15.5 C
Tirana
E hënë, 26 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj VIJIMËSI E PASURIMIT TË POEZISË SË FRANÇESKANËVE

VIJIMËSI E PASURIMIT TË POEZISË SË FRANÇESKANËVE

0
Pashko Gojçaj - Kohë në shtjellë
Anton Nikë Berisha
Anton Nikë Berisha

Anton Nikë Berisha

(Kumtesë e mbajtur në Tuz më 13 dhjetor 2025 me rastin e promovimit të librit me poezi “Kohë në shtjellë” të atë Pashko Gojçajt)

Libri më i ri i atë Pashko Gojçajt “Shtjellë në kohë” dëshmon për vijimësinë e shkrimtarëve tanë – barinj shpirtërorë, veçmas të françeskanëve, në fushën e poezisë, që zë fill me Gjon Bdek Buzukun, i cili në veprën e tij të njohur me emrin “Meshari” (1555) botoi poezitë e para në stilin e Psalmeve, madje edhe poemën e parë kushtuar shtatë mëkateve me 128 vargje[1].

Nismën e përvuajtur të Buzukut e vijuan një varg barinjsh shpirtërorë. Krahas veprimtarisë shpirtërore fetare ata dhanë ndihmesë të madhe edhe në zhvillimin dhe pasurimin e letërsisë sonë të thuash në të gjitha llojet e saj. Të përmend këtu disa nga emra më të rëndësishëm: Budi, Bogdani, Fishta, Mjedja, Harapi, Noli e të tjerë.

Brenda kësaj veprimtarie u dalluan sidomos autorët françeskanë, të cilët i krijuan disa nga veprat më të rëndësishme të letërsisë sonë në poezi, në prozë dhe në dramë.

Këto vepra të tyre u krijuan mbi dy shtylla të rëndësishme: në atë kombëtare dhe të frymës së krishterë, që e shprehen përmes togfjalëshit Atme e Fe[2].

Atë Pashko Gojçaj
Atë Pashko Gojçaj

Frymën kombëtare e vërejmë të thuash në secilën vepër letrare të hartuar nga françeskanët tanë, ndërsa për shtyllën tjetër – atë të kulturës së krishterë, po sjell mendimin e atë Anton Harapi, “Nji ndër njerez mâ të kulturuem të Shqipnís”, siç e cilësonte Ernest Koliqi: “Edhe atdhetarizmi është një ndër idealet e krishterimit […] Atdhetarizmi në kuptimin e krishterë është një virtyt i shenjtë si drejtësia dhe dashuria[3] […] Te njeriu vetë kristianizmi ndërroi idetë, lartësoi ndjenjat dhe sistemoi tërë jetën vetjake. E bëri të mirë shpirtin e njeriut dhe kërkoi prej tij pastërtinë edhe të mendimit e të dëshirës: në vend të instinktit vuri ndërgjegjen me përgjegjësi; në vend të egoizmit dashurinë për të tjerët; në vend të ëndjeve detyrën; në vend të epsheve madhnoi virtytin.”[4]

Poezia e atë Pashk Gojçajt është e lidhur ngushtë me këtë traditë dhe dëshmon se ajo vazhdon shtegtimin e saj, duke e pasuruar atë rrafshe dhe në në përbërës të ndryshëm.

Për të dëshmuar këtë po sjell dy strofa të poezisë së Pjetër Budit. Ai çdo gjë që e përftoi, e përftoi për Hyjin dhe për njerëzit; ajo ishte këngë dhe jetë e përshkuar nga gëzimi: “Si kënkë tue kënduom”. Poeti ynë dëshiroi të këndojë një këngë të re në gjuhën e tij shqipe pikërisht për dashurinë ndaj Hyjit:

Tashti të lus, ndritmë muo,
Zoti im, me nji rrezē,
Si të jetë urdhënuom
Shpīrtit shint prej tē.

Shqip të mudënj me rrëfyem
Ndōnji kankë të rē,
Qi mbi qiellt t’ish pëlqyem
Përpara tȳ ke jē[5].

Në të vërtetë, përmbledhja me poezi “Kohë në shtjellë” është vazhdim dhe ngritje e poezisë së atë Pashkut që kishte nisur me Kompanjelat dhe hijet, vijuar me Sytë e shêjtneshës I, II dhe Takimi i kohëve.

Poezia e përfshirë në “Kohë në shtjellë”, nuk është në tërësinë e saj krejt tradicionale e as poezi ku mbipeshon të shprehurit modern; është një gërshetim dhe shkrirje e poezisë sonë të traditës dhe e poezisë së kohës sonë.

Autori përdor një gjuhë dhe një të shprehur të natyrshëm; as nuk e sforcon të shprehurit, as nuk mbetet në rrafshin e imituesit, po përdor një rrëfim, përkatësisht një stil të mëvetësishëm, që të pushton sa më thjeshtësinë aq dhe me thellësinë e kuptimeve që dalin nga teksti.

Poezitë që bëjnë këtë libër janë hartuar për një kohë të gjatë, pra gjithçka është përftuar në kontekste e në çaste kur frymëzimi ka nxitur të mendohet natyrshëm për dukurinë që do të bëhet objekt i përimtimeve poetike. Pra, janë hartuar ashtu si kanë ardhur për t’iu nënshtruar pastaj një përpunimi, një skalitje deri sa kanë marrë formën e duhur të asaj që ka synuar autori. Kur nuk janë hartuar vargje e poezi është përsiatur për dukuritë dhe idetë përkatëse.

Disa nga poezitë dhe vargjet e tyre dëshmojnë sa për natyrën e tekstit, aq dhe për vlerat e tij. Pa dashur të zgjatëm dhe ta konkretizoj këtu këtë dukuri (meqenëse kam bërë fjalë në Parathënien që i prin librit) po sjell vetëm vargun sa të veçantë aq dhe të rrallë: Koha është hir, është lutje (Koha)

Thënë përmbledhtas: poezia e përfshirë në këtë libër me titull simbolik “Kohë në shtjellë”, me vlerat që ka, bëhet pjesë e natyrshme e poezisë sonë të traditës dhe asaj bashkëkohore.

Prishtinë, 8 dhjetor 2025


[1] Shih më gjerësisht për këtë dukuri studimet e mia “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014 dhe Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza 2016.

[2] Shih Anton Nikë Berisha, Hyu dhe mbretëria hyjnore në poezinë shqipe. Në “Burim drite e dashurie. Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1618-1998”. “Shpresa”, Prishtinë 1999, f. 5- 18; shih dhe Parathënien time Qenësia e hyjit dhe e mbretërisë hyjnore në poezinë tonë në veprën time “Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1555 – 2019”. Faik Konica, Prishtinë 2020, f. 7 – 29.

[3] Atë Anton Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali kombtár. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton N. Berisha, Kuvendi françeskan i Gjakovës, Gjakovë 1977, f. 280.

[4] Anton Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali kombtár, vep. e përm., f. 277.

[5] Shih Pjetër Budi. Poezi. Libri n. 31. Parathënia, tejshkrimi dhe komentet: Rexhep Ismajli. Akademia e shkencave dhe arteve të Kosovës, Prishtinë 2006, f. 245; shih dhe studimin tim Pjetër Budi poet dhe prozator. Studim. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2015. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2015.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.