Të ndarë dhe pa platformë shtetërore!

0
Escobar - Lajçak

Shkruan: Florim Zeqa, 02.02.2022

Vizita treditore e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe e emisarit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar me vizitat e ndara dhe me dyer të mbyllura për media me liderët shtetërorë dhe partiakë të Kosovës nuk është ogurmirë për vendimet që e presin Kosovën në fazën finale të dialogut!

Ndarja e spektrit politik, rritë presionin ndaj Kosovës

Deri tek kjo ka ardhur si produkt i ndarjes së skenës politike kosovare karrshi dialogut me Serbinë. Një situatë e tillë lë hapësirë për ushtrim më të madh të presionit ndërkombëtar ndaj forcave politike dhe liderëve kosovarë në veçanti!

Sikur të ishte e unifikuar skena politike kosovare, emisarët perëndimor nuk do t’i kalonin tri ditë, e madje as tri orë në vendin tonë, ngase do të merrnin përgjigjen e duhur brenda një ore nga lidershipi kosovarë.

Ndarja e skenës politike është një mundësi e mirë për presion shtesë të faktorit ndërkombëtar ndaj politikanëve kosov(r)arë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, me temën numër 1 në agjendë, atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i nëshkruar nga dy ish kryeministrat e Kosovës në Bruksel në vitin 2013, respektivisht 2015.

Pavarësisht interpretimit të Gjykatës Kushtetuese ndaj marrëveshjes së fundit për Asociacionin dhe faktit se Qeveria e Kosovës, presidenca dhe shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës i kanë bërë të ditura qëndrimet e tyre rreth çështjes së Asociacionit, qëndrimet e liderëve opozitarë mund t’i ndryshojnë agjendat e ndërkombëtareve sa i përket procesit të dialogut .

Mosunifikimi i liderëve partiakë pa dallim pozitë-opozitë, krijon dilemat për zgjidhje të imponuar e cila shumë lehtë mund ta vë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë! Jo pse po e themë unë kështu, por përvoja e hidhur e Demarkacionit me Malin e Zi na shtynë të dyshojmë në vendimin final (fatal) për shtetin e Kosovës!

Sikur të mbahej takimi i përbashkët me zyrtarët perëndimorë, gjasat për zgjidhje të imponuar, për të mos thënë fare, do të ishin minimale!

Një situatë e tillë nuk është e re dhe e papritur për rrethanat kosovare. Edhe në të kaluarën, gjegjësisht në fazat e mëhershme të dialogut, kur janë nënshkruar marrëveshje të dëmshme për vendin, pikërishtë kjo pozitë e tanishme e bojkotonte pjesëmarrjen në procesin e dialogut me Serbinë me arsyetimin “se ne nuk ulemi në dialog pa njohje paraprake nga Serbia” dhe justifikime tjera të cilat sot po i shkelin me të dyja këmbët!

Çasja hakmarrëse dhe inatet personale, kanë dëmtuar të ardhmen e shtetit

Prandaj, për aq sa ishte jo serioze çasja e LVV-së dhe e Albin Kurtit si opozitarë, aq është jo serioze çasja e opozitës së tanishme, e cila në formë të revanshit politik nuk është duke i dhënë mbështetje Albin Kurtit në dialog me Serbinë!

Kësisoji, çasja jo serioze e partive politike dhe e liderëve partiakë po vazhdon edhe në këtë fazë të dialogut, duke i sfiduar interesat e shtetit për hakmarrje dhe inate personale.

Mbetja vetëm e Qeverisë Kurti në ballafaqim me Serbinë dhe ndërkombëtarët, nën presionin për Asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive, është produkt i opozitarizmit të shfrenuar të Albin Kurtit, kundër të gjithëve dhe kundër çdo veprimi dhe vendimi  shtetformues dhe shtetndërtues për Republikën e Kosovës.

Kjo situatë i shkon për shtati Serbisë që të jetë më këmbëngulëse në kërkesat e saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por e jo edhe Kosovës, e cila nuk flet me një zë të vetëm para bashkësisë ndërkombëtare!

Unifikimi i faktorit politik kosovarë në kundërshtim të Asociacionit njëetnik serb me kompetenca ekzekutive, do t’i detyronte zyrtarët ndërkombëtar që t’i çasen ndryshe fazës finale të dialogut, për çka do të dobësohej edhe pozicioni i Serbisë në dialog, për ta detyruar këtë të fundit që të heqë dorë nga kërkesat e saj maksimale.

Mirëpo mosuniteti i spektrit politik kosovarë dhe mungesa e një platforme të përbashkët nacionale për dialogun, jo vetëm që e dobëson pozicionin e Kosovës në fazën finale të dialogut, e bën të pafuqishme Qeverinë e Kosovës përballë shtetit të Serbisë, i cili kur është në pyetje Kosova paraqitet gjithnjë e më unike në qendrime karrshi faktorit ndërkombëtarë.

Megjithatë, mbetët shpresdhënës mesazhi i emisarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili para ardhjes në Kosovë deklaroj se ShBA-të e nxisin qeverinë e Kosovës të shqyrtojë modelet më të avancuara dhe mundësitë më të mira për  realizimin e asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Në historinë më të re kombëtare, në veçanti të shqiptarëve të Kosovës, një herë ka ndodhur mrekullia e unifikimit të qenjes sonë kombëtare dhe atë në fillim të viteve të ’90-ta, më as në luftë dhe as pas saj nuk arritem të bëhemi bashkë për shtetin e Kosovës! Të gjitha meritat për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare i atribuohen SHBA-ve dhe shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.