Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Humanizmi dhe solidariteti si thelbi i lëvizjes çlirimtare në Kosovë
Në një prej kapitujve më domethënës të historisë sonë kombëtare, rezistenca shqiptare në Kosovë mori një dimension që tejkalon përmasën klasike të një lufte për të drejta politike apo për çlirim territorial. Ajo mori formën e një lëvizjeje që ndërthurte në thelb jo vetëm idealet e lirisë kombëtare, por edhe një etikë të thellë njerëzore, një humanizëm të rrallë që buronte nga vetë gjiri i popullit – i thjeshti, i pambrojturi, por gjithmonë i drejtë. Ishte ky humanizëm, i shfaqur në mënyrën më autentike në fshatra, ndër lagje dhe në vetë ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve të Kosovës, që e shndërroi luftën tonë nacionalçlirimtare në një përpjekje të madhe morale dhe shpirtërore.
Këtë dimension të ri, thellësisht human dhe revolucionar, nuk e prodhoi ndonjë platformë politike e shkruar në zyrat e mërgatës apo në qarqet e inteligjencës, por vetë reagimi popullor përballë brutalitetit të pushtetit. Në kushte ekstreme represioni, kur regjimi jugosllav jo vetëm i persekutonte individët që merrnin pjesë në demonstrata, por kërkonte nga komuniteti – sidomos nga fshatarësia – që t’i bojkotonte, t’i përbuzte dhe t’i lëçite publikisht familjet e tyre, ndodhi një kthesë e papritur dhe e fuqishme në ndërgjegjen kolektive, njerëzit refuzuan të jenë vegla të urdhrave shtypëse.
Përkundrazi, ajo që kërkohej si akt frikësimi dhe përçarjeje, u përmbys në akt solidariteti dhe bashkimi. Fshatarët, që përherë janë paraqitur nga pushteti si “masa e heshtur”, tani dolën në pah si forca më e pastër e ndërgjegjes kolektive. Ata jo vetëm që nuk e zbatuan porosinë për të përçmuar familjet e atyre që kishin protestuar, por përçmuan vetë aktin e bindjes ndaj një urdhri të tillë. Ata nuk e lëçitën më pjesëmarrësin në demonstratë, por atë që provonte ta ndëshkonte vëllain e vet për një akt guximi. Dhe me këtë qëndrim, ata i kthyen përgjigjen më të fortë aparatit shtetëror, një refuzim të heshtur por të prerë, një mospajtim moral që s’kishte nevojë për fjalë.
Kështu, në një rrethanë kur regjimi përpiqej të përdorte metodën klasike të “përçarjes nga brenda”, populli e ktheu situatën në të kundërtën e asaj që synohej. Më shumë se kurrë, në ato kohë të vështira, bashkësitë rurale u bënë vatra të rezistencës jo vetëm politike, por edhe morale. Refuzimi për të përçmuar të afërmin u bë një akt i qëllimshëm që tregonte se vlera e bashkësisë ishte më e madhe se frika, dhe se dinjiteti nuk mund të nëpërkëmbet me urdhra, sado të fuqishëm të jenë ata që i lëshojnë.
Kjo sjellje, në thelb, përbën një nga dëshmitë më të forta se populli shqiptar i Kosovës, edhe i paarmatosur, ishte i pajisur me një forcë më të madhe se çdo arsenal ushtarak, me solidaritetin e vërtetë. Një solidaritet që e përjashtonte poshtërimin e të guximshmit, që nuk pranonte të tradhtonte përballë urdhrave të dhunës, dhe që i jepte lëvizjes çlirimtare një vlerë të pakrahasueshme morale, atë të një lufte që nuk ngrihej mbi urrejtje, por mbi drejtësi e dashuri për vëllain. Kështu, lëvizja kombëtare në Kosovë nuk ishte vetëm revoltë ndaj pushtetit, por edhe një proces thellësisht emancipues për vetë popullin. Një proces që e nxori shoqërinë nga skutat e frikës dhe e vuri në udhën e dinjitetit të përbashkët. Dhe kjo është një nga fitoret më të mëdha, e cila shpesh nuk përmendet në kronikat politike, por që mbetet thelbësore në kujtesën morale të një populli që vendosi të qëndrojë në këmbë – jo vetëm për tokën e vet, por edhe për nderin dhe vëllazërinë njerëzore.
Uniteti si themel i qëndresës
Në historinë e popujve që kanë luftuar për çlirim, të drejta dhe dinjitet, një ndër treguesit më të rëndësishëm të pjekurisë dhe përgatitjes për fitore është ndërtimi i një uniteti të thellë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Në këtë kuptim, ajo që po ndodh në Kosovë, sidomos në mes të shtresave punonjëse dhe të mbarë popullsisë shqiptare, është më shumë se një reagim ndaj padrejtësisë së pushtetit, është një manifestim i qartë i një vetëdijeje të re kolektive, e cila po strukturohej me vendosmëri dhe përditë po bëhet më e fortë.
Dukuritë që kanë shpërfaqur këtë unitet – si refuzimi për t’iu bindur urdhrave përçarës, mbrojtja e familjeve të protestuesve, pajtimi mes shqiptarëve që dikur ishin të përçarë, qëndrimi i përbashkët në fshatra, fabrika, universitete e institucione – nuk janë episode të izoluara. Ato janë pasqyra të një realiteti të ri shoqëror, që po formësohet nën presionin e përbashkët të represionit dhe aspiratës për liri. Janë tregues se një transformim i rëndësishëm po ndodh në mendësinë kolektive, se njerëzit nuk janë më të ndarë sipas interesave të vogla apo frikës individuale, por po bashkohen rreth një ideali të përbashkët, që tejkalon çdo dallim – ideali i çlirimit kombëtar dhe njerëzor.
Kjo frymë uniteti është forcuar në mënyrë organike, jo përmes direktivave politike të imponuara nga lart, por përmes përvojës së përbashkët të padrejtësisë dhe përmes ndjenjës së përgjegjësisë ndaj njëri-tjetrit. Tani më shumë se kurrë, të gjitha shtresat – studentët dhe profesorët, punëtorët dhe fshatarët, të rinjtë dhe të moshuarit – po flasin me një zë të vetëm. Kjo nuk është vetëm unitet retorik, por një ndjeshmëri e përbashkët, që e ka kuptuar se përballë dhunës shtetërore, mbrojtja më e fortë është solidariteti, se në kushtet kur pushteti kërkon të izolojë, populli ka zgjedhur të përqafojë njëri-tjetrin, dhe se kur përpiqen ta poshtërojnë, ai përgjigjet me dinjitet të përbashkët.
Prandaj, këto dukuri – nga më të voglat në dukje, te më të organizuarat – janë në fakt gurët kilometrikë të një procesi të pandalshëm që po e çon popullin shqiptar të Kosovës drejt një fitoreje që nuk është më vetëm e mundshme, por gjithnjë e më e afërt. Kjo fitore nuk është e bazuar në dhunë, por në qëndrueshmëri. Nuk mbështetet në forca të jashtme, por në vetë organizimin e brendshëm. Nuk është rezultat i ndonjë aleance të përkohshme politike, por i një përgatitjeje shpirtërore, morale dhe sociale të vetë popullit.
Për rrjedhojë, në çdo akt solidariteti, në çdo refuzim për ta braktisur një bashkëqytetar, në çdo fjalë të heshtur që shpreh qëndresë, gjendet një grimcë nga ajo fitore që po vjen – një fitore që do të jetë më shumë se çlirim nga një pushtet shtypës: do të jetë edhe një rilindje e vetë shoqërisë, e moralit të saj dhe e humanizmit që po e udhëheq në rrugën e drejtësisë dhe të lirisë.
Shtypja e zërit shqiptar në mërgatë nga aparati shovinist i Beogradit”
Kur pushteti shtetëror e humb betejën e tij morale dhe politike brenda vendit, ai shpesh zgjeron përpjekjet e kontrollit përtej kufijve, duke shtrirë ndikimin e tij mbi diasporën nëpërmjet frikësimit, manipulimit dhe ndëshkimit të qëllimshëm. Një shembull i qartë i kësaj logjike represive është veprimtaria e qeverisë së Beogradit gjatë valës së protestave shqiptare të viteve 1980, e cila, pasi u përball me rezistencën e pamposhtur të popullit të Kosovës brenda territorit, u përpoq të zgjaste dorën shtypëse edhe mbi mërgatën shqiptare.
Duke parë se “me popullin në Kosovë e kishte humbur davanë”, pra se çdo përpjekje për ta nënshtruar vullnetin kolektiv shqiptar kishte dështuar, shteti jugosllav zgjodhi ta zhvendosë terrenin e betejës në botën perëndimore, në radhët e punëtorëve të mërguar – një segment jetik i shoqërisë shqiptare, i lidhur fort me kauzën kombëtare dhe i pozicionuar tashmë në hapësira ku fjala e lirë ishte më e mbrojtur. Por për strukturat shoviniste të Beogradit, mërgata shqiptare nuk ishte thjesht komunitet ekonomik, por një vatër e rrezikshme e zgjimit kombëtar dhe e përhapjes së qëndresës jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë shtetëror.
Për këtë arsye, përfaqësitë diplomatike jugosllave, të vendosura në shtetet e ndryshme perëndimore, nisën të funksionojnë jo si misione normale të përfaqësimit diplomatik, por si qendra të grumbullimit të informacioneve, të shantazhit dhe të ndëshkimit ndaj shtetasve shqiptarë të mërguar. Ato u kthyen në çerdhe të aktiviteteve agjenturore të UDB-së, ku misioni kryesor nuk ishte diplomacia, por survejimi, frikësimi dhe përçarja. Për të mbjellë pasiguri dhe për të dekurajuar pjesëmarrjen në veprimtari politike e atdhetare, u përdorën taktika të shumta.
Ndër to, më e zakonshmja ishte shantazhi përmes pasaportës – një dokument i domosdoshëm për jetesën dhe punën e mërgimtarit. Për të rinovuar atë, punëtorët shqiptarë në mërgim shpesh përballeshin me kërkesa të hapura për të spiunuar bashkëkombësit e tyre. T’u tregonin autoriteteve emrat e atyre që kishin marrë pjesë në demonstrata, që kishin shpërndarë trakte apo kishin folur kundër regjimit. Pasiviteti nuk mjaftonte më, kërkohej bashkëpunim i detyruar me aparatin shtetëror, përndryshe pasaportat nuk do të vazhdoheshin, dhe ndëshkimi ishte i pashmangshëm.
Madje, në shumë raste, këto kërcënime nuk mbetën vetëm në nivel verbal. Mërgimtarë që kishin shkuar në pushime në Kosovë u arrestuan, u ndaluan dhe madje u burgosën – pa gjyq të drejtë, shpesh vetëm për faktin se kishin marrë pjesë në manifestime jashtë vendit ose kishin artikuluar kërkesa elementare për të drejtat e tyre kombëtare. Për regjimin jugosllav, kërkimi i të drejtave për arsim në gjuhën amtare, për njohjen e statusit politik të Kosovës apo për lirinë e fjalës, mjaftonte për të konsideruar një qytetar si “rrezik kombëtar”. Këto përpjekje ishin pjesë e një strategjie më të gjerë që synonte të asfiksonte rezistencën në çdo formë të saj – fizike, mendore, morale. Por në të vërtetë, veprime të tilla patën efektin e kundërt. I bënë shqiptarët më të ndërgjegjshëm, më të lidhur me njëri-tjetrin, dhe më të vendosur për të mos lejuar që frika dhe shantazhi të bëheshin pjesë e ekzistencës së tyre kolektive.
Pikërisht në këtë mjedis represiv lindi dhe u forcua ndërgjegjja e një mërgate që, ndonëse larg në hapësirë, u bë gjithnjë më afër shpirtërisht me popullin e saj në atdhe. Dhe kjo mërgatë, e rritur në përballje me presionin, e kuptoi më mirë se kurrë se lufta për të drejta nuk është asnjëherë vetëm brenda kufijve të një shteti, ajo është luftë për dinjitet që kërkon unitet, përkushtim dhe sakrificë – kudo që gjendet shqiptari.
Strategjitë e infiltrimit dhe agjenturës së UDB-së ndaj organizimit shqiptar
Në përpjekjen e saj të vazhdueshme për të mbajtur nën kontroll çdo formë të shprehjes politike shqiptare, jo vetëm brenda Kosovës por edhe në diasporë, struktura e inteligjencës jugosllave – UDB-ja – ndërmori një sërë veprimesh sistematike dhe të përllogaritura për të minuar organizimin e mërgatës shqiptare. E vetëdijshme se zëri i lirë që po artikulohej në Perëndim për të drejtat e shqiptarëve mund të fitonte vëmendjen ndërkombëtare dhe të rrezikonte narrativën zyrtare jugosllave, UDB-ja e konsideroi diasporën jo vetëm si mjedis opozitar, por si një fushë aktive beteje, ku duhej vendosur infiltrimi dhe sabotimi.
Në këtë kuadër, një nga strategjitë më të njohura të saj ishte rekrutimi i individëve të brishtë, të mashtruar ose të shantazhuar nga vetë strukturat shtetërore, që shpesh ishin shqiptarë të mërguar. Këta individë – të cilët, për shkak të presioneve ekonomike, mungesës së vetëdijes kombëtare, frikës apo leverdisë personale – u rekrutuan si spiunë dhe agjentë, me detyra të qarta, të ndërhynin në rrjetet e organizimit të punëtorëve shqiptarë në mërgatë, të provokonin tensione, të sabotonin demonstratat dhe të pengonin marrjen e institucioneve të bashkësisë në duar të vetë punëtorëve.
Klubet kulturore dhe shoqërore, të themeluara me mund dhe vetëorganizim nga mërgimtarët shqiptarë, ishin bërë përherë e më shumë qendra të rëndësishme të ndërgjegjësimit kombëtar. Këto ishin hapësira ku zhvilloheshin diskutime politike, organizoheshin manifestime dhe përhapej fjala e lirë, larg censurës jugosllave. Por për qeverinë e Beogradit, ato përbënin rrezik të madh. Për këtë arsye, përmes përfaqësive diplomatike dhe rrjetit të vet agjenturor, UDB-ja ndërmori veprime për të ruajtur ndikimin në këto qendra dhe për të frenuar çdo përpjekje për autonomi të shqiptarëve në mërgatë.
Në këtë mjedis të tensionuar, agjentët e infiltruar kishin misione të qarta, të provokonin ndarje mes veprimtarëve të vërtetë, të mbillnin mosbesim e konfuzion, të pengonin çdo organizim të demonstratave dhe, në raste ekstreme, të ndërmerrnin veprime që çonin në ndalimin ose në mbylljen e vetë klubeve. Ata përpiqeshin të parandalonin përhapjen e kërkesave të ligjshme të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare dhe të ruanin kontrollin e aparatit shtetëror edhe jashtë kufijve të vendit.
Por ajo që Beogradi nuk arriti të kuptojë ishte se ndërgjegjësimi që kishte nisur në mërgatë nuk mund të ndalej më as me shantazh, as me spiunim. Mërgata shqiptare, e lidhur shpirtërisht me atdheun dhe e informuar për zhvillimet në Kosovë, po ndërtonte një vetëdije të re, më të organizuar dhe më të qëndrueshme. Ajo jo vetëm që e kuptonte lojën e pushtetit, por e ekspozonte hapur dhe e sfidonte. Me kalimin e kohës, shumë prej agjentëve të rekrutuar u izoluan dhe u demaskuan publikisht, ndërsa përfaqësuesit diplomatikë të Jugosllavisë filluan të përjashtoheshin nga klubet, për t’ua lënë vendin vetë përfaqësuesve të diasporës punëtore shqiptare.
Kjo përballje e heshtur, por e vendosur, është një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së rezistencës shqiptare në mërgatë. Ajo tregon se përballë një aparati të sofistikuar të frikës dhe përçarjes, shqiptarët e gjetën forcën për të ndërtuar institucione vetëpërfaqësuese dhe për ta mbrojtur kauzën e tyre me dinjitet, madje edhe në tokë të huaj. E në këtë përpjekje, ata dëshmuan se liria nuk është vetëm e drejtë politike, por edhe vetëdije kolektive që nuk mund të nënshtrohet nga kurrfarë agjenture.
Mërgata punëtore si vazhdimësi e rezistencës
Në epokat kur popujt përballen me shtypje të egër dhe me përpjekje sistematike për nënshtrim e asimilim, ata që janë larguar fizikisht nga atdheu shpesh nuk qëndrojnë larg as shpirtërisht, as politikisht. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për punëtorët shqiptarë në mërgatë, të cilët, megjithëse të larguar nga dhuna e drejtpërdrejtë e regjimit jugosllav, mbetën të lidhur ngushtë me fatin e popullit të tyre dhe me drejtësinë e kauzës së tij. Asgjë nuk i ndal më në rrugëtimin e tyre të ndërgjegjshëm e të drejtë. Ata e kanë kuptuar me qartësi se nuk janë të ndarë nga realiteti i rëndë i Kosovës – përkundrazi, janë pjesë organike e një trupi të përbashkët që vuajtjet, poshtërimet dhe padrejtësitë i përjeton njëlloj, kudo që ndodhet. Ata ndihen pjesë e atij populli që shtypet çdo ditë nga çizmja e ushtarit dhe nga kërbaçi i xhandarit fashist jugosllav, dhe për këtë arsye, nuk mund të rrinë indiferentë përballë thirrjes së atdheut.
Zëri i Kosovës së robëruar, i studentëve që bien për të drejtën, i fshatarëve që rrinë nën kërcënimin e armëve, i intelektualëve të pushuar nga puna, i nënave që qajnë fëmijët e vrarë – është një zë që ata e dëgjojnë çdo ditë. Dhe për këtë zë, ata ngrihen në këmbë. Ata nuk janë më thjesht punëtorë në fabrikat e Evropës – janë përfaqësues të ndërgjegjes shqiptare, bartës të një përgjegjësie që e ka tejkaluar përmasën individuale dhe është shndërruar në mision kombëtar.
Veprimtaria e tyre nuk kufizohet vetëm në deklarata simbolike apo në solidaritet pasiv. Ata janë të pranishëm në çdo përpjekje që kërkon guxim dhe përkushtim. Në organizimin e demonstratave të fuqishme përballë ambasadave jugosllave. Në marrjen nën kontroll të klubeve që dikur ishin vegla të propagandës shtetërore. Në përhapjen e informacionit, në shkrimin dhe shpërndarjen e trakteve, në ndihmën për familjet e persekutuara. Ata janë aty ku koha dhe nevoja e kërkon, duke mbushur boshllëqe dhe duke krijuar ura të reja ndërmjet mërgatës dhe atdheut.
Për më tepër, ata janë dëshmi e një fakti themelor se lufta për liri nuk ka kufij gjeografikë. Ajo nuk ndalet në Merdare apo në kufijtë e Dukagjinit – ajo jeton në zemrat e mërgimtarëve në Zvicër, Gjermani, Austri apo Suedi. Dhe kur thirrja e popullit është e fortë, as pasaportat, as presioni, as shantazhi nuk e ndalin përfshirjen e tyre. Sepse kur atdheu rënkon, përgjigjja nuk është heshtja – por veprimi, pjesëmarrja dhe përkushtimi. Kështu, punëtorët shqiptarë në mërgatë nuk janë thjesht mbështetës të çështjes kombëtare – ata janë zgjatimi i saj. Janë ura lidhëse ndërmjet Kosovës së shtypur dhe botës së lirë. Janë ndërgjegjja që nuk pushon dhe vullneti që nuk thyhet. Dhe sa herë që historia e lirisë së Kosovës të rrëfehet me ndershmëri, zëri i tyre do të zërë një vend të veçantë – si ata që, megjithëse larg në trup, ishin më afër se kushdo në shpirt dhe në veprim.
Në rrjedhën e çdo lëvizjeje çlirimtare, nuk mungojnë përpjekjet për ta zbehur energjinë e saj përmes përçarjes, infiltrimit dhe instrumentalizimit të individëve me vetëdije të ulët kombëtare apo me interesa personale. Edhe në radhët e diasporës shqiptare në vitet e përplasjeve më të mëdha me aparatin represiv jugosllav, fatkeqësisht nuk kanë munguar rastet e atyre që, të shtyrë nga frika, oportunizmi, dobësia morale apo nga përfitime afatshkurtra, kanë zgjedhur të rreshtohen në anën e gabuar të historisë. Ata, duke u bërë vegla të bindura të aparatit famëkeq të UDB-së, i kthyen shpinën popullit të vet dhe zgjodhën t’i shërbejnë interesave të një regjimi që i kishte mohuar të gjitha të drejtat atdheut të tyre.
Por ajo që mbetet po aq e rëndësishme sa ky fakt i hidhur, është reagimi kolektiv i vetë punëtorëve shqiptarë në mërgatë. Ndërgjegjja e tyre nuk u errësua nga veprimet e pakicës së shitur. Përkundrazi, me maturi dhe vendosmëri, ata kanë ditur të dallojnë, të izolojnë dhe të neutralizojnë në mënyra të ndryshme këta individë, të cilët me veprimet e tyre nuk kanë përfaqësuar aspak diasporën e ndershme dhe të përkushtuar.
Punëtori i mërguar shqiptar, ndonëse i vendosur në një realitet të ri e shpesh sfidues, ka ruajtur lidhjen e pandërprerë me popullin dhe atdheun e tij. Ai ka ndërtuar një vetëdije politike dhe shoqërore të thellë, të ushqyer jo vetëm nga përvoja e përditshme e mërgimit, por edhe nga ndjenja e përgjegjësisë që e ndjen për çështjen kombëtare. Pikërisht kjo vetëdije ka bërë që mërgata të mos rrëshqasë në pasivitet, por të ruajë vigjilencën e nevojshme për të mos lejuar që zëri i saj të përfaqësohet nga të shiturit, nga ata që për interesa të ngushta kanë zgjedhur ta mohojnë vetveten.
Ata spiunë dhe agjentë të rekrutuar në mënyrë të turpshme nga shërbimet sekrete jugosllave janë bërë të njohur për komunitetin shqiptar të mërguar. Janë të njohur jo vetëm për qëndrimet e tyre të dyfishta, por edhe për përpjekjet për të minuar unitetin dhe zbehur zërin e bashkësisë në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, ata nuk kanë gjetur strehë morale në mesin e punëtorëve tanë. Ata janë përjashtuar jo me hakmarrje, por me vetëdije kolektive që ka refuzuar kategorikisht çdo formë bashkëpunimi me shtypësin.
Dhe, megjithëse nuk ishte koha e llogarive personale, punëtori shqiptar e dinte mirë se drejtësia morale nuk harrohet. Ai nuk kërkon ndëshkim përmes dhunës, por ndarjen e qartë të së drejtës nga padrejtësia, të qëndresës nga servilizmi, të dinjitetit nga poshtërimi. Dhe kur të vijë momenti i duhur – ai moment kur historia do të shkruhet me ndershmëri dhe përgjegjësi – emrat e atyre që qëndruan me popullin dhe të atyre që e tradhtuan, do të dalin vetvetiu në dritë. Sepse mërgata shqiptare nuk është thjesht një masë punëtore e shpërndarë nëpër Evropë. Ajo është pjesë e ndërgjegjes kombëtare, pjesë e zërit të lirisë. Dhe ky zë, as nuk blihet, as nuk shantazhohet. Ai qëndron përkrah popullit – edhe në ditët më të vështira.
( vijon )