
Xhelal Zejneli
Gjiganti i filozofisë moderne e arsyetoi sulmin e NATO-s kundër RS të Jugosllavisë në vitin 1999 në kuadër të luftës në Kosovë. Ishte mentor i Zoran Gjingjiqit (1952-2003) të vrarë në Beograd më 12 mars 2003 nga ultra-nacionalistët serbomëdhenj. Filozofi gjerman kishte ushtruar ndikim mbi studentin e vet. Në kohën e vrasjes, Gjingjiqi ishte kryeministër i Serbisë.
* * *
Në artikullin “Shtazëria dhe humanizmi. Luftë në kufirin midis ligjshmërisë dhe moralit” „Bestiality and humanity. War on the line between law and morality“ (1999), Jürgen Habermas arsyetoi sulmin e NATO-s kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në vitin 1999. Ai argumenton se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë shënoi një ndryshim kritik ku veprimi ushtarak u justifikua nga morali humanitar dhe jo nga ligji i rreptë ndërkombëtar. Ai analizon çështjen që ka të bëjë me mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ruajtjen e kufijve ligjorë sovranë, duke vënë në pikëpyetje nëse ndërhyrje të tilla krijojnë një rend global “të qytetëruar” apo rrezikojnë të shndërrohen në dhunë “shtazarake.”
Habermasi konsideronte se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 paraqet një formë „të ndihmës legjitime“, edhe pse është kryer pa miratimin e OKB-së.
Në tekstin “Shtazëria dhe humanizmi. Luftë në kufirin midis ligjshmërisë dhe moralit” „Bestiality and humanity. War on the line between law and morality“ (1999), Jürgen Habermas i tregon arsyet e bombardimit të Jugosllavisë së atëhershme.
* * *
Jyrgen Habermas (Jürgen Habermas, Dyseldorf, 18.06.1929 – Stamberg, 14.03.2026) ishte sociolog dhe filozof gjerman. Vajti në amshim të shtunën, më 14 mars 2026 në Starnberg. Për vdekjen e tij njoftoi zëdhënësi i shtëpisë botuese Suhrkamp. Punoi në traditën e teorisë kritike dhe të pragmatizmit amerikan. Lindi në qytetin gjerman të Dyseldorfit (Düsseldorf). U shkollua në Bon dhe në Marburg. Punoi në Institutin e Kërkimeve Shoqërore. Pas kësaj, u bë profesor i filozofisë në Frankfurt.
Ishte një prej përfaqësuesve kryesorë të Shkollës së Frankfurtit. U mor edhe me natyrën e komunikimit dhe të vetëdijes si dhe me rolin e tyre në shkaktimin e aksionit shoqëror. Ka qenë i afërt me marksizmin. Përballë “sociologjisë konservatore” e cila ofron vetëm “reflektim dhe përshkrim të realitetit ekzistues”, Habermasi “sociologjinë kritike” të vet ia kthen praktikës, mundësisë historike dhe të ardhmes. Me punimet e tij filozofiko-teorike Habermasi konsiderohej si një prej intelektualëve të majtë më të njohur në RF Gjermane.
* * *
Jyrgen Habermasi ishte një prej filozofëve më me ndikim në botë. Puna e tij në komunikim, në racionalizëm dhe në sociologji e bëri atë personalitet intelektual kryesor në Gjermani dhe më gjerë. Gjatë dekadave shpesh i trajtonte çështjet politike. Krijimet voluminoze të tij i tejkalonin kufijtë e disiplinave akademike dhe filozofike, duke ofruar vizionin e shoqërisë moderne dhe të ndërveprimit shoqëror.
Një prej shkrimeve më me ndikim të tij është eseja apo libri në dy vëllime i botuar në vitin 1981 “Teoria e veprimit komunikues”(Theorie des kommunikativen Handelns, 1981). Teoria bazohet në idenë se komunikimi është rruga drejt mirëkuptimit midis njerëzve. Rëndësinë e gjuhës së folur Habermasi e përjetonte si “shtresë e bashkësisë pa të cilën si individë nuk mund të ekzistojmë.” Fliste edhe për “superioritetin e fjalës së shkruar” dhe thoshte se “ferma e shkruar i mbulon mungesat e formës gojore.”
Veprat
“Ardhmëria e natyrës njerëzore”, 2003; “Ese për Evropën”; “Milan Kangërgës* për ditëlindjen e tetëdhjetë (letër), 2003; “Kontribut për rikonstruktimin e materializmit historik”; “Probleme të legjitimitetit në kapitalizmin e vonshëm”; “Njohuri dhe interesi”; “Diskursi filozofik i modernes: dymbëdhjetë ligjërata”; “Teknika dhe shkenca si ideologji”; “Teoria dhe praktika e studimit social-filozofik”, 1963; “Tre modele normative të demokracisë: mbi konceptin e politikës deliberative”.
Shënim: Milan Kangërga (Zagreb, 1923 – Zagreb, 2008) filozof kroat dhe jugosllav. Profesor i Fakultetit Filozofik në Zagreb. Tematika themelore e punimeve kritike dhe studimore të tij përfshin etikën filozofike, ontologjinë dhe estetikën.










