Ura e Ibrit dhe loja me dy standarte e BE-së…

0
Mitrovica - ura e Ibrit
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Motiv për këtë shkrim u bë “zhurma” që u bë ne media pas vendimit të Kurtit për hapjen e Urës së Ibrit. Natyrisht që ndaj kësaj nisme pati qëndrime pro dhe kundër hapjes së saj. Opozita e Kosovës si gjithnjë mbajti qëndrim kundër Kurtit dhe “mbështeti” qëndrimin e faktorit ndërkombëtar, që kjo çështje të jetë temë e bisedimeve me Serbinë… Kryeministri, Kurti, nga ana tjetër qe i vendosur që ura të hapej më 14 gusht… Qëndrimi i vendosur i Tij për hapjen e urës shkaktoi një reagim edhe nga vendet e Kuintit dhe BE-ja. Deklarimi i zëdhëndësit të BE-së, Stano, se: “Problemi i hapjes së Urës së Ibrit, duhet të bëhet çështje e bisedimeve me Serbinë”, është i padrejtë dhe i papranueshëm për Kosovën.

Ky deklarim nuk është shprehje për bashkim por precedent për ndarjen mbi baza etnike… Atëherë ku është bashkëjetesa etnike dhe multietniciteti i shtetit të Kosovës? Me këto deklarata Kosova nuk shkon drejt bashkimit por drejt ndarjes së Veriut të saj. A janë demokratike dhe parimore këto deklarata? Jo, vetëm të tilla juk janë. Ura e Ibrit bashkon dy anët e qytetit të Mitrovicës të ndarë padrejtësisht. Vetëm për këtë arsye hapja e saj duhej mbështetur unanimisht nga BE-ja dhe faktori ndërkombëtar. Fatkeqësisht ndodhi e kundërta, u pengua hapja e saj… Nuk më duket shenjë e mirë kur këto deklarata, janë në vazhdën e qëndrimeve të Borellit dhe Lajçakut për bisedimet në dialogun, Kosovë-Serbi! Aktualisht Kosova vazhdon të jetë e ndëshkuar nga BE-ja me sanksione, ndërsa Serbia përkëdhelet gjithnjë nga BE-ja dhe merr fonde prej saj…

Kosova, ndërkohë “qortohet” nga BE-ja, nëse ajo hap urën e Ibrit… Këto qëndrime të aleatëve, nuk janë parimore. Ato, “dje” na ndihmuan dhe “sot” po na penalizojnë pa shkak. Sipas mendimit tim situata është e rëndë, dhe Kosova gjendet sërish në një udhëkryq të rrezikshëm. Kjo situatë vjen si pasojë e sjelljes agresive të Serbisë dhe e Presidentit të saj, Vuçiç. Serbia dhe politikanët e saj vazhdojnë të jenë tepër agresivë ndaj Kosovës dhe shtetit të saj. Serbia nonstop ka punuar dhe vazhdon të punojë kundër Kosovës dhe kombit shqiptar. Ajo “nuk din” të bëjë gjë tjetër, veç kësaj… Këtë e ka vërtetuar historia…

Problem për Serbinë nuk është ura, por veriu i Kosovës. Për pasojë Kosova rrezikon të ndahet… Rrezikon të ndahet sepse çuditërisht BE-ja favorizon Serbinë në “bisedimet” e saj me Kosovën. Është rasti më i mirë që BE-ja të dëshmojë se ndryshon nga Evropa e djeshme, dhe të vërë në vend të padrejtësive historike ndaj territoreve shqiptare… Fatkeqësisht nga vendimet dhe qëndrimet e tyre, trojet shqiptare dhe Kosova e kanë pësuar rëndë gjatë historisë.

Ajo që bën përshtypje dhe më bën të “apeloj” deri në “kupë të qiellit”, është qëndrimi i faktorit shqiptar… Është e habitshme dhe shumë naive qëndrimi i politikanëve kosovarë ndaj veprimtarisë agresive të Serbisë… Po kështu dhe trajtimi absurd i kësaj teme nga disa media në Kosovë. E çfarë mund të presësh tjetër nga këto? Të tillë ka pasur dhe vazhdon të ketë shoqëria shqiptare… Shumë prej tyre janë vënë në shërbim të Serbisë dhe në forma nga më të kamufluarat, pse jo dhe hapur, “ulurisin”, për “gabimet” e Kurtit dhe qeverisë së tij… Kurti dhe qeveria e tij mund të kenë shumë gabime… Serbia është fajtore për gjithçka ka ndodhur në Kosovë dhe për rrjedhojë ajo e ka humbur përjetësisht, atë.

Megjithëkëtë, Serbia nuk “jep shpirt” dhe kërkon me çdo kusht ta ndajë, Kosovën… Ndarja është coptim dhe vdekje për Kosovën. Si e tillë kjo është e papranueshme për Kosovën dhe shqiptarët… Qëndrimet e disa politikanëve të Kosovës kanë qenë të papranueshme, në lidhje me lëshimet që i kanë bërë Serbisë kur ishin në pushtet… Dhe, aq më keq për to, pasi ata nuk i pranojnë edhe sot gabimet. Ato vazhdojnë t’i mbrojnë qëndrimet e tyre, lidhur me lëshimet ndaj Serbisë… Për çdo dështim në bisedime, fajsojnë qeverinë dhe kryeministrin e saj, Albin Kurti. A thua, këto vetë janë të pagabueshëm? Jo, ish-politikanë, Serbia ka patur dhe do të ketë qëndrime e doktrina të njëjta antishqiptare kundër Kosovës edhe pas Albinit dhe “albinëve” të tjerë që do të pasojnë pushtetin…

Serbia nuk mund të ndryshojë qasje ndaj Kosovës në veçanti, dhe shqiptarëve në përgjithësi… Ato që duhet të ndryshojnë qëndrim duhet të jemi ne shqiptarët. Duhet bashkim dhe vetëm bashkim midis shqiptarëve, për të përballuar veprimtarinë agresive të Serbisë ndaj Kosovës. Klasa politike e Kosovës pavarësisht “parcelizimit” politik dhe bindjeve fetare duhet të bashkohen kur vjen puna për çështejet ekzistenciale të Kosovës. Mbi të gjitha është kombi dhe çështja kombëtare. Kosova nuk mund ti shkelë vijat e kuqe në bisedimet për normalizimin e marrdhënieve me Serbinë. Po i shkelën këto parime do të duhet ndoshta edhe një shekull tjetër, që këto vija të kuqe, të marrin ngjyrën e jeshile…

Prandaj: Jo ndarjes së Kosovës; jo, shkëmbimit të territoreve; jo, Ballkanit të hapur; jo rikolonizimit serb të Kosovës… Dhe sërish vjen paralajmërimi i fundit i BE-së nga Stano: “Kosova do të mbetet vetëm nëqoftëse nuk i ndëgjon aleatët”… I mirë është ky qëndrim i BE-së për të shuar zjarrin që rrezikon Kosovën dhe rajonin… Por ky qëndrim bie ndesh me marrveshjen e arritur me Serbinë, për hapjen e Urës së Ibrit në vitin 2013… Kush është shkaku i moshapjes së urës? Serbia. BE-ja, asnjë fjalë ndaj Serbisë. Pse ky qëndrim arbitrar i BE-së, ndaj saj?

Përse përkëdhelet kaq hapur Serbia, kur ajo ka shkaktuar luftë dhe gjenocid në Kosovë dhe më gjerë? Përse kjo lojë me dy standarte e Evropës? Natyrisht, ne shqiptarët nuk mund të imponojnë evropianët në vendimmarrjet e tyre. Por një gjë e ka në dorë politika kosovare, të bashkohet dhe të dalë me qëndrime unike. Por shpesh ka ndodhur e kundërta. A është arritur kjo? Fatkeqësisht, jo! Edhe për këtë temë delikate duket se nuk pati dakortësi. Kur kjo padakordësi shfaqet edhe midis kryeministrit Kurtit, dhe presidentes Osmani, situata bëhet edhe më e rëndë. Unë shpresoj se dy figurat më të larta shtetit të Kosovës do dakortësohen dhe do të dalin me një qëndrim të përbashkët, lidhur me hapjen sa më të shpejtë të Urës së Ibrit. Mbështetja amerikane është jetike për Kosovën dhe sfidat e njëpasnjëshme të sajë…

Ibrahim Kabili
Tiranë, më 17.08.2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.