THOTI NGA ROGANA

0
Atdhe Geci - libra

Ndodhem te Guri i krenarisë së fshatit
aty ku natyra të bën të kesh emocione
në këtë bukuri të bekuar të Dardanisë,
prania e erës nëpër gjethe të pemëve
e lajmëron një ditë vërtetë të bukur,
një ditë me tinguj e muzikë të gjelbër.
Fjalët e dashurisë janë ato të lashtat;
më do, të dua! S´më do, e gjej timen,
janë të njëjtat prekje dhe, përqafime!

Nuk i gjej mangësi rritës në Roganë
gjak dashurie më pikon në kraharor
një ushtimë gurësh ngrihet nga toka
nga një luftë e ashpër e gjithë qenies.
Nga e çdoditshmja i mbushim kupat
që të mos biem në vetminë e pafund
puthjet e ditës së sotme nuk i lëm
për nesër, të dashurosh do të thotë të
duash, të duash do të thotë të lindësh!…

Të tëra ditë e jetës janë për të jetuar,
për ti dhënë gjak të mirës, të bukurës,
të jesh poet do të thotë të bësh vepra
dhe të kesh fuqinë të krijosh këngë,
dhe të kesh fuqi ta duash vendin tënd.
Takimet me dashuri janë të ëmbla,
janë frymëzime çastesh për të jetuar,
është dashuria, përflakja e zemrave
për tërë ata që faqet i kanë trëndafil.

Asgjë s´ka më të përjetshme se gruri
Se fruti yt i mollës në arat me plisa
Je bukë dhe mollë, lule dhe kumbull.
Je misër dhe grurë, -natyrë dhe libër.
Roganë do të thotë, lindëse e jetës
Roganë do thotë ta duash atdheun,
Roganë do të thotë kallinj ylberesh
Roganë do të thotë, identitet dardan.

Atdhe Geci

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.