Afrim Krasniqi
22 mars 1992: pak ditë përpara se mbi 1 milionë qytetarë do të votonin për ndryshim real të sistemit politik përmes votës në mbështetje të Partisë Demokratike, atëherë forca kryesore e opozitës dhe në aleancë me PSD e PR, – 182 intelektualë publikuan një manifest publik për mbështetjen e rotacionit politik. Efekti? Rotacioni do të bëhej, por më 1992 rinia studentore, ashtu si elitat politike dhe kulturore të vendit ishin në anën e opozitës. Shumë prej emrave nënshkrues kishin karrierë të gjatë në PPSH dhe disa u rikthyen më vonë tek PS, por në thelb, asnjë nuk u detyrua të jetë pjesë e listës dhe se pjesa më e madhe e tyre ishin produkte të meritës dhe dijes profesionale.
30 vjet më vonë ka një garë për të marrë meritat e 22 marsit dhe për të gjetur fotografi & fije lidhëse midis karrierës & qëllimeve & projekteve personale të sotme politike me ato të asaj periudhe. Natyrisht që është një garë dhe përpjekje irracionale dhe pa përmbajtje: 22 marsi ishte dhe mbetet unik, ajo nuk ishte thjesht një ditë zgjedhore, por kryesisht ishte një referendum për sistemin politik. Vendi e shoqëria më komuniste në kontinent kishte vendosur të ndahej me votë me sistemin e vjetër.
Shqiptarët e 22 marsit ishin të varfër, por kishin ende shpresa, besim dhe reflektonin pritshmëri. Pas 30 vitesh? Asgjë e sotme nuk ka lidhje me atë periudhë, – as emrat, as logot, as qytetarët, as votat, as zgjedhjet, as qeveritë, as partitë, as mediat dhe as premtimet & shpresat. Lidhja e vetme përmbajtësore mbetet aftësia unike, konsensuale dhe këmbëngulëse e elitave politike të djeshme e të sotme për të zhgënjyer periodikisht votuesit, shpresat dhe pritshmëritë e 22 marsit 1992. Dhe fatkeqësisht, ia kanë arritur dhe po ia arrijnë me sukses.
….sepse ata e duan Shqipërinë, por e duan të gjithën për veten. Ata i duan shoqërinë e qytetarët, por i duan të pafjalë, të bindur, votues në resht dhe ndjekëse të verbra të projekteve të veta politike. Ata i duan elitat dhe intelektualët, por i duan vetëm të jenë duartrokitës të tyre. Ata i duan zgjedhjet, por i duan vetëm për veten. Ata e duan shtetin, por e duan të gjithin për veten. Ata e duan demokracinë, por e duan në shërbim të vetes. Ata e duan të vërtetën, por e duan gjithnjë të njëjtë me opinionin e tyre. Ata e duan progresin, por e shohin atë vetëm kur janë vetë në pushtet. Ata e duan dialogun, por e duan si monolog i vetes…
Dhe ky 22 mars vetëm sa na ndihmon të sjellim ndërmend këto të vërteta për tranzicionin dhe bilancin gri të një sistemi që duhej të sillte një sistem të hapur të demokracisë funksionale dhe për “meritë” të tyre vijon të prodhojë periodikisht një sistem të mbyllur të riciklimit midis elitave të vjetra dhe oligarkisë klienteliste të tyre.