mëdha të bregdetit të Adriatikut jugor. Në shekullin III para K. në Dardani u zhvillua jeta qytetare. Qytet i rëndësishëm dhe qendër minerare ishte Damastioni* që ka prerë edhe monedha. Në burimet antike të shkruara, dardanët përmenden relativisht vonë, sidomos lidhur me luftën kundër maqedonasve. Si fis i fortë dhe luftëtar, dardanët u bënë ballë për rreth dy shekuj përpjekjeve të shtetit maqedonas për t’i shtrirë kufijtë drejt veriut, në kurriz të Dardanisë. Në shekullin III para K. dardanët kishin krijuar mbretërinë e tyre me dinastinë e Longarit* dhe ishin bërë një fuqi politike e rëndësishme e gadishullit.
Në shekujt III-I para K., dardanët bënë një qëndresë dhe luftë të gjatë kundër pushtuesve romakë. Pas pushtimit të Dardanisë, romakët ndoqën një politikë shtypjeje të egër dhe i shfrytëzuan me të madhe xehet. Me këtë ndërlidhet krijimi i një kolonie romake në Skup (Shkupi i sotëm) dhe ngritja e vendbanimeve të vjetra dardane pranë zonave minerare në rendin e municipit, si Ulpiana, Municipium DD etj. Dardanët ruajtën gjuhën dhe shumë elemente të kulturës materiale dhe shpirtërore ilire edhe në shekujt I-IV pas K. Ata i bënë ballë asimilimit nga Perandoria Romake dhe bënë kryengritje kundër shtypjes. Kryengritësit dardanë njihen në histori si Latronët e Dardanisë. Në antikitetin e vonë dhe në mesjetën e hershme, dardanët ia dolën të ruajnë gjuhën dhe kulturën e tyre ilire dhe bashkë me fiset e tjera ilire morën pjesë në formimin e popullit shqiptar (sipas Skënder Anamalit).
* * *
Shënim:
Diokleciani (Gajus Aurelius Valerius Diocletianus, 245-313 të erës së re) në vitet 284-305, ka qenë perandor romak me prejardhje nga Dalmacia. Sipas organizimit të tij të provincave, trevat shqiptare të sotme përbënin katër provinca: Praevalis me kryeqendër Scodra, Epiri i Ri me kryeqendër Dyrrachium (Durrësi), Epiri i Vjetër me kryeqendër Nikopolin dhe Dardania me kryeqendër Scupi (Shkupi). Diokleciani vdiq në Split (Kroaci).
Iliriku (Illyricum) – provincë dhe prefekturë e periudhës së sundimit romak, pjesa veriore e Ilirisë. U krijua si provincë në fund të shekullit I para K. nga shteti romak për të shtypur dhe për të shfrytëzuar popullsinë e krahinave ilire të pushtuara. Shtrihej nga Danubi në veri deri te lumi Mat në jug, nga Adriatiku në perëndim deri në brigjet e Moravës në lindje, duke përfshirë pjesë të Shqipërisë, Malin e Zi, Dalmacinë, pjesë lindore të Istries, një pjesë të madhe të Bosnjës dhe të Kroacisë dhe Serbinë perëndimore.
Në fillim Iliriku ishte provincë e senatit, pas viti 11 para K. u bë provincë perandorake. Pas reformës administrative të Dioklecianit, Iliriku u kthye në prefekturë. Përbëhej nga tri dioqeza dhe 18 provinca. Tokat shqiptare të sotme të kësaj prefekture përfshiheshin në provincat: Prevali, Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër (sipas Faik Drinit).
Skupi (Scupi antik) – qendër dardane që nga periudha e hekurit. Në shekujt e parë të erës së re, Skupi (Scupi) ishte njëkohësisht stacion rrugor në rrugën Tesalonik-Naissus-Syrmius dhe kolonia e parë romake në Mëzi, lokalizuar në afërsi të fshatit Zaklluçan, pranë Shkupit të sotëm. Gjatë kësaj kohe kishte statusin e colonia Scupi (colonia Flavia Scupi). Në shekullin II, Skupi si koloni romake paraqet një qendër të rëndësishme, kryesisht gjatë sundimit të Dioklecianit, i cili e ktheu në qendër të provincës së Dardanisë, ndërsa Konstandini – në qendër peshkopale. Në territorin e Shkupit janë gjetur rreth 200 mbishkrime latine nga shekulli I-IV.
Në ditët tona u gjet një nekropole dardane. Me rastin e tërmetit të vitit 518 u shkatërruan 25 qytete të Dardanisë. Midis tyre edhe qyteti i Skupit. Të mbijetuarit e Skupit të shkatërruar themeluan një qytet të ri, që gjatë mesjetës u zhvillua në Shkupin e sotëm. Në gjysmën e dytë të shekullit IX Shkupi ra nën sundimin bullgar. Më vonë u bë një nga qendrat e shtetit të Samuelit (1018). Më 1082 u pushtua nga normanët. Më pas u pushtua edhe prej pushtuesve serbë. Deri në vitin 1282 kaloi në sundimin bizantin, ndërsa më 1392 u pushtua nga osmanët.
Ulpiana (Justiniana Secunda) – qytet i krahinës ilire të Dardanisë. Rrënojat e tij janë zbuluar afër fshatit Graëanicë në jug të Prishtinës. Në vitet 1954-1969 aty ka kryer gërmime arkeologjike arkeologu Emil Çershkov (Emil Čerškov, 1931-1969), i lindur në Siveriq të Dalmacisë. Gjatë pushtimit romak në vendbanimin e lashtë dardan u vendosën qytetarë italikë dhe mori emrin Ulpiana. Në shekullin II pas K. u ngrit në rangun e një municipi. Si qendër e një krahine të pasur me xehe dhe si nyjë e rrugëve kryesore të Dardanisë, në shekujt III-IV pas K., Ulpiana u bë qytet i madh. Pas tërmetit të vitit 518 u rindërtua me mure të forta nga perandori Justinian, ndaj për ta dalluar nga Justiniana e Parë, tani u quajt Justiniana e Dytë. Qyteti ekzistoi deri në mbarim të periudhës së vonë antike.
Municipum DD (Dardanorum) – Municip romak. Njësi urbane e identifikuar në territorin e provincës romake Mëzia e Sipërme. Gjendet në fshatin Soçanicë, buzë lumit Ibër, 27 km në veri të Mitrovicës. Themelimi i këtij municipi nga romakët në shekullin II pas K., duhet lidhur me nxjerrjen e pasurive minerale – plumbit dhe argjendit.
Trakët – Në lashtësi, kanë banuar në Traki, e cila është përmendur shpesh në historinë dhe në letërsinë antike greke. Sot është pjesë e Bullgarisë, e Greqisë dhe e Turqisë. Trakishtja është gjuhë indoevropiane. Flitej në periudhën antike në lindje të gadishullit të Ballkanit. Prej saj njihen sot disa emra vendesh, emra njerëzish dhe fisesh, disa glosa si dhe disa emra bimësh mjekësore të mbledhura nga fisi i dakëve në shekullin I pas K. nga mjeku grek Dioskorides. Nga trakët kemi edhe disa mbishkrime të gjetura në Rumani dhe në Bullgari pranë Plovdivit, si dhe në ishullin e Samotrakës në Greqi. E një trungu me trakishten mbahet edhe gjuha e frigasve, që banonin në lashtësi në Azi të Vogël. Kohët e fundit, ka studiues që e kanë vënë në dyshim karakterin unitar të trakishtes dhe është ndarë prej saj si gjuhë më vete dakishtja.
Justiniana e Parë (Iustiniana Prima) – qendër civile dhe kishtare në Dardani, e themeluar nga perandori bizantin Justiniani I*.
Justiniani I (Flavius Justinianus, 483-565 pas K.) perandor bizantin me prejardhje ilire, nga fshati Tauris i Dardanisë. Sundoi në vitet 527-565. Në provincat ilire të Dardanisë rindërtoi dhe ndërtoi një numër të madh kështjellash. Emrat e kështjellave që janë përmendur në veprën “Mbi ndërtimet” të Prokopit të Cesaresë* përbëjnë një burim të rëndësishëm për toponomastikën dhe onomastikën ilire.
Prokopi i Cesaresë (rreth 500 – pas vitit 565 të erës së re) – historian bizantin i kohës së Justinianit I dhe figurë politike e perandorisë. Autorë i veprave: “Historia e luftërave”, “Mbi ndërtimet” dhe “Historia e fshehtë”. Në to ka njoftime me vlerë edhe për krahinat e Ilirisë. Rëndësi të veçantë ka traktati “Mbi ndërtimet” kushtuar fortifikimeve të gjera që u ndërtuan për t’u bërë ballë dyndjeve barbare. Traktati përmban të dhëna të vlefshme për gjeografinë dhe toponomastikën e trevës ilire.
Damastioni – qytet ilir, ende i papërcaktuar si vend, diku në viset e Dardanisë. Për herë të parë përmendet nga Straboni*. Në fillim të shekullit IV para K. preu monedha prej argjendi me emrin e tij. Në simbolet e përdorura mbi monedha ndodhet çekani i minatorit, që dëshmon se qyteti ka qenë qendër e një zone të pasur me miniera argjendi.
Longari – sundimtari i parë dardan që njihet me emër. Jetoi në çerekun e fundit të shekullit III para K. Gjatë sundimit të tij mbretëria e dardanëve u forcua shumë dhe u bëri ballë të gjitha sulmeve të mbretërve maqedonas të kohës – Demetrit II, Antigon Dosonit dhe Filipit V, të cilët synonin t’i zgjeronin kufijtë veriorë të shtetit maqedonas, në viset dardane. Luftën kundër maqedonasve e vazhdoi edhe i biri Longarit, Batoja – sundimtari i dardanëve, i cili në vitin 200 para K., bashkë me mbretin ilir Pleuratin (shekulli III para K.) – baba i Agronit*, mori pjesë në një koalicion kundër-maqedonas.
Agroni (shekulli III para K.) – mbret ilir, i biri i Pleuratit. Sundoi rreth viteve 250-231 para K. Në kohën e tij shteti ilir u bë fuqi e rëndësishme në Ballkan. Pas fitores në Medion u sëmurë rëndë. Vdiq në vitin 231 para K. Politikën e tij e ndoqi gruaja e parë e tij Teuta*, e cila sundoi si regjentë në emër të Pinit, trashëgimtarit të mitur të Agronit. Pini është djalë i Agronit, me gruan e dytë të tij – Triteuta.
Teuta – regjentë e mbretërisë ilire në vitet 230-228 para K. U vu në krye të mbretërisë pas vdekjes së të shoqit Agronit, si tutorë e Pinit të mitur.
Straboni – historian, gjeograf dhe filozof grek. Ka lindur në vitin 63 ose 64 para K., ka vdekur në vitin 24 pas K. Në kohën tonë vlerësohet për Gjeografinë e vet, vepër kjo e përbërë prej 17 librave të cilët përmbajnë histori dhe përshkrime njerëzish dhe vendesh që kanë qenë të njohura për të. Lindi në një familje nga Amasea (Amasya e sotme në Turqi), e cila u bë pjesë e Perandorisë Romake pikërisht në kohën kur lindi ai.
Koha e hekurit – epokë që karakterizohet nga prodhimi dhe përdorimi i veglave dhe i armëve prej hekuri. Ndahet në tri faza: faza e parë (fundi i shekullit XII-XI para K.); faza e dytë (shekujt VIII-VII para K.); faza e tretë (shekujt VI-V para K.). Në fazën e tretë, në strukturën shoqërore dhe ekonomike të ilirëve ndodhin ndryshime të mëdha që shpejtuan shthurjen e rendit të bashkësisë primitive, duke krijuar premisa që në Iliri të lindë rendi skllavopronar.