Nga: Prof. dr. Shyqri GALICA
Një bibliografi jo shumë e gjërë, por specifike në shumë aspekte, e cila si dimension vjen e zgjerohet dhe thellohet në korniza të kërkimeve poetike, diskursive e të fushës së përkthimeve, gjithnjë në kontekst të asaj që jo vetëm që është e veçantë si orientim, por edhe si trajtim, si kërkim e si përzgjedhje. Në të vërtetë janë këto tri shtigje që në pamje të parë duken si krejt të rendomta, mirëpo, dukr shfletuar veprën e poetit, të studiuesit e të përkthyesit Isak Ahmeti shihet se ai ka shtrirë frymëzimet e tij në një botë të mëvetësishme poetike, ka drejtuar kërkimet e tij shkencore në një sferë të kufizuar e pak a fare të njohur për receptuesin e studiuesin tonë dhe ka prezentuar nëpërmjet përkthimeve vlera të qëndrueshme që shquhen me përkthimin dhe përzgjedhjen e tyre.
Mbase duke pasur dhe model krijuesit më të mirë të letërsisë sonë dhe të asaj të botës, poeti Isak Ahmeti ka artkuluar botën e tij krijuese nëprmjet një forme ndryshe të ligjerimit, emocione krijuese, që e shquajnë atë si një poet në kërkim, por që ka formuar dhe individualitetin e tij. Madje ky mendim në të vërtetë tumiret pothuajse në të gjitha shkrimet për veprën e Isak Ahmetit në librin “Të tjerët për veprën e Isak Ahmetit ose: Letërsia ndryshe e tij” të autorëve Sarë Gjergji & Zef Ahmeti.
Duke folur për vargun poetik të Isak Ahmetit, kritikë e studiues të ndryshëm kanë arritur të dëpërtojnë në anët më karakteristike të poezisë së tij, emra që kanë dhënë ndihmesën e tyre në letërsinë tonë, por edhe të tjerë që janë provokuar nga vlerat e veprës poetike të këtij krijuesi. Zërat e tillë kanë fuqizuar edhe më shumë opusin poetik, janë tri vëllime, mirëpo kërkimet poetike të këtij autori i kanë veçuar si trajtime që hulumtojnë, që sheshojnë anë paksa ndryshe të realitetit shqiptar dhe që nyjëtojnë këtë botë jo rrallë nëpërmjet figurave biblike, të cilat janë përdorur me aq kuptim në mesazhet që jepen nëpërmjet ligjërimit poetik.
Autorë të ndryshëm do të shkruajnë për vëllimet poetike “Gallatea” (1972), “Uratë zbulimi” (1976), “(Kushtimebesë” (1983), përmbledhje që tërheqin kërshërinë e studiuesit e të receptuesit që.në titujt e tyre.
Një vlerësim më vete do t’i bëhet përkthyesit Isak Ahmeti për veprën e Salvatore Quasimodos “Njeri i kohës sime” (1979), përkthyer nga italishtja në shqip dhe për antologjinë e lirikës gjermane “Qumështi i zi i agimit”(1988). Me këto vepra përkthyesi ynë në mënyrë të denjë na ofron vlera në shqipe, të cilat edhe më vonë në një mënyrë kanë mbetur tejet të nevojshme për ta njohur nga afër krijimtarinë poetike të këtyre dy popujve me të cilët shqiprarët kanë raporte të veçanta.
Mbase e veçanta këtu qëndron se përkthyesi ynë ka arritur në mënyrë dinjitoze të na japë begatinë poetike të Kuazimodos , por edhe të poetëve të tjerë siç janë: Ungaretti, Montale, Landi etj., sepse poezia është gjinia më e vështirë për t’u përkthyer. Me një fjalë, Ahmeti ka bërë që receptuesi ynë të komunikojë shqip edhe me një botë tjetër, sidomos në atë kohë kur ishte tejet e nevojshme, madje aq e dashur nga lexuesi që kërkonte të shijonte vlera të botës perëndimore. Këtë mundësi, pra, ua dha përkthyesi ynë, krijuesi dhe studiuesi Isak Ahmeti.
Një segment tjetër ,që.do ta quanim dhe kulmin e trekëndëshit të veprimtarisë letrare, shkencore e intelektuale të Isak Ahmetit, siç e shohim edhe nga vlerësimet e studiuesve dhe të kritikëve tanë të shumtë, është puna e palodhshme dhe gjithsesi shumë e mundimshme shkencore e tij.
Në fakt që mendojmë se është shumë i rëndësishëm për këtë autor e që nuk e hasëm në asnjë shkrim për veprën e tij në librin “Të tjerët për veprën letrare të Isak Ahmetit” e të ciln po e theksojmë me këtë rast “tashmë vepra kërkimore-shkencore e poetit, përkthyesit dhe studiuesit Isak Ahmeti shfrytëzohet si literaturë e detyrueshme në Universitetin e Prishtinës dhe është futur në programet e letërsisë.
Do të thotë, është një fakt që jo shumë krijues tanë kanë fatin ta kenë.
Jo sot, por dymbëdhjetë vjet më parë, duke shkruar për studimin: “Bibla në letërsinë shqiptare” të tij kemi theksuar: “…Isak Ahmeti është ndër emrat e letërsisë sonë që kërshërinë krijuese dhe hulumtuese e ka artikuluar në vazhdimësi të krijimeve të tij imagjinare e diskursive, gjithnjë në kërkim të specifikave të botës shqiptare nga lashtësia deri në ditët tona”.
Të kësaj natyre pa dyshim janë veprat studimore të autorit tonë “Kleri katolik shqiptar dhe letërsia”, (1994), “Bibla në letërsinë shqiptare”, (1999), “Kurani në letërsinë shqiptare”,(2006″ etj. Ky dimension hulumtues-shkencor është me interes të veçantë, sepse ndoshta për herë të parë ndiçohen çështje, veprimtari e autorë që kanë dhënë ndihmesë të madhe në fushën e kulturës e të letërsisë shqiptare, emrat e disa prej të cilëve mbase njihen për herë të parë nga shumë lexues e studiues tanë.
Krijuesin e studiuesin Isak Ahmeti do ta kujtojnë lexuesit e poetët, do ta nderojnë përkthyesit e dashamirët e letërsisë së huaj dhe do ta kërkojnë dhe do ta studiojnë shkencëtarët. Vepra e tij sot veçohet ne përkushtim kërkues me thellësinë e mendimit dhe me qasjen moderne. Këto dhe veçori të tjera, pos në veprën e tij autoriale, do t’i gjeni si mendime të artikuluara edhe te vepra e sapobotusr: “Të tjerët për veprën letrare të Isak Ahmetit ose Letërsia ndryshe e tij” të autorëve Sarë Gjergji&Zef Ahmeti, me të cilën jo vetëm se kanë nderuar autorin e letërsisë shqiptare, por kanë ndihmuar posaçërisht lexuesit e studiuesit e sotëm e të nesërm për t’u njohur me artin e problemet që ngre Isak Ahmeti në fushën e letërsisë e të shkencës shqiptare.
Por përkushtimi në këto fusha, poezia, përkthimi e studimi janë shtigje të trasuara, vlerat e të cilave krijuesi ynë do t’i kultivojë edhe më tej, duke shfrytëzuar rezultatet e leximit të shumëfishë e të kërkimeve të thelluara.
Besojmë se vepra e nesërme e Isak Ahmetit dhe tri motivet e tij tashmë të njohura – poezia, përkthimi e studimi, do të jenë edhe më të thella e më komplekse, duke bërë individualitetin e tij krijues edhe më të dashur e më kërkues.
P.s. Kumtesë e paraqitur në Takimet e Dom Mikelit në Stubëll, në 65 – vjetorin e lindjes të Isak Ahmetit.











