Arben Çokaj
– tregim me një hoxhë
Tregojnë për një hoxhë, që u shkollua në Arabi, e sa kreu shkollën, u kthye për të shërbyer në fshatin e tij. I thanë, “rri edhe një vit, e bëj vitin e dynjallëkut” por ai nuk pranoi. “Jo” tha, “se xhemati po më kërkon, ka nevojë për mua… ne shqiptarët kemi halle shumë, e mend pak…”
Rrugës duke u kthyer, atëherë kanë ecur me karvane, u ndal në një fshat shqiptar diku në vilajetin e Shkupit, e bujti atë natë aty. Kur shkoi në xhami në aksham, pa se hoxha i fshatit, një farë Mulla Jakup Hasipi, shante flamurin shqiptar dhe nuk i dinte mirë as udhëzimet e Kur’anit… E ky, nuk mund duroi, hoxhë i ri fringo, sa kishte dalë nga shkolla.
“Hoxha po ju mashtron” – tha ai, e u ngrit si veriu. “Ai po i ngatërron fjalët e Kur’anit Kerim, po i thotë gabim…“. Çfarë?! – xhemati u inatos keq dhe u agresivua… Fshatarët kishin respekt të madh për mulla Hasipin dhe e kapën këtë hoxhën e ri, dhe e nxorrën për leckash përjshata. “Ik more hajvan, se ti nuk din gjë!” – i thanë.
Hoxha i ri u ndodh në siklet të madfh, bëri si bëri atë natë dhe e shtyu disi, por erdhi duke menduar, “po ky viti i dynjallëkut, çfarë është? Si nuk e bëra unë, e ja ku e pësova kaq keq?!” Dhe vendosi të kthehej prapa, e të bënte vitin e dynjallëkut…
Pas një viti kur po vinte për në Shqipëri, për të sjellë neurozat turko-arabe, ai u ndal prapë në fshatin e Mulla Jakup Hasipit. Por tani ai kishte bërë vitin e dynjallëkut, nuk ishte më i pari, kishte lëshuar edhe mjekrën e fshararët e fshatit, që e kishin dëbuar një vit më parë, nuk e njihnin.
Mulla Jakup Hasipi i njëjti si gjithnjë: “Çfarë është ajo sorrë në flamur?!” – bërtiste ai, si i çmendur. “Turp e faqja e zezë. Ajo sorrë na ndau nga turku, nga padishaku… se kishim qenë më mirë…” Dhe filloi prapë arabisht duke i ngatërruar fjalët e Kur’anit, por këtë herë hoxha i ri, nuk reagoi keq kundër tij, përkundrazi.
U ngrit në këmbë, dhe i madhëngjyer e me lotë në sy tha:
“Hasipi është pejgamber, më ka prekur thellë me fjalët e tij, më kujtoi Azerti Muhamedin, ma ngjalli këtu para syve…” E lotët vu nga sytë… “A mundesh o hoxhë, të ma japësh një qime të shenjtë nga mjekra jote?! Që ta kem si kujtim për tërë jetën, se ti ma ngjalle Hazerti Muhamedin…”
E Mulla Jakup Hasipi me gjithë solemnitet, i përkëdhelur nga lëvdata, ia ktheu: “si jo” tha, “ja!” – fap e shkuli një qime nga mjekra e tij dhe ia zgjati… Ky e mori dhe e futi në një kuti të vogël druri, që e kishte marrë me vete.
Në atë moment fshatarët e shumtë iu vërsulën Mulla Jakup Hasipit dhe i kërkonin qime nga mjekra e tij, disa prej tyre, nga dëshira e madhe për të pasur qimen e Hasipit, filluan edhe t’ia shkulnin vetë leshtë e mjekrës, e kështu në pak minuta, mjekra e Mulla Jakup Hasipit shkoi për lesh. Mbeti hoxha i nderuar nga Sllupçani, që shante flamurin kombëtar, pa mjekër… Ky ishte pra, viti i dynjallëkut për hoxhën e ri, e taktikat, që ai mësoi atje në vitin e fundit…