Alfred Çapaliku ishte shoku im i rinisë me të cilin më afroi letërsia me një pasion të pandreqshëm. Unë një punëtor në Fabrikën e Fibrës në Kombinatin e Drurit Shkodër, ai gjimnazist. Në atë moshë, krijimtaria letrare na kish pushtuar dhe na bëhej se tjetër gjë që ja vlente përkushtimi, bota nuk kishte. Mblidheshim plot bashkëmoshatarë në Klubin e Rinisë kur rethin letrar e drejtonte pedagogu Hasan Lekaj. Profesori arriti që të nxirrte dhe almanakun letrar vjetor “Shtigjet e çeluna”. Ishtin vitet 1968 – 1971. Në rrethin letrar u njoha edhe me Dod Kaçaj, Tonin Shtjefnin, Mehmet Shpuzën, Fejzi Gushtën, Bashkim Golemin, Shyqyri Mollën e të tjerë.
E vërteta është se me të gjithë këta takohesha dhe bashkëkbisedimi me ta ishte një kënaqësi në atë botë ku kënaqësitë ishin të vogla dhe kishte mungesë lirie. Ndoshta kjo mungesë i bënte njerëzit të lidheshin më shumë me njeri-tjetrin.
Pranë shtëpisë së tim Ati ku kalova fëmininë, ishte një arë, një fushë përherë e blertë, që e quanim Ara e Pjetër Cubit. Po ne, as Pjetër as Cub nuk kishim parë kurrë. Shihnim aty veç dele dhe ndonjë kal a kafshë të tjera shtëpiake. Erdh një kohë që edhe ara, vendi ku loznim si tek libri ” Djemt e rrugës Pal”, që ne e perifrazonim “Djemt e rrugës Badra” të prishej. Ara e blertë e fëminisë nuk ekzistonte më. Shteti e shiti pjesë pjesë dhe kush i bleu ndërtoi shtëpi. Qëlloi që pikërisht në këtë kohë prindët e Fredit ndërtuan aty shtëpi dhe kishin hyrë ende pa mbaruar.
Kësisoj Fredin e kisha më pranë. Madje ndonjëherë kur shkëmbenin libra më merrte dhe në shtëpinë e vet. Aty u njoha me prindët e tij. E si çdo nënë shkodrane, nëna e Alfredit na nxirrte amelcina. Në çdoshtëpi shkodrane ishte kjo. Ruaj në kujtesë edhe nënën e shokut të klasës Luigj Naraçit, gruaja e doktorit Kel Naraçi, aty në Gjuhadol edhe nënën e shokut tim të fillores Ndoc Çoba, Karmelinën, motrën e saj Angjelina Koliqi (Njomi), gruaja e Andrea Skanjetit, e deri tek nëna e shokut të klasës Gjon Lulit, që ishte rrënjë e degë nga familja Ded Gjon Lulit të Traboinit të Hotit.
Rroku Luli, babai i shokut tim atë kohë ishte i burgosur. Por dhe Dada File, që ishte prej Trieshti, motra e rrobaqepsit Ndoc Trieshi dhe martuar në Grudë me Ded Luc Nikën nip i fisit tonë Gojçaj. Nuk e harroj edhe Krisanthin, gruan e infermjerit Koço Cici që më merrte në festa fetare orthodokse, kishin femijë bashkëmoshatarë me mua, Fanin dhe Elsen. Në të gjitha këto familje isha i mirëpritur si djali shtëpisë. Nuk ka gjë më të bukur në fëmini se sa përballja me amelcinat e nanave shkodrane.
Ndoshta unë, anipse familjarisht shkodran që para vitit 1900 kur im Atë i vogël zbriti nga Hoti për tu shkolluar dhe jetonte në një familje italiane, më shihnin me syrin e malësorit të vogël dhe në këtë vlerësim mbase ndikonte mbiemri.
Isha si të thuash ai ngjyrim që Shkodra e ka pas gjithmonë, çdo familje qytetare e kishte një rreth miqësor në Malësi apo katunde. Kam parë më sytë fëminisë se si dyndeshin familjet shkodrane në Hot të Ri në festen e Shnjonit (Shën Gjonit) që është festa fetare e Hotit të vjetër dhe të Ri. Im Atë mesues, e kam shkrur dhe herë të tjera, ishte i ftuar çdo vit prej nxënësve të tij në Postribë në çdo festë Bajrami.
Po fjalën e kishim te pasioni për letërsinë, kur rrinim e diskutonim për libra me orëtë tana. Edhe te shtëpia e re e Fredit po ashtu.
Në saj të atij pasioni rinor për letërsinë na u hapën shtigjet ne të rinjëve të “Shtigjeve të çeluna” të Hasan Lekajt dhe Ferdinand Bushatit, drejtori i Klubit të Rinisë ky i fundit.
Tonin Shtjefni, Alfred Çapaliku, Rudina Lohja, Suzana Jegeni, Valentina Ago, Mehmet Shpuza, Riza Lahi dhe unë, të gjithë nga rrethi letrar, shkuam me studime universitare.
Vetëm Mehmet Shpuza u ndërpre nga studimet prej Mehmet Shehut, sepse krimineli vigjilent që i kishte pushkatuar të atin shokut tonë, e zbuloi “sekretin”. Shoku jonë Mehmet Shpuza e kishte ndërruar mbiemrin pas ekzekutimit të babait si nacionalist e armik i komunistëve.
Rrallë jemi takuarmë pas me shokët e pasionit për letersinë në fillimet tona. Jeta bën të vetën. Veçmas pas vitit 1990 humbën të gjitha lidhjet. Unë po nëpër botë, në Greqi dhe në Amerikë.
Ftuarnga prifti, që edhe ai “vuan” nga pasioni i letrave shqipe, shqiptari i Kosovës Dom Nik Ukgjini, u gjendëm në përurimin e rindërtimit të Kishës së Ndre Mjedës. Aty në sesionin shkencor edhe unë edhe Alfred Çapaliku. Nuk ishim më ato të rinjtë e marrosun pas letërsisë. Rinia kishte ikur larg dhe pasioni kishte mbetur, por kish marrë trajta të reja. U çmallëm me Fredin. Kujtuam miq e shokë, trazuam kujtime e ngjarje që mbase i kishim harruar.
Ishim ulur afër në sesionin shkencor. I kërkova ndonjë libër me poezi të tij, por më tha se nuk kishte me vete. Pastaj mori një letër të bardhë dhe shënoi diçka. Ndoshta gjënë më të bukur që mund ti jepej një miku të vjetër. Një poezi me katër rrjeshta të Jacques Prévert me titull “Njeriu i madh” e shqipëruar nga profesor Fredi, se ai ishte pedagog në universitetin e Shkodrës, ku kishim mike dhe një poete lirike me ndjesi të holla, pedagogen Ledri Kurti Kraja.
Poezia e Jacques Prévert ishte kjo:
NJERIU I MADH
Tek një rrobaqepës statujash
Kur unë një ditë e pashë,
Ai merrte masat
Për brezat pasardhës.
…e shënimi: “Kolecit të paharruar këtë përkthim nga italishtja prej Alfredit.”
Folëm për letersinë, folëm për gjithçka që mund të flitet pas një kohë mungesash kaq e gjatë.
Por mbeten edhe gjëra pa thënë. Ajo që desha ti them Fredit, por nuk arrita, ishte: Vërtetë nuk bëmë ëmër të madh, por jetësuam pasionin tonë. Të tjerat janë manipulime historike, klanesh, grupesh, interesash, ashtu siç ndodh dhe në librat e historisë ku luftërat i bëjnë ushtarët, por betejat marrin emrat e gjeneralëve.
©️Kolec P. Traboini
🔰Kujtime / Pantheon Info